ALBIN KURTI: PLANI I AHTISAARIT E KA INSTITUCIONALIZUAR NDARJEN ETNIKE NË VENDIN TIM

Pashtriku.org, 09. 09. 2012 – (Letra dërguar Ambasadorëve të Kuintit) – Do të doja të përfitoja nga ky rast për t’ju shkruar juve, si Ambasador që përfaqësoni vendet e Kuintit, për të shpjeguar me plot respekt pse ne nuk e shohim 10 shtatorin si ditë për t’u festuar, ose si përfundim të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Si gjithmonë, më lejoni të filloj duke e rikonfirmuar respektin dhe mirënjohjen tonë për ndihmën jetike që ju dhe populli juaj i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë viteve. Ne shpresojmë që ju do të vazhdoni të na ndihmoni, si mbështetës të fuqishëm të sovranitetit tonë. Duke marrë parasysh këtë, unë shpresoj se do të merrni në konsideratë komentet e mia më poshtë.
Nuk ka dyshim, ju do të prisnit që do të na gjente të kënaqur fakti që një nga katër misionet ndërkombëtare në Kosovë, me fuqi ekzekutive, i cili ishte edhe misioni i vetëm që ka njohur zyrtarisht pavarësinë tonë, është duke u larguar. Megjithatë, largimi i tij zyrtar ka pak rëndësi kur mandati i tij – zbatimi i Planit të Ahtisaarit – ka pasur efekte të përhershme dhe të dëmshme për vendin tonë.

……………………………

………………………………………………………………….

Duke na parë vetëm nëpërmjet prizmit etnik, Plani i Ahtisaarit e ka institucionalizuar ndarjen etnike në vendin tim. Ai ka krijuar autonomi territoriale për minoritetin serb në Kosovë, që përbën 5% të popullsisë, në 20% të territorit tonë. Ai ka krijuar kufij të tjerë autonomë përreth zonave të shumta ortodokse, të cilat i ka definuar si pronë të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Pra, ai i ka instrumentalizuar këto vende kulturore politikisht, në vend që t’i respektojë ato si trashëgimi të gjithë popullit të Kosovës, dhe duke u dhënë besimtarëve të saj të sotëm lirinë për ta përcaktuar vetveten. Së treti, ky Plan ka dashur të transformojë identitetin e Kosovës duke e imponuar përkufizimin e tij për ne si “shoqëri multietnike,” pa pëlqimin tonë, dhe duke e mohuar realitetin se mbi 90 për qind e popullsisë sonë është shqiptare.
Për më tepër, nuk ka shumë arsye për të festuar largimin e ICO-së, kur ndonëse kreu dhe forma e saj s’do të jenë më, tentakulat e saj do të mbeten. Në javët e fundit, siç është bërë, fatkeqësisht, praktikë standarde në Parlamentin tonë, ligje me rëndësi të madhe për vendin na janë imponuar, me udhëzime të lëshuara nga zyrtarë ndërkombëtarë për mënyrën si duhet të votojnë deputetët. Këto ligje kanë rrënjosur praninë e përhershme të zyrtarëve ndërkombëtarë në institucionet e Kosovës, ashtu siç parashihet me Planin e Ahtisaarit. Është e paqartë se kush do t’i emërojë këta zyrtarë dhe para kujt do të jenë përgjegjës. Prania e tyre e vazhdueshme e dobëson demokracinë tonë tashmë të brishtë.
Së fundi, i konsideroj si një mashtrim të paturpshëm deklaratat se pavarësia e mbikëqyrur ka përfunduar. Përveç rolit ekzekutiv të NATO-s në sigurinë dhe menaxhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe institucioneve të mbetura të UNMIK-ut në Prishtinë dhe Mitrovicë, EULEX-i është ende në Kosovë. Sipas një marrëveshjeje të re ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, misioni i EULEX-it do të jetë këtu së paku deri në vitin 2015, me mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në preambulën dhe klauzolat përkatëse të dokumentit themelues të EULEX-it, Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së 5928/08, i cili e bazon misionin e EULEX-it në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe që përcakton një seri kompetencash ekzekutive mbi institucionet e Kosovës. Për më tepër, BE-ja ende nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e nëntorit 2008 me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së lidhur me “neutralitetin ndaj statusit” të misionit të saj.
Pas 10 shtatorit 2012 institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të varura nga misionet ndërkombëtare me kompetenca ekzekutive, mbi ato që u jepen Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë nëpërmjet procesit demokratik. Kosova do të vazhdojë të strehojë brenda kufijve të saj misione ndërkombëtare të bazuara në Rezolutën e OKB-së që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, dhe në rastin më të mirë është e definuar si “neutrale ndaj statusit”. Përveç kësaj, ne përballemi me kërcënime të vazhdueshme ndaj sovranitetit tonë politik nga Serbia dhe me një kërcënim shumë shqetësues ndaj sovranitetit tonë ekonomik nga një proces i korruptuar i privatizimit.
Vendi ynë ndodhet në një pikë kritike në mbijetesën e shtetësisë së tij. Nuk është koha për festime të rreme, të cilat janë duke u përdorur nga elita jonë politike e korruptuar dhe e diskredituar për të zgjatur jetën e tyre në pushtet dhe për të mashtruar mizorisht popullin tonë.
Ju falënderoj që keni gjetur kohë për ta lexuar këtë letër dhe ju lus që të mendoni shumë seriozisht se si mund të ndihmoni në konsolidimin e sovranitetit dhe integritetit tonë territorial në muajt e ardhshëm, pa kërkuar kompromise të tjera dhe të shtrenjta nga Kosova.
Nëse dëshironi të diskutoni më tej në lidhje me këto komente, ju lutem mos hezitoni të më kontaktoni.
AlbinKurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 7 shtator 2012

==================================

Letër drejtuar Ish’Presidentit Martti Ahtisaari
PLANI JUAJ E MBAN PENG KOSOVËN NGA STRUKTURAT E SERBISË

Kosova mundet shumë më mirë
Po ju drejtohemi me këtë letër jo pse mendojmë që ju jeni arkitekti i pashoq i Pakos që ka marrë emrin tuaj dhe e cila i është imponuar Republikës së Kosovës. Ne e dimë se zgjidhja ndërkombëtare që është aplikuar në Kosovë nuk ka protagonist të vetëm. Por kemi zgjedhur t’ju shkruajmë ngaqë keni qenë emblema e një procesi të tillë. Prandaj thirrjen tonë ju lusim ta kuptoni si shqetësim të shumë prej qytetarëve të Kosovës dhe një pjese të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës, zëri i të cilëve nuk u dëgjua kurrë dhe vullneti i të cilëve është shkelë vazhdimisht.
Vendimi juaj për ta trajtuar Kosovën si një rast të veçantë të shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe përpjekja për zgjidhje që dallon nga ajo e ish republikave, ka pasur dhe do të ketë pasoja negative afatgjatë për Kosovën. Në vend që popullit të Kosovës t’i njihej e drejta e vetëvendosjes së popujve në kuptimin qytetar dhe territorial, u ndoq formula e cila Kosovës ia pranon shkëputjen nga Serbia, kurse Serbisë ia akomodon maksimalisht interesat e saj brenda Kosovës. Ideja juaj ishte që t’i drejtpeshoni sa më shumë interesat, ama kjo rrjedh nga një keqperceptim i thelbit të çështjes së Kosovës – nga konceptimi i Kosovës si problem shqiptaro-serb. Prandaj edhe zgjidhja e ofruar nga ju ka qenë po kështu – zgjidhje shqiptaro-serbe: komuna të reja serbe, eksterritorialiteti i 45 kishave të cilat i definuat si ‘serbe’, pastaj shumica e dyfishtë, që nënkupton pamundësinë e ndryshimeve kushtetuese pa u pajtuar serbët, etj…

Martti Ahtisaari

………………………………………..

Logjika juaj ndoshta mund të ketë qenë qëllimmirë, mirëpo, meqë ajo është e padrejtë, si e tillë do të krijojë veçse efekte të padëshirueshme. Nëpërmjet zgjidhjes që keni propozuar Serbisë i janë ofruar mundësi të mëdha për ta kontrolluar stabilitetin politik të Kosovës. Ju ndoshta keni menduar se në këtë mënyrë po u ofroni të drejta pakicave e sidomos asaj serbe, por ndoshta nuk e keni ditur se disa prej hapësirave të Kosovës sundohen nga strukturat e paligjshme të Beogradit. Shumica e serbëve në Kosovë ende mbesin peng i politikave destruktive dhe hegjemoniste të Serbisë. Dhe propozimi juaj ka shërbyer në mënyrë të përshtatshme që Beogradi ta përdorë këtë mundësi për ta luftuar efektivisht pavarësinë e Kosovës. Ju i keni shërbyer me zgjidhjet tuaj mitit famëkeq serb për Kosovën si ‘Metohi’ – ‘kombi martir’ i Car Lazarit të cilit iu mor zemra nga osmanët në Betejën e Kosovës dhe të cilën Serbia e ktheu më 1912, zemër kjo të cilën ia mori NATO-ja dhe shqiptarët… Ky ishte miti që e inspiroi Milosheviçin dhe që për ruajtjen e ‘zemrës’ e shtyri atë t’i mbyllte sytë edhe para fakteve e realitetit, dhe ta dëbonte e ta vriste popullin shumicë shqiptar të Kosovës duke bërë gjenocid. Vetëm që ta kthente me dhunë realitetin në përputhje me mitin serb për Kosovën.
Trajtimi i Kosovës edhe në rrafshin ekonomik, si rast unik i shpërbërjes së Jugosllavisë, ka pasur po ashtu ndikim shumë negativ në vendin tonë. Statusi i Kosovës si entitet autonom brenda federatës së Jugosllavisë ka qenë i njohur deri në atë masë sa të detyrohemi ta marrim përsipër një pjesë të borxhit të jashtëm të Jugosllavisë. Ndërkohë që e drejta e Kosovës për ta trashëguar një pjesë të pasurisë së Jugosllavisë, siç janë rezervat e arit, infrastruktura ushtarake dhe ajo diplomatike, asnjëherë nuk u respektua. Ne e trashëguam borxhin e përbashkët pa e trashëguar edhe pasurinë e përbashkët të ish Jugosllavisë. Kjo nuk është e drejtë. Për më tepër, edhe pse Plani yt e thotë se e tërë pasuria e ndërmarrjeve shoqërore brenda Republikës së Kosovës do t’i takojë Kosovës (nen ky që u hoq nga Kushtetuta jonë më 7 shtator 2012), ju pastaj na e imponuat mënyrën se si do të menaxhojmë me këtë pasuri. Plani yt e kërkonte, si qëllim politik, privatizimin e shpejtë dhe të plotë të këtyre ndërmarrjeve shoqërore, sipas parimeve ekonomike neoliberale. Duke i trajtuar qëndrimet ideologjike si parime universale, Plani yt i ngriti këto qëndrime në kategori kushtetuese. Kjo e pamundësoi çfarëdo konsiderimi demokratik të institucioneve tona për këto politika dhe parime, ose të vlerësimit të mirëfilltë të privatizimit si mjet për zhvillimin ekonomik. Në vend të kësaj Plani yt e bëri privatizimin një parim të pakundërshtueshëm të qeverisjes ekonomike. Kjo e minon sovranitetin ekonomik të Kosovës dhe po e dëmton mirëqenien tonë ekonomike si dhe perspektivën për gjeneratat e ardhshme.
Në një intervistë jeni shprehur se zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë e keni trajtuar sikur rastin e një hajni që ia vjedh dikujt kuletën dhe se ju nuk keni bërë gjë tjetër veçse atë që duhej – që t’ia kthenit pronarit të vërtetë kuletën e tij. Në të vërtet, ju mund edhe të mos e dini sepse nuk jetoni në Kosovë dhe me siguri që nuk do të jetoni kurrë, por ne që jetojmë këtu, e shohim për çdo ditë se propozimi juaj për Kosovën prodhon një situatë tjetër – ju ja keni kthyer pronarit kuletën, por me kushtin që ta zbrazni atë nga paratë. Dhe që dikush vazhdimisht t’i fus duart në kuletën tonë. Prandaj kemi filluar ta marrim vesh se një kuletë pa para është kot.
Si një diplomat me nam që jeni, me siguri që rivlerësoni punën dhe arritjet tuaja, duke i parë ato në dritën e zhvillimeve të kohës. Ne kemi rastin të ju informojmë se puna juaj për Kosovën nuk ka dhënë rezultatet me të cilat ju e keni justifikuar zgjidhjen qe e keni ofruar. Së pari Plani juaj është zbatuar vetëm pjesërisht – vetëm aty ku ka pranuar Beogradi: nëpër enklava po, kurse në veri jo. Kurse tash Kosova ndodhet përpara negociata të reja për veriun në të cilat Pakoja juaj do të hapet. Zgjidhje tjera mund të pasojnë të cilat shkojnë edhe më larg sesa propozimi juaj. Dhe, në fund, mund të përballemi me kohën kur për një pjesë të Kosovës të vlejë propozimi juaj, kurse për veriun një zgjidhje tjetër. Ndërkohë që zgjidhja juaj vazhdimisht është trumbetuar si një ‘kompromis i dhimbshëm’ për integrimin e pakicës serbe si dhe për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto që i përmendëm, e dimë që çdo diplomat mundohet që me fanatizëm t’i mbrojë të gjitha zgjidhjet të cilat i propozon, por do t’ju lusnim që ta rimendonit dhe rivlerësonit dobinë dhe suksesin e planit tuaj për Kosovën. Pyetjet që duhet të shtrohen janë:
– A e bëri Plani juaj Kosovën më të integruar territorialisht?
– A e i integroi Pakoja juaj pakicën serbe në Kosovë?
– A e shpëtoi Pakoja juaj veriun nga kontrolli i Serbisë?
Të gjitha këto përgjigje janë negative. Porse të gjitha këto ishin arsyet pse thatë se Plani juaj duhej të pranohej.
Ne presim nga ju që ta kuptoni se Plani juaj edhe nëse do të ishte konceptuar si zgjidhje para 5 vitesh, sot paraqitet si pengesë. Pengesë për sovranitet dhe kufizim për pavarësi të plotë. Plani juaj e mban peng Kosovën nga strukturat e Serbisë. Kjo gjendje e krijuar ia siguron Serbisë vazhdimisht një elitë politike e cila loz me kartën e hegjemonisë, sikur Nikoliçi e Daçiçi. Kurse Kosovës ia garanton brishtësinë dhe dobësinë, si një kafshatë e lehtë për të cilën gjithnjë do të shpresojë Serbia. Kjo është garanci për pamundësinë e rrugëtimit evropian për Serbinë dhe Kosovën.
Nëse dikur na e bëtë një dëm, sot na e keni një borxh. Pranojeni se Kosova sot mundet shumë më mirë dhe se ka nevojë të shkojë përtej Planit tuaj. Drejt sovranitetit të kompletuar dhe pavarësisë së plotë. Ku të drejtat e pakicave do të mbroheshin sipas konventave evropiane për këtë punë sikur në vende e zhvilluara të BE-së. Ndryshe, Plani juaj gjithnjë e më shumë po kthehet në garanci të mungesës së suksesit të shtetit të ri me shumë pengesa në fushën e demokracisë, sovranitetit, sundimit të ligjit dhe integrimeve evropiane.
Albin Kurti – Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 09. 09. 2012

……………………………………………………

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura