ALEKSANDËR MOISIU …

Me rastin e përvjetorit të lindjes

ALEKSANDËR MOISIU

aktori më i madh i skenës evropiane në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX

Një yll i ndritur në qiellin e teatrit shqiptar, në agim të shekullit XX ka qenë Aleksandër Moisiu. Ka lindur më 2 prill të vitit 1879 në Trieste, aso kohe pjesë e Austro-Hungarisë.  Ishte aktor austriak me prejardhje nga familja shqiptare e Moisive. Babai i tij ishte nga Kavaja, ndërsa e ëma arbëreshe, nga Italia e jugut. Babai quhej Konstantin Moisiu, ndërsa e ëma Amalia Moisiu, e lindur De Rada.

Në gjuhë të ndryshme apo ndër popujt të ndryshëm, emri i tij haset në forma të ndryshme, si p.sh. Alexander Moissi, etj.   

Fëmijërinë e kaloi në Trieste, në Durrës dhe në Grac. Shkollën e mesme e kreu në vitin 1898 në Grac të Austrisë. Pas vdekjes së të atit, Aleksandri, me të ëmën dhe dy motrat u vendos  në Vjenë. Ai ishte 19 apo 20-vjeçar. Për një kohë të shkurtër ndoqi Konservatorin e Vjenës, por për arsye ekonomike u detyrua të punojë si duartrokitës në Opera dhe si figurant në Burgteatër.

Veprimtarinë si aktor e filloi në vitin 1899, me nxitjen dhe  mbështetjen e aktorit austriak Jozef Kainc (Josef Kainz, 1858-1910). Në Burgteatër u angazhua si kompars, d.m.th. si një aktor që luan role të vogla. Sakaq, do të bëhet prej aktorëve më të mëdhenj të skenës në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX.  

Në vitin 1903 debutoi me sukses në Teatrin gjerman të Pragës. Në vitin 1904, në teatrin “Volksbühne” (Skena popullore) të Berlinit. Në Berlin gëzoi mbështetjen dhe ndihmën e regjisorit të njohur Maks Rajnhard (Max Reinhardt, 1873-1943) i cili e pranoi në teatrin e tij. Këtu u shqua në rolin e Osvaldit nga pjesa “Fantazmat” të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906, pseudonim i Brynjolf Bjarme) dhe të Hamletit, të dramaturgut dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616).

Në vitin 1911, Moisiu e shoqëroi Ansamblin e Rajnhardit në një turne në Rusi. Për interpretimin e rolit të Edipit në Shën-Petërsburg, Moisiu u ngrit lart nga kritiku dhe dramaturgu Anatoli Lunaçarski (1875-1933). Pas suksesit të korrur, u angazhua në shumë vende të Evropës dhe në Amerikën Veriore.

Gjatë Luftës së Parë Botërore u zu rob nga francezët. U lirua pas ndërhyrjes së bashkatdhetarit të tij në Bukuresht, shkrimtarit rumun me prejardhje shqiptare Viktor Eftimiu (1889-1972).

Në vitin 1917, Aleksandër Moisiu mori një certifikatë ku dëshmohej shtetësia shqiptare e tij.   

Në vitin 1921 pranoi ftesën e Viktor Eftimiut për të dhënë shfaqje në Rumani. Në vitet 1924-1929 dha shfaqje në Moskë, në Leningrad, në Paris si dhe në qytetet kryesore të Amerikës së Veriut. Në vitin 1931 bëri një turne në Amerikën e Jugut.

Mbante lidhje me studentët shqiptarë në Austri. Më 28 nëntor 1930, u prit ngrohtësisht prej tyre në një darkë, me rastin e Ditës së Flamurit. Për shkak të mbiemrit, qarqet antisemite gjermane dyshonin mos është hebre dhe e përndiqnin. Në vitin 1932 u largua nga Gjermania dhe u vendos në Zvicër.

Po atë vit korri sukses nëpër skenat e Evropës në shfaqjen jubilare të “Faustit” të shkrimtarit gjerman Johan Volfgan Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832).

Në vitin 1933 i plotësoi dokumentet në ambasadën e Shqipërisë në Vjenë për ta marrë nënshtetësinë shqiptare, e cila iu dha në vitin 1934.

*   *   *

Fushëveprimi i Moisiut përfshinte gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke, deri te koha moderne.

Ai luajti role kryesore edhe në premierat e pjesëve teatrale: “Der weiße Heiland“  të dramaturgut dhe tregimtarit gjerman Gerhart Hauptman (Gerhart Hauptmann, 1862-1946); “Zgjimi pranveror” (Frühlings Erwachen, 1891) të dramaturgut dhe poetit gjerman Frank Wedekind (Frank Vedekind, 1864-1918) dhe “Krushku” (Jedermann, 1911)të poetit, dramaturgut dhe eseistit austriak Hugo fon Hofmanstal (Hugo von Hofmannsthal, 1874-1929).

Ndër rolet e tjera për të cilat Moisiu përmendet më së shumti janë Hamleti, Edipi, Jedermani, Fausti, Fedja në pjesën Kufoma e gjallë” të prozatorit, dramaturgut dhe publicistit rus Leon Tolstoj (Lev Nikolaevič Tolstoj, 1828-1910) dhe Dubedati në pjesën “Dilema e doktorit” të dramaturgut irlandez, laureat i çmimit “Nobel” (1925) – Xhorxh Bernard Sho (George Bernard Shaw, 1856-1950).

Rolin e Fedjas nga drama “Kufoma e gjallë” e Tolstoit e interpretoi 1200 herë duke dhënë me mjeshtri të lartë ankthin ekzistencial të njeriut përballë vdekjes.    

Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salcburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku për shkak të zërit të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore, Moisiu konsiderohej si një prej aktorëve më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave botërore ishte shumë kohë në turne.

Në këtë kohë në Berlin aktronte vetëm si mysafir. Këtu, stili i tij i aktrimit konsiderohej i vjetruar dhe tanimë nuk shkonte në hap me zhvillimet teatrore ekspresionizmit apo teatri politik të dramaturgut, poetit dhe tregimtarit gjerman Bertolt Breht (Bertolt Brecht, 1898-1956) apo të Ervin Fridrih Maksimilian Piskator (Erwin Friedrich Maximilian Piscator, 1893-1966) – producent dhe drejtor i Teatrit Gjerman.

*   *   *

Me një art të nivelit të lartë, Moisiu mishëroi role kryesore në kryeveprat e teatrit klasik dhe në ato të kohëve të reja. Në historinë e artit skenik botëror, Moisiu u shqua sidomos për interpretimin e tij origjinal, temperamentin e fuqishëm, thellimin filozofik, lirizmin dhe bukurinë poetike të personazheve. Ka lënë mbresa edhe për zërin e tij që kishte një tingëllim të veçantë.     

       Ndonëse në radhë të parë autor i skenës, prej viti 1910 deri në vitin 1935 Aleksandër Moisiu interpretoi role të ndryshme edhe në dhjetë filma artistikë. Shtatë prej tyre qenë pa zë ndërsa tre me zë:

       “Das Schwarze Los” (1913); “Die Augen des Ole Brandis” (1913); “Kulissenzauber” (1915); “Sein einziger Sohn” (1915); “Pique Dame” (1918); me Johanna Terwin; “Der Ring der drei Wünsche” (1918); “Erborgtes Glück” (1919), me Käthe Dorsch; “Der Junge Goethe” (1919), me Käthe Dorsch; “Zwischen Tod und Leben” (1919), me Maria Zelenka; “Figaros Hochzeit” (1920); “Figaro”, me Hella MojaEduard von WintersteinVera Schwarz, Gertrude Welcker; “Die Nacht der Königin Isabeau” (1920), me Fritz Kortner; “Kean” (1921), “Die Königsloge” (1929), “Edmund Kean”, me Camilla Horn; “Lorenzo de Medici” (1935).

*   *   *

       Moisiu ka shkruar edhe një dramë. Ajo mban titullin  “Der Gefangene” (Robi). Drama flet për vitet e fundit të Napoleon Bonapartit (Napoléon Bonaparte, 1769-1821) në ishullin e Shën-Elenës si dhe për Revolucionin Francez (1789). Drama u shfaq në Gjermani në fillim të viteve ’30, por pas ardhjes në fuqi të nazistëve – u ndërpre. Me këtë pjesë të tijën, Moisiu nuk korri sukses.

*   *   *

Grua e parë e Aleksandër Moisiut ka qenë austriakja Maria Urfus nga Vjena. Ka lindur në Teplitz, Austro-Hungari, më 12 mars 1874. Ka vdekur në Berlin më 13 maj 1943. Emri i saj shfaqet në disa trajta: Marie Urfus, Marie Moissi, Maria Moissi. Ka qenë aktore teatri. Janë martuar në vitin 1910. Martesa ka zgjatur deri në vitin 1918.   

Moisiu ka pasur një martesë me Ana Vilhelmin Sofia fon Krosig (Anna Wilhelmine Sophie von Krosigk (mbiemri i vajzërisë Geiger), e lindur më 22 shkurt të vitit 1898 në Luthe, Hanover, Prusi. Kanë pasur djalin Zigfrid Valter Albert Geiger (Siegfried Walter lbert Geiger).

Pasi është ndarë prej saj, më 1919 është martuar me aktoren e teatrit dhe filmit Johana Tervin (Johanna Terwin), e lindur në Kaiserslautern të Gjermanisë, më 18 mars 1884, ndërsa ka vdekur më 4 janar të vitit 1962, në Cyrih të Zvicrës. Kjo martesë ka zgjatur deri në vdekjen e tij, më 1935.  

Partnere e Aleksandër Mojsiutka qenëaktorja Herta Hambah (Herta Hambach).

*   *   *

Fëmijë të Aleksandër Moisiut:

Beate von Molo, e lindur Moissi. Ka lindur në Munih më 1906 ose 1908. Ka vdekur në vitin 1998. Ka qenë aktore dhe shkrimtare. Nënë e saj është Maria Moisiu (Maria Urfus), d.m.th. gruaja e parë e Aleksandër Moisiut.  

Betina Moisiu (Bettina Moissi) është fëmija apo vajza e dytë e Aleksandër Moisiut. Ka lindur në Berlin më 15 tetor të vitit 1923. Është gjallë. Ka qenë aktore filmi dhe teatri. Nënë e saj është Johana Tervin, d.m.th. gruaja e dytë e Aleksandër Moisiut.       

Aleksandër Moisiu është stërgjyshi i aktorit Gedeon Burkhard, i lindur në Munih më 3 korrik 1969. Është aktor gjerman filmi dhe televizioni. Njihet për rolin kryesor në serinë “Komisari Rex”.

*   *   *

Aleksandër Moisiu vdiq në Vjenë më 23 mars të vitit 1935, në kulmin e veprimtarisë së tij skenike. U varros në varrezat Morkote (Morcote), mbi liqenin e Luganos, në kantonin Tessin të Zvicrës.

*   *   *

Madhështinë e Aleksandër Moisiut e kanë vlerësuar personalitete të mëdha të botës së artit. Midis tyre:

Shkrimtari austriak me prejardhje hebraike Franc Kafka (Franz Kafka, 1883-1924) thotë: “Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”;

Shkrimtari i shprehjes gjuhësore gjermane, me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë Maks Brod (Max Brod, 1884-1968) thotë: “Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur për të interpretuar vetë ai Hamletin”;

Regjisori dhe reformatori i skenës gjermane Maks Rajnhard (Max Reinhard, 1873-1943) thotë: “Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja”;  

Aktori dhe reformisti i teatrit francez Andre Antuan (André Antoine, 1858-1943) thotë: “Me interpretimin e rolit të Hamletit, Moisiu fitoi dashurinë e publikut francez”.    

*   *   *

Në Shqipëri, Aleksandër Moisiu adhurohet dhe respektohet si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit. Është shpallur – pas vdekjes – Artist i Popullit. Emrin e tij e mbajnë Pallati i Kulturës i Durrësit, teatri i Durrësit, Universiteti i Durrësit, Shkolla e aktrimit në Tiranë,  Shkolla e mesme e përgjithshme në Kavajë, një shesh në Trieste. Për nder të tij është themeluar çmimi “Aleksandër Moisiu”. Për të, në Vjenë dhe në Durrës ka muze.

*   *  *

Me jetën dhe me artin e tij janë marrë Bardhyl Kosova, Vangjel Moisiu, Selman Vaqari, Rudiger Shaper (Rudiger Schaper) në Berlin, në vitin 2000, i botuar në gjuhën shqipe në Tiranë në vitin 2003; Sali Hidri.        

 Xhelal Zejneli

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura