ALEKSANDËR NDOJA: 100 VJETORI I PAVARËSISË DHE ANATEMIMI I RADHËS PËR DOM NIKOLL KAҪORRIN

(Pashtriku.org, 02. 10. 2012) – Afrimi i përvjetorit të 100-të të shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve padyshim temperon çdo ditë e më shumë situatën, për të përcjellë këtë festë në mënyrë sa më dinjitoze, dëshmi e një kombi të kulturuar i cili nderon dhe respekton historinë e tij. Por organizatorët e ceremonisë festive që janë pjesë e qeverisë, më shumë se për asgjë janë përkujdesur dhe po përkujdesen për të anashkaluar njërin prej figurave më të rëndësishme të pavarësisë siç është figura e mirënjohur, por e anatemuar historikisht e Dom Nikoll Kaçorrit.
Në këtë lukuni anti-historike e anti-qytetare janë përfshirë që nga presidenti në ikje z. Bamir Topi, padyshim kryeministri Sali Berisha, segmente të qeverisë përfshirë ministrin Aldo Bumçi, protokolli i lartë i shtetit, por çuditërisht edhe një shoqatë me emrin e Dom Nikoll Kaçorrit me epiqendër aktiviteti në Durrës.

……………………………………………………..

Duke i marrë me radhë, ishte shumë zhgënjyese sjellja e ish’presidentit Bamir Topi gjatë një fjalimi përpara deputetëve të parlamentit të Kosovës. Në një fjalim me këtë rast z. Bamir Topi ose më saktë ata që i kanë shkruajtur atë fjalim turpi, e shmang me përkujdesje emrin dhe aktivitetin e Dom Nikoll Kaçorrit, a thua se aktivisti i flaktë dhe bashkëthemelues i shtetit shqiptar të ishte një bodyguard i Ismail Qemalit. Në faqen online të presidencës ku është botuar edhe fjalimi në fjalë, shkruhet e zeza mbi të bardhë: “…..100 vjet më parë burrat e shtetit dhe patriotët e shquar Ismail Qemali e Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe Rexhep Mitrovica vunë firmat e tyre në themelet e Shtetit të ri shqiptar. Merita e tyre e madhe nuk lidhet vetëm me krijimin e shtetit, por edhe me orientimin e tij në embrion si shtet me identitet të qartë evropian dhe perëndimor….”. Pra presidenti Topi, flet për patriotët e shquar Ismail Qemali e Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe Rexhep Mitrovica, por nuk gjen kohë dhe vend për emrin e Dom Nikoll Kaçorrit. Po ashtu edhe në Vlorë, teksa Presidenti ka akorduar dekorata për Ismail Qemalin dhe qytetin e Vlorës, ka dekoruar edhe të gjithë firmëtarët e aktit të shpalljes së Pavarësisë. Duke mos pasur asnjë organizim protokollar, dekorata për nënkryetarin e qeverisë së parë pas Pavarësisë, i është lënë në dorë një qytetari të rastësishëm vlonjat i cili është ngritur nga salla dhe ka deklaruar se njihte disa të afërm të Kaçorrit, dhe mund tu a dërgonte ai në dorë dekoratën.

====================================================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Skandaloze, më 10 shkurt 2011- eshtrat e nënkryetarit të qeverisë së Vlorës, Dom Nikoll Kaçorri (nga Austria) arritën në aeroportin i Rinasit, por për habi eshtrat e tij nuk ka dalur t’i marrë kryeministri Sali Berisha apo të paktën ndonjë zyrtarë i qeverisë shqiptare. Madje, në aeroport nuk kishte asnjë shenjë protokolli qeveritar për njeriun e dytë të qeverisë së parë shqiptare, siç ishte Dom Nikoll Kaçorri. Për më tepër zyra e protokollit qeveritar nuk ka lejuar të afrojë makinën pranë aeroplanit që eshtrat në arkivol – të këtij atdhetari të shquar të barten në mënyrë dinjitoze. Në munges të shtetit eshtrat e tij transportohen me një karrocë mallrash!!!!

E pas 3 ditësh (më 13 shkurt) kur u mbajt mesha në Katedralen e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit, me rastin e riatdhesimit, pas 94 vitesh, të eshtrave të rilindësit dom Nikoll Kaçorri, mori pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili mbajti edhe një fjalim të gjatë, ku Dom Nikoll Kaçorrin e cilësoj si “arkitekt dhe shenjtor të pavarësisë së kombit shqiptarë”!!!

Për më tepër shikoni videomaterialin:

__________________________________________________

Në listën e anatemuesve të Dom Nikoll Kaçorrit, pa dyshim në rolin lider është kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha i cili nuk u distancua nga sjelljet e turpshme të protokollit të shtetit, në ditën kur në Rinas mbërritën eshtrat e priftit patriot Dom Nikoll Kaçorri. Fotot e asaj dite në Rinas në pak minuta bënë xhiron e botës, ndërkohë vetë kryeministri nxitoi tre ditë më pas të ishte prezent në ceremoninë e rivarrimit në Durrës. Në fjalimin e tij me këtë rast, pa asnjë shenjë pendese për perversitetin e vartësve të tij në Rinas, kryeministri nuk hezitoi të mbante fjalim politik në Kishë, aq me tepër në një ceremoni varrimi. Të gjithë të pranishmit Ipeshkëv, Priftërinjtë dhe Murgesha mbetën me gojë hapur teksa Berisha deklaroi se “Natyrisht, sot na del përpara ndonjë Haxhi Qamil, sërish bërtet “rroftë baba”, por këta janë Don Kishotër të historisë. Hapin tonë, vullnetin tonë, vendosmërinë tonë për të ecur drejt Evropës nuk do të mund ta pengojë asgjë,”. Kjo provokoi edhe një deklarim të ashpër të Monsinjor Rrok Mirditës. Kryeministri nuk heziton të dërgojë miliona për një shoqatë të varfër prej 100 vitesh në Amerikë, por nuk rezervon asnjë qindarkë për banesën ku ka lindur Dom Nikoll Kaçorri monument kulture në Lurë, e cila mezi mbahet në këmbë nga dekompozimi total i saj.
Por mbi të gjitha vendimi i pak ditëve më parë i qeverisë për ndërtimin e busteve në Tiranë duket se i ka hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit. Të listosh pranë emrit të Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës për tu bërë buste në kuadër të pavarësisë edhe Mbretin Zog, Azem Hajdarin, Pjetër Arbnorin, Presidentit Willson dhe Petro Markon pse jo edhe Aldo Bumçin, dhe të harrosh Dom Nikoll Kaçorrin është sjellje perverse, dhe mbi të gjitha qëllim i zi. Pra shikoni se sa me djallëzi anashkalohet emri i Dom Nikoll Kaçorrit. Për këtë nuk paska vend për një bust në Tiranë, por vetëm një lapidar të ndryshkur në Krej – Lurë, dhe një bust të fshehur diku në Durrës, lënë trashëgim që nga koha e komunizmit.
Të gjithë flasin e shkruajnë për veprën e Dom Nikoll Kaçorrit, që e rendisin si figurë qendrore e pavarësisë, madje i rezervohet panteoni i nderit me lart se sa Ismail Qemalit i cili tek e fundit ishte një ofiqar pushtuesi, ministër dhe deputet i osmanëve që u kujtua të “sakrifikojë” dy ditë duke ecur me karrocë fushave të Lushnjës në drejtim të Vlorës, sepse nuk e shpallte dot Pavarësinë në Durrës, pasi nuk e lejonte nipi i tij, në krye të forcave turke
Ajo çfarë bie në sy me këtë rast është edhe heshtja e një shoqate të krijuar për rivlerësimin e figurës së Dom Nikoll Kaçorrit me qendër në Durrës, eksponentë të së cilës janë të lidhur kokë e këmbë me disa biznese qeveritare, dhe nuk mund të bëjnë më shumë se sa copy-paste disa shkrime historike në webin e tyre.
Por siç shprehet njëri prej historianëve më në zë të Mirditës z. Nikoll Loka, Imzot Nikollë Kaçorri, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së parë të Shqipërisë, i propozuar nga Mbreti Vid për Kryeministër, njëri ndër hartuesit e alfabetit shqip, njëri ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar, përfaqësues politik i Kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912, i burgosur nga regjimi xhonturk, i inatosur me intrigat politike të bashkëpunëtorëve të Tij, por gjithnjë bashkëpunues për hir të Kombit. E pra, ky personalitet shumë i madh që peshon shumë rëndë në krah të Ismail Qemalit, si person real dhe si simbol, i denjë të qëndrojë në krah të Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, nuk do ta ketë monumentin në Tiranë në këtë njëqind vjetor. Por s’do të jetë e largët dita që Ai të hyjë në Panteonin Kombëtar të burrave më të mëdhenj, pavarësisht se dikujt nuk i pëlqen!… Panteoni Shqiptar është krijuar për Kaçorrin dhe askujt, askujt nuk i ka aq shumë hije sa Atij, Panteon i Shqipërisë Europiane.

&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&&

PSE LIHET NË HESHTJE DOM NIKOLL KAҪORRI?

A e meriton këtë respekt Dom Nikoll Kaçorri, ish-nënkryetari i Qeverisë së Vlorës në vitin 1912? Eshtrat e atdhetarit Dom Nikoll Kaçorri u kthyen në tokën mëmë me iniciativën e një grupi veprimtarësh në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. Eshtrat e Dom Nikoll Kaçorrit pas 94 vjetësh mbërritën në Shqipëri nga Austria. Është për të ardhur keq që me mbërritjen e tyre në Rinas askush prej qeverisë nuk doli ti priste. Asnjë qeveritar, madje edhe ata të rangut më të ulët nuk ishte prezent në aeroport ditën e mbërritjes së eshtrave. Shqtypi botoi në shkurt të vitit 2011 disa foto të trishtuara të një thesi të zi mbi një karrocë transporti, valixhesh në Rinas të pashoqëruara nga askush. Si ta shpjegojmë këtë mosmirënjohje ndaj atdhetarit Dom Nikoll Kaçorri? Kush është Domë Nikollë Kaçorri? Ai u lind në vitin 1862 në fshatin Kre të bajrakut të Lurës nga një baba katolik dhe një nënë e besimit islam. Në vitin 1890 Dom Nikoll Kaçorri diplomohet në Zvicër për teologji, politikë e filozofi. Emërohet në dioqezën e Durrësit (Dlebnisht, Kurbin) dhe për veprimtarinë kishtare merr urdhrin Kryqi i Artë nga Papa. Në këtë kohë merr titullin Ipeshkv.

Vjenë, shkurt 2011: Pjetër Logoreci, gjatë nxjerrjes së eshtrave të Dom Nikoll Kaçorrit në varrezat qëndrore të Vjenës.

………………………………………………………..

Dom Nikoll Kaçorri ishte organizator i kryengritjes antiturke në vitet 1905-1907 në Kurbin. Është pjesëtar aktiv në Kongresin e Manastirit i cili i hapi udhë çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Angazhohet për çështjen kombëtare dhe është ndër themeluesit e shoqërive patriotike “Vllaznia” dhe “Bashkimi”. Në këtë kohë mban letërkëmbim me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Aqif Pashë Elbasanin, Shtjefën Gjeçovin etj. Kjo punë arrin kulmin në nëntorin e vitit 1912 kur Dom Nikoll Kaçorri siguron zbritjen në Durrës të Ismail Qemalit. Mirënjohja ndaj tij nuk mungon edhe në kohën e Diktaturës teksa në vitin 1962 me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë i jepet dekorata me urdhër “Për veprimtari patriotike të klasit të dytë”. Pavarësisht rolit të tij të madh në lëvizjen kombëtare nderimi i tij ka qenë i pazakontë. I vlerësuar, por i mbajtur në hije në kohën e Diktaturës, ai gjithsesi i prezantohet publikut të gjerë edhe në emblemën artistike të Shpalljes së Pavarësisë, filmin “Nëntori i dytë”. E pasqaruar mbetet hija dhe heshtja që sundon mbi këtë figurë pas viteve ’90, sikurse e paprecedentë dhe e turpshme është injorimi që administrata shtetërore i bëri kthimit të eshtrave të tij në Shqipëri. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, në të gjithë dimensionin e kësaj fjale, Kaçorri është një emër që fton për reflektim sidomos në këtë kohë revizionimi historik dhe rishikimi të figurave që sikurse vite më parë është një proces që po drejtohet nga politika. (Nga Gjin Kaçorri)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

TE DEUM (*)

TE DEUM (*) Nga Elife Podvorica Jashari, Prishtinë 12. 02. 2023 Oh, Zot !…Ishte kjo psherëtimë që sot…