PËRPARIM DEMI: TË BËHESH BURRNESH!

Bukuresht, 16. 03. 2014 – Jam bërë burrnesh… (1) është një shkrim tronditës mbi traditën dhe të drejtën kanunore që lejon gratë apo vajzat të veshin rrobat e burrit dhe të adoptojnë personalitetin e burrit të shtëpisë. Kjo u lejon atyre të sillen si gjithë burrat, gjë që shoqëria patriarkale e pranon në kushte të caktuara, duke u rezervuar respektin e duhur për këtë sakrificë sublime në emër të ruajtjes së familjes dhe trashëgimisë.
Portretet e para që më erdhën në mëndje ishin figurat e Mamicës, Bubulinës dhe të Shote Galicës. Të cilat në kushtet e luftës për pavarësi, zunë vëndin e burrave të tyre të rënë në beteja për të vazhduar betejat. Këto heroina udhëhoqën luftëtarët shqiptarë me mënçurin dhe trimërin e tyre të paparë, duke tmeruar taboret osmane. Ato hynë në historinë tonë, u bënë figura legjendare të fiksuara përjetë në folklorin shqiptar.

– Burrnesha shqiptare – 

 Në fakt shkrimi, të cilit po i rreferohem, nuk flet për këto heroina, por jep emra grash malsore të panjohura, të cilat mohuan vajzërinë e tyre për të shpëtuar familjen dhe tokat e saj, për të siguruar vazhdimësinë, mbijetesën, emrin. Janë emra që nuk flasin, raste të veçanta, ku secila mbart me vete një histori të dhimbshme të jetës shqiptare, në kushtet e një varfërie të egër në malsinë shqiptare, ku burimet e jetës janë të pakta. Emri i saj është komplet i panjohur për mua, bile dhe emrin e katundit të saj po e dëgjoj për herë të parë. Por rudhat dhe vështrimin e saj e kam shumë familjar. Ky vështrim më kujton shumë gra të njohura në jetën time. Më kujton tragjedi dhe drama të ndodhura dhe të jetuara. Qetësia, vendosmëria, dhimbshuria, ndjeshmëria, ndershmëria janë disa nga cilësimet që mund t’i bëj këtij burri-grua. Personaliteti dhe karakteri shqiptar gjëndet i stampuar thellë në fytyrën e saj dhe na flet sa një roman i tërë. Sikur do të na shfaqi dhimbjet e shpirtit që ka mbledhur në vite. Vështrimi i rrept i saj më duket sikur na gjykon për shthurjen tonë, degjenerimin që pësoi shoqëria shqiptare e kohëve moderne. Na kujton sakrificat e mbijetesës së një populli mbarë dhe në emër të tyre na akuzon. Kush burrë i del dot përball këtij vështrimi, kush e ka ndërgjegjen aq të pastër sa t’i përgjigjet me kryet lartësi.
Megjithëse janë raste të izoluara dhe të njohura vetëm në zonën ku jetojnë, ato mund t’i konsiderojmë si fenomen shoqëror specifik për vëndin tonë. Ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se ky fenomen nuk përfaqson thjesht një zgjedhje apo vendim personal, por është një alternativë statuti shoqëror i konsakruar dhe i ligjëruar në kanun.
Këtë fenomen do e konsideroj si një formë të veçantë mbijetese, si një zgjidhje në kushte të pamundura, ku vajzat malsore i nënshtrohen fatit të tyre të hidhur. Mohimi i vetvetes për hir të familjes, ky vendim tragjik, më prek dhe më mposht me peshën e tij. Ai përmbledh gjithçka nga karakteri shqiptar që njohim, që kemi trashëguar. Burrëria e simbolizuar, që përfaqson traditën e shuar shqiptare, e cila flet qartë dhe hedh dritë mbi një nga aspektet historike të mbijetesës së popullit tonë martir. Në të gjejmë dashurinë, altruizmin, besnikërinë, trimërinë deri në vetmohim. Dhimbja që shkakton vendimi i marrë e kapërcen pragun e shtëpisë dhe të fshatit. Ajo imponoi respekt dhe admirim në kushtet e një patriarkalizmi gati sadist, kur gratë shiteshin dhe bliheshin si kafshët. Këto gra fitonin të drejtën të uleshin në odën e burrave dhe kishin fjalë për të thënë. Ato me pushkën në sup nuk bënin për burrë kërkënd kur prekej nderi i tyre apo i familjes së tyre.
Megjithëse kjo hije e lënë, kjo gjurmë e vjetër e një kohe që nuk kthehet më, është në kontrast me zhvillimet e fundit të shekullit që shkoi, ajo mbetet e pashlyer në memorjen tonë kolektive. Ajo na personalizon dhe na veçon nga popujt e tjerë. Diku thellë në ndërgjegjen tonë ajo ekziston akoma si ndjenjë dhe nganjëherë shpërthen në realitetin tonë të përditshëm, duke u shfaqur e gjallë në ngjarje pak të shpjegueshme për publikun e huaj, por i kuptueshëm për ne. Vetmohimi shqiptar, altruizmi pak i dukshëm në rutinën e përditshme, por që shpërthen si një vullkan kur kushtet na e imponojnë, është pjesa e padukshme, ajo që na klasifikon si një popull idealist. Këtë e pam dhe gjatë luftës në Kosovë (1999), ku rastet nuk munguan.
A nuk ishte pikërisht ky vetmohim, që shpërtheu si vullkan në shtëpinë e Adem Jasharit, ku gratë luftuan sup më sup me burrat. Ato vendosën të vdisnin së bashku me ta, pa përjashtim, dhe kjo e rriti jehonën e luftës së tyre, i dha përmasa legjendare, sa ngriti një popull të tërë në këmbë.
Të bëhesh burrnesh nuk është kollaj, nuk është thjesht një shprehje retorike apo deklaratë e shprehur si monolog në skenën e një teatri apo shou televiziv. Ajo nuk është një moment mburrje të një frikacaku të fshehur mbas fustanit të gruas. Jo, nuk është aspak e tillë. Të bëhesh burrnesh u thuhet grave që humbin shtyllën e shtëpisë dhe së bashku me të dhe gjysmën e zëmrës së tyre. I thuhet nënës kur humb djalin, dritën e syve të saj. I thuhet vajzës kur mbetet pa prindër dhe ka vëllezër dhe motra për të rritur. Është një mënyrë e jona se si e përceptojmë botën dhe jetën, ku mëshira përjashtohet, ku refuzohet lëmosha. Është shprehje e detyrës së lindur në momentin fatkeq, është mënyrë e shprehjes së empatisë shqiptare. Është gjakftohtësia popullore e transmetuar në rastet kur njëriu humb gjykimin i mbytur në hidhërim.
Këto janë pjesë e asaj që më bën të jem krenar se jam shqiptar, gjë që e kam tejet të vështirë tua shpjegoj të huajve, pasi ata e kanë gati të pamundur të na kuptojnë në këtë drejtim.
_____________
1. alb-observer.com,… Jam burrnesh.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura