ALI MEHMETI: SIKUR TË ISHIN NXËNËS TË VITEVE 70-ta?!

Gjenevë, 10 Maj 2020: Në vitin 1970, pasi që ishte hapur Universiteti i Prishtinës ishin hapur edhe shumë fakultete të reja. Atyre viteve ishte krijuar një atmosferë e tillë që nxënësit më të mirë që përfundonin shkollën e mesme “duhej” të shkonin në fakultetin e mjekësisë apo në ndonjë nga degët e fakultetit teknik, kryesisht në degën e elektroteknikës, që konsideroheshin sikur më prestigjiozë, por edhe më të vështirë. Pra, aty mund të vërtetohej “superioriteti” i tyre! Konkurrenca ishte e madhe, sidomos në fakultetin e mjekësisë. Vetëm më të mirët pranoheshin, kurse pranimet me “intervenca” të miqve e kushërinjve ishin të rralla. A ishte e mirë kjo “atmosferë” e krijuar? Përgjigje e shkurt është JO!
Pas studimeve shumë shpejt e kuptova se drejtorët kryesor nëpër organizata punuese nuk ishin inxhinierët por juristët dhe ekonomistët. Konflikti shumë herë ishte i pashmangshëm. Sidomos gjatë përpilimit të akteve të ndryshme normative, atyre mbi shpërndarjen e të ardhurave personale posaçërisht. Në PTK-në e atëhershme drejtor gjeneral, apo zëvendës, asnjëherë nuk është bërë një inxhinier. Jo pse nuk e kërkonim një gjë të tillë dhe nuk luftonim për këtë, por sepse drejtorët vinin sipas preferencave të Komitetit Krahinor apo Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Për disa vende, edhe sipas preferencave të shërbimit sekret jugosllav! Në shumicën e rasteve, me përjashtime të rralla, “kuadrot” ishin plotësisht jo kompetent, që mund të ishin njëherë drejtor në termocentralet e Obiliqit, pastaj drejtor i drejtorisë për shëndetësi në komunën e Prishtinës, nga aty drejtor në ndërmarrjen ndërtimore “Ramiz Sadiku”, për të ardhur në fund në PTK. Praktikë kjo që është aplikuar gjer në ditët e sotshme, pavarësisht që sistemi quhet demokratik dhe shumë partiak. Edhe sot kemi “super menaxherë” që shëtisin nëpër ndërmarrje të ndryshme publike duke bërë “namin” nëpër to. Por, s’është kjo tema.
Sa i përket organeve të drejtësisë, aty situata ishte më e qartë, sepse udhëheqësit domosdoshmërisht duhet të ishin juristë. Sistemi komunist karakterizohej edhe me një disiplinë të lartë (nga frika e partisë), prandaj shkeljet e ligjit ishin të rralla, por edhe më të dënueshme. Kjo disiplinë nuk vlente në raste kur bëhej fjalë për mos dëgjueshmëri ideologjike apo politike, kur me urdhër të partisë edhe mund të shkelej ligji. Kështu s’paku mendonim ne “superiorët” duke mos na u dukur sektor interesant ku ne do mund të zhvillonim aftësitë tona.

Pyetja që më mundon një kohë të gjatë dhe dua ta shtroj është: kush na futi neve në kokë bindjen se studimet e ekonomisë, të drejtësisë apo të mësuesisë janë nënçmim për “aftësitë tona mbi mesatare” dhe sidomos, si u arrit që kjo bindje të rrënjoset në kokat tona?
Sot e kësaj dite nuk mund t’ia jap vetës një përgjigje të saktë, të cilës do i besoja edhe vet deri në fund, as në pjesën e parë të pyetjes e lere më në të dytën. Por megjithatë, një përgjigje e cila më duket për ditë e më e besueshme është, se pushtet-mbajtësit e atëhershëm serbo-sllavo-komunist kishin qëllim strategjik që nxënësit më të aftë t’i mbajnë sa më larg levave kryesore të pushtetit që janë ligji dhe financat.
Se strategjia e tillë ka ekzistuar në fushën ushtarake nga faktori serbo-malazez, mjafton ta përmend faktin se serbët bashkë me malazezët përbënin rreth një të tretës së popullatës së Jugosllavisë, por mbi gjysma e kuadrove udhëheqëse ushtarake ishin nga këto dy kombe. Ky fakt u konfirmua dhe ishte vendimtar në kohën e luftërave të viteve 90-ta në Jugosllavi.
Pra, inxhinierët dhe profesionistët e tjerë teknik duhet të janë sa më të zgjuar që të kontribuojnë në planifikimin, projektimin, ndërtimin, zhvillimin apo përmirësimin e proceseve prodhuese që sjellin vlera të reja, duke ndikuar edhe në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, kurse mbajtësit e pushtetit do të “marrin përgjegjësi” për shpërndarjen e vlerave të krijuara. Ekonomistët duke përpiluar buxhete vjetore dhe pesëvjeçare, kurse juristët duke i dhënë formë ligjore sistemit të gjithmbarshëm shtetëror.
Në fakt, ne “superiorët” ishim injorantët më të mëdhenj që nuk e dinim se shteti, para së gjithash, ndërtohet mbi ligje, qëndron mbi ligje dhe zhvillohet duke i respektuar ato ligje, por gjithnjë duke dalluar ligjet nga drejtësia.
Ata që nuk e kanë kuptuar këtë gjë ende, le ta pyesin vetën sot: a është më me rrëndësi vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të cilin po e presim me ankth, apo suksesi i një operimi plastik i vitheve të një pacienteje, bashkë me vendimin se ku do ta vendosim një antenë të telefonisë mobile?
Të shpresojmë se gjykatësit e sotshëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sikur të ishin nxënës të viteve 70-ta, do të shkonin në fakultetin e inxhinierisë apo të mjekësisë, ku “koeficienti i dobishmërisë” para çdo vendimi është vendimtar. Dhe sidomos kur kjo dobishmëri matet me respektimin e ligjit, me respektimin e vendimeve paraprake gjyqësore, luftimin e korrupsionit, stabilitetit të vendit dhe perspektivës më të qartë për rininë, respektivisht fëmijët e tyre.
Ali Mehmeti, Gjenevë, 08.05.2020
P.S. Paraprakisht kërkoj falje nëse dikush mund të preket nga ky shkrim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura