Tiranë, 27. 01. 2014 – (Refleksione rreth “MISCELLANEA 4” të Moikom Zeqos) – Librat e rrallë poetikë më tjetërsojnë. Këtë përjetova, duke lëçitur “Miscellanea 4” të demiurgut Moikom Zeqo. I tejngopur… Tanimë ndjehem e sëmura Pierre Janet. Thua, këndej e tutje s’kam për të lexuar asnjë libër. Librat që lexohen shumë në të sotmen, bëhen pis. Ata elitarë presin “ndotjet” e ardhshme. Kanë fatin e ngathët të “long-sellerëve”… “Le të m’i lexojnë dorëshkrimet sytë e pelikanëve…”. Vlerësimet janë engjëj të këqij, kur vendosen në kohë të caktuar. Hierarkive të llogaritura e nesërmja u nxjerr gjuhën. Pemë të munguara, a mund të radhiten?
Ç’thonë antologët? Mos gabojnë në shtesat e elementëve? Lejani tabelën e Mendelejevit, Mendelejevit.
“Të shkruarit
është shpesh
një banket mbretëror,
që kthehet
në një komplot republikanësh”.
Kur jemi të bashkuar, asnjë nuk ecën. Po të jemi të gjithë në një mendje, jemi të ndryshëm. Eh, kjo koha jonë, lesh arapi në tullën e qerosit..! Vdesin superlativat nga torturat e përdorimit. Numërohen edhe radikalizmat “vyrtitet” e tejkaluara të jezuitëve.
“Janë të virgjër me të sotmen dhe shkërdhejnë të shkuarën”.
Ose do të vijoja përmbys: janë të virgjër me të shkuarën, kurvërojnë me të sotmen. Edhe të drejtë ka Ferdinat Peso kur thotë se: pas tiranëve më shumë urrej martirët.
“E tashmja përtyp të ardhmen, bajga e së kaluarës plehëron imagjinatën”.
Kompanitë e bretkosave lëpijnë kuakjet e të tjerëve, që nuk do të jenë më. Emërtesa delirante të qorrollisura nga lakimet e epërme.
“Numizmati i thinjur kërruset mbi lupë.
Këto monedha, prej floriri janë apo prej kohe?”
Vështrime që kacaviren në suaza hapësirash. Sa shumë harbutëri origjinale. Toponime të çvoshkura. S’jemi gjë tjetër, veçse informacione konfuze. Shuma e vlerësuar nga të pavlerët dhe anasjelltas. Artin fisnik e qëmtojmë si në kashtë thërrmijat e arit. Është kjo mbetje e denjë që përballohet me të përbotshmen minoritare… po sa shumë “të lavdishëm” nëpërkëmbin! E në qoftë se… Dafina do të pësojë fatin e maskuar të dinosaurve.
“Vdekja veç falas/ na ofron/ kostume pluhuri”.
Në kohën e tyre… Kush ka një kokërr guri në kurriz, sikur ndihet një Sizif në miniaturë, të ishin milingona, do të ishin të besueshëm.
Nuk jam unë, ata që duhet të flasin. por e nxita kurajën për të thënë se poezia e Moikom Zeqos, duke qenë tejet vlerë, e pamundur të vlerësohet. Poezi si një pyetje që nuk mund të shtrohet…
“Kështu ata që s’janë, shohin që larg spektaklin e roleve të vetvetes në të tjerë…”.
Ja, “Miskellanea 4” . Fjalët tradhtojnë mendimet dhe ndodh si një akt pabesie, poezia e shkruar… Tjetra nuk ekziston akoma. Është heshtja jashtë poetit. E shtrirë, mjegullnajë e rrëmujës së përpiktë… Vertikale, shtjellë spiritualiste. Si asgjë, absolutja e thyer.
“Poezi si dalje origjinale e utopisë nga bota, jo në një utopi tjetër, por brenda në thellësi, në papraninë e kulluar. E bukura nuk zhduket, por ngjet zhvendosja e saj, spostimi, përzierja…” (Zh. Derrida).
Moikom Zeqo është hapje e hershme e unit poetik.
“Dhe kur vdes
te një kohë,
s’vdes dot tek kohët e tjera”.
Që në zanafillë krijuesi dashuronte kukafshehjen e kuptimeve, mbase për të dëgjuar nesër hapjen e portave.
“E nëse s’më kuptoni, heshtni!”
Respektoj njerëzit tek poeti dhe të tjerët në shumësi pamjesh. Tek autori në fjalë janë: vetja jonë, vetët tona e ato që nuk lindën e do të jenë.
Thua, brenda një poeti përfshirë gjithë universi?! Deviza e M. Zeqos: O të gjithën, o asgjenë.” Edhe të pagjeturat…
Është pritja e përfytyrueshme në lirinë pa brigje të mistereve. Paraqitja e poetit Zeqo është si e detit, e pashpjegueshme.Lartësi thellësie e pashterueshme në qiej të përmbysura. E prekshme në gjerësi, gjatësi infinite. Kufijtë e dukshëm edhe kur shfaqen janë të ravijëzuara me shkumës shkume. Prustiane ngërthen çastet e pakapshme të së shkuarës. Nxiton të shkruhet për të ardhmen e paqëllimshme. Nuk shënon majat, është e mbërritshme. Ajo që ngjitet përkulet. Këtu kufizohet ndarja. Mungesë dhe këtu. Gjithçka krejt ndryshe në shimbanin poetik të M. Zeqos.
Uji djeg, drita përmbyt, zjarri lulëzon. Është mbytja e adhuruar në thellësi, që nuk ulërin ndihmën. Fantazia që çliron nga robëria e logjikës. ”Hordhi”erudicionesh që pushtojnë atlase poetike. Energji të pamatura krijuese. Përkthime vegullimesh. Telepati metaforash. Gnostike. Ikën në të gjitha drejtimet për të shkuar… Ku?!… Hipnotike. Tek e gjitha vajti-erdhi. Huliçinacione leksikore. Poezi tronditëse sa tërmete që nuk të vrasin.
Është Titaniku i kujtesës, që u shmanget realiteteve ajzberge.
I pakrahasueshëm me të tjerë.
Mund të jetë i shoqërueshëm por me distancë me Parid Teferiç, Stefan Martiko, Luljeta Leshanaku, Ervin Hatibi, Romeo Çollaku apo Majlinda Bashllari… Janë pëlqimet e mia të varura tek dyshimet e zodiakëve etnike.
“Tani atë që e sheh syri im i majtë, nuk e sheh syri im i djathtë”
“Hëna u fsheh, humbi si imami i 12 i shiitëve…”.
Tejet mjeshtër i teknikave poetike, Moikomi shkon më tej. Se “në fushën e poezisë nuk ka mundësi për me kombësi.”
“Miskellanea 4” . Postmoderne dhe as imituese e shkollave të ezauruara poetike. Metagjuhë e konstruksioneve. Fjala në jetën e saj mondane.
… “Ja Malarme, që e shpalli muzikën e Vagnerit”. Le crime menacante de l’absolu – krim kërcënues të absurdes…
… Ja dora ime e balsamosur, që është degë e ngjitur tek Rrapi i Libohovës…
… Ja Kashta e Kumtrit, që tani është interneti i Zotit…
… Ja rruga – kush niset? Kush flijohet? Kush emrin e braktis? Kush fantazmën e vet e quan libër?…
… Ja veshi im i majtë tek gjoksi i Mona Lizës, si një konceptim surealist a si një stetoskopi i një doktori…
… Ja Ajkuna me sisët e mëdha të hedhura pas shpine, ja Edmond Jabe që shkroi “kopetë e vrimave kullosin muret”…
Poeti Zeqo është kardinali i parë i një liturgjie të re ose kardinali i fundit i një liturgjie të harruar. Ka diçka të habitshme, Hajdegeriane, në poezinë e tij: mendimet nuk të lejojnë t’i prekësh, pa qenë të mbështjella me koracën e tyre verbale. Kjo nuk është një mbrojtje filozofike, është një mbrojtje poetike…
Cilësia sipërore e poezisë, që të jetë ashtu siç nuk është dhe të mos mund të jetë ndryshe. E pa provokueshme në shqyrtime… Sinqeritete të errëta, të kamufluara… Ka të drejtë Joan Coste kur thotë se deshifrimi i poezisë është dhe drama e saj. Edmund Husserl: Sot shkenca, filozofia, arti në një farë mënyre e hapin mundësinë e një jo bote, të një jo kuptimi.
Ajo që na mungonte, na përdorte. Moikom Zeqo është e mrekullueshme të gjendesh nën kërcënimin e një moskuptimi.
Po vargjet e tua si fëmijë të racionalizmit qetësojnë metafizikën e tyre.
Demiurgu shkon në drejtim tjetër. Është letërsia mediokre, që ekspozohet në supermarkete. Por le të shpresojmë duke ëndërruar.
Edhe “gjumi është një supermarket, ku njerëzit shkojnë dhe blejnë ëndrra”.
Vazhdimisht poetët e talentuar si M. Zeqo, rizbulojnë vetveten për efekte përplasje.
“Miskellanea 4”. “Uni më i ri, i përzgjedhur, i projektuar jashtë vetes, i përzierë me të tjerat që vijnë… Paraqitja mashtruese e kohës, gënjeshtër madhore Bergesiane. Poezia është pranë hyjnores.
Po gjuha e zotit akoma nuk flitet. Janë fjalët biblike, mosekzistenca të krijuara nga mosvetja. Nënvetet janë dhurata të trashedencës. Po në sajesat origjinale të krijuesit M. Zeqo, qenia dhe koha të stisura njëra mbi tjetrën, duke iu hapur njëra tjetrës.
Duke shkruar vazhdimisht, poeti merr përsipër asgjësimin e tij si qenie për vdekjen, do jetë i shpëtuari i saj. Kështu, i shkëputur nga pleksjet e mungëta të përfitimeve, nuk zotëron të përditshmet me vanitetet e saj të zbehta…
Është meritë në kohë të drejtuar të jesh emetoja e saj.
Përse ka diçka dhe nuk ka asgjë!?….
Është kjo çudia supreme në krijimet e Moikomit.
Po sa larg miniorëve provincialë emigrojnë poetët e vërtetë? Di vetëm se poezia dinjitoze është mbetje e begatë në mospëlqimet e bashkëkohësisë…
Hipertensionet e letërsisë sikur “i analizojnë” Vipat e saj. Janë dhe moralet që kufizojnë liritë e pamata shqisore. Kuptimet ndriçohen nga muzgjet…
Është terri gjelbër i xhunglës moikomiane, me llambat floreshente tek rrënjët.