ANDREA DANGLLI: BERATI, QYTETI I NJË MIJË E NJË HALLEVE!

Durrës, 04. 05. 2016: Një shi me llumë vijon të lerë vulën e tij të pisët kudo që derdhet. Shoferi i autobusit që përshkon rrugën Lushnjë-Berat detyrohet shpesh të qëndrojë për të pastruar xhamin ballor që njolloset nga rrëke të përbaltura. Patëm fat që na u gjend autobusi pranë, pasi makinën tonë të prishur dhe shoferin e nxehur i shtymë në një prej serviseve të shumtë të Urës Vajgurore. Në këtë qytezë që historikisht kanë zënë vend xhenerikët me duar artë, morëm premtimin se defekti teknik do të riparohet shpejt dhe pas disa orësh makina do të jetë gati për të na gjetur brenda qytetit 2400 vjeçar të një mbi një dritareve. Ndodhemi kaq pranë tij saqë ky problem nuk mund të na kthejë më pas. Sa më shumë që afrohemi, aq edhe më tepër pranvera na ngjan disi e vonuar në këtë qytet. Majat e Tomorit të perëndive mbajnë ende mbi krye qeleshet e bardha prej bore që duket se vëzhgojnë çdo gjë që lëviz. Mes malit të lartë dhe fushës së gjerë Berati vjen duke u dallgëzuar me një pamje që sheh magjishëm nga të katërta anët.
Autobusit me lëvizjen e tij të ngadaltë prej rrugës që fillon duke u grisur, i nevojiten edhe disa minuta për të qëndruar rrëzë Mangalemit. Fatkeqësi që edhe mijëra turistë janë të detyruar të përkunden në gropat që lenë një shijë të keqe qysh në fillim. Në hyrje të Beratit na pret një vinç i cili ka ngrirë duke zgjatur kovën e ngulur mbi një grumbull zhavorri. Rruga zgjatet e përbaltur ku automjetet kanë vizatuar gjurmët e rrotave të tyre. Pak më tutje, pranë zonës muzeore disa kazanë mbeturinash duket se janë harruar të derdhen për një kohë të gjatë. Probleme të vogla këto por që po ti bashkosh për syrin shndërrohen në një hall të madh.

Në ndryshim nga pasagjerët e tjerë të cilët duken të ngopur me qytetin, ne e kemi hedhur të gjithë vështrimin tonë të mbytur nga kureshtja përtej xhamit. Ata pak njerëz që kanë zgjedhur të udhëtojnë janë përgjumur duke i dhënë ambientit një pamje të qetë. Një zë i mprehtë prish heshtjen nga përpara autobusit ku një mesoburrë rreth të gjashtëdhjetave, përpiqet ta mbajë me muhabet shoferin. “Ore babuç, jam filozof un re! Të lidh e të zgjidh!” –ky ishte refreni që na ngacmonte veshët vazhdimisht. Të kuriozuar nga këto fjalë u afruam pranë zotërisë i cili në fillim refuzonte të na jepte qoftë edhe një përgjigje të vetme.
Më vonë ai e kuptoji qëllimin tonë dhe i mikpriti pyetjet që dilnin vetvetiu duke parë lagjet historike që përngjanin si tablo të ndonjë piktori famëmadh! “A ç’jeni shejtanë ju gazetarët! Ta merrni kalanë tak-fak ta merrni. Që thoni juve Gjergji Saveta ma thonë emrin këteja nga Gorica!” –tha “filozofi” me një ton krenarie, karakteristikë kjo që dallohet zakonisht tek njerëzit autoktonë të një vendi.
Tani që e vëzhgoj me kujdes, arrij të kuptoj arsyen se pse Edith Durham, Elvia Çelebi, Eduart Lear, Indro Montanelli, Dhimitër Shuteriqi etj, të frymëzuar nga Berati u larguan prej tij duke shkruar mbresat më të bukura.
Autobusi u pozicionua fare pranë urës së varur e cila ngrihet paralelisht me urën e famshme të Goricës që ka sjellë më vete deri më sot historinë e saj 200 vjeçare. Të dyja ato hidhen mbi brigjet e lagjeve të vjetra të qytetit për të mos e lejuar “Osumin” që ti ndajë me rrjedhën e tij.
Gjergji ishte i pari që na dëshmoj se beratasit janë njerëz që gjithmonë i gjendet mbi tryezë një gotë për mikun. Të detyruar nga këmbëngulja, u bëmë mysafirë në shtëpinë e tij që ishte më e rrudhur se vetë ai. As Gjergji nuk na jep dot një datë të saktë për të pasi themelet e saj janë mplakur së bashku me historinë e lagjes “Goricë”. “Janë të vjetra këto godina dhe veç të vjetrit kanë mbetur në to biro! Ikën të rinjtë e se kthyen më kokën pas! Edhe ne nuk kemi më këllqe ti restaurojmë! Portën bëje vetë, çatinë mbuloje vetë, për të lyer, lyeje vetë, për ta mbrojtur shikoje vetë. Atëherë për se na duhet shteti?!” Këtë shqetësimi nuk e dëgjojmë veç nga Gjergji për fat të keq. Ky është halli i të gjithë atyre që jetojnë në shtëpitë e mbrojtur nga shteti, apo thënë më saktë në shtëpitë e harruara nga shteti.

Pasi pimë shurupin e trëndafilit me të cilin shoqëruam bisedën e gjatë, Gjergji na përcjell deri sa kapërcejmë Osumin duke na rrëfyer legjenda dhe gojëdhëna që lidhen me fillesat e qytetit. Ai në vegjëli ka arritur të memorizojë nga më të vjetrit disa prej tyre dhe mbase për këtë është vetëquajtur “filozof”.
Shiu tashmë është qetësuar duke mbledhur të gjithë zemëratën brenda një reje të madhe që nxin mbi Kala. Të trembur nga moti i keq nxitojmë të hyjmë nëpër rrugicat e Mangalemit që ngjajnë me një labirint pa fund e pa krye.
Ajo që bie në sy është arkitektura e veçantë që kanë zgjedhur të parët për të ngritur shtëpitë e tyre që edhe sot vazhdojnë të shndrijnë prej gëlqeres. Janë kaq të papërshkrueshme vlerat arkeologjike, muzeore, arkitekturore, kulturore apo ekologjike sa që edhe pse ke lexuar shumë për to, kupton që ka ende diçka të pa shkruar.
Dy turistë Gjermanë me lëkurën më të bardhë se vetë gëlqerja, i dëgjojmë të bisedojnë me pronarin e një shtëpie të pushtuar nga ullinjtë që ka shkruar me bojë mbi mure fjalën “SHITET”!
Prej këtyre mbishkrimeve të bëra shumëkund, shohim që një pjesë e madhe banorësh kanë bërë këtë zgjedhje. Tek sa bëhemi gati ta pyesim zotërinë për arsyet që ka vendosur ta shesë, ai nuk na le ta përfundojmë fjalinë: -“Më vjen gjynah dhe turp që po e shes por ky vend më ka lodhur aq shumë sa… uff!” Shfryhu thellë dhe me kaq e mbylli diskutimin duke e lënë kureshtjen tonë të na bluajë përbrenda. Çudi, turistët e zgjedhin Beratin për tu çlodhur, ndërsa beratasit e braktisin atë sepse ndihen të lodhur. Sipas shënimeve që grumbulluam, na rezulton se rreth 100 shtëpi nuk ju përgjigjen trokitjeve tona. Mbi portat e tyre të harkuara peshonin dryna të ndryshkur që nuk dihet se në cilin qytet të botës e kanë çelësin. Këto janë të dhënat tona pasi statistika më profesionale të shtëpive të boshatisura duhet të flasin për më shumë.
Ne vazhduam të hedhim hapat nëpër sokakët e vjetër ku u munduam të gjurmonim qoftë dhe një guralec të vetëm që flet për histori.
Në ambientet e muzeut “Onufri” rastësisht shkëmbejmë disa fjalë me një zonjë të vjetër ku në krye të bisedës menduam se kishim të bënim me ndonjë prej atyre plakave llafazane që argëtimin e vetëm kanë thashethemet. Në fakt ajo nuk vonoj për të na ndërruar mendim pasi na bëri të ditur se gjendeshim përballë historianes, koleksionistes së parë femër në Shqipëri, dhe profesoreshës së nderuar Parashqevi Sahatçi. Zonja e moshuar e historisë dhe fotografisë, është një prej njerëzve të vetëm që ka të fokusuar në celuloidin e saj momentet më të rëndësishme të qytetit. Tek sa e pyesim për plagët e Beratit, ajo mendohet një hop dhe nis numërimin e gjatë që i nxin shpejt faqet e bardha të shënimeve tona.
-“E ç’të shënoni ju më parë?! –na thotë- 1. Muret e kalasë po rrëzohen! 2. Shtëpitë e vjetra po bien! 3. Sende me vlera të çmueshme nëpër kisha janë grabitur dhe po grabiten! 4. Mbi xhami janë bërë ndërhyrje masakruese dhe jo konservuese 5. Mbi kalldrëmet e lashtë zunë vend kalldrëmet e rinj jashtë çdo kriteri restaurues! 6. Monumentet e kulturës po i shndërrojnë në monumente turpi duke i fshirë mes një restaurimi të pështirë shenjat e së shkuarës! 7. Muzetë janë zhvatur dhe po zhvaten! 8. I mungon një muze historik si të ishte pa histori! 9. Berati i vjetër e mban derën e hapur për të gjithë botën ndërsa Berati i ri e mbyll pas çdo dite për beratasit duke i vënë mbi supe 1001 halle!…” Marubi femër i qytetit vazhdoi të numërojë akoma ndërkohë që nxirrte prej çantës së saj disa fotografi që ishin shkrepur në kohë të ndryshme. Në këto rrethana na habit verbëria e UNESKO-s duke bërë të dyshojmë se e ka harruar disi misionin e tij. Pas këtyre dëshmimeve dhe ne nuk mund të jemi më të qetë. Dora e njeriut e dimë që është e keqe, por jo kaq e pamëshirshme sa ti shkulë një populli gjurmët e historisë. Për këtë nuk mund të largoheshim pa marrë një përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Nën hijen e xhamisë së Beqarit takuam përfaqësues të Drejtorisë Muzeale të cilët në rrugë zyrtare flasin për arritje imagjinare si justifikim për fondet e akorduara dhe në rrugë kofidenciale nuk na e fshehin dot gjendjen alarmante që verifikohet thjesht dhe vetëm nga një shëtitje e vogël nëpër hartën e trashëgimisë kulturore.
Për të dalë nga lëmshi i rrugicave në të cilin kishim hyrë, na ndihmoi një djalë i ri i cili tërhiqte pa dashur vëmendje me zhurmën që lëshonte valixhja e tij e madhe nëpër kalldrëm. Ervis Mustaj në pamje të parë duket i qetë dhe i shkujdesur por nga rrëfimi i tij bën të mendojmë disi ndryshe.

-“Zbritëm nga fshati për ditë më të bardha, por qyteti i nxiu më shumë ditët tona! Nga t’ia mbaj këtu?!” Pak fjalë dolën prej tij pas pyetjeve tona të shumta. Na orientoi nga qendra e qytetit dhe vazhdoi rrugën i menduar duke zvarritur valixhen që vazhdonte të zhurmonte.
Balta që ka shkaktuar shiu duket se nuk i ka penguar punimet në zemër të Beratit.
Përpara xhamisë së Plumbit që qëndron krah për krah katedrales Shën Dhimitri, shohim dy punëtore të përbaltur duke gërmuar pa pushim brenda një kanali të çarë përmes rrugës. -“Eh sikur të gjenim një qyp me flori këtu brenda do ti zhvishja njëherë e mirë këto kombinoshe që mu ngjitën për lëkure”-iu drejtua shokut të tij njëri prej punëtorëve.
Për të mësuar më shumë mbi jetën e qytetit ne ndalojmë për të biseduar në qendrën gumëzhitëse ku bie në sy prania e madhe e burrave që mundohen të vrasin kohën. Çudinë tonë për mungesën e figurës femërore e shuan kasapi Hajredin Tabaku i cili që nga thertorja e tij thërret duke transformuar me ironi një shprehje të qytetit: -“Në Berat bën rehat, rinë burrat punojn grat!” Një buzëqeshje e sikletshme u stampua shpejt në fytyrat e vrenjtura të burrave që na kishin futur brenda rrethit të tyre. Ndërsa bëhemi gati për ti përshëndetur mes nesh hyn një qytetar që i ngriu menjëherë të qeshurat. -“Kujtova se kërkonit punëtorë! Më duhet një punë ç’të jetë more byrazer se u thava duke shitur gjak për ta mbajtur me bukë familjen! Gruaja së shpejti lind, me çfarë ta ushqej bekimin e perëndisë?!”
Sytë e përlotur të Françesk Sofit flisnin më shumë se sa vetë ai. Burri trup vogël dhe halle madh mbështeti shpatullat pas një muri, uli kokën dhe nuk iu bashkua më bisedës. Veç kur ikëm na shtrëngoi fort dorën dhe na përshëndeti duke u përpjekur të verë buzën në gaz.
E lamë qetësinë të flejë mbi rrënoja, gërmadha dhe ndërtesa të thinjura duke ecur ngadaltë si të kemi frikë se do të zgjojmë ndonjë fëmijë. Në fakt ai që duam të zgjojmë ne në të vërtetë është përgjegjësi që e ka lënë Beratin të mburret vetëm me të shkuarën e çmuar dhe të përbuzë deri në eshtër të tashmen depresive. Është ai që fle më shumë se një fëmijë! Është shteti! Shoferi ynë që ditën ja kushtoi rregullimit të makinës, na gjeti përpara se errësira të derdhë bojën e saj të zezë. Qyteti nisi ti ndezë dritat një e nga një. Diku në dalje mora si kujtim një panoramë të vogël ku Berati shfaqej magjishëm dhe madhështor siç e kisha njohur përpara se ta vizitoja. Sa do doja që ta gjeja dhe përshëndesja po ashtu!
E lamë pas qytetin që përtej kartolinave, fotografive, pikturave dhe reklamave, nuk mund ta fshehë dot Beratin tjetër, Beratin e një mijë e një halleve që vazhdon ende të presë pranverën e vonuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura