ANTON MARKU: PËRPARËSIA

Vjenë, 6 qershor 2018: Nga ana e majtë e ndërtesës, para portës kryesore, një burrë rreth të gjashtëdhjetave mbylli ombrellën e tij ngjyrë të zezë, hoqi kapelën dhe po bëhej gati të hynte brenda. Pothuajse në të njëjtën kohë, nga ana tjetër, përballë po afrohej me nguti një i moshuar, i cili mbante një çantë aktesh në dorë dhe herë pas here shikonte orën.
Të dy burrat u ndeshën mu para hyrjes. Për një moment u shtangën para njëri-tjetrit dhe u shikuan drejt e në sy pa folur asnjë fjalë. I pari theu heshtjen ai që tashmë në të njëjtën dorë mbante kapelen dhe ombrellën. Me plot mirësjellje ju drejtua tjetrit:
-Urdhëroni zotëri, mund të hyni i pari!
-Asesi, ju lutem, ju ishit para meje këtu dhe ju takoni juve.-ia ktheu i dyti.
-Në asnjë mënyrë! Vetëm pas jush!
-Zotëri i nderuar, ju lutem, mos na humbi kohë kot, hyni ju i pari, unë do vij pas jush.
-Nuk vjen në konsiderim. Ju pastaj dukeni më i moshuar. Unë kam respekt për të vjetrit dhe më vjen keq për ta.-tha pak i mllefosur ai, njëra dorë e të cilit kishte mbetur e shtirë në ajër.
-I nderuari zotëri, sa për dijeninë tuaj, unë para pak ditësh jam martuar për herë të tretë. Gruaja nuk ankohet se jam i moshuar. Pastaj edhe ju nuk dukeni se jeni në kulmin e rinisë.
-Mbase mund të ju mashtrojë syri, por unë definitivisht nuk kam aq shumë vite sa ju bartini mbi supe. Andaj miqësisht kërkoj nga ju që…-tha burri duke i ngrysur vetullat.
-Unë mbi supe bart vetëm mantelin, asgjë më shumë. Dhe nuk thuhet kërkoj por ju lus.-tha më i vjetri pasi që me një faculetë të bardhë fshiu lehtas djersët që i pikonin nga balli.
-Çka?-foli i pari.
-Jo ‘‘çka’’, por ‘‘si, ju lutem’’.-ja ktheu i dyti.
-Shpresoj të mos prisni që unë tash të ngre flamunrin e bardhë.-u shpreh më i riu ndër ta.

Duket se që të dy burrat i përkisnin atij lloji të njerëzve që nuk lëshojnë lehtë pe. Minutat po kalonin, por asnjëri nuk po tregonte as më të voglën shenjë kompromisi. Dalogu mes tyre vazhdoi.
-Nga vini ju, zotëri, nëse guxoj ta di?-shtroi pyetjen i pari, më shumë për të vazhduar se sa për të përmbyllur bisedën.
-Jam nga këtu.Nga Vjena,-tha ai që më mbi kokë nuk kishte kapelë.
-Ah, po, mbase për këtë nuk është dashur të ju pyes fare. Ju dukeni mu si një vjenez tipik.
-… dhe si duken, sipash jush, ata?
-Mu si juve, arrogantë dhe cinikë.
-…. ështe kjo një shaka e pakripë, apo?-tha i moshuari duke i lëvizur me shpejtësi qerpikët e syve.
-Po, por shaka serioze ama.-ja ktheu tjetri duke i shtrënguar pak nofullat.
-Zotëri i nderuar, ju lutem, shakatë mbani për vete. Sidomos të tilla. Me keqardhje, më duhet të ju them se dukeni të jeni plot paragjykime. Edhe pse gjermanishten e flini pothuajse pa gabime, disa nuanca të imta po ju tradhëtojnë. Jeni i huaj, apo? Turk?
-Jo.
-Dukeni si turk.
-Mund të jetë, por nuk jam.
-Epo, nga mustaqet.
-Pse vetëm turqit bartin mustaqe? Por, nuk është diçka e re fakti se ju, vendasit, i vlerësoni njerëzit sipas pamjes së jashtme.
-Ndërsa ju i vendosni të gjithë vjenezët në një thes. Por, mbase këtë e bëni pasi që i njihni pak ata. Besoj se numri i miqëve tuaj vjenezë mund të numërohet në gishtat e një dore,-tha ai duke zgjidhur nyjen e kravatës-është apo nuk është ashtu? Mu përgjigjni, zotëri.
-Jo.
-Si jo?
-U jap përgjigje vetëm pyetjeve që e meritojnë përgjigjen.
-Kjo ishte gjithçka tjetër pos qesharake. Kjo ishte një marrëzi e pashije.-tha burri duke përdorur për herë të parë një ‘‘vjenishte e thellë’’.
-Kur të shtroni pyetje ‘‘të marra‘‘ do të merrni përgjigje të ‘‘marra‘‘
-Si të doni, por kështu nuk do arrini larg.
-Deri këtu kam arritur vetëm, pa ndihmën e askujt. Aq më pak tuajën.
-E shoh, por mbase kjo nuk është e mjaftueshme.
-Mund të jetë që të keni të drejtë. Për talentin tim kjo nuk është arritje e plotë. Por, duket se vetem një kokë e madhe si ju …-vazhdoi të fliste më i riu ndër ta duke dashur që të hedh dhe një gacë më tepër në zjarrin që ishte gati të ndizej.
-Mbase doni të thoni ‘‘një mendje e madhe si ju’’-e ndërpreu vjenezi i lindur.
Dukej se situata po bëhej e pakëndëshme. Zërat e burrave po merrnin tjetër ngjyrë. Me të errrët. Tash ai që kishte filluar i pari tërë bisedën, për të qetësuar disi gjakrat, tha:
-I nderuari zotëri, shoh se si dy xhentëlmenë të vërtetë as ju as unë nuk jemi të gatshëm të lëshojmë pe, andaj na lejoni që të bëjmë një pushim të shkurtër,-dhe nxori pakon nga xhepi dhe ja ofroj një cigare tjetrit. Ky u falënderua me mirësjellje duke thënë:
-Ka vite që nuk tymos. Pastaj, duhani të mbyt.
-Mua nuk më ka mbytur akoma. E kam mik të ngushtë. Është i vetmi që digjet për mua. Asnjë tjetër nuk e ka bërë e as e bën këtë.
-Thuani i vetmi. Pse, nuk keni grua?
-Jo.Mund të thuhet se jam ‘‘as beqar e as i martuar’’. Jam duke u divorcuar.
-Më vjen keq … unë …. nuk e dija…
-Nuk ka pse të ju vij keq. Kjo është jeta ime. Tjetër nuk kam. As që dua. Jetoj vetëm, por jo i vetmuar …. kam dhe një qen. Quhet ‘‘Rocky‘‘,-tha dhe tymosi gjatë në cigare,-ai më nxjerr shpesh në shëtitje.
-Zakonisht njerëzit i nxjerrin qentë të shëtisin e jo e kundërta.
-Ja qe tek unë gjërat shkojnë mbrapsht.
-Mos u mërzitni. Ka dhe me keq….
-Çfarë mund të jetë më keq?-pyeti duhanpirësi.
-Paj… të mos keni as qen! Si shumë të tjerë-foli i moshuari duke mos ditur si të përgjigjej ndryshe.
Për një çast, dera e hyrjes kryesore u hap nga një damë e re, bjonde, gjysmë e zhveshur, me pantollona ‘‘jeans’’ të shqyera në disa vende, buzë të lyera me ngjyrë të kaltër, kufje në vesh dhe celular në dorë. Pasi u hodhi një shikim provokues dy meshkujve, duke buzëqeshur në mënyrë tallëse tha:
-Hallo ‘‘young’s’’. Ende nuk u morët vesh mes vete se cili nga ju do të hyj i pari?.
-Si, nga e dini ju këtë?-pyetën gati njëzëri të dy burrat e zënë në befasi.
-Isha tërë kohën atje lart, mbi juve. Apo ju ishin nën mua. E njëjtë …ja që isha duke pirë një ‘‘Red Bull’’ në terrasë dhe më zgjuat kurreshtjen të ju përcjell. Jeni shumë ‘‘cool’’. Vetëm mos harroni se dita mund të ofrojë vetëm 24 orë.
-Neve nuk po na duket se dita me kaq mbaron. Ajo gati sapo po fillon-tha më i riu duke e drejtuar trupin dhe nxjerrë jashtë dhëmbët e mirëmbajtur.
-Mbase për juve. Për mua jo. Ah, ju pleqët … ju jeni si vera: Sa më të vjetër aq më të idhët,-tha vajza plot gjallëri duke ngritur pak gjoksin dhe përdredhur flokët.
Sapo i dyti po bëhej gati të thoshte se ai i ka zgjatur vetes ditën, se flen më pak, jeton më shumë dhe mundet më tepër, vajza u largua ashtu siç u shfaq para tyre. Shpejt dhe gati pa u vënë re.
Ishte e dukshme se dy burrat po kënaqehin duke shikuar nga pas trupin e përsosur të vajzës derisa ajo u zhduk nga shikimi i tyre. Raste të tilla nuk u ofroheshin shpesh. Në këto momente do të dëshironin që t’i hiqnin nga ftyra së paku njëzet vite jetë e të dukeshin më të rinj. E ndjenë se ju kishte rënë imuniteti e ngritur adrenalina. Më shumë dëshirë do të bënin diçka tjetër, por shpejt u pajtuan me faktin se tashmë ishin mjaft të moshuar për ide të tilla. Edhe pse jo me ëndje e pranonin, ishin të vetdijshëm e në të sotmen e tyre kishte më shumë të djeshme se sa të nesërme.
Në çastin tjetër, sa hap e mbyll sytë, zgjatën duart, kapën secili njërën anë të derës dykahëshe dhe pasi që trupat e tyre u prekën padashur në hapësirën e ngushtë, njëri mori ashensorin, tjetri shkallët dhe u ngjitën lart.
Kur ata gati në të njëjtën kohë hynë në sallë, konferenca me temën ‘‘Provokimi verbal si instrument për njohjen e karakterit të njeriut’’ tashmë kishte filluar. Pak minuta më vonë njëri prej dy bashkëbiseduesve nga hyrja kryesore u ngrit në podium. Ai ishte një ndër panelistët kyesor në këtë ngjarje. Tjetri shikoi orën në mur, lëkundi pak kokën, qeshi lehtas me vetveten dhe nisi të dëgjonte me vëmendje atë që p) thoshte referuesi.
Pas përfundimit të konferencës mes të ftuarve u shtrënguan shumë duar dhe u cikërruan shumë gota me verë. Mes tyre ishin edhe vjenezi dhe i njohuri i tij i ri.

Dhe kjo nuk do të ishte hera e fundit që ata bënë një gjë të tillë.
Vjenë, 2 qershor2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura