(Tiranë, 12. 09. 2012) – Sa herë kujtojmë veprën e studiuesit, filologut dhe historianit të mirënjohur korçar Spiro Konda, mendja na shkon menjëherë tek vepra e tij madhore e voluminoze “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik“ botuar në vitin 1964. Spiro Konda u mor qysh herët me problemin pellazgjik. Që kur ishte student në Universitetin e Athinës, ku u diplomua për filologji klasike, u njoh dhe u miqësua me disa autoritete shkencore të atij Universiteti si prof. Haxhillaqis dhe prof. i arkeologjisë me origjinë shqiptare Dhimitër Arvaniti. Këta ishin studiues të njohur, shkencëtarë seriozë dhe shpallën se problemi pellazgjik është i lidhur dhe zbërthehet në shumë aspekte vetëm me gjuhën shqipe. Po kjo tezë e tyre, që ata e shpallën në formë manifesti, jo vetëm nuk u mirëprit, po përkundrazi u anatemua nga qarqet shoviniste greke që, me dashje dhe qëllime të caktuara, ngatërronin shkencën me politikën. Megjithëkëtë, për të riun Spiro Konda, pellazgët mbetën në kujtesë dhe do të përbënin qëllimin e punës së tij kërkimore shkencore gjatë gjithë jetës së tij.Vargjet e eposit homerik: ”O mbret Zeus dodonas pellazgjik” dhe “popull hyjnor i pjellë dret për drejt nga dheu”, do të ishin hapi i parë nga u nis ai fillimisht për rrugën e gjatë e të vështirë. Shprehja “i lindur prej dheut“ kishte rëndësi se në kohët shumë të lashta parahistorike njerëzit besonin se kur dheu nuk qe forcuar ende, po ndodhej në gjendje baltike, njerëzit dhe kafshët lindnin prej tij të gjallë. Kur dheu u forcua nga dielli dhe erërat, atëhere njerëzit dhe kafshët po lindnin me anë të martesës. Pra “i lindur prej dheut”, do të thotë i vjetër, autokton.
………………………………………..
………………………………………………
TEZA DHE KUNDËRTEZA
Pellazgët dhe problemi pellazgjik, një çështje tepër e vështirë dhe e ngatërruar. Ҫështja pellazge është trajtuar para rilindasve tanë nga autorë të huaj, sidomos nga grekët e lashtë. Bibliografia për këtë problem është shumë e gjërë, e pa fund. Janë ngritur teza e kundër teza, nga një herë të çuditëshme e të pa besueshme. Është arritur deri atje sa është vënë në dyshim edhe egzistenca e tyre. Sipas disave, pellazgët janë konsideruar si krijim i imagjinatës së logografëve të vjetër, nga disa të tjerë si popull historik që ka egzistuar e vepruar para grekëve, nga disa si popull i racës ariane, nga të tjerë si i racës semite. Pra, kjo vorbull mendimesh, faktesh e dokumentash kontradiktore, bëri që për mjaft studiues çështja pellazge të ishte “tokë e ndaluar”, çështje “tabu”. Shumë pak guxonin ti hynin asaj për vështirësitë që paraqiste. Megjithëkëtë, çështjen pellazge, duke e lidhur me gjuhën shqipe, e ringjallën dhe e publikuan rilindasit tanë të mëdhënj sidomos De Rada, Naim Frashëri, Sami Frashëri në enciklopedinë e tij etj.
Spiro Konda , siç thotë vetë në veprën e tij, duke u nisur nga mendimi i Aristotelit se fisnikëri është për një komb kur të parët e tij janë autoktonë ose shumë të vjetër në vëndin ku banojnë dhe kur nga gjiri i tyre kanë nxjerrë njerëz që me veprat që kanë lënë, janë për tu patur zili, i hyri punës me dashamirësi dhe si atdhetar i vërtetë për të gjetur fillesën, vjetërsinë dhe prejardhjen e popullit të tij, të shqiptarëve. Dhe që të merresh me historinë e popullit shqiptar që nga prehistoria dhe deri në kohët e vona, sic thotë vetë përsëri autori, duhet të jesh filolog, helenist, latinist, gjuhëtar, glosolog, indolog dhe gjuhën shqipe ta kesh gjuhë amtare dhe ta zotërosh shkencërisht. Dhe këto cilësi i zotëronte në atë kohë, si asnjë tjetër, vetëm profesor Spiro Konda. Ai kishte njohuri të gjëra enciklopedike, veçanërisht në gjuhësi dhe në histori. Zotëronte greqishten e re dhe të vjetër dhe, si asnjë tjetër, kishte përvetësuar në mënyrë të shkëlqyer sanskritishten, gjuhën e përsosur të intelektualëve të Hindisë si dhe frëngjishten, gjermanishten dhe disa gjuhë ballkanike.
Në studimet dhe kërkimet e tij shumëvjeçare, Konda u mbështet te autorët e vjetër grekë e latinë që janë marrë e kanë lënë dëshmi të vlefshme për pellazgët dhe në gjuhën shqipe që është çelësi i zgjidhjes së këtyre problemeve. Në fillim puna e tij ishte ëndërr, pasion po… pastaj u bë realitet. Ai me guxim shkeli në “tokë të ndaluar” dhe preku temën “tabu”. Dhe jo pa sukses.
Me përgatitjen që kishte, me pasion e këmbëngulje, me punën e një shkencëtari të vërtetë, skurpuloz, pa zhurmë e pa bujë, aty në dhomën e tij të punës, si “eremit“ i vërtetë, studioi me hollësi gjithë historianët e gjuhëtarët e huaj dhe të vendit që janë marrë me historinë e pellazgëve dhe prejardhjen e shqiptarëve që nga Homeri, Hesiodi, Simonidi, Pindari, Tuqiditi, Straboni e mjaft të tjerë të kohëve më të reja. Autorët antikë grekë, në shkrimet e tyre, pellazgët i quanin popullin më të vjetër të Ballkanit dhe të Europës. Ata cilësoheshin si popull jo grek dhe gjuha e tyre jo greke. Pellazgët shtriheshin në një teritor të gjërë, ”perandoria pellazge”, ku sot banojnë shqiptarët dhe grekët modernë. Për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, ka pasur mendime të ndryshme kontradiktore. Shqiptarët i kanë bërë dalmatë, kroatë, lolanë, skithë, keltë, persë. Disa të tjerë i kanë bërë pellazgë, ilirë, po edhe maqedonas e trakë. Edhe për gjuhën shqipe mendimet e historianëve kanë qënë të ndryshme. Ato mund të grupohen në tre grupe. Disa janë të mendimit se shqipja rrjedh nga ilirishtja, disa mendojnë se rrjedh nga trakishtja dhe disa të tjerë kanë shprehur mendimin se gjuha shqipe është një përzierje e ilirishtes me trakishten.
Ka dhe nga ata që me dashakeqësi dhe me qëllime e paramendime të caktuara politike, pa argumenta shkencore, kanë folur keq për shqiptarët duke thënë se raca barbare shqiptare është mbeturinë e ndonjë populli që gjeti strehë në malet e Epirit gjatë përmbytjeve që sollën emigracionet e huaja, pra racë që nuk ka asnjë vlerë e rëndësi.
Megjithëkëto mendime që janë shfaqur, çështja e origjinës së gjuhës shqipe, mbetet ende problem i pa zgjidhur. Konda ju fut kësaj pune të madhe e të vështirë për të provuar e vërtetuar se shqiptarët rrjedhin prej pellazgëve dhe janë autoktonë në vendet ku banojnë sot. Teza e tij se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët dhe glosat e emrat pellazge shpjegohen vetëm me shqipen, realizohet me anën e gjuhëve të krahasuara sanskrite, greqishte e vjetër dhe shqipe. Duke ndjekur fillin e ndryshimeve fonetike të fjalëve dhe emrave në kohë të ndryshme, shumë fjalë pellazge janë të afërta ose të njëjta dhe shpjegohen vetëm me shqipen. Për këtë autori sjell shumë shembuj, shumë argumenta, shumë fakte, citon shumë autorë dhe, pasi mban qëndrim kritik ndaj disave, jep variantin e atij që i duket më i drejtë.
SHQIPJA ÇELËSI PËR TË ZBËRTHYER FJALËT E VJETRA PELLAZGE
Është për të theksuar se është karakteristike që në veprën e Kondës për etimologjinë e çdo fjale, sillen aq argumenta, nga një herë edhe 15 ose 20, aq vërtetime e fakte, citohen aq autorë sa nuk lihet asnjë shteg për dyshime. Dhe vërtetimet janë bindëse. Kështu, duke sjellë mjaft fjalë ku shqiptarët “takohen” me pellazgët, autori arrin në konkluzionin se shqiptarët janë pjestarë të familjes gjuhësore japetike ose indoeuropiane dhe shqiptarët e pellazgët janë të një race. Këto takime janë të shumta. Fjala – dipatyron – siç e quanin pellazgët perëndinë, korrespondon me fjalën shqipe – de – patër – patër – de = perëndi. Fjala – demetër = dhe – metër, pra dhe – mëmë, me kuptimin – dhe – dheu = mëma e të gjithëve. Fjala pellazge – brazer – takohet me shqipen – burazer që ka të njëjtën kuptim. Etimologjinë e fjalës – pellazg – pas shumë ndryshimesh fonetike, Konda e lidh me fjalën shqipe – pjell = pra lindur jam prej dheut = i dhelindur.
Këto fjalë dhe të tjera, siç do të theksojmë më poshtë, nuk kanë asnjë kuptim e nuk zbërthehen në asnjë gjuhë tjetër, përvec shqipes. Ndryshimet fonetike që kanë pësuar ato, janë plotësisht të justifikuara e janë bërë sipas ligjeve të zhvillimit të brëndshëm të gjuhës shqipe.
Për të vërtetuar vjetërsinë e shqiptarëve Konda u drejtohet historianëve të vjetër grekë e latinë që e kanë quajtur vendin ku banojnë sot shqiptarët Iliri dhe Epir. Pra a janë shqiptarët pasardhës të ilirëve dhe epirotasve? Autori për këtë sjell shumë fjalë toponime që, siç thotë ai, janë mjet fort i sigurtë që mbyll gojën e çdo kundërshtari. Me një punë tepër të kujdesshme, duke shfrytëzur shumë burime, ai ka mbledhur e ka rreshtuar shumë emra vendesh, fshatrash, qytetesh, detesh, malesh, shkëmbinjsh, emra burrash, grash që hasen në shumë vende të Greqisë së sotme e në ishujt e Mesdheut, pra ku dikur shtrihej “perandoria pellazge“ dhe që shpjegohen me anën e gjuhës shqipe. Janë mjaft të përhapura toponimet që kanë për bazë fjalën shqipe – gur.Gura = mal në Korinth, Gura = fshat në krahinën e Janinës, Gura = qytet në Eritre. Toponime që kanë për bazë fjalën shqipe – mal.Males = vargmal në Maqedoni, Males = katund në Kretë, Malesina = fshat në Fokidë, Malesiada = fshat në Akarnani. Toponime që kanë për bazë fjalën shqipe – pyll. Peli =fshat në Eube, Pyla = fshat në Qipro, Pylaros = liman në Qefaloni e mjaft fjalë të tjera si dhe emra njerëzish. Kur toponimet shpjegohen drejt, janë dëshmuese të vërteta që provojnë se atje ku ndodhen ato, banonte populli me gjuhën e të cilit shpjegohen. Toponimet kanë vlerën e zbulimeve arkeologjike që nxjerrin në dritë objekte e dokumenta të popujve parahistorikë, po toponimet na tregojnë edhe emrin, edhe gjuhën që flisnin, pra edhe kombësinë e këtyre popujve. Të dyja këto, gërmimet arkeologjike dhe toponomet, kur kombinohen drejt, formojnë histori të pa gabuar për popujt. Shkurt, toponimet janë gjurmët e popullit që ka banuar atje ku gjenden këto toponime.
Fjala – gur – që, siç thamë, është rrënjë e shumë fjalëve të tjera e që grekët e kanë – petra -, është fjalë pellazge, për rrjedhojë shqipe dhe është përdorur nga pellazgët në Greqi para se të instaloheshin këtu helenët. Kur erdhën aty helenët, morën nga pellazgët shumë fjalë dhe emra perëndish e u dhanë trajtë greke. Pra kombësia e parë e fjalës – gur – , është pellazge. Dhe që në Greqinë parahomerike, përpara se të zbrisnin akejtë, para vitit 1500 per. banonin pellazgë, ka dëshmi historike të shumta. Kështu Homeri Argosin e quante pellazgjik dhe jo akaik. Herodoti thotë se para tij Greqia quhej Pellazgjia. Straboni dëshmon se pellazgët, popull i vjetër ishin shtrirë në tërë Greqinë. Pra, konkludon autori dhe lexuesi bindet nga këto dëshmi, del se populli që banonte në Greqi para helenëve, ishte pellazgjik. Dhe pellazgë kishte kudo. Pellazgë në Beoti, pellazgë në Thesali, pellazgë në Thrakë, pellazgë në Mikenë, pellazgë në Argos, pellazgë në ishujt e Mesdheut, në Delos, në Hidra, në Kupros, në Pesos, Lemnos, Kretë, Kios. Dhe – pyllaion = pyll, oros maleianon = mal, junion pelagos = deti jonik, siç shihet kanë kuptim dhe shpjegohen vetëm me shqipen.
Në kapitullin e dytë të veprës Konda, duke ndjekur gjurmët e shqiptarëve të vjetër, d. m. th. të pellazgëve, jep edhe shpjegimin dhe etimologjinë e emrave të perëndive greke që, edhe ato, çelës për shpjegimin e tyre kanë gjuhën shqipe. Kështu kryetari i perëndive greke Zeus ka kuptimin – deu – patër = dheu është babai im. Demetra = dhe mëmë, Posejdoni = zot i ujrave etj. Edhe emrat e hyjnive të tjera greke si Afërdita, Apolloni, Hera, Rea etj., zbërthehen dhe shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe dhe kanë qënë fjalë pellazge. Sikurse thotë Herodoti emrat e këtyre perëndive grekët i morën nga pellazgët. Dhe jo vetëm kaq, po pellazgëve u detyrohet tërë qytetërimi i më vonshëm greko – romak. Edhe këtu Konda për etimologjinë, për çdo sqarim të këtyre emrave, u referohet dhe citon tërë studiuesit dhe historianët e më parshëm që janë marrë me këtë problem. Kështu lexuesi ka mundësi të njihet me mendimet e studiuesve të tjerë dhe të krahasojë mendimet dhe variantet e tyre me ato të Kondës. Në mjaft raste shpjegimet që jep Konda për etimilogjinë dhe kuptimin e fjalëve, në sajë të argumentave të shumta e korrekte që jep, janë më të besueshme e më bindëse se variantet e shumë autorëve të tjerë. Na duket se është mjaft bindës e logjik shpjegimi i etimologjisë së emrit të hyjneshës Athina. Sipas mitologjisë që na e jep Hesiodi, Zeusi e lindi Athinanë nga koka e tij, kurse bijtë e bijat e tjera i ka lindur me gra të vdekëshme dhe hyjnesha të pa vdekëshme. Bile Athinaja lindi e armatosur me mburojë e heshtë. Konda, nisur nga ky fakt, e lidh këtë etimologji – Athina – me fjalën shqipe – e thëna. Pas ndryshimeve fonetike që ka pësuar ajo, erdhi tek forma – Athenë – që nuk është gjë tjetër veç se fjala shqipe – e thëna, pra arsyeja, mençuria e mishëruar e atit. Athinaja që lindi mga koka e Zeusit, ishte kështu hyji i diturisë, i mençurisë. Dhe Athena ishte perëndeshë pellazgjike.
MISTERI ETRUSK
Në kohën e Kondës dhe më parë e më pas, mjaft dijetarë të vendeve të ndryshme, janë përqëndruar me një zell të madh edhe në një problem tjetër të rëndësishëm që ka të bëjë me gjuhën dhe prejardhjen e tyrrenasve ose etruskëve të lashtë. Misteri etrusk, nuk është vetëm një kuriozitet shkencor, as një tentativë shpjegimi i një realiteti të largët, po një mister i lindjes së një qytetërimi shumë të lashtë, i cili u përhap në gadishullin e Italisë dhe mbi të cilën bazohen vetë themelet e historisë së Romës dhe qytetërimi i parë romak. Për etruskët, ashtu si dhe për pellazgët, mendimet e shkencëtarëve janë të ndryshme e kontradiktore. Disa thonë se ata janë vendas, disa të ardhur nga Lidia, nga Azia. Etruskët kanë qënë popull gazmor e kanë lënë mbi 8 mijë mbishkrime. Gjuha e tyre që u shkrua me alfabet grek, mbeti e pa deshifruar dhe kjo përbën një nga enigmat më të mëdha gjuhësore. Pra problemet që kanë të bëjnë me origjinën e këtij populli janë të mbuluara nga errësira. Të gjitha sa janë thënë për etruskët, dhe janë thënë shumë, janë supozime dhe nuk mbështeten në argumenta të sigurta e për pasojë nuk kanë vlerë historike. Si përfundim “misteri etrusk“ vazhdoi për një kohë të gjatë. Konda edhe për problemin etrusk, në veprën e tij ka dhënë mendime me vlerë. Sipas tij, problemi etrusk ka qënë i pa zgjidhur se studiuesit e shumtë të tij nuk janë nisur nga një bazë e sigurtë. Sipas Kondës ”misteri etrusk” mund të zgjidhet vetëm brenda kuadrit të problemit pellazg si pjesë përbërëse e tij. Ai është i bindur se enigma etruske zgjidhet përfundimisht vetëm po të jetë se gjurmuesit shkencorë nisen dhe mbështeten në gjuhën shqipe. Me fjalë të tjera, ky popull i madh kaq interesant, për tyrren ose etrusk, nuk ishte gjë tjetër veç se pellazg. Dhe pas këtyre konstatimeve, autori, si dhe për raste të tjerë, me plot argumenta e analiza serioze zbërthen shumë fjalë etruske me anë të shqipes si – etrusk – tuskë – toskë, kompania, tyrrenë, albanë, geganë etj. Më poshtë na jep edhe vendet ku banonin etruskët, ku ishin përhapur ata si në Itali, Siqeli, Greqi, Egjipt, duke konkluduar se që etruskët, tuskët ose tyrrenët janë pellazgë, vërtetohet si më lart me fjalët etruske ose me të dhëna gramatikore të tjera që ruhen në gjuhën e sotme shqipe dhe “misteri etrusk” zgjidhet vetëm me anën e gjuhës shqipe.
Se sa të drejtë kishte Konda për këtë problem, si dhe për problemin pellazg në përgjithësi, duket edhe tani kur mjaft studiues të rinj të kohëve të fundit, para dhe pas Kondës, pranojnë se fjalët etruske shpjegohen vetëm me shqipen. Shembull për këtë po sjellim Zaharia Majanin me dy veprat e tij të botuara edhe në shqip.
“Etruskët filluan të flasin” dhe “Fundi i misterit etrusk” ku shumë fjalë e glosa etruske i zbërthen, i shpjegon dhe i sqaron vetëm me fjalë të shqipes së sotme. Duke iu referuar Tuqiditit (shek.V p.e.r.) i njohur për paanësinë dhe saktësinë e vet, ai konkludon se etruskët përfaqësojnë një degë të trungut pellazg. Për fjalët shqipe mal, plak, bardha, delme, dardha etj., ka mendimin se ato jetojnë që në Luftën e Trojës dhe fjala pellazge, ilire, etruske dhe shqipe – gur – është edhe më e vjetër. Po kështu ai sjell një numër foljesh etruske që janë njëlloj me shqipen e sotme si ve, shoh, vras, ha, ik etj.
Si përfundim edhe ky autor ka mendimin se shqiptarët dhe gjuha e tyre është çelës për të zbërthyer, shpjeguar e sqaruar shumë probleme që lidhen me pellazgët dhe etruskët. Gjithashtu ai arrin në përfundimin se etruskët, duke qënë një popull i ardhur, edhe gjuha e tyre ka karakter kryesisht indoeuropian. Po kështu edhe Shqipëria është ish’Iliria e Jugut. Shqiptarët që banojnë sot këtu janë autoktonë të paktën prej dymijë vjetësh. Këto të vërteta sot nuk mund ti verë në dyshim askush.
Gjithashtu, para Kondës, studiuesi me prejardhje austriake Hutenbah botoi në Vienë më 1960 veprën “Pellazgët” ku për herë të parë dhe në mënyrë të plotë jepen tërë autorët antikë, referencat historike për pellazgët, shtrirja e tyre gjeografike “perandoria pellazge“, mitologjia para greke, toponime e glosa pellazge që afrohen e shpjegohen me anë të gjuhës shqipe. Vepra u botua pak vite para asaj të Kondës pa ditur gjë të dy autorët për njëri tjetrin. Pra edhe ky studiues është afër ideve të Kondës për problemin pellazgjik dhe për prejardhjen e shqiptarëve sipas vijimësisë pellazge – ilire – shqiptare.
Po kështu, me shumë argumenta, me këmbëngulje dhe me patos të veçantë historik, për të parët e shqiptarëv, pellazgët, shprehet edhe studiuesi i kohëve të fundit A.Kola në veprën “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve“. Ai sjell mjaft dëshmi që vërtetojnë vjetërsinë e pellazgëve dhe rolin e tyre si “popull hyjnor”. Ata, pellazgët, siç thonë autorët e lashtë, ishin një popull i madh, paraardhës të fisit helen dhe futën në teritorin grek përveç gjuhës edhe gërmat, fenë, perënditë, adhurimet dhe misteret e ndryshme. Edhe qytetërimi trojan me atë akeas kanë paraardhës të përbashkët atë pellazg. Akili i lutej “zotit të madh Diellit, dodonas pellazgjik”. Dhe Dodona pa dyshim ishte në Epir e jo në Mesdheun jug’lindor. Mali ku gjendej Dodona quhej Tomar dhe shenjtoret e Dodonës Tomare ose Tomure. Pra mali Tomorr pa asnjë dyshim. Pastaj kjo faltore e shenjtë u shpërngul në jugë.
VIJIMËSI PELLAZGO – ILIRE – SHQIPTARE
Nga sa u tha më lart del se, Spiro Konda me veprën e tij “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, dha një kontribut të madh dhe iu afrua një hap së vërtetës për zgjidhjen e çështjes pellazge dhe prejardhjes së shqiptarëve. Ai e strukturoi tezën se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët dhe vërtetoi se sqarimi dhe zbërthimi i shumë emrave dhe glosave pellazge shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe. Materiali i gjërë që solli, faktet, dokumentat dhe vërtetimet për etimologjinë e fjalëve, në sajë të njohurive të tij të gjëra dhe të punës së madhe këmbëngulëse, janë bindëse dhe plotësisht të argumentuara. Është e para herë që një studiues shqiptar boton një vepër kaq të madhe për çështjen pellazgjike me tërë ato dokumente e fakte bindëse. Kjo natyrisht i shërbeu lartësimit të emrit të shqiptarëve si populli më i vjetër në Ballkan dhe ne Europë.
PSE NË VEPRËN E KONDËS NUK U SHËNUA SIGLA UNIVERSITETI SHTETËROR I TIRANËS?!
Vepra e Kondës “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik” megjithëse bëri bujë e u botua edhe në greqisht, u prit në mënyra të ndryshme nga opinioni shkencor. Në Konferencën e parë albanologjike që u organizua në Tiranë në vitin 1962 ku morën pjesë shumë autoritete shkencore me emër, nga vendi dhe të huaj, Konda paraqiti tezat e tij. Shumë argumenta, një bibliografi të gjërë, refereca historike, fakte, arsyetime të shumta që ndriçonin problemin pellazgjik. Po ndodhi diçka e pa pritur. Pjesëmarrësit e Konferencës, vërtet u befasuan nga kjo punë e madhe, voluminoze dhe e thelluar shkencore, po nuk u treguan shumë entuziastë. Shkaku ishte se problemi që shqyrtohej, argumentat që silleshin ishin të pa njohura për ta dhe duhej kohë, duhej studiuar i tërë materiali i veprës se nuk mjaftonte ai që u dha në kufijtë e një kumtese të zakonshme, pastaj mund të jepeshin gjykime pro ose kundër. Po koha kaloi dhe këto gjykime nuk u dhanë asnjëherë, as më vonë. Dhe heshtja vazhdoi gjatë. Edhe për të botuar librin u desh ndërhyrja e udhëheqjes së asj kohe dhe libri nuk përmban në kopertinë as siglën Universiteti Shtetëror i Tiranës, as Instituti i Historisë, siç bëhej për vepra të tjera të këtij karakteri, po thjesht: Spiro N. Konda ”Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”. Edhe sot e kësaj dite vepra e Kondës është pak e njohur për lexuesit se është lënë në harresë dhe asgjë serioze nuk është thënë për të. Ndofta i takon së ardhmes për ta vlerësuar atë denjësisht e për ta ngritur autorin e saj në vendin që i takon.
……………………………
Shtojcë e pashtriku.org
Në vijim lexoni një studim të publikuar në “Bulletin De L’Institut Egyptien”. Studimi titullohet “Les Pelasges et leur descendants les Albanais” – (Pellazgët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët) – shkruar nga Dr. Frassari Adamidi.
Më gjerësisht lexoni këtu (hapni këtë lidhje):
http://www.forumilir.com/viewtopic.php?f=9&t=543
……………………………………………………..
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)