JUSTINIANI I – PËRTËRITËSI I QYTETEVE TË DARDANISË (I)

Justiniani I – përtëritësi i qyteteve të Dardanisë (I)

Nga Bedri Muhadri

Me rastin e zbulimit të mbishkrimit në kishën paleokristiane, të zbuluar gjatë gërmimeve në Ulpianë (Justiniana Secunda), dedikim ky i perandorit Justinian (527-565), kushtuar “qytetit dardan”. Dëshmi të rralla të lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës –  Kjo gjetje është ndër gjetjet më të rëndësishme në arkeologjinë e Kosovës, si referencë për vazhdimësinë e rëndësisë së identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme

Historia antike e Kosovës nisi me krijimin e Mbretërisë Dardane në Shekullin IV p. e. s., Shteti dardan, kishte territor kompakt, popullsi ilire të njohur me emrin dardan. Mbretëria e Dardanisë shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe një pjesë të Sanxhakut dhe me gjerë. Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit përbënte hapësirën qendrore të kësaj Mbretërie. Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike. Territori i saj, duke u përshkruar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër e Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi. Gjatë shekujve III – I Mbretëria Dardane u bë fuqia më e madhe në Ballkanin Qendror. Në vitin 200 p. e s., dardanët lidhën aleancë me romakët dhe u bënë pjesë e koalicionit antimaqedonas. Krijimi i Provincës romake të Maqedonisë (168 p.e.s) nga ana e romakëve, shkaktoi prishje të aleancës të dardanëve me Romakët. Dardanët u përballën me luftëra të shumta pushtuese nga romakët në vitet 97 p. e. s., 85 p. e. s., 77 dhe 73 p. e. s., Dardania u pushtua nga romakët në vitin 28 p. e. s.. Romakët e bashkëngjiten Dardanin me provincën romake të Mezisë dhe më pas me Mezinë e Epërme. Me rënien e pjesës perëndimore të Perandorisë Romake në vitin 476 të erës sonë, territori i Dardanisë u gjend nën sundimin e pjesës lindore të Perandorisë së quajtur Bizantine.

Me zyrtarizmin e krishterimit, sipas ediktit të Milanos, më 313, kur organizimi kishtar u legalizua edhe në trevën e Dardanisë, ky rajon mori frymën e zhvillimit institucional. Se ilirët në Dardani kishin qenë të kristianizuar në kohën apostolike dëshmon edhe fakti se që nga zanafilla e organizimit dhe konstitucionit hierarkik kishtar, kishat ilire në Dardani ishin të pranishme në të gjitha çështjet dogmatike e disiplinore. Këtej përmes statusit të veçantë administrativ e juridik, Dardania kishte edhe qendrën e ipeshkvisë ose mitropolinë të sanksionuar me Koncilin e Nikesë, në vitin 325. Në Koncilin e Nikesë, në vitin 325 morën pjesë përfaqësuesit e Kishës Ilire, si: ipeshkvi i njohur dardan, Daku nga Scupi apo “Dacus Dardaniae”, Domni nga Sirmiumi, Protogeni nga Sardika, Pristi nga Mercianopoli.

Prania e përfaqësuesve të kishës dardane shënohet edhe në Koncilin e Sardikës (343), ku në mesin e shumë ipeshkvijve (1710) kemi ipeshkvi të Dardanisë si: Paregorius a Dardania de Scupis (Paragoni i Shkupit të Dradanisë), Macedonius ab Dardania de Ulpianis (Maqedoni i Ulpianës së Dradanisë), Gaudentius de Niaso (Gaudentius nga Naissus). Burimet antike, gjithashtu dëshmojnë se në provincën e Dardanisë gjendeshin dy vende të rëndësishme e të fortifikuara, Scupi dhe Ulpiana. Kështu, Kisha e Dardanisë do të jetë më vonë element i fortë i krishterimit dhe i ruajtjes së etnikumit iliro-arbëror. Siç dihet, pas ndarjes së Perandorisë Romake në Lindje dhe në Perëndim, më 395, Iliriku Lindor në pikëpamje politike-administrative i përkiste Kostandinopojës, por qendrat peshkopale në arealin e gjerë ilir si Shkupi, Shkodra, Durrësi, Nikopoja, mbetën në juridiksionin dhe ndikimin kishtar të selisë më të lartë të Kryepeshkopatës së Papatit të Romës.

Jeta e re pas ndarjes së Perandorisë

Kjo vazhdoi deri në vitin 484, kur patriku i Kostandinopojës, Akasi (471-489) e ndau nga ana administrative Patriarkatin e Kostandinopojës nga Patriarkati i Romës. Qysh atëherë, ipeshkvijtë e Ilirisë u vunë nën administrimin kishtar të Patrikanës së Kostandinopojës. Mirëpo, spektri kishtar i Dardanisë si provincë e së folmes dhe kulturës latine, kryesisht ka qenë e përcaktuar kundër juridiksionit të Kontandinopojës. Sidoqoftë, ndarja administrative kishtare në mes të asaj të Lindjes dhe Perëndimit, në këtë kohë në Dardani ishte krejtësisht formale edhe më pas edhe në kohën e papës Anastasit II (496-498). Situatë e njëjtë ishte edhe përkundër politikës së vrazhdë të perandorit bizantin, Anastasit I (491-518), i cili ishte kundërshtar i madh i të drejtave të papës në Ilirik, prapëseprapë Kisha Dardane mbeti në lidhje me Papatin. Pra, me gjithë krizën që kalonte organizimi kishtar, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, gjatë shekullit V, në provincën jugore të tij, si në Dalmaci, Prevalitanë e Dardani është vërejtur një jetë e pacenuar e kishës nga ana e kishës së Lindjes.

Pas këtyre ipeshkvijve të përmendur, mbetet një zbrazëti e dukshme sepse plotë 80 vjet nuk hasim ndonjë emër të ipeshkvijve të Scupit, e që sipas studiuesit Zef Mirdita kjo duhet të ketë ndodhur për shkak të vështirësive politike të shkaktuara me invadimin e sulmeve barbare, të cilat dukshëm e kishin dobësuar kishën e këtyre viseve. Megjithatë, hierarkia dhe organizimi kishtar kanë ekzistuar edhe gjatë këtyre kohëve të turbullta. Pas tërmetit shkatërrues të vitit 518, nuk kemi shënime as për ipeshkvijtë e qytetit të Shkupit, e as për Dardaninë. Në fakt, duhet parë se Justiniana Prima është trashëgimtarja e Argjipeshkvisë së Shkupit “Eççlesia Scopiensis”, e cila i merr të gjitha ingerencat politike e kishtare që kishte pasur Argjipeshkvia e Shkupit më parë. Në veri të Shkupit gjendet qyteti Ulpiana, i cili ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Dardanisë, pas Shkupit. Ulpiana ishte qytet-seli ipeshkvnore për provincën e Dardanisë nën metropolitanën e Shkupit në dioqezën e Ilirikut Lindor.

Me ardhjen në fron të Perandorisë Bizantine nën udhëheqjen e Dinastisë Dardane të Perandorëve të Justinianëve: Justini (518-527), Justiniani I (527-565) dhe Justini II 565-578 në Perandorinë Bizantine, filloi një jetë e re e besimtarëve dhe popullatës në tërë perandorinë, e posaçërisht në Iliri, në tërë territoret e saj të gjëra, e veçmas në Dardani. Dinastia Dardane e Justinianëve ishte me origjinë dardane, që vijnë nga dy fshatra fqinje dardane, fshati Bederiana, vendlindja e perandorit Justin dhe fshati Tauresium, vendlindja e perandorit Justinian, të dyja këto fshatra gjendeshin në viset dardane në qytetin e Shkupit. Prej shumë burimeve shkencore, merret vesh se Dinastia e Justinianëve janë dardanë nga Iliria. Kronisti antik, Agathiasi, vendlindjen e Justinianit e quan qytet ilir që quhej në kohë të vjetra Bedriana, por që më vonë u mbiquajt Justiniana e Parë. Kronisti bizantin, Precopi i Cezares-i, thotë se “vendi prej nga vjen perandori Justinian, është një qytet i dardanëve evropianë, të cilët shtriheshin përtej kufirit të Durrësit shumë afër, përballë një vendi që quhet Bedriana, gjendej një vend i quajtur Tauris, prej nga vjen perandori Justinian, themeluesi i botës romake….Dhe pranë këtij vendi, ai ndërtoi një qytet shumë të njohur, Justiniana Prima, kështu ia pagoi hakun e ndërrueshmërisë shtëpisë që e krijoi atë”. Ky tekst i Prekopit jep të dhëna të sakta dhe absolutisht të besueshme se vendlindja e Justinianit është Taeuresiumi në provincën e Dardanisë.

Nekropoli verior i Ulpianës, tash Park Arkeologjik

“Codex Justiniana”

më të shquarit në mesin e perandorëve në histori njihet perandori Justiniani I, që udhëhoqi Perandorinë Bizantine në vitet 527-565. Ai shquhet si reformator i madh i Perandorisë. Kështu, në prill të vitit 529, nxori Kushtetutën e re të Perandorisë, të njohur si Kodi i Justinianit “Codex Justiniana”. Gjatë kohës së tij, nxori edhe kode të tjera ligjore, duke ia arritur qëllimit që ligjet t’i vinte në rregullim juridik. Vepra legjislative e Justinianit i shënon fundin e periudhës së parë të historisë së të drejtës romake.

Perandori Justiniani I, që njihet reformator i madh administrativ, juridik, po ashtu njihet edhe si reformator i madh kishtar. Ai luajti rol të rëndësishëm me autoritet të lartë mbi jetën e brendshme organizative kishtare, duke nxjerrë dekrete të panumërta që rregullonin administrimin e manastireve, pozitën juridike të pasurive kishtare, organizimin e trupës klerikale. Kujdesi i Justinianit ndaj Dardanisë ishte i jashtëzakonshëm, gjë që mund të shihet nga ndërmarrja e ndërtimeve të tij. Pas tërmetit të madh shkatërrues të viti 518, në dokumentet kishtare më nuk kemi lajme për ipeshkvijtë në Dardani. Qytetet në Dardani thuajse ishin rrënuar pothuajse krejtësisht, sipas të gjitha gjasave, shumica e banorëve ishin larguar për të shpëtuar jetën. Por, në sajë të kujdesit të jashtëzakonshëm të perandorit Justinian 527-565, jeta në Dardani u rikthye dhe vazhdoi në qytetet e ripërtërira dhe të ngritura.

Perandori Justiniani I, për të përballur më me suksese kundrejt sulmeve dhe invadimeve të popujve të njohur si barbarë në kufijtë e Perandorisë së Bizantit, ai arriti që me përkushtim dhe suksese të dalluara të bëjë mbrojtjen nga këto sulme, duke marrë masa ushtarake, administrative, kishtare si dhe në krijimin e shumë veprave ndërtimore qofshin ato të rindërtuara pas tërmetit të vitit 518, apo edhe të ndërtuara rishtazi në territorin e Dardanisë, vepra këto që janë të shumta. Fakti që Justiniani ndërtoi dhe rindërtoi në Dardani në mes të shekullit VI më shumë se 158 kala, shumë më tepër se në provincat e tjera (në Epirin e Ri 58 kala; në Epirin e Vjetër 36 kala; në provincën maqedonase 46 kala), tregon se në Dardani popullata vazhdonte të ishte e dendur.

Kështu, në masat e ndërmarra kishtare perandori e riorganizoi kishën në Iliri dhe në këtë mënyrë krijoi një provincë të pavarur kishtare, së cilës i dha një rol të rëndësishëm në këtë pjesë të Perandorisë. Deri në këtë kohë, treva e Ilirikut në aspektin kishtar kishte një qendër, atë të Selanikut. Mirëpo, siç thotë studiuesi i mirënjohur, G. Gjini, “synimi i perandorit ishte i qartë, “që vendlindjen e vet ta ngritë në një qendër të re administrative e kishtare”. Perandori Justiniani I për ta bërë më të suksesshme kishën e krishterë përballë invadimeve të sllavëve të Lindjes, më 14 prill të vitit 535, e shpalli Novelën XI, e cila konsiderohet si statut i institucionit të argjipeshkvisë, me anë të së cilës mësojmë se perandori Justiniani I kishte emëruar ipeshkvin Katelianin (Catellianus), në detyrën e argjipeshkvit të Justiniana Prima (Scupi), të cilin Novela XI e bënte atë tani e tutje argjipeshkëv të disa krahinave, dhe e shndërroi vendin e vet të lindjes në qendër metropolitane të njohur si Justiniana e Parë, e cila i mori tërë ingerencat politike e kishtare të dioqezës së Shkupit. Nën ekzarkatin e Mitropolisë së Justinianës së Parë do të jenë këto provinca: Dacia Maditeriana, Dacia Ripensis, Mysia e Parë, Dardania, Prevalitania, Maqedonia e Dytë dhe një pjesë e Panonisë së Dytë. Në kuptimin e sotëm gjeografik, Justiniana e Parë në fillimet e saj nën ekzarkatin e saj kishte Serbinë, Sremin Lindor, Bullgarinë Perëndimore, Maqedoninë Veriore, Kosovën dhe Malin e Zi. Argjipeshkvi i parë i Justiniani Prima (Scuoi) ka qenë Kateliani, nga viti 535 deri në vitin 550.Argjipeshkvi i dytë i Justinianës së Parë ka qenë Benenati, i cili administroi afro 40 vjet, ndërsa i fundit argjipeshkvi Gjoni (591-602), i cili konsiderohet si titullar i saj i fundit.

Kështu, me vendimet e perandorit Justiniani I, qendra kishtare për pjesën e provincës së Dardanisë që ishte në kuadër të dioqezës së Maqedonisë, u bë Justinian Prima, e ngritur në rang të mitropolisë. Sipas studiuesit G. Gjini, del se akti i themelimit të Justinianës së Parë nga ana e perandorit Justinian ishte pa ndonjë marrëveshje paraprake të precizuar me krerët kishtarë të Romës. Prandaj, papa Agapi I (535-536), dërgoi në emision emisarët e tij për njoftime dhe shqyrtim më të duhur për themelimin e Justinianës së Parë. Por meqë nuk kemi reagime as nga ai dhe as nga pasardhësi i tij, papa Silveri (536-537), lë të nënkuptohet se vendimet dhe autoriteti i perandorit Justinian ishin të plotfuqishme, edhe pse ai nuk ishte edhe sovrani suprem i Kishës. Por, dihet se Justiniani I ishte shumë aktiv edhe në rrethanat nëpër të cilat organizohej kisha e krishterë, ai merrte pjesë dhe ndikonte në emërimet më të larta të hierarkisë klerikale, jepte aktdhurata për pronat e kuvendeve kishtare etj.

Pavarësimi i Justinianës së Parë

Më në fund, pas plot dhjetë vjetësh, statusi institucional dhe juridik i pavarësisë së Justinianës së Parë u shpall dhe u zyrtarizua nga ana e perandorit Justinian I, me aktin e nxjerrjes së Novelës CXXXI të datës 18 III 545. Me këtë dispozitë të re, territori i vikariatit metropolitan të Justinianës së Parë, ka ndryshuar dukshëm. Në kuadër të juridiksionit të Justiniana Primës hynin ipeshkvijt e provincave Daciae Mediterrannae, Daci Repansis, Prevalisë dhe Dardaniae, Moesia Superiore dhe Panoniae II. Me këtë akt, Iliriku Lindor, i cili për nga aspekti administrativ kishtar ka qenë njësi më vete, tani me Justinianën e Parë u nda në dy pjesë: në atë jugore me seli në Selanik dhe në atë verior, me seli në Justiniana Primae. Tani, nën juridiksionin e mitropolitit të Justinianës së Parë hynë Panonia e Dytë dhe provincat e përfshira në Novelën e Parë, por nuk përmendet më Macedonia Salutaris, e cila bënte pjesë më parë. Me këtë akt, perandori dëshiroi që t’ia rriste edhe më shumë autoritetin dhe pavarësinë kishtare. Ndër masat e tilla juridike kishtare, ishte se ipeshkvi i Justinianës së Parë, pos titullit mitropolit, mbante edhe titullin e argjipeshkvit, që ishte i rangut të instancës më të lartë nga i cili do të vareshin disa krahina. Argjipeshkvit të ri do t’i përkasë “summus honor, summa dignitas, summum sacerdotium, summum fastigium”, që do të thotë, nderi më i lartë, dinjiteti më i lartë, priftëria më e lartë, shkalla më e lartë. Me këto parime, argjipeshkvisë do t’i përkasin jo vetëm nderi dhe primati, por edhe juridiksioni suprem në territorin e saj. Argjipeshkvi i Justinianës së Parë do t’i caktojë dhe shugurojë ipeshkvijtë e territorit të vet; njëkohësisht ai do të jetë përfaqësues i drejtpërdrejtë i Selisë së Shenjtë të Romës dhe do ta ushtrojë pushtetin e tij në cilësinë e vikarit të papës. Tani e tutje, as ai e as ipeshkvijtë që i nënshtrohen atij, për kurrgjë nuk do të varen nga ipeshkvi i Thesalonikut. Përveç kësaj, ai si epror i dioqezës do t’i thërrasë, kryesojë dhe udhëheqë koncilët kishtarë provincialë. Do ta gjykojë dhe dënojë çdo konflikt dhe mosmarrëveshje që do të shkaktohet midis ipeshkvijve të nënshtruar. Argjipeshkvin e ri do zgjedhin të gjithë mitropolitët dhe ipeshkvijtë në kuvendin e përbashkët. Ata edhe do ta shugurojnë, ndërsa në krejt këtë ipeshkvi i Thelasonikut nuk bën pjesë fare. Argjipeshkvi ka të drejtë që shumë çështje kishtare t’i zgjidhë vetë drejtpërdrejt, ose përmes legatëve të vet, të cilët do t’i dërgonte sipas nevojës. Ndryshe nga pushteti i primatit vikariat, i cili më parë u jepej ipeshkvijve të Thessalonikut vetëm herë pas here, përkatësisht secilit titullar në mënyrë të veçantë, tani pushteti dhe juridiksioni iu dha vetëm selisë së Justinianës së Parë.

(VIJON)

____________

Ky tekst fillimisht është botuar në revistën: “Kosova nr. 37/38”, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2013, f. 76-84)

***

Periudha gjysmëshekullore e veprimtarisë së Argjipeshkvisë së Justiniana Primës (II)

Nga Bedri Muhadri

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura