ARBAN BISLIMI: FUSHATA MEDIALE KUNDËR DJALIT TË RAMË VATËS REFLEKTIM I MUNGESËS SË VIZIONIT MBI TË ARDHMEN E UP’së

Prishtinë, 18. 02. 2014 – Gjithçka filloj në emisionin Interaktiv mbi krizën në UP në KTV ku të ftuar ishin deputetët Ramë Vata dhe Lirie Kajtazi ku u vu re një insistim i gjatë i prokurorit/gazetarit mbi pranimin e djalit të Ramë Vatës në Mjekësi jashta suazave të konkursit. Një aferë që gjatë një jave u paraqitë në emisionin e lajmeve si një rast i shkeljeve të rregullave dhe si thyerje e barazisë ndërmjet studentëve. Një Stil prukurorial i të bërit gazetari dhe një linçim publik i cili lulëzon vetëm në diktatura ku linçimi në media i paraprinë linçimit me anë të gjykatave. Viktima të këtij lloji inkuizitorial të gazetarisë dhe gjyqësisë ishin shumë figura në Kosovë, më i njohuri deputeti Limaj. Praktikë e njejtë ndodhi me rastin e gjykatës Evropiane speciale për krimet e UҪK-së ku edhe kësaj radhe një fushatë mediale e përgatitur për opinionin! Por pyetja në këtë rast është se a ka pasur shkelje të barazisë ndërmjet studentëve në rastin Vataj? A do të bëhen vërtetë reforma për ta bërë UP-në Universitet prestigjioz ndërkombëtar apo thjesht u shfrytëzua çështja e UP-së për të bërë politik ditore? A është skandali i vërtetë pranimi i mërgimtarit jashta konkursit apo mosekzistenca e konkursit adekuat?
Fakulteti i mjekësisë: aty ku thyhet drejtësia dhe barazia ndërmjet të barabartëve dhe gishti i drejtohet një mërgimtari
Në rastin e studentit mërgimtar Vataj do dëshiroja të kujtoja një të vërtetë mjaft të thjeshtë të cilën nuk e kam zbuluar dhe e cila nuk paraqet ndonjë sekret: drejtësia dhe barazia vlejn ndërmjet individëve me situata të njejta! Ndryshe i njejti konkurs aplikohet për një kategori gjimnazistësh apo studentë me situata të njejta. Ky është një parim dhe praktik e cila në rend të parë nuk është respektuar në fakultetin e mjekësisë së UP-së, të cilit ua paska prishur rendin dhe meritokracinë mërgimtari djalë i deputetit.

Shikoni VIDEON:

Nga po ky Fakultet mësonim në media informacionin se me 12 Dhjetor u arrestuan afro dhjetë asistentë dhe staf administrativ për rryshfet në shkëmbim të pranimit të studentëve dhe kalim të provimëve. Pa harruar se po aty nga 420 studentë sa duheshin pranuar këtë vit, u pranuan mbi 1000 ose 681 studentë të pranuar pa konkurs! Ja pra meritokracinë dhe barazinë që paska thyer sipas mediave, veçanërisht gazetarit të guximshëm të KTV-së, djali i deputetit Ramë Vata i rritur dhe shkolluar në mërgatë! Të pranohen 681 student vendor jashta kriterëve akademike në një fakulltet duke thyer çdo parim të barazisë dhe të meritës ështe vertet skandaloze! Por është më e lehtë, me më pak rreziqe, më demagoge dhe me më pak mundime intelektuale të hedhet vrellë ndaj mërgimtarit djal i një deputeti se të flitet për ata qindra vendor të cilët shkelën mbi trupat e kolegëve të barabart për të hyrë, pa konkurs e ecë e dije në cfarë mënyre, në atë fakulltet!
UP duhet të ketë një konkurs pranimi të studentëve nga Mërgata dhe të huaj që të bëhet Universitet prestigjioz ndërkombëtar:
Logjika e shëndosh do donte që një student (qoft edhe Shqiptar) i rritur dhe diplomuar jashtë vendit të kishte procedura të pranimit nëpërmjet konkursit nderkombetar, një gjë e cila duhet bërë për mendimin tim me shqyrtimin e dosjes së kandidimit nga një komision universitar i UP-së. Mund të duket paradoksale por në Shkencat politike të Parisit (IEP Sciences Po), Universitet i cili formon elitën e Francës, një francez i jashtit pranohet përmes konkursit ndërkombëtar me shqyrtim të dosjes, gjersa një i huaj që është rezident (me qendrim) në France kalon konkursin kombetar barabart me Eliten e gjimnazistëve të Frances me shumë provime me shkrim ku vetem 6% e aplikuesve pranohen në fund. Dicka shumë e arsyeshme dhe e natyrshme mbasi nuk ka asnjë logjikë ti kërkohet dikujt që ka vijuar studimet me programin e një vendi tjetër, në një gjuhë tjetër të hy me një konkurs të përgatitur për ata që kanë vijuar programin e vendit ku gjendet ai Universitet!
Skandali i vërtet është se UP është aq monolitike sa nuk ka të rregulluar një konkurs për Mërgaten e vet dhe të huajt dhe se me rajonalizimin e Universitetëve rrezikon të shëndrohet në Universitet të Drenicës, Kamenicës dhe Llapit. Mungesa e atraktivitetit për studentët e vendëve tjera shpjegon edhe një pjesë të rangimit ndërkombëtar mbasi numri i studentëve të huaj është njëri ndër kriteret që mund ti mundësoj ngritjen në rangim ndërkombëtar. E mos të flasim sikur në UP të mbaheshin kurse edhe në gjuhen angleze sikur në çdo Universitet të vendëve të vogla me ekonomi të hapur ndaj globalizimit! Por një gjë e tillë nuk bëhet me profesor në moshen e pensionit, me profesor të klanëve politike, me Universitet të mbingarkuar me një shumicë studentësh të pranuar jashta konkursëve e aq më pak me një mentalitet provincialist e sensasionalist të mediave dhe opinionit që pengon të shtrohen problemet e vërteta për zgjidhje.
Reforma të vërteta që UP të jetë Universitet Ndërkombëtar prestigjioz, Qendër e shkëlqyeshmërisë universitare Kombëtare dhe e Mërgatës:
Ndajë mendimin se Prishtina dhe Universiteti i saj nuk duhet të jenë peng e një kaste, grupi apo partie politike pavarësisht alternancave e as të ngjajn me një katund të madh apo të mjaftohet UP me statutin e një Universiteti në nivel Kosove. Prishtina duhet të jetë e hapur, Prishtina duhet të jete qendër e Pejanëve, e Drenicakve, e Anadrinit, e Anamoravës, e Kosovës lindore, e Tetovës, Dibrës, Tiranës, Gjirokastrës (etj…) por edhe e Shqiptarit të Gjeneves, Parisit, Hamburgut, Stockholmit, Milanos e pse jo edhe të Strasburgut sic është djali i Ramë Vatës.
Dëshiroj të insistoj në specifikën e Mërgimtarit mbasi shpesh vendorët i ngatrojnë origjinën apo përkatësinë vendore me situatën juridike, jetësore dhe përvojën e tyre prej të huaji në raport me vendin, sistemin dhe institucionët e tij. Një individ që ka lindur, mësuar dhe jetuar në mërgatë mund të jetë i filan katundit në Kosovë, mund te ia njihni babë e babgjysh por Ai me statut, me përvoj, edukatë e ndoshta edhe kulturë është i një vendi dhe situate tjetër e cila kërkon trajtim të ndryshëm. Të vije ai të studioj apo jetoj në Kosovë (qoft edhe fjala për njerëz etnikisht të huaj) nuk heq asgjë mirëqeniës apo të drejtave vendorëve të Kosovës. Përkundrazi një ardhje e një të huajit apo kthim në Kosovë i një mërgimtari veçse tregon normalizimin dhe ngritjen e atraktivitetit të vendit, të Prishtines dhe Universitetit! Pra e vetmja mangesi qendron në mungesen e krijimit të konkursëve dhe kushtëve adekuate për të rritur atraktivitetin dhe rrezatimin e Universitetit përtej kufijve e jo te ai të cilit administrata e UP-së i ka bërë zgjidhje për të mundësuar regjistrimin në mungesë të procedurave adekuate nga ana e Universitetit.
Është koha që shoqëria Shqiptare e Kosovës të vetdijësohet se bëjm pjesë ndër ekonomitë e vogla me treg të hapur ndaj globalizimit dhe se arsimi i lart është pjesë e tregut global ku vlera e një Universiteti matet edhe me përqindjën e studentëve nga vendët tjera që vijn për të studiuar aty, me dhëniën e kursëve në gjuhën angleze, numrin e hulumtimëve dhe publikimëve shkencore që bëhen aty. UP do bënte mire pra të nxjerr një procedurë konkursi për pranimin e studentëve ndërkombëtar dhe mërgimtarëve, të shtoje numrin e kursëve në gjuhën angleze dhe të dliret nga profesoret dhe klanet e dyshimta. Pra, një hapje e vërtetë e universitetit që të formohen jo vetëm Elita të vërteta të Kosovës në universitet por edhe ato të vendëve tjera që UP të perendoj në mbarë Shqiptarin por edhe më larg.
Nje gjë e tillë do të ndihmonte Prishtinen të jetë qendër e kulturës dhe reflektimit me shkëlqim ndërkombëtar dhe UP do behej vertet emer i njohur dhe i respektuar ndër institucionet si motra në botë. Por reforma të tilla nuk bëhen me praktika të linçimit mediatik të trashëguara nga praktikat e shekullit të kaluar e me demagogji në saje të politikës ditore. Prandaj miqë dashamirës të meritokracisë, urtësisë, diturisë dhe vendit: të përvjelim krahet dhe largohemi prej anatemimëve dhe mendimëve me vlerë të shtuar të ulët intelektuale! Është koha për një politike vizionare të arsimit universitar e cila kërkon mendime dhe qendrime më ambicioze se ato që janë shprehur deri tani… në media!
– Autori është Magjistër i politikave Shtetërore dhe të energjisë nga Instituti i Shkencave politike të Parisit (Sciences Po Paris) dhe Kryetar i Shoqërisë Bashkimi Shqiptar me seli në Lyon të Francës, e cila mbron të drejtat e mërgimtarëve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura