ARBANA XHARRA: AGJENCIA PËR PROMOVIMIN E KORRUPSIONIT

(Prishtinë, 06. 06. 2012) – Më shumë se dhjetë vjet u bënë që nga entuziazmi i procesit të privatizimit, i cili u promovua si “shpëtimtar” i ekonomisë së vendit. Nuk e kishim imagjinuar se një dekadë më vonë, rezultati i këtij procesi do të jetë i barabartë me: Mbi 500 milionë euro të bllokuara jashtë vendit nga një institucion i korruptuar me mijëra punëtorë që mbeten pa punë.
Euforia për një proces që do ta nxjerrë në dritë Kosovën, i mbajti për një kohë të gjatë kosovarët që shpresonin për një vend pune dhe biznesmenët që ia mësynë të blejnë ndërmarrjet shoqërore. Në fillim nuk u besua se mund të ketë pazare të fshehta për shkak se procesi nisi me mbikëqyrjen e rreptë të ndërkombëtarëve, të cilët ishin kudo edhe në bord ku merreshin vendimet.
U shitën ndërmarrje të mëdha, toka bujqësore, fabrika, dyqane, depo, ferma… Nga një llogari që pata bërë disa vjet më parë nga çmimi total i tokave bujqësore të shitura dhe hektarët e privatizuar, pati dalë se 1 euro ka kushtuar 1 ari tokë. Dalëngadalë nisën të denoncohen raste të vogla të marrëveshjeve të fshehta mes ofertuesve dhe udhëheqësve të privatizimit.

_________________________________-

Megjithatë ato kalonin pa ndëshkim të askujt, të përcjella me pakënaqësi të disa ofertuesve. Në anën tjetër punëtorët e këtyre ndërmarrjeve që privatizoheshin pritnin me vite që të merrnin hisen e tyre nga 20 përqindëshi. E gjithë ngjarja kalonte me shpejtësi, sa që nuk analizohej se i tërë procesi po zhvillohej në një ambient të pasigurt për investime me pasiguri të madhe ligjore.
Sot kemi mbi 630 ndërmarrje të shitura për 517 milionë euro të bllokuara. Shumë ndërmarrjeve i tërhoqën aksionet, pa asnjë efekt në rritjen e prodhimit vendor. Bile privatizimi i industrisë për përpunimin e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, edhe më tej vazhdon të cilësohet si shembulli më i keq i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. Menjëherë pas përfundimit të luftës, “Llamkos” ishte njëra nga ndërmarrjet më të fuqishme të vendit.
Nga ana tjetër, sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) del se nga ky proces rreth 50 mijë veta kanë mbetur të papunë. Derisa ngrirja e fondit të privatizimit mbetët problemi i cili ka mundur të zgjidhë shumë çështje brenda Kosovës, duke u shfrytëzuar në tregun kosovar në forma të ndryshme përmes linjave kreditore brenda vendit, për të stimuluar kështu bizneset të cilat do të gjeneronin prodhim, qarkullim dhe vende të reja të punës. Apo para të privatizimit kanë mundur të investohen edhe në projekte kapitale, me kthim afatmesëm dhe kurrsesi afatgjatë për shkak të nevojave emergjente që ka vendi për të hyra.
Ata në krye të këtij procesi në vend se ta promovonin Kosovën për potencialet e saj ekonomike, shndërruan këtë institucion për promovimin e korrupsionit. Deri tash kemi qenë të bindur se procesi ka dështuar dhe se nuk pati efekt pozitiv në asnjë sektor ekonomik, por që Agjencia e Privatizimit është shndërruar në kërkim haraçi nuk është besuar, derisa nisën denoncimet e ashpra nga blerësit e ndërmarrjeve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura