Prizren, 05. 11. 2014 – Kur flas për bacën Adnan nuk mund t’i ik çastit të ndërrimit të jetës së tij, sepse kjo ka rëndësi, jo vetëm për shkak të tragjidicitetit por edhe për shkak të rëndësisë së humbjes fizike të një njeriu që megjithatë po besoj në etabilimin e asaj që e quajmë meditans. Sot para një viti baca Adnan ecte në mes të Shadërvanit, si zakonisht në duar kishte një libër dhe si rëndom edhe një prej të përditshëmeve. Dhe si gjithmonë të linte përshtypjen e një njeriu të qetë, i cili fliste ngadalë dhe fitoje respektin e një njeriu të kulturuar. Nuk mund ta besoja në mbremje që zemra e tij e madhe nuk punonte!
Ai mohonte realitetin e zymtë dhe kërkonte për vizion. Kërkonte për të ardhme. “Të jesh një vizionar i suksesshëm teorik ndaj realiteteve konkrete shoqërore-politike aspak nuk do të thotë se në konstatimet tua, të nxjerra si përfundime meritore, kryesisht duhet t’i mbështetesh në disponimin ekzistues politik ditor kombëtar dhe ndërkombëtar, por patjetër rezultatin përfundimtar ndaj fenomenit konkret shoqëror, duhet ta nxjerrësh nga pasoja e të gjitha veprimeve të gjertanishme që tek priten të ndodhin në të ardhmen. Natyrisht, gjatë këtij tentimi “parathënës”, patjetër si argumente, duhet të shërbehemi edhe me të kaluarën historike si eksperience.” – thoshte baca Adnan në shkrimin “Një bashkim që ka nisur kaherë të bëhet”, ndërsa vazhdonte në këtë shkrim “një dëshmi tjetër e fuqishme historike e këtij vullneti për Bashkim Kombëtar, veçanërisht të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës në trungun amë, gjatë luftërave të fundit në hapësirat e ish-Jugosllavisë, vuloset në betimin e ushtarit të UÇK-së, në të cilën ky bashkim si synim konsiderohet si thelbi i luftës së tyre”.
ADNAN ABRASHI: BASHKIMI QË KAHERË KA NISUR TË BËHET!
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosova_2011/mars_11/14-20.11/adnan_abrashi_bashkimi_17.3.11.htm
***
Në të vërtetë ishte njeri shpërthyer, i revoltuar deri në masë me realitetin në të cilin po kalonte Kosova. Revolta e tij shkonte deri aty saqë në një rast patë hequr dorë nga diploma e tij personale e juristit, duke pasur parasysh se në Kosovë nuk kishte drejtësi, edhe ajo që ishte, bëhej kryesisht në mënyrë selektive. Heqja dorë nga një letër konotonte rrënimin e vlerave shoqërore në Kosovë, në veçanti të drejtësisë me të cilin nuk mund të pajtohej ai.
Shpërthimi intelektual i tij shkonte deri aty sa realitetin politik të Kosovës e quante si mbështjellës të përbrendësuar me gënjeshtra. “Por, fatlumësisht (apo fatkeqësisht) gënjeshtra nuk është vetëm si karakteristikë specifike e shoqërisë kosovare, sepse, ajo si fenomen, është mjaft e shprehur edhe në botë. Ama, në krahasim me ata botëror, këta gënjeshtarët tanë vendor, kur ta lëshojnë një rrenë, edhe vetë i besojnë asaj!Tupani bie për ata që kanë vesh, apo? – thoshte baca Adnan në shkrimin e tij “Metafora e realitetit tonë në triadë”.
ADNAN ABRASHI: METAFORA E REALITETIT TONË NË TRIADË
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosova_2011/shtator_11/adnan_abrashi_metafora_25.9.11.htm
***
Prej shkrimtarëve ai pëlqente Herman Hessen, esetë dhe veprat e tij letrare. Por më së shumti “Siddhartën”. Dhe ishte pikërisht ky personazh i cili më së miri tregonte për virtytet e bacës Adnan. Sa shumë më ngjan Siddharta i urtë me të, i cili kupton gjuhën njerëzore dhe rebelimin e tij e bën pikërisht duke e kuptuar egzistencën. Njejtë ishte edhe Adnan Abrashi, i cili rrezatonte dituri dhe përvojë. Prandaj romani i tij me emrin e personazhit mixha Dil në një mënyrë tregonte karakteret njerëzore të cilat i njihte mirë Abrashi.
Përfundimisht jo vetëm Prizreni, ka humbur parasë gjithash një patriot, një intelektual, një publicist dhe shkrimtar të çmuar. Do të na mungoj shumë!
– Autori është asambleist i VV-së në Prizren.