ARBËR ZAIMI: LINDJA DHE VDEKJA E SUBJEKTIT PARLAMENTAR SHQIPTAR

Tiranë, 22 mars 2017: Subjekti lind prej një traume që përfaqëson atë që s’mund të thuhet, të pathënshmen që ia gdhend dëshirat e premtimet (programet). Po ashtu thamë se i ka dy mënyra për të vdekur, duke i realizuar në një masë ato premtime, e duke i tradhtuar a braktisur ato.
Një psikanalist i shquar francez, idetë e të cilit kanë ndikuar shumë në filozofinë që sundoi akademitë evropiane e perëndimore në vitet e ’60-’70, pra post-strukturalizmin, e ka një teori interesante mbi lindjen e subjektit. Sipas tij, subjekti lind prej një traume të pashqiptueshme. Ai lind bashkë me dëshirën për ta shpaguar këtë traumë të shtypur, për t’i dhënë zë të pazëshmes që e lindi. E vërteta e vetë subjektit është kuptimi që ai bart për traumën. Kjo mënyrë “lindjeje” e konceptuar prej psikanalistit na bën të mendojmë edhe se cila a cilat do të mund të ishin vdekjet e subjektit. Nëse subjekti lind kur lind dëshira për të folur të pafolshmen e për të shpaguar të shtypurën që e lindi, atëherë mund t’i mendojmë në vija të trasha dy vdekje subjektive, e para është mbarimi i misionit të subjektit kur ai e realizon dëshirën e vet (në qoftë e realizueshme), dhe e dyta është humbja e asaj dëshire, që rezulton në frustrim të vetë subjektit, në shuarje të agjencisë subjektive, e si përfundim në humbje të subjektit. Trupi që e mbante subjektin mund të jetë ende biologjikisht i gjallë, por subjektivisht i zbrazët, ndaj “i vdekur”.

Sigurisht psikanalisti kryesisht ka shkruar për individët, pacientë e raste studimi, megjithatë spekulimet e deliberimet e tij janë përdorur shpesh nga studiues e studentë të njohur e të panjohur edhe për të diskutuar mbi subjektet jo-individuale, kështu që nuk është diçka e re përpjekja ime, tërësisht modeste, për të parë me këto syze zhvillimin e disa subjekteve politike në realitetin shqiptar, lindjen e vdekjen e tyre.
Meqenëse hapësira e vendi nuk premton për thellim e detaj, nuk do të merrem në këtë shkrim me subjekte minore, legale e paralegale të së shkuarës, por vetëm me disa subjekte aktuale që gdhendin politikën parlamentare, shtetërore e qytetare në vendet tona.
Në Shqipëri
Partia Demokratike e Shqipërisë lindi në vitin 1991, si një lëvizje me prirje transformuese shoqërore, një lloj djathtizmi revolucionar-populist, tipik për vendet e lindjes evropiane që në atë kohë dilnin prej një periudhe të vështirë regjimesh autoritare staliniste, të bëra të padurueshme sidomos prej krizës ekonomike të tregjeve globale, që e goditën rëndë ekonominë e planifikuar në fundvitet ’70-të e në vitet ’80-të. Lindja e PD-së ishte shpërthimi i energjive të qindra e mijëra njerëzve të varfëruar e me dinjitet individual të rrënuar që kërkonin të ishin “si gjithë Evropa”. Brenda masave të tilla sigurisht kishte grupe me kërkesa të veçanta, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, fshatarë e malësorë, që dëshironin t’i iknin jetës së vështirë e të vinin në qytete, studentë e profesorë të lodhur prej zymtësisë së një kulture të izoluar, njerëz me seksualitete të frustruara etj. Gjithsesi, slogani përbashkues i tyre ishte “Liri – demokraci”. Slogani është gjithnjë një intensifikim i frymës së kohës dhe ky slogan specifik përfaqësonte asokohe premtimin që PD-ja dëshironte të jepte e që pasuesit e saj dëshironin ta merrnin.
Trauma që e lindi PD-në nuk është ikja masive e shqiptarëve të kacavjerrë nëpër anije të vjetra drejt një bote më shumë të ëndërruar sesa reale. As rrëzimi entuziast i statujave. Jo, lindja subjektive e PD-së e pati pagëzimin e vet me gjak, më 2 prill 1991, kur në Shkodër u vranë katër demonstrues. PD-ja ata i quajti dëshmorë. Premtimi për “Liri – demokraci” dhe dëshira për të shpaguar me drejtësi gjithë viktimat e regjimit, fati i të cilëve përmblidhej në fatin e katër anëtarëve të rinj të PD-së, të vrarë në Shkodër, këto ia dhanë lindjen subjektive PD-së, e cila vijon të jetë i njëjti trup prej atëherë, por a e ka më subjektin e lindur asokohe brenda vetes? Kësaj pyetjeje do t’i kthehemi më vonë.
Partia Socialiste e Shqipërisë, nga ana tjetër, nuk jeton më në të njëjtin trup. Jo vetëm që ka vdekur trupi i saj famëkeq, Partia e Punës e Shqipërisë (e cila nga ana tjetër po ashtu u mbarështua mbi kufomën e Partisë Komuniste të Shqipërisë), por mund të themi se Partia Socialiste ka ndryshuar trup së paku dy herë edhe pas rënies së komunizmit. Pasi Partia Socialiste e Edi Ramës, jo vetëm në sensin e lidershipit, por edhe esencialisht e organizativisht është tjetër, krahasuar me atë të paraardhësit të tij, Fatos Nanos.
Subjekti i PS-së së Fatos Nanos nuk lindi prej traumës që pësoi pasi u burgos prej partisë që e kishte lindur si subjekti që do i jepte fund burgosjeve politike, as prej rrahjes së opozitarëve në sheshin “Skënderbej” prej partisë qeveritare e cila kishte lindur si mishërim i nevojës për opozitë.
Sipas meje, subjekti në PS-në e Fatos Nanos lind me shuarjen e 1997-tës, e cila ishte një përpjekje kaotike e njerëzve (s’po them qytetarëve) për t’u ripronësuar. Piramidat ishin një program i shpronësimit masiv, thelbësor për krijimin e të papronëve në Shqipëri, pra thelbësor edhe për krijimin e hapësirave për zhvillimin e kapitalizmit të egër dhe akumulimit fillestar të kapitalit. Si program shpronësimi, piramidat ishin pjesë e “terapisë së shock-ut”, ndaj edhe nuk u ndërhy prej institucioneve financiare ndërkombëtare për t’u lehtësuar pasojat njerëzore të dështimit të tyre (kujtoni me sa lehtësi u justifikuan prej të njëjtave institucione shpëtimet e institucioneve bankare globale pas 2008-tës, me të njëjtin pretendim humanist). Trazirat e 1997-tës ishin revolta popullore për ta ndalur këtë shpronësim. Por, këto trazira nuk kishin një kuptim të mirëfilltë mbi atë se çfarë ishte “terapia e shock-ut”, neoliberalizmi ose vetë zhvillimi kapitalist. Në këtë sens, trazirat ishin të ngjashme me revoltat fshatare të mesjetës së vonë, trazira të udhëhequra veç prej atypëratyshmërisë së pronës e parave të humbura. Slogani i tyre ishte “Duam paret tona” dhe viktimat, siç dihet tashmë, ishin të panumërta. Por, siç dihet nga historia, shqiptarët nuk i “morën paret e tyre”. Përkundrazi, shpronësimi vazhdoi përmes reformave strukturore dhe përmes intensifikimit e përshpejtimit të privatizimit, që si gjithnjë shoqërohej nga vëllai i vet, korrupsioni.
Refuzimi i trajtimit të çështjes së shpronësimit të shqiptarëve të mesëm e të varfër, ishte refuzim i subjektit socialist të Nanos, që të merrej me arsyen e lindjes së vet. Jo vetëm që nuk arriti të prodhojë udhëheqje për energjinë e revoltën popullore të 1997-tës, por përkundrazi, qeverisja e PS-së së kohës së Nanos i shtoi arsyet për revolta të tilla, njëkohësisht duke vepruar si placebo e duke i platitur ato. Ndaj më 2005 përfundoi jeta e Nanos dhe e subjektit të tij politik, duke mundësuar në njërën anë rikthimin e Berishës (është e rrallë që një politikan të mbërrijë të rehabilitohet edhe pas tragjedive të përmasave që prodhuan piramidat), e në anë tjetër ardhjen në krye të PS të një showman-i pa brendësi e destin politik, siç qe Edi Rama.
PS-ja e sotme (e Edi Ramës), pagëzimin e vet subjektiv megjithatë nuk e mori as kur Ramës ia la partinë Nano, e as kur fitoi bindshëm zgjedhjet e brendshme për kryetar përballë Maqo Lakrorit. Sigurisht, nuk qe as beteja për hapjen e kutive ajo që e lindi subjektin brenda saj.
PS-ja e Ramës, lindjen subjektive e përftoi në demonstratat e 21 janarit 2011. Arsyeja e daljes në ato demonstrata ishte revoltimi publik pas një incizimi të publikuar prej një ministri të asaj kohe, Dritan Priftit. Në atë incizim paraqitej lideri i partisë nga vinte ministri Prifti, pra Ilir Meta i LSI-së, duke performuar aktin korruptiv të vjeljes së përqindjes prej projekteve të financuara nga buxheti i shtetit (tenderë etj.). Thirrja e demonstratës ishte kundër një pushteti korruptiv, perceptimi negativ i të cilit ishte rritur sidomos pas koalicionit të PD-së me LSI-në, ku e dyta e përdori pushtetin me pangopësinë e një partie të vogël e konjukturale-familjare e cila vinte prej viteve të gjata në opozitë, ndërsa e para e përdori të dytën për t’i gjuajtur mbi të edhe fajet e veta, gjë që në 21 janar 2011 iu kthye si bumerang.
Në ato demonstrata u vranë katër pjesëmarrës, mbështetës të PS-së së Ramës. Ky pagëzim traumatik mundësoi lindjen e një farë subjekti tek një trup i vdekur e i rilindur disa herë, siç ishte PS-ja. Te premtimi për drejtësi për 21 janarin nënkuptohej edhe premtimi për drejtësi për viktimat e shpërthimit të fabrikës gjysmë-legale të çmontimit të armëve në Gërdec, e cila simbolizonte dritë-hijet fatkeqe të kapitalizmit të gjuetarëve ndërkombëtarë në Shqipëri, e njëherazi edhe ato të formulës së famshme me tre P, Partneritetit Publiko-Privat. Me premtimin për drejtësi për 21 janarin u afruan edhe shumë grupe e persona deri atëherë skeptikë ndaj Ramës a ndaj PS-së, minatorët e shtypur e të dërrmuar të Bulqizës, naftëtarët e Ballshit, që kishin përfunduar në dorë të oligarkëve të pështirë si Rezart Taçi, e të truprojave të tij, të papunët e shumtë të prodhuar prej dy dekadave privatizim, studentëve pa perspektivë, me diploma te blera në universitete private a shtetërore të korruptuara, e një shtrese të mesme të frustruar prej mosmbërritjes, edhe pas 20 vitesh, në ato standardet evropiane (sado stereotipike e mitologjike) të premtuara prej PD-së në 1991-92.
21 janari 2011 më në fund e projektoi PS-në e Ramës drejt ringjalljes ose, siç e quajti ai, drejt “Rilindjes”. Por, a u përpoq të sjellë drejtësinë për 21 janarin, për Gërdecin e për dhjetëra çështjet e tjera legjitime, që i nxorën qytetarët në shesh në 21 janar? Do të kthehemi dhe këtu pak më vonë.
Me përjashtim të subjekteve të vogla thelbësisht identitare, siç janë partitë çame ose ato minoritare, subjekti tjetër politik që mund të shqyrtohet është LSI-ja. Lindja e saj nuk ishte dhe aq traumatike sa ajo e dy të parave, e ndoshta bash për këtë arsye nuk arriti kurrë të bëhet aq e madhe sa ato. Pretendimi zyrtar i LSI-së kur u shkëput nga PS-ja, ishte mungesa e demokracisë së brendshme në PS, në kohën e Nanos. Gjatë viteve të para LSI-ja u përpoq të ndërtonte një imazh më të majtë se sa PS-ja, që kulmoi me grevën e deputetëve të LSI-së brenda Kuvendit të Shqipërisë. Por, eventualisht rezistenca zgjati pak dhe më 2009 LSI-ja zgjodhi të bëhet “king-maker” ose, më saktë, patericë e pushtetit, fillimisht të PD-së, pastaj të PS-së. Kapërcimi i madh prej pretendimit për rezistencë e për “të majtë” deri te oportunizmi ekstrem, u reflektua edhe në grupin parlamentar të kësaj partie, grup i cili i humbi menjëherë figurat me peshë intelektuale që i pati në mandatin e saj të parë. Me veprimin oportunist LSI-ja e humbi mundësinë për të lindur një subjekt politik masiv dhe mbeti një parti-biznes i mesëm.
Në Maqedoni
Po ta kapërcejmë kufirin e të shohim subjektet shqiptare në Maqedoni, historinë e viteve të fundit e kanë dominuar dy parti. E para është PDSH-ja, e krijuar në vitin 1997, si rezultat i shkrirjes së dy partive pararendëse, PPDSH-së dhe PDP-së, në një periudhë problematike për shqiptarët në Maqedoni. Udhëheqësi i parë i kësaj partie ishte Arbën Xhaferi, një intelektual i nivelit të lartë, krahasuar me atë çka mund të ofrojë politika përgjithësisht. Ai u kthye në vendlindje prej Kosovës, ku kishte kaluar një pjesë të jetës pranë qarqeve intelektuale të Prishtinës. Kthimi i Arbën Xhaferit në Tetovë koincidon me një sërë lëvizjesh e përpjekjesh të shqiptarëve të Maqedonisë për më shumë të drejta, kërkesa të cilat përveçse shtypeshin e refuzoheshin prej maqedonasve, si gjithnjë gjenin edhe kundërshtimin e forcës shqiptare në pushtet, PPD-së së atëhershme. Më simbolikja prej këtyre përpjekjeve të shqiptarëve, ishte lëvizja e protestave për hapjen dhe legalizimin e Universitetit të Tetovës, që do t’i shërbente avancimit arsimor të shqiptarëve të diskriminuar në Maqedoni. Arbën Xhaferi, së bashku me një sërë intelektualësh e politikanësh të tjerë, u përfshinë në themelimin e Universitetit në vitin 1994, i cili megjithatë pati shumë peripeci gjatë viteve në vijim, pasi operoi në ilegalitet. Bashkë me Xhaferin në shpalljen e themelimit të Universitetit të Tetovës, figuron ndër të tjerë edhe Menduh Thaçi, një njeri me famë të oportunistit e të njeriut që operon në kufijtë e ligjores, e herë-herë pak edhe më andej.
PDSH-ja e Arbën Xhaferit u krijua në ato vite dhe shpresa që u mbrujt në të ishte e mishëruar te kërkesa për Universitet, në fakt edhe kjo veç një slogan përfaqësues i nevojës shumë më të madhe të popullit shqiptar në Maqedoni për avancim shoqëror. Të qenit e Arbën Xhaferit në krye të PDSH-së ishte në përputhje me këtë kërkesë për Universitet e avancim shoqëror, meqenëse vetë Xhaferi ishte intelektual i nivelit të lartë. Por, shumë shpejt për të filloi të flitet se “është veç kryetar i partisë së Menduh Thaçit”. Intelektuali gjysmë-politikan e gjysmë-mendimtar u shndërrua në maskë të një partie që u zhvillua konjukturalisht prej Menduh Thaçit, njeriut “të bazës”, që nuk e pyeste shumë Arbën Xhaferin dhe që vepronte siç ia merrte mendja vetë, meqenëse kontrollonte strukturat e partisë. Shumëkush ma ka përcjellë dëshminë se taktika e brendshme që ka ndjekur Menduh Thaçi për ta defaktorizuar e për ta mënjanuar më pas krejt Arbën Xhaferin, ka qenë ajo që populli e quan “me ia plasë shpirtin”, ose “me ia plasë buzën”. Në të vërtetë, një strukturë e ndërtuar kryekëput rreth pushtetit, nuk mund të ketë respekt për integritetin e mendimtarit, edhe nëse qëllon që atë ta ketë rastësisht kryetar. Strukturat që kanë si synim të vetëm pushtetin, shpesh përfundojnë t’i besojnë kapobandës më shumë se sa flamurtarit të parimeve (këtë e epitomizon në historinë botërore psh. rasti i konfliktit Trocki – Stalin, ku i pari e udhëhoqi revolucionin, ndërsa i dyti e përfitoi pushtetin).
Kështu, pra, Arbën Xhaferi përfundoi “kryetar nderi”, me rol kryesisht ceremonial e kozmetik, ndërsa pushtetin real e mori Menduh Thaçi. Një Parti, subjektiviteti i së cilës lindi në kërkesat për avancim shoqëror e për universitet, shumë shpejt e varrosi subjektivitetin e vet duke e shndërruar në hiçmosgjë intelektualin, e duke ia lënë pushtetin në dorë oportunistit e pazarxhiut. PDSH-ja shpejt hyri në pushtet, por siç e tregon edhe gjendja aktuale e universiteteve shqiptare në Maqedoni ose më gjerë, gjendja e kulturës dhe e arsimit shqip në Maqedoni vazhdon të jetë krahasimisht më e dobët edhe se Shqipëria e Kosova (që nuk shkëlqejnë). Përveç kësaj, Menduh Thaçi na doli edhe kumbarë i shtypësve të shqiptarëve, qofshin ata në pushtet ose në organet e sigurisë. Pikërisht kjo “vrasje” e shpejtë e gjakftohtë e subjektit politik të lindur gjatë protestave për Universitet, prodhoi edhe rënien e defaktorizimin përfundimtar të PDSH-së, që tashmë ka mbetur veç një grusht njerëzish.
Subjekti tjetër që ka shenjuar politikën e shqiptarëve në Maqedoni, ka qenë BDI-ja. Ky subjekt u ndërtua mbi luftën e Ushtrisë ÇlirimtareKombëtare në Maqedoni dhe sigurisht mbi traditën e gjatë të organizimit herë të jashtëligjshëm e herë të ligjshëm të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, organizim i cili ka synuar herë autonominë e trojeve shqiptare brenda në Jugosllavi, e herë pavarësimin e tyre e bashkimin me Shqipërinë. BDI-ja, e cila ende vazhdon të udhëhiqet prej ish-komandantit të UÇK-së në luftën në Maqedoni, Ali Ahmetit, dalëngadalë e reduktoi në kopertinë kuq-e-zi e në turbotallava ngjarjen traumatike prej së cilës lindi dhe dëshirën që e prodhoi ajo ngjarje. Siç dihet, lufta e UÇK-së në Maqedoni, e frymëzuar edhe nga lufta në Kosovë që i parapriu, ndodhi si shpërthim i një populli të shtypur, kërkesat e të cilit për barazi ishin injoruar vazhdimisht, e që për këtë arsye e kishte humbur dëshirën ose shpresën për bashkëjetesë me maqedonasit, të cilët i trajtonin shqiptarët si minoritet i parëndësishëm, për të mos thënë si minoritet armik, edhe pse në fakt shqiptarët nuk ishin minoritet as demografikisht e as territorialisht, e me armiqësimin e tyre gjasat për mbijetesën e Maqedonisë do të ishin zero.
Por, menjëherë pas luftës BDI-ja bëri gabimin që më përpara e pat bërë dhe PDK-ja në Kosovë. Njerëzit e pushkës, me sa duket, nuk kishin njerëz të dijes në udhëheqje, kështu që pranuan një marrëveshje që ishte shumë më pak se ajo çka mund të merrnin, parë gjendjen në terren. Pas pranimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila në fakt shqiptarëve veç sa “ua leu kokën me akull”, BDI-ja i çarmatosi njerëzit e UÇK-së, e harroi premtimin dhe dëshirën e saj fillestar për emancipim e çlirim politik të shqiptarëve të Maqedonisë, rrugë që ose do çonte te barazia ose do çonte te ndarja. BDI-ja e la këtë rrugë dhe s’pati as barazi as ndarje, përkundrazi, siç u rrëfye edhe nga përgjimet e publikuara prej opozitës maqedonase, BDI-ja u bë shpejt partnere e subjekteve më anti-shqiptare. Në periudhën e (bashkë)qeverisjes së BDI-së ndodhën disa prej skandaleve që ekspozuan ashpër natyrën anti-shqiptare të shtetit e të sigurimit maqedonas, duke përfshirë aty skandalin gjyqësor të rastit “Monstra”, ku disa fshatarë shqiptarë të pafajshëm dënohen pa prova për një krim që s’e kanë bërë ose rastin e eliminimit të Harun Aliut e rastin “Sopoti”. Të gjitha këto, veç si përfaqësuese të një gjendjeje të diskriminimit strukturor, të varfërisë që shkon duke u thelluar, e të arsimit shqip të shkatërruar përditë e më shumë e të zëvendësuar prej arsimit fetar.
Partitë e reja politike shqiptare në Maqedoni është ende herët të gjykohen për subjektivitetin e tyre e për besnikërinë ndaj ngjarjes fillestare. Me sa duket Lëvizja Besa ka lindur prej një dëshire fillestare për t’i shqiptarizuar politikisht ata qytetarë që më përpara, edhe prej mungesës së shpresës, ishin duke u myslimanizuar politikisht në kuadrin e politikave identitare globale dhe konflikteve që lindin prej tyre. Ndërsa Lëvizja për Reforma të PDSH, e Zijadin Selës, është një farë përpjekje për ringjalljen e PDSH-së sipas vlerave të Arbën Xhaferit që u përmend më sipër. Por,distanca e shkurtër kohore nuk na lejon të bëjmë analizë mbi qëndrimet e tyre subjektive, aq më pak të spekulojmë mbi përfundimin e tyre.
Në Kosovë
Rasti i BDI-së në Maqedoni mund të merret si shembull që shpjegon thuajse me përpikëri atë çka ka ndodhur në Kosovë me partitë e ashtuquajtura “të krahut të luftës”, më të mëdhatë e të cilave kanë qenë PDK-ja e AAK-ja, fatet e të cilave u ndanë menjëherë pas luftës, për shkak të agjendave të ndryshme e të egove konkurrente të dy kryetarëve, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt.
Trauma fillestare, mbi të cilën u krijuan ato parti më vonë, ishte vetë lufta për çlirimin e Kosovës, luftë e ndërtuar mbi përpjekje të panumërta individësh, organizatorësh e luftëtarësh, në gati një shekull histori nën sundimin serb. Bashkë me atë traumë lindi edhe dëshira për ta shpaguar të pathënshmen, të cilën unë po përpiqem ta shpjegoj shkurt për aq sa mund të shpjegohen të pathënshmet (që s’munden, as shkurt e as gjatë).
Të jetuarit në kushte diskriminimi, si qytetarë të dorës së dytë, në vendin ku historikisht kanë qenë e janë shumicë dërrmuese, prodhoi në Kosovë jo vetëm krizë, por edhe bashkëjetesë me krizën. Ata që u mësuan të bashkëjetonin me krizën, duke formuar një borgjezi urbane shqiptare, u panë si armiq ose si kolaboracionistë të pushtetit prej atyre që në dekada të ndryshme morën përsipër të ishin disidentë ose agjitatorë të çështjes së çlirimit kombëtar të Kosovës e trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Përgjithësisht këta organizatorë të rezistencës ishin më të majtë se socializmi zyrtar i ish-Jugosllavisë dhe kjo diktohet jo vetëm për shkak të frymëzimit prej marksizëm-leninizmit zyrtar të Shqipërisë, por edhe nga kushtet e vështira ekonomike të zonave rurale të Kosovës dhe diskriminimi e pabarazia në të cilën e gjente veten Kosova, e trajtuar veç si territor të cilit i vileshin burimet natyrore për t’u përpunuar tjetërkund, e i vilej krahu i lirë i punës për të zhvilluar të tjera shtete.
Por, edhe ata që disi u mësuan të bashkëjetonin me krizën, pushtetarët shqiptarë të Kosovës së asaj kohe, ndërkohë që përpiqeshin të ndalnin protestat e organizimet e qëndresës, nga ana tjetër përballeshin me mosbesimin e elitës së Beogradit, me të cilët ishin në konflikt të vazhdueshëm, herë të mbuluar e herë jo, për të arritur avancime të statusit shoqëror e politik të shqiptarëve. Kjo situatë prodhoi, pra, edhe përçarje mes vetë shqiptarëve, siç ndodh tipikisht në rastet koloniale (dhe neokoloniale).
Për kushtet e krijuara, premtimi dhe dëshira e shtypur që prodhuan shpërthimin e një pjese të popullit dhe rinisë përmes angazhimit në UÇK i pati, pra, dy pjesë kryesore. Nga njëra anë ky premtim e kjo dëshirë ishin për avancim shoqëror, barazi e emancipim, për shkak të trashëgimisë kryesisht të majtë të lëvizjes dhe, nga ana tjetër, ishte për çlirim kombëtar dhe bashkim me Shqipërinë, siç edhe del e shprehur fare qartë në betimin e ushtarit të UÇK-së.
Siç tregojnë vetë disa prej protagonistëve të themelimit e të aksioneve të para të UÇK-së, të cilët janë ende gjallë, ka pasur një moment kur udhëheqja politike e UÇK-së u mor prej disa “parashutistëve” të ardhur nga jashtë organizatës. Ka pasur dhe ende ka fërkime sa i përket atyre ngjarjeve, mes protagonistëve kryesorë. Jo rrallë ka pasur akuza e kundërakuza për “komandantë që nuk kanë luftuar” e për persona që sot mbajnë meritë të madhe e në atë kohë kanë sabotuar ose i kanë ngritur pritë protagonistëve të UÇK-së, dhe mikrohistoria e UÇK-së ende nuk është hulumtuar e shkruar shkencërisht, edhe për shkak se një pjesë e protagonistëve kanë pushtet e interes politik, dhe një histori e tillë do të mund të rrezikonte pushtetet e tyre, për pasojë do të mund të rrezikonte edhe profesionistët e historisë.
Elita e re politike e UÇK-së, e cila ndoshta nuk ka luftuar aq sa thuhet në terren, menjëherë pas lufte e anashkaloi dhe e margjinalizoi Adem Demaçin, e bashkë me të edhe artikulimin e premtimit që gjeneroi traumën e luftës, që siç e përmendëm, ishte i majtë e kombëtar. Nisën dy procese paralele, nga njëra anë çarmatosja e UÇK-së dhe lënia e vendit në duar të ushtrive ndërkombëtare, e nga ana tjetër hyrja në negociata pikërisht duke hequr dorë nga çdo aspiratë e majtë dhe për bashkim kombëtar. E në këtë proces të ngadaltë e ende të papërfunduar, vdiq po aq ngadalë ai subjekt politik që u trashëgua prej luftës. E tillë, në përmasa më të vogla, është edhe rruga e AAK-së.
Organizata e dytë më e madhe, LDK-ja, ndoshta nuk ia vlen të përmendet në këtë shkrim, edhe për faktin se si subjekt nuk ka lindur prej ndonjë premtimi revolucionar, madje as prej ndonjë premtimi transformues. LDK-ja ka lindur më 1989, por jo prej demonstratave, as prej grevës së minatorëve e as prej të burgosurve politikë, që kur u liruan prej burgut pasivisht, u anëtarësuan në LDK (ata shumë shpejt edhe u çanëtarësuan prej LDK-së, po ashtu masivisht kur e kuptuan se ç’qe kuptimi i kësaj partie). LDK-ja lindi për të mbushur vakuumin e krijuar, kur pas rënies së Murit të Berlinit shtresa e mesme dhe mikroborgjezia e Kosovës masivisht u larguan prej Lidhjes së Komunistëve. Ky largim nuk ishte ideologjik – ata ishin anëtarë të Lidhjes së Komunistëve pa qenë komunistë, e dolën prej saj pa u bërë kurrë antikomunistë. Si të gjithë mikroborgjezët, ata ishin të paaftë që të lindnin subjekt, as individualisht e as kolektivisht. Funksioni i LDK-së ishte platitës e qetësues, e ndoshta e vonoi nisjen e konfliktit në Kosovë me disa vjet, edhe pse në fillim të viteve të ’90-ta me fronte të hapura në Kroaci e Bosnjë, e me Rusi të dobët, në valën e rrëzimit të shteteve ende “socialiste”, siç ishte Jugosllavia, çlirimi ndoshta do të vinte më lehtë e më i plotë. Mantra që LDK-ja ia nguliti popullit ishte ajo e mbijetesës e jo e sakrificës, mantra e pritjes së pafund deri sa dikujt tjetër t’i mbushej mendja që të luftonte në vend të shqiptarëve. Ndaj LDK-ja nuk ka ndonjë premtim për të tradhtuar, e nuk ka subjekt për të analizuar. LDK-ja është një josubjekt dhe ndërmarrja e saj ishte edhe është desubjektivuese. Ka edhe parti të tjera të tilla, të cilat megjithatë nuk kanë arritur ndonjë sukses të madh. Të tillat janë vendosur në qendër të spektrit, e kanë folur gjuhën e pushtetit global a rajonal të kohës, pa adresuar kurrë ndonjë shqetësim a plagë reale të popullit.
Si subjekti më i madh opozitar vlen të analizohet edhe ecuria e Lëvizjes VETëVENDOSJE!. Ky subjekt lindi prej një grupi aktivistësh idealistë të çështjes kombëtare, ish anëtarë të unionit studentor të demonstratave të fundviteve të ’90-ta, ish luftëtarë e të rinj të zhgënjyer me zhvillimet e pasluftës e me kompromiset e shumta që jo vetëm e zbehën luftën, por gati-gati i bënë shqiptarët të mos ndihen më fitimtarë të luftës për çlirim, pra të mos ndihen as të çliruar (sepse nuk ka çlirim përpos vetë-çlirimit, çlirimi nga ushtria e tjetrit është paradoks). Karakteristikë ideologjike e këtij subjekti është sovranizmi i majtë, kritik ndaj globalizimit neoliberal e ndaj neokolonializmit. Të gjithë këta u grumbulluan nën karizmën dhe personalitetin intelektual të Albin Kurtit, edhe ky me karakteristika të pazakonta për politikën përgjithësisht. Megjithatë, lindjen e subjektivitetit politik në VV e prodhoi demonstrata e 10 shkurtit 2007. Demonstrata ishte thirrur kundër Pakos së Ahtisaarit, formulës e cila e sillte Kosovën në një situatë të quajtur “pavarësi minus” ose “pavarësi e kufizuar”. Kritikat e VV-së ishin se kjo “pavarësi” pamundësonte shtetin ku do të aktualizohej vullneti politik i shqiptarëve të çliruar më në fund. Kjo pavarësi, thoshin protestuesit, ishte “pa ushtri, pa sovranitet, pa zhvillim ekonomik e punësim dhe pa ulëse në OKB”. Si për të konfirmuar faktin se Kosova ende nuk ishte e çliruar, policia ndërkombëtare e armatosur ushtarakisht, iu vërsul demonstruesve paqësorë duke i vrarë dy prej tyre e duke i plagosur tetëdhjetë. Thuajse nëntë vite më vonë, gjykatat ndërkombëtare zbuluan se fajin e pati policia ndërkombëtare (rumune) e jo protestuesit, megjithatë ende nuk ka drejtësi për ta.
Dhjetë vite më vonë VV-ja vazhdon t’u qëndrojë parimeve të veta subjektive, t’u japë zë atyre që e dëshirojnë një Kosovë të dekolonizuar, me hapësirë sovrane për zhvillim të ekonomisë, kulturës e politikës. Gjatë këtyre viteve demonstratat e protestat e saj nuk janë ndalur, e si rezultat i kundërshtimeve të proceseve të nisura me Pakon e Ahtisaarit qindra anëtarë të VV-së janë mbajtur në burgje, e njëri prej tyre, Astrit Dehari, vdiq tragjikisht në burgun e Prizrenit në nëntor 2016.
Megjithëse VV-ja është tepër e re për t’iu analizuar destini i subjektivitetit të saj, pasi ende nuk ka përballuar sprovën e të qenit në pushtet, që është sprova kryesore e një subjekti politik, ne do t’i rikthehemi edhe asaj në këtë aspekt.
Përfundimi
Krejt në fillim thamë se subjekti lind prej një traume që përfaqëson atë që s’mund të thuhet, të pathënshmen që ia gdhend dëshirat e premtimet (programet). Po ashtu thamë se i ka dy mënyra për të vdekur, duke i realizuar në një masë ato premtime, e duke i tradhtuar a braktisur ato.
Pa pasur nevojë që të shkohet një nga një në rastet e përmendura më sipër, mund ta shohim një fije lidhëse mes të gjithave partive shqiptare që në një moment kanë mbërritur të jenë në pushtet në shtetet ku veprojnë. Ajo fije lidhëse ndërtohet nga fakti se të gjitha, pa përjashtim, i kanë tradhtuar ose i kanë braktisur fillet e tyre.
Këtë gjë nuk mund ta themi vetëm për partitë që nuk janë ende në pushtet, siç janë disa parti krejt të reja në Shqipëri, që ende s’janë ballafaquar me zgjedhjet, për partitë e reja parlamentare në Maqedoni, që ende s’kanë shumë histori për të analizuar dhe ende s’janë në qeveri, si dhe për VV-në në Kosovë, e cila histori ka mjaftueshëm, por as ajo ende nuk ka pasur mundësinë të nisë rrugën për plotësimin e premtimeve të saj.
Pra, nuk pati drejtësi për të rënët në demonstratat për çeljen demokratike të Shqipërisë, në vitin 1991 në Shkodër. Ende nuk janë ndëshkuar fajtorët, edhe pse PD-ja ka mbajtur në periudha të gjata pushtet, madje në fillim të viteve të ’90-ta një pushtet thuajse absolut. Jo vetëm që s’pati drejtësi në kuptimin e drejtpërdrejtë të gjyqësorit, por as në kuptimin politik – sepse krejt premtimi për demokraci i mishëruar tek PD-ja, u tradhtua shpejt, me PD-në që u bë pjesë e një kulture të agresionit binar, shpesh duke urdhëruar dhunimin e opozitarëve e të medias, madje edhe vrasjen e demonstruesve.
I tillë edhe fati i PS-së Ramës, që jo vetëm nuk mbërriti të sjellë ndonjë drejtësi gjyqësore për të rënët në demonstratat e 21 janarit, por edhe në aspektin politik e tradhtoi krejtësisht idenë për të cilën ata kishin rënë. Demonstrata e 21 janarit ishte thirrur për të protestuar ndaj korrupsionit të shfaqur në videoincizimin e Ilir Metës, e Rama dy vjet më vonë bëri koalicion qeverisës pikërisht me Metën, në një qeveri që nuk ka bërë shumë për të ulur as perceptimin e as realitetin e korrupsionit në vend. Po ashtu, nëse (dhe kjo mbetet pikëpyetje e madhe) PS-ja e Ramës ka pasur ndonjëherë ndonjë agjendë socialdemokratike, gjatë viteve të qeverisjes së tij goditjet më të mëdha simbolike e real-ekonomike prej reformave (por edhe prej gjuhës së tij) i kanë marrë pikërisht sindikatat, punëtorët, njerëzit e varfër edhe të papunët.
Po aq paradoksalisht përfundoi PDSH-ja e Arbën Xhaferit, e cila ishte e ngritur gjatë procesit të protestave për universitet, por shumë shpejt ajo u shndërrua në një tjetër parti të injorancës e brutalitetit, për të mos thënë krimit. Pra, partia e krijuar prej kërkesave për universitet u shndërrua në parti anti-universitet ose partia e krijuar dhe e udhëhequr nga politikani-intelektual, shpejt e shpejt ra në dorë të njeriut të kundërt, gangsterit jopolitik anti-intelektual dhe konjuktural (sepse ky kontrollonte bazën).
BDI-ja, ashtu si dhe PDK-ja e partitë e tjera të dala nga lufta, tradhtinë e filleve të tyre e kanë më “klasike”, më lehtësisht të kuptueshme ndaj edhe më pështirosëse. Po të shohësh rrugën që kanë ndjekur, po të dëgjosh deklaratat e të lexosh vendimet e tyre, të duket se përnjëmend gjithë ata dëshmorë të rënë prej luftërave çlirimtare të shqiptarëve në Maqedoni e Kosovë kanë rënë kot ose nuk kanë ditur se përse po luftojnë. Ideja se çlirimtarët shqiptarë luftonin kot ose nuk e dinin se pse luftonin nuk është e sotme, por sot duket sikur ka gjetur përmbushjen e vet. Dikur kjo ide ka qenë sigurisht ajo që propagandohej nga pushtuesi, nga aleatët e vet ndërkombëtarë, por edhe nga borgjezia lokale që bashkëpunonte me pushtuesin, e sidomos nga mikroborgjezia lokale. Dikur ky ka qenë qëndrimi i LDK-së, denoncues ndaj veprimeve të UÇK-së në terren. Ndaj, paradoksi i sotëm është se BDI-ja në Maqedoni, PDK-ja në Kosovë e partitë e tjera të luftës, me tradhtinë që i bënë themelit të tyre, që ishte betimi i ushtarit të UÇK-së, përfunduan të bëhen më LDK se LDK-ja. Ato jo vetëm që e vranë subjektin që i lindi, por e nxorën jashtë përdorimit edhe vetë LDK-në, sepse rolin e pacifistit ultra-servil tashmë e kryejnë vetë.
Sa i përket VV, ajo ende nuk e ka dëshmuar veten në pushtet. Subjektet politike, ashtu si subjektet njerëzore, kanë “lindjen” e tyre, por kanë edhe “vdekjen” e tyre. Por, askush nuk ndihet mirë të mendojë për vdekjen e vet dhe nuk mund ta bëjë këtë gjë me objektivitet maksimal. Ndaj edhe unë nuk mund ta trajtoj çështjen e destinmit subjektiv të VV. Pra nuk mund ta di me siguri se a do të jetë fundi i VV-së sipas sloganit të shpërndarë nga shumë aktivistë “Me Vetëvendosjen deri në vetëvendosje!” ose do të jetë një braktisje e butë e filleve të veta, edhe pse sigurisht që shpresoj në të parën. Megjithatë, ka diçka që e bën racionale shpresën time tek VV-ja.
Në rastet që pamë, ka edhe një fill tjetër lidhës. Thuajse të gjithë atyre që simbolizojnë betejën e lindjes së subjektit, të cilëve siç pamë u është premtuar drejtësia e më pas u është mohuar prej vetë subjektit që e kishte premtuar, u është ofruar si zëvendësim diçka tjetër. Diku u është ofruar familjarëve një shumë e madhe parash, diku janë promovuar familjarët në pozita të larta zyrtare, me kusht që të harrohej premtimi për drejtësi. Kështu ndodhi me familjet e të rënëve në demonstratat e Shkodrës në 1991, madje vëllai i dëshmorit Arben Broci u bë gjyqtar prej PD-së dhe, ironikisht, ishte i përfshirë në gjyqet ndaj policëve që vranë demonstruesit në 21 janar.
Kështu ka ndodhur edhe me viktimat e rasteve të keqgjykimeve në Maqedoni, të cilët vetë më kanë pohuar premtimet që kanë marrë prej BDI-së për lehtësime ekonomike e për ndihmë me avokatë specialistë.
Kështu ka ndodhur edhe me të rënët e 21 janarit, familjarëve të të cilëve sivjet Rama u premtoi qindra mijëra euro, paraqitur si “drejtësi alternative”. Kur s’ka drejtësi normale, duhet shpikur “alternativja”. Njësoj siç fashizmit po i thuhet “e djathtë alternative” ose rrenës po i thuhet “fakt alternativ”.
Por, nuk ka ndodhur kështu me familjarët e të rënëve të 10 shkurtit 2001. Atyre që prej asaj kohe u janë ofruar shuma të mëdha parash, nga vetë institucionet ndërkombëtare. Por, ata familjarë qëndruan stoikisht, pranë VV-së, duke u bërë kështu gur-themeli i VV-së dhe garantë të ruajtjes së linjës së saj. Forca e tyre, bashkuar me forcën e familjes Dehari, është diçka e cila del jashtë linjës së mëparshme të subjekteve të tjera parlamentare shqiptare. Kjo forcë e bën subjektin të pashitshëm. Një subjekt i pashitshëm, shpresoj unë, e ka më të vështirë ta braktisë synimin e vet e ta lërë të vdesë “duke u moderuar”. Ndaj besoj fort se transformimet shoqërore e institucionale që premton VV-ja, do të mbeten program i saj, e ajo do të vazhdojë derisa t’i zbatojë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura