PROF.As.DR.VANGJEL KICI: PSE JEMI TË VARFËR, EDHE PSE KEMI NËNTOKË TË PASUR?

Toronto, Kanada – 21 nëntor 2019: Në gazetën Bota Sot, të datës 20 Nëntor 2019, lexova artikullin me titull: “Varfëria në Shqipëri, të ardhurat si vendet e BE-së vetëm mbas…80 vitesh”.Ndërmjet të tjerave, në artikull shkruhet:

“Me krizën ekonomike, dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë shqiptarët të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të grupit G7 (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA) sa vijnë e po bëhen më të largeta.
Sipas grafikëve të publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020, tashmë do të na duhen 80 vite që të kapim mesataren e tyre në të ashtuquajturin process të konvergjencës.

Ky proces nënkupton që vendet me të ardhura më të ulëta rriten më shpejt se ato të zhvilluara, në mënyrë që të kapin këto të fundit për nga standardet e jetesës. Nga rreth 25-30 vjet që shpresohej më parë se do të na duhej që të kishim të ardhura dinjitoze, tashmë kjo periudhë pothuajse është trefishuar.

Por BERZH thekson se nëse do të kishim një qeverisje më të mirë (gjë që fatkeqësisht nuk e kemi parë në këto 30 vjet- shënim i Monitor), konvergjenca e të ardhurave për shqiptarët mund të ndodhte në gjysmën e kohës, pra në pak më shumë se 40 vjet.

Sot shqiptarët kanë të ardhura më pak se 30% e mesatares së vendeve të zhvilluara (G7)….duke u renditur të fundit në rajon dhe ndër të fundit në Europë, me përjashtim të vendeve të ish Bashkimit Sovjetik, Kosovës dhe Tunizisë. Dhe nëse do të na duhet të ngushëllohemi, nuk jemi vetëm ne. Të gjithë rajonit do t’i duhet më shumë kohë. Kosovës do t’i duhen pothuajse sa ne (rreth 40 vjet).”

Çdo shqiptar, kur e lexon këtë shkrim, dëshpërohet, bëhet pesimist, ndjen keqardhje… Në artikullin e lartpërmendur jepen disa arsyetime, se pse jemi kaq të varfër, por ato nuk janë shumë bindëse. Nga ana tjetër, Monitor na ngushëllon se nuk jemi të vetmit në rajon. Pra, cili është shkaku i vërtetë i varfërisë së shqiptarve?

Mendoj se shkaku i vërtetë i varfërisë së shqiptarve është keqqeverisja, korrupsioni, grabitja…Shqipëria është vend shumë i pasur me burime natyrore, mbi dhe nëntokësore, por qeveritë pas vitit 1990 nuk duan t’i shfrytëzojnë ato, për rritjen e mirëqënies së popullit.

Më poshtë jepet një hartë skematike e Shqipëri-Kosovës. Të gjitha figurat e zeza të kësaj harte tregojnë vendet, se ku mund të zbulohen (në thellësi jo të mëdha) vendburime gjigante nafte dhe gazi (pra, në Shqipërinë Lindore dhe në Kosovë). Gjeologjia nuk është e saktë si matematika, por ajo tregon shkencërisht se në Shqipërinë Lindore dhe në Kosovë ka shumë mundësi të ekzistojë kjo pasuri e madhe nafte dhe gazi, e jashtzakonshme për Shqipërinë dhe Kosovën. Zbulimi dhe shfrytëzimi i kësaj pasurie do ta zhdukte shumë shpejt varfërinë ekonomike të shqiptarve. Zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës, sidomos në brezin e Shqipërisë Lindore, do të zhdukte edhe papunësinë dhe emigrimin masiv të shqiptarve. Do të punësoheshin jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe shqiptarët e emigruar jashtë shtetit, por me kusht që nafta dhe gazi i gjithë Shqipërisë të jenë pronë vetëm e kombit shqiptar, siç i ka Norvegjia dhe shumë shtete të tjera të botës. Pra, nafta dhe gazi duhen nacionalizuar (shtetëzuar) sa më parë, por populli në Shqipëri është i përgjumur….

Ish kryeministri Berisha, në vitin 2013, sapo mori njoftim mbi këtë perspektivë, e futi Shqipërinë Lindore në Listën C të privatizimit, bashkë me Albpetrol-in. Pse e futi? Që Shqipëria të mosë kishte asnjë perspektivë për zhvillimin ekonomik!!

Qeveria e mëvonëshme “Rama-Meta”, dhe qeveria e sotme “Rama”, e kanë nxjerr të gjithë Shqipërinë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pra, naftën dhe gazin t’i grabisin të huajt, siç po i grabisin deri tani, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar. Pse bëhen këto veprime? Këto bëhen që Shqipëria të mosë zhvillohet!!

Në këtë hartë skematike shihet, se pjesa e Kosovës ka pak figura të zeza (që përfaqësojnë masivët ultrabazikë). Në fakt, edhe Kosova ka shumë masivë, sikurse Shqipëria Veriore, por pjesa e Kosovës dikur ka pësuar ulje, dhe atje masivët janë të mbuluar nga një trashësi e vogël shkëmbinjësh të moshave gjeologjike më të reja (siç janë ata që përmbajnë qymyret etj.).Aktualisht, për shkak të gërryerjes së kësaj mbulese, disa masivë, aty-këtu, kanë nxerr “kokën” në sipërfaqe.
Mendoj se ky brez i Shqipërisë Lindore, që vazhdon në pjesën më të madhe të Kosovës,
në thellësi relativisht të vogla fsheh një pasuri të jashtzakonshme nafte dhe gazi. Aty duhen përqendruar investimet kryesore të çdo qeverie, dhe jo të hidhen paratë poshtë e përpjetë, për ndërtim rrugësh me korrupsion, dhe për 100 fshatrat model për turizmin!!

Por Shqipëria dhe Kosova kanë edhe shumë pasuri të tjera të mëdha. Pra, me një qeverisje të mirë, shqiptarët në trojet e tyre etnike shumë shpejt mund të bëhen nga më të pasurit në Europë dhe në botë!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura