Kumanovë, 07. 10. 2014: Unë shkruaj; jo pse di të shkruaj aq mirë, por kam arsye të forta për të shkruar për të mirën kundër së keqes! Iljasa Salihu – (Vështrim kritik ndaj librit “Shtrati i lules – përmbledhje aforizmash” i autorit Iljasa Salihu) – Para se të bëjmë fjalë për librin, vlerësoj të nevojshme ta theksoj faktin se ata që sot shkruajnë në prani të një tregu të tkurrur të lexuesve, janë përnjëmend njerëz që ia duan të mirën shoqërisë dhe besnik ndaj penave të tyre. Sot, nuk është lehtë të gjesh vullnet për të shkruar, sidomos në kohën kur shkrimet janë falas dhe në anën tjetër degjenerimi paguhet shtrenjtë. Nuk është lehtë, ngase mediat që duhet të jenë lokomotiva të përurimit të moralit dhe të intelektualit, ato i japin hapësirë shpërndarësve të pandershmërive dhe injorancës. Fatmirësisht, ende kemi të atillë që pavarësisht bregoreve të larta dhe blegërimës neveritëse të pushtetit, nuk ndalen së kumtuari të drejtën dhe të dobishmen, njëherësh duke pasur për qëllim ngritjen e vetëdijes shoqërore. Mbase qëllim kryesor i shkrimtarit duhet të jetë ngritja e vetëdijes shoqërore, thirrja në punë të mira dhe sqarimi i pasojave që rrjedhin për shkak të veprave të këqija. Gjithsesi, autori Iljasa Salihu me botimin e librit “Shtrati i lules – përmbledhje aforizmash” i shpalli luftë të shkujdesurve dhe paqe harrestarëve, duke ia kujtuar në formë këshille se të përkujtuarit për vepra të mira është shumë e dobishme. Ai nuk e harroi veten. Ai e kishte pastruar oborrin e tij, duke e mirëmbajtur përditë.
Ai është një libër i gjallë, por ende i pabotuar, por i cili lehtësisht mund të lexohet prej gjithsecilit. Zotëri Salihu, me këto perla aforizmash na tregon se përpos që është analist, publicist dhe roman¬cier i shquar, është edhe autor shumë i mirë dhe mendje e ndritur për përpilim të fjalëve të urta. Kjo nuk paraqet cenim të profesionalizmit të tij. Nuk ka mëdyshje se intelektuali duhet të jetë i profilizuar, por atij nuk i ndalohet që në cilësinë e mendimtarit të jep mendime për jetën, botërat, njeriun, njerëzinë, moralin, besimin, politikën, ekonominë, familjen, librin, sportin, universitetin, shkollën, traditat e të ngjashme. Në këtë libër, lexuesi përmes ca vargjeve të shkurtra, mund të kuptojë gjëra të mëdha. Kjo është një formë që deri më tani autori nuk e kishte përdorur. Ai kishte menduar se lexuesit duhet t’i afrohet dhe t’i ofrojë diçka më të lehtë dhe më tërheqëse, krahas formave në librat e tjerë. Kishte kuptuar se lexuesi ka nevojë të kuptojë shumë, duke lexuar sa më pak, me këtë fakt, njëherësh duke e paraqitur krizën e lexuesit me librin, edhe pse ky lloj i librit nuk duhet të jetë lloji i vetëm i librave, por vetëm një gurë që përbën mozaikun e diturisë. Nuk duhet që lexuesi të mësohet të lexoj vetëm ca vargje, por duhet që t’i shtrihet edhe vargjeve tjera kilometrike, sepse kjo është natyrshmëri e shkencës dhe e artit. Ky libër me aforizma është libri i tij i shtatë, në gamën dhe tërësinë e veprave të tij. Kështu që, përmes këtyre aforizmave dhe fjalëve të urta, autori i ofron lexuesit mendime të shkurtra, por që kanë një domethënie tejet të lartë dhe një ndikim jashtë¬zakonisht të madh. Përmes fjalëve të urta urtohemi dhe mençurohemi si lexues, ndërsa z. Salihu me përpili¬min e këtij libri dëshmon se përpos që është i mençur, intelektual i ditur dhe guximtar, ai ndjek me zell thënien e urtë latine “Littera scripta manet” (shkronja e shkruar mbetet). Në mes tjerash, i frymëzuar nga numri i madh i librave të lexuara, si dhe nga erudi¬cioni i tij, ai nuk lë anash frymëzimin nga i Dërguari i Zotit, Muhamedi (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) i cili kishte po¬rositur: “Diturinë shënojeni me shkrim”. Iljasa Salihu si një ndjekës i rreptë i kësaj thënie, në përpikëri dituritë, brengat dhe shqetësi¬met e tij i nxjerr në letër, qoftë në cilësinë e publicistit, analis¬tit, romancierit dhe po ashtu edhe në librin e tij më të ri me aforizma.
Filozofi i madh kinez Konfuçie do të shprehej në një rast se ekzistojnë katër raste tipike të njeriut:
1. Ai që di dhe e di që di, i cili si dijetar duhet përcjellur
2. Ai që di, por nuk e di që di, andaj si person që është në gjumë duhet zgjuar
3. Ai që nuk di dhe e di që nuk di, i cili lypet të udhëzohet dhe duhet të mësohet
4.Ai që nuk di dhe nuk e di që nuk di, i cili si injorant që është, është po ashtu edhe i rrezikshëm andaj duhet larguar.
Me siguri që këto lloj aforizmash autorin e vënë pa dyshim në kategorinë e parë të njerëzve, të cilët duhet ndjekur, mbështetur, ndihmuar dhe lexuar. Ndërsa aforiz¬mat e këtij libri të përpiluara nga autori janë të destinuara për të katër kategoritë e njerëzve të lartcituar.
Duke marrë si shkas edhe thënien e Allahut Fuqi¬plotë “Nun, betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë” (68:1), mendoj se dje, sot, por edhe nesër të shkruash është një guxim, një mision dhe një aksion. Them guxim, ngase përgjegjësia është tejet e madhe, sepse shumë shpejt mund të bëhesh pre e kritikave, presioneve dhe sulmeve nga faktorë të ndryshëm. Ndërsa z. Salihu e ka tejk¬aluar me sukses këtë etapë. Them mision, ngase misioni i inte¬lektualit dhe atij që shkruan është të jetë i gjallë vazhdi¬misht në shtyp, gazeta dhe në mjediset ku kërko¬het. E po ashtu edhe këtë etapë e ka kaluar me sukses autori. Si dhe aksion, sepse nga një e thënë deri te një e bërë ekziston nj det i tërë. Sot kemi shumë njerëz që shtiren se janë intelektualë, por që përpos fjalëve dhe broçkullave nëpër mejhane, nuk kanë kurrfarë guximi për të pasqyruar shqetësimet e tyre në letër. Iljasau pa dyshim se e ka tejkaluar me sukses edhe këtë etapë.
Duke marrë parasysh përkufizimet e ndryshme për intelektualin, mendoj se autorit dhe librit të tij do t’i shkonte për shtati thënia angleze: “Aleanca me të vërtetën është shumë e vësh¬ti¬rë dhe e hidhur, por ajo është shpëtimtare dhe si e tillë duhet pranuar në gjirin tonë”! Aleanca e autorit dhe e aforizmave të shkëlqyera të tij me të vërtetën është një lajtmotiv që përcjell nga e para deri te e fundit, secilën aforizëm veç e veç. Duke mos u futur fare në purpur, duke mos e nxjerrë veten asnjëherë më të rëndësishëm se nga ç`është në të vërtetë, autori me stilin e tij të afo¬rizmave flet me secilin lexues, duke ndarë çdo brengë dhe hall, por duke ofruar edhe çelësin e zgjidhjes së brengave. E ky çelës mund të kuptohet pasi të lexohet libri me kujdes.
Edhe pse tregu ynë i varfër i librave në Maqedoni dhe në rajon ende nuk është mësuar të shoh diturinë dhe librin në prizmin e duhur, përpos në prizmin e variantit të Carl Shmitt në boshtin logjik mik-armik, besoj se autori i librit ia ka dalë me sukses të tejkalojë këtë bosht, duke e futur lexuesin dhe autorin në boshtin mik-mik. Stepha¬ne Hessel, guri i rezistencës në veprën e tij “Indignez-vous”, shprehet se të krijosh do të thotë të rezistosh dhe ana¬sjell¬tas. E mendoj se z. Salihu me këtë vepër dhe tërë korpu¬sin e veprave të tij dëshmon se duke krijuar reziston dhe njëkohësisht duke rezistuar krijon. Është privilegj të kesh në dorë këtë libër të çmuar, por sakri¬legj të mos e shfletosh dhe ta analizosh. Xanxa e autorit edhe për aforizma na nxjerr në pah virtytet dhe cilësitë e tij, me erudicionin dhe mprehtësinë e ideve. Krejt kjo ngase burimi i shkencës dhe diturisë është intelekti, ndërsa i veprimit vullneti. E autori i posedon të dyja.
Autori me kujdes dhe me vigjilencë në këtë libër bulon ide dhe aforizma që të bëjnë të reflektosh thellë. Duke deduktuar në tërësi veprën e tij më të re, mund të them se si një Orfe, me aforizmat e tij zharitëse për ata që janë me mëdyshje, si dhe fashitëse për ata që janë stoik në qëndrime, mund të konstatoj se ky libër është një ple¬doaje tipike, që përshtatet me realitetin shoqëror dhe atë intelektual të autorit. Autori Salihu përmes kësaj vepre dëshmon dhe përdëfton thënien e Collins-it, që intelek¬tuali prodhon ide të pakontekstualizuara, të vlefshme për secilin vend dhe në çdo kohë. Ai veçohet përmes ceremonive dhe ritualeve, ligjëratave, debateve, të cilat shërbejnë jo vetëm për shkëmbime idesh, por edhe shenjtërojnë sferën e veprimtarisë intelektuale. Besoj se ky libër begaton tërësinë e veprave të tij, nderon autorin si intelektual të shquar dhe e ngrit autorin në nivelin Habermasian të pasjes fantazi dhe guxim për të shtruar gjërat troç dhe publikisht. Prandaj, mos ngurroni, lexojeni këtë libër, ju siguroj se nëse nuk përfitoni ndonjë gjë, ju nuk do të humbni asgjë, edhe pse dihet se antonim i fjalës humbje është fjala fitore a përfitim.
Mr. Ardian Ramadani – profesor, përkthyes, publicist dhe autor i katër librave, njëherësh është edhe recensent i këtij libri.