ARDIAN RAMADANI: PANBALLKANIZMI, NË THELB IDE E RREZIKSHME DHE E PANEVOJSHME

Kumanovë, 24. 04. 2013 – Duke lexuar veprën e shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare, me titull: «Çlirimi i Serbisë prej Kosovës» lexuesi fillimisht gjen një vepër të ndërtuar strukturalisht mirë, me ide tejet të qarta dhe koncize, por në të njëjtën kohë posa të futet në analiza kupton se sa i dëmshëm mund të jetë një koncept, apo një ide qoftë edhe po të lancohet nga ndonjë shkrimtar i shquar s puna e Kadaresë. Krejt kjo ngase edhe shkrimtarët e shquar janë të gabueshëm, në këtë rast edhe Kadareja. I pëkryer është vetëm Krijuesi ynë, Zoti.
Por në anën tjetër nuk mund të mos impresionohesh dhe mburresh kur Ismail Kadare gjendet në mesin e anëtarëve të huaj në Akademinë e shkencave morale dhe politike të Parisit që nga 1996 (në vend të filozofit të famshëm Karl Popper). Nuk mund të mos mburresh me atë që ka shkruar 45 libra, të përkthyera në po aq gjuhë të botës, ndërsa po për të janë shkruar me dhjetëra libra. Nuk mund të mos krenohesh me atë që ka marr një shqiptar urdhërin francez « Legjionin e Nderit » e shumë e shumë të tjera.
Duke folur në një intervistë për revistën « Nan » të Beogradit, autori tenton të paraqesë një tablo të qartë të asaj se Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën, andaj është imperativ i domosdoshëm pranimi i kësaj, si dhe shtrirja e dorës së miqësisë mes kombit shqiptar dhe atij serb, duke shtuar edhe atë grek, që sipas tij janë 3 popuj, 3 qytetërime që duhet të merren vesh patjetër. E se si dhe në çfarë kushtesh, ai nuk tregon. Nuk shprehet troç se Serbia dhe Greqia kanë bërë krim dhe gjenocid ndaj shqiptarëve, andaj pa bërë denacifikimin e duhur, pa mos paguar dëmet dhe reparacionet, pa mos dënuar kriminelët s`ka pajtim dhe marrëveshje. Kadare thekson që në Ballkan e keqja e tjetrit është e mirë për tjetrin, duke krahasuar të keqen shqiptare si të mirë serbe, ndërsa të keqen serbe si të mirë shqiptare. Këtu bën lajthitjen e pare. Pse ? Sepse është vërtetuar se shqiptarët asnjëherë nuk janë gëzuar në fatkeqësinë e Serbisë, apo të popullit serb, sepse nuk kanë gjene shovene. Këtë më vonë e pohon edhe vet Kadareja, duke rënë në kundërshti me fjalët e veta, kur thotë se bombat e NATOs që ranë mbi Serbinë, nuk besoj që do të ketë ndikuar që ndonjë shqiptar të ketë ndjerë ndjenjën e trimfalizmit, thjesht shprehet : kjo më trishton, shpresoja tjetër gjë (fq 23). E shtrohet pyetja se çka kishte shpresuar Ismail Kadareja ? Nuk e dij, mbetet ta sqaroj ai vet.

Kadareja më tutje duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares Branka Bogavac shprehet se Kosova për nga njerëzit është shqiptare, nga toka planetare e nga kujtesa shqiptare dhe serbe. Nuk mund ta kuptoj se përse serbe ? Me siguri për shkak të betejës së humbur të Kosovës, një betejë kjo më shumë mitologjike dhe pjellë e ëndërrës famëkeqe serbe për justifikim të pushtimit të Kosovës, se sa realitet dhe ndodhi e vërtetë. Xënxa apo obsesioni i Kadaresë është sipas tij Beteja e lavdishme e Fushë Kosovës 1389, ku sipas tij shqiptarët dhe serbët luftuan krah për krah me njëri tjetrin kundër pushtuesit osman, e kjo betejë sipas Kadaresë duhet të jetë baza e një miqësie historike. E nuk thekson që kjo betejë më shumë kishte qenë një aleancë mes sundimtarëve se sa mes dy popujve, se po të shikohet detajisht në këtë betejë në anën e osmanëve kishte poashtu pjesëmarrës shqiptarë, serb e kështu e radhë, sikurse që kishte të tillë edhe në anën e ushtrive të sundimtarëve ballkanikë. Ai nuk tregon se poashtu gabim strategjik tejet i madh i shqiptarëve ishte lufta e pandërprerë shqiptare kundër pushtuesve osman, e nxitur nga serbët, grekët dhe të tjerët, me qëllim dobësimin e elementit shqiptar, me qëllim të pushtimit dhe zaptimit të tokave shqiptare. Pse mos të thuhet haptazi se vet Skëndërbeu në betejat e tij dhe ushtrisë të komanduar nga ai vet, ishte i tradhtuar sa nga aleatët e tij të krishterë, po aq edhe nga aleatët ballkanikë, në rastin konkret serbët, të cilët kurrë nuk e kishin përkrahur. Kësisoj del se shqiptarët bënin luftëra, fqinjët duke bërë sehir, mprehnin shpatat për pushtim të shqiptarëve, ngase e dinin se një ditë do të dobësohet elementi shqiptar po nga këto luftëra, si dhe do të sundohen ata më lehtë, pasi të largohet Perandoria Osmane.
Duke shkuar më tej, Kadare, i quan zuzarë dy penat e shquara shqiptare, R. Qosen dhe një tjetër (me gjasa S. Hamitin). Nuk e kuptoj mërinë dhe mllefin e tij ndaj Qosjes, por Kadare duhet të bindet se Qosja në polemikën e tij me të, kishte të drejtë dhe shprehte një objektivitet të faktuar dhe argumentuar, e ajo është se identiteti i shqiptarëve patjetër ka ndikimin lindor, sepse vet fakti që shumica shqiptare është muslimane vërteton këtë dhe rrënon synimin kadareist.
Ajo që është lajthitja më e madhe nga shkrimtari ynë i madh është teza e tij se patjetër shqiptarët, grekët dhe serbët duhet të merren vesh, duke krijuar kësisoj boshtin e Ballkanit, si dhe duke ecur së bashku të promovojnë panballkanizmin e tyre. E harron ndërkaq faktin se sa herë që shqiptarët kanë përkrahur idetë panballkaniste dhe Boshtin e Ballkanit, janë tradhëtuar dhe kanë marrë thikë pas shpine po nga fqinjët pjesëmarrës të këtij panballkanizmi, ai nuk përmend se Serbia dhe Greqia, ende kanë nën kolonizim tokat shqiptare, e nuk thekson që është pikërisht panballkanizmi, formula më fatkeqe për shqiptarët, që i ka gozhduar fatet e tyre dhe i ka tradhëtuar pamëshirshëm ato, duke i shndërruar në gogolë.
Për të qenë më i qartë për lexuesin, dua të theksoj se Panballkanizmi si ide, është hedhur së pari nga Ilija Grashanini më 1844, me moton « Ballkani i ballkanasve ». Po ç`farë ishte kjo formulë shtrohet pyetja ? Kjo formulë mund të zbërthehet « Ballkani pa shqiptarë, ose Ballkani i serbëve dhe i grekëve ». Është pikërisht kjo ide me emrin Panballkanizëm ose Ballkanizëm që i kushtoi shumë shtrenjtë shqiptarëve, e ata ende nuk po e marrin leksionin e duhur të historisë. Këtë formulë e përkrahu edhe Zogu, edhe Noli por të dy u lajthitën. Me këtë formulë tentoi Enver Hoxha të bashkëpunoj me komunistët jugosllavët, por u lajthit edhe më keq keq. Po me këtë formulë, edhe sot e kësaj dite koketohet nëpër sallone, zyra dhe kancelari të ndryshme, nëpër institucionet shtetërore ku janë shqiptarët, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, duke u propaganduar gjoja fundizmi i armiqësisë mes popujve të Ballkanit dhe duke u proklamuar një « happy start », bashkim i tyre nën formulën e Panballkanizmit. E njëjta formulë me emrin Panballkanizëm, duhet potencuar se ishte poashtu ide ruse, e shpikur nga ish ministri i punëve të jashtme të Rusisë, Adam Czartoryski i cili përme skësaj formule donte të siguronte nxitjen e ballkanasve për luftë kundër Perandorisë Osmane, për t`ë zaptuar më pastaj këto territore, pas largimit eventual osman, duke sllavizuar dhe ortodoksizuar këtë rajon në tërësi.
Të koketosh edhe sot e kësaj dite me formulën e Panballkanizmit ashtu siç bën Kadareja, Pirro Misha, e shumë e shumë të tjerë, është me të vërtetë diletantizëm. Ngase kjo formulë është tipike prosllave, e dëmshme në thelb për shqiptarët, si dhe nuk mund të realizohet kur njëra palë mban territore të tjetrës palë, kur njëra palë është viktimë e leckosur, tjetra sillet edhe më tej si xhelat, kur njëra palë promovon « Megalidhenë » dhe « Nacertanien » e tjetra palë, ashtu e leckosur, falë një angazhimi dhe mobilizimi, falë rrethanave historike dhe falë aleancës me SHBA të si dhe me shtete tjera si : Britania e Madhe, Gjermania etj, mezi arriti të mbijetojë. Pra, duhet kuptuar dhe thënë troç se Panballkanizmi si ide në thelb ruse dhe serbe, pasise është ide posesive e tyre, është në fakt antishqiptare, por edhe antievropiane. Në vend të saj mund të përdoren formula të tjera, por jo ky formulim, i cili shqiptarëve u kujton masakrat dhe gjenocidet. Andaj, do të bënte mirë sikur shkrimtari ynë i shquar, të mos nxitonte të shpallte Panballkanizmin si parakusht për anëtarësim në Evropë, ngase nuk mund të ketë Panballkanizëm shqiptaro-serbo-grek, ngase, e para Serbia dhe serbët në njërën anë, e Greqia dhe grekët në anën tjetër ende nuk e kanë bërë katarsën e duhur dhe të nevojshme, duke na kërkuar neve si komb të tërë falje, duke na i paguar dëmet dhe reparacionet e ndryshme, duke e njohur shtetin e Kosovës dhe duke ndaluar përpjekjet për ndarjen e saj, duke i dhënë të drejtat ashtu si i kanë serbët në Kosovë, shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe shqiptarëve të Çamërisë, territore këto të ndara padrejtësisht nga trungu amë, duke ndalur politikën hegjemoniste dhe kolonizuese ndaj shqiptarëve, duke i larë borxhet dhe hesapet me ne për shpërnguljet, vrasjet, dhunimet, maltretimet….. dhe duke i dënuar kriminelët e vet. Pa e bërë këtë nuk mund të ketë raporte të mira mes shqiptarëve në njërën anë dhe serbëve e grekëve në anën tjetër. Edhe po te ndodhte çudia të bëhej kjo, prapë se prapë, duhet të kalojë kohë që t`ia falim Serbisë dhe Greqisë krimet dhe mizoritë, si komb gjeneroz që jemi, por pa harruar kurrë kalvarin e vuajtjeve, kolonizimeve, çnjerëzimeve dhe persekutimeve. Fqinjët duhet të ndjekin shembullin gjerman apo edhe japonez, ku edhe sot e kësaj dite paguhen dëme dhe reparacione nga po këto shtete. E Serbia e Greqia lëre që nuk e kanë bërë, po nuk kanë as shenja treguese minimale se do e bëjnë këtë. E di që Ballkani do të ishte shumë stabil dhe më rehatshëm nëse do të integrohej në Evropë, po në Evropë do të integrohemi atëherë kur në mes vete do t`i zgjidhim problemet mirë e mirë dhe ti pastrojmë hesapet ashtu si duhet. Gjermania e ka bërë këtë duke u denacifikuar, duke i dënuar kriminelët e saj, (Gjyqi i Nurembergut), duke dëshmuar dhe duke vepruar në frymën e miqësisë dhe tolerancës dhe duke zgjatur si duhet dorën e pajtimit me kombin francez dhe me të tjerët. Këtë duhet ta bëjë edhe Serbia edhe Greqia.
Andaj, fillimisht ideja për një panballkanizëm shqiptaro- serbo-grek, klisheja për bazën e miqësisë historike duke marrë si bazë betejën mit(ologj)ike të Fushë Kosovës, janë thirrje dhe kushtrim shumë i dëmshëm dhe antikombëtar, e bazimi i këtij panballkanizmi, qoftë edhe kadareian 1 në ndalimin e hovit të Turqisë, (sepse gjoja Turqia do të na gllabërojë sipas kësaj ideje) si dhe në krijimin e armiqësisë me Turqinë, që e kemi shtet mik, po me të cilën duhet të fillojmë të bashkëpunojmë, ngase kemi shumë shqiptarë atje, por për ata duhet të mendojmë ne, lidershipi ynë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë…., është me të vërtetë një ide sa e marrë, aq edhe e dëmshme, sa naive aq antikombëtare, sa e papjekur aq anticivilizuese…., shkurt e shqip është ide ruse, serbe dhe greke, e në thelb antishqiptare.
Për këtë arsye kërkesat dhe dëshirat që vijnë qoftë edhe prej shkrimtarëve të shquar si Ismail Kadare, duhet shikuar dhe hedhur patjetër në filtrin e historiografisë dhe në shoshitje paraprake. Që mos të lajthitemi ashtu si jemi lajthitur deri më tani.
1 Idenë e panballkanizmit e kishte shfaqur edhe ish ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Reis Malile, gjatë vizitës së tij në Beograd më 1988. Por kjo ide mbeti vetëm një dëshirë dhe klishe e rreme, ngase nuk vonoi shumë dhe Serbia suprimoi autonominë e Kosovës, ndërsa shqiptarët u gjendën përballë represionit dhe dhunëa së paparë serbe
– Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura