BDSH: KUSH JANË EKSTREMISTËT POLITIK DHE RADIKALËT FETAR NË MAQEDONI

BDSH, 22. 05. 2012 – Krijimi i Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të Federatës jugosllave, mbështetur në PARIMET THEMELORE TË JAJCES, në vend të respektimit të drejtës për vetëvendosje u shoqërua me një dhunë të dyfishtë ndaj shqiptarëve: terror fizik dhe terror psikologjik.
Që nga shtatori deri në dhjetor të vitit 1944, nën akuzat e “anti-komunizmit ekstrem” u ekzekutuan me mijëra shqiptarë: në Kumanovë me rrethinë u ekzekutuan mbi 700 shqiptarë; në Shkup me rrethinë 1400 shqiptarë; në Kampin e Gostivarit ku kishte mbi 5000 të burgosur 800 u ekzekutuan, ndërsa një pjesë e madhe vdiqën nga pasojat e torturave; në Kampin e Monopolit të Tetovës ku kishte mbi 10.000 të burgosur, 1200 shqiptarë u ekzekutuan brenda natës ndërsa mbi 500 të tjerë i dërguan në Shkup, gjoja për t’i mobilizuar për frontin e Sremit. Asnjëri nuk u kthye që andej; në Kërçovë, vetëm nga fshati Zajaz u ekzekutuan 320 shqiptarë; në vendbanimet tjera shqiptare e njëjta gjë: vrasje, burgosje, tortura… !

____________________________________________

Këtij terrori fizik iu shtua edhe terrori psikologjik, që konsistonte në paraqitjen e instalimit të komunizmit në trojet shqiptare dhe mosrespektimin e së drejtës për vetëvendosje, si “Çlirim”!
Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të imponohet si interpretim i vetëm i historisë në të gjitha diskurset publike dhe private në Maqedoni dhe më gjerë. Bartës kryesorë të përçimit të këtij interpretimi të historisë ndër shqiptarët do të jenë disa shqiptarë të “ndershëm” që u integruan në strukturat shtetërore për të trumbetuar për gjysmëshekulli vëllazërim-bashkimin dhe “parajsën jugosllave” të respektimit të të drejtave kombëtare.
Trumbetonin me aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “ballistë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!
Trumbetonin me po aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “NDSH-istë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!
Trumbetuan edhe më tepër kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “nacionalistë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!
Trumbetuan po aq zëshëm kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “irredentistë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!
Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të trumbetohet edhe pas krijimit të Maqedonisë si shtet i pavarur, por me një ndryshim të vogël: në vend të “ekstremistëve anti-komunistë”, shqiptarët u vranë, burgosën dhe u keqtrajtuan nën akuzën e “ekstremistëve anti-demokratë”.
– Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Bit Pazar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!
– Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Gostivar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!
– Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Ladorishtë! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!
– Vrasje, burgosje, tortura… në Kollare te Kërçovës! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!
U dashtë të kalojnë më shumë se pesë dekada që shqiptarët e Maqedonisë të flakin sintagmën “PAS ÇLIRIMIT” dhe t’i përgjigjen apelit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për t’u çliruar.
Nga të gjitha pasojat e luftës arritëm një rezultat: PARIMET THEMELORE TË JAJCES u zëvendësuan me PARIMET THEMELORE TË MARRËVESHJES SË OHRIT. Për të ruajtur Maqedoninë unitare!
Bilanci është i ngjashëm!
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhës së “komunizmit sllavo-maqedonas”, disa shqiptarë të “ndershëm” u integruan në strukturat e Republikës Socialiste të Maqedonisë për të trumbetuar për gjysmëshekulli
– “vëllazërim-bashkimin” dhe luftën kundër
– “ekstremizmit anti-komunistë shqiptar”,
– “ekstremizmit nacionalist shqiptar”,
– “ekstremizmit irredentistë shqiptar”!
Në mënyrë të njëjtë, pas Luftës së UÇK-së, kemi integrimin e “shqiptarëve të ndershëm” në strukturat e shtetit Maqedonas për të ruajtur “bashkëjetesën ndëretnike” nga “ekstremizmi shqiptar” nga “terrorizmi shqiptar”.
Për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, analogjia e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së UÇK-së është kuptimplote: iu premtua vetëvendosja dhe liria dhe këto premtime nuk u realizuan as pas Luftës së Dytë Botërore e as pas Luftës së UÇK-së; shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së UÇK-së u vranë e po vriten, u burgosën dhe po burgosen, u torturuan e po torturohen, u diskriminuan e po diskriminohen…;
Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Sopot, Brezë, Tanushë, Vaksincë, Brodec, Haraçinë, Radushë …! “PAS ÇLIRIMIT” ! Në demokraci!
Dhuna dhe terrorizmi i regjimit të Maqedonisë nuk ka të ndalur. Sikurse dikur edhe tani! Monstrumët qeveritar të Shkupit terrorizojnë shqiptarët! Tani nën akuzën e “radikalizmit islamik shqiptar”!
Fatkeqësisht sikurse në të kaluarën, edhe tani të njëjtit “shqiptarë të ndershëm” apo pjella e tyre politike dhe mediatike valëvisin akuzat e sajuara në kabinetet antishqiptare sikur të ishin realitete!
Fatkeqësisht të njëjtit, apo pjella e tyre
– që asnjë herë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas që herë nën petkun e komunizmit e herë të veshur me kostumin e demokratëve vranë, torturuan, burgosën, dënuan dhe dëbuan me qindra mijë shqiptarë nga trojet e veta etnike janë vërsulur për të dëshmuar se ekstremizmi shqiptar paraqet rrezik për Maqedoninë dhe rajonin!
– që asnjë herë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fundamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas që përvetësoi Kishat e frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks dhe asimiluan shumicën absolute të shqiptarëve të këtij besimi në kombin e krijuar nga komunistët jugosllav e që mban emrin «maqedonas»,
– që asnjë herë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fundamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas që përvetësoi Kishat Katolike të frekuentuar nga shqiptarët katolikë;
– që asnjë herë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas dhe fundamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas që u përpoqën të asimilojnë shqiptarët e besimit islam në kombësinë artificiale “MAKEDONSKI MUSLIMANI” !
Fatkeqësisht të njëjtit, apo pjella e tyre janë mobilizuar dhe si qen të tërbuar janë vërsulur për të dëshmuar se shqiptarët “radikal islamikë” janë rrezik për Maqedoninë, Ballkanin, NATO-n dhe krejt botën!
Si dëshmi për të argumentuar tezat e tyre sjellin fotot e disa flamujve turq e arab në mesin e mijëra flamujve shqiptarë në protestat antiqeveritare dhe thirrjen Allahu Ekber që u dëgjua disa herë në protesta
Të dashur shqiptarë kudo që jetoni! Sidomos ju që nuk e njihni realitetin tragjik në këtë shtet ku aplikohet regjimi terrorist kundër shqiptarëve!
– Në shtetin e Maqedonisë jetojnë edhe qytetarë që identifikohen si turq, të besimit islam që në tubimet politike dhe kulturore dalin me flamuj të Turqisë. Mund të ketë edhe individë që identifikohen me flamuj të shteteve arabe!
– Në të gjitha xhamitë që ende nuk janë rrënuar nga ekstremizmit politik sllavo-maqedonas dhe fundamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas PESË HERË NË DITË thirret ezani! Dhe për ata që nuk e dinë, ezani fillon me Allahu Ekber!
Të gjithë e dimë se as prezenca e flamujve e as thirrja «Allahu Ekber!» në vete nuk përbëjnë ekstremizëm politik apo radikalizëm fetar!
Të gjithë e dimë se në shtete të ndryshme të botës, në Ballkan dhe në Maqedoni ka ekstremizëm politik dhe fundamentalizëm fetar!
Të gjithë e dimë se gjatë protestave, në të shumtën e rasteve, ky ekstremizëm shprehet me brohoritjet “VDEKJE AMERIKËS!” “VDEKJE NATO-S !” si dhe me djegien e flamujve amerikan! Këto skena i kemi parë shumë shpesh! I kemi parë në shtete të ndryshme të botës në të njëjtën mënyrë si edhe në Maqedoni! Por jo nga “ekstremistët politik shqiptarët” e as nga “radikalët islamik shqiptar”!
Protestat antiqeveritare që shprehën revoltën e popullit kundër proceseve të montuara gjyqësore ishin paqësore, të drejta dhe demokratike! Aty krahas dominimit të flamujve kombëtar shqiptar dominoi edhe flamuri amerikan dhe flamuj të tjerë dhe nuk u dogj asnjë flamur i asnjë shteti!
Bashkimi Demokratik Shqiptar u apelon të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen e që nuk konsiderohen “të ndershëm” nga armiqtë tanë se duhet të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik antishqiptar fundamentalizmit ortodoks maqedonas që paraqesin gjeneratorin e krizave të vazhdueshme politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe fetare në këtë pjesë të Evropës!
Bashkimi Demokratik Shqiptar – Bardhyl Mahmuti, Kryetar
22 maj 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura