GJOKË DABAJ: A PRANON PRESHEVA TA JAPË MITROVICËN?

(Durrës, 13 shkurt 2012) – Më vjen keq! Më vjen shumë keq për fjalët që tha Rexhepi. Mitrovica nuk duhet lëshuar! As Mitrovica, as Shkupi! Sllavët, në daçin të jetojnë me ne, le të rrinë! Të drejtat do t’i kenë, siç i kanë të gjitha pakicat në shtetet më demokratikë të botës. Në mos daçin, le të shkojnë nga kanë ardhur. Ne s’i kemi thirrur… Njëherë e mirë duhet ta kuptojmë që, po ia dhamë Sërbisë me dorën tonë Mitrovicën Veriore, Zveçanin, Zubin Potokun e Leposaviqin, Sërbia jo vetëm s’do të na i kthejë Preshevën, Bujanovcin e Medvegjen, por do të sulen për të marrë edhe Gjilanin.
Sapo e pashë intervistën e akademik Rexhep Qoses, dhënë Agjencisë Informative Kombëtare “Presheva Jonë”, pyetja që më bubulloi në kokë, ishte kjo: “A pranon Presheva ta japë Mitrovicën, qoftë edhe kundrejt një të atillë shpërblimi siç është liria vetjake?!” Mitrovica është pjesë e Republikës së Kosovës si edhe Presheva. Pra, në kuptimin tërësor të nocionit gjeografik, edhe Presheva, edhe Mitrovica, janë pjesë të Shqipërisë. O Zot! A duhej të pranonte Shestani, që është i okupuar prej Malit të Zi qysh në vjeshtën e vitit 1877, t’ia jepte Republika e Shqipërisë Malit të Zi Vrakën në këmbim të Shestanit? A mund të themi për vrakaçorët se janë të okupuar prej Republikës së Shqipërisë? As disa banorë të Dropullit, të ardhur aty para më se 200 vjetësh nga Greqia, nuk duan të rrojnë “nën sundimin” e Republikës së Shqipërisë. Por, a do të mund t’ia jepnim Dropullin Greqisë në këmbim të Filatit? Dropulli është gjeografikisht brenda Shqipërisë, ashtu si edhe Mitrovica. Sami Frashëri thotë kështu për kazanë e Mitrovicës: “Popullsia është e përbërë nga boshnjakë dhe shqiptarë.” (Kamus Ul-Alam, VI, f.4149) Të kish pasur sërbë ortodoksë në atë kaza, Samiu do ta kish thënë, siç e ka thënë për ta atje ku ka pasur. Pra, sërbët ortodoksë në Mitrovicë kanë ardhur mbas shekullit XIX.
Akademik Rexhep Qosja është njeriu të cilin pjesa e kthjellët e shqiptarëvet e ka dashur dhe e ka respektuar shumë. Nuk e ka dashur dhe respektuar kot, por e ka dashur dhe e ka respektuar për punët e mira që ai ka bërë në të mirë të Kombit të vet dhe për fjalët me vend që ai ka thënë në mbrojtje të Kombit të vet. E gjithë vepra e tij 30-vëllimëshe e dëshmon sa i ka shërbyer Kombit të vet ky studiues i yni nga më të shquarit. Drita e Rilindjes sonë Kombëtare ndriçoi shumëfish më fuqishëm nëpërmjet penës së akademik Rexhepit. Asdreni u bë edhe më i madh nga ç’ishte me penën e akademik Rexhepit. Akademik Rexhep Qosja foli ashtu si, ndoshta, askush nuk mund të fliste në “Francuska 7”, në folenë e grerëzavet dhe të hijenavet.
Po tash çka po ndodh?! A duhet ta përmbysim imazhin që kemi?!
Varri i Jakup Ferit mbeti atje. Edhe shtëpia e akademik Rexhepit atje ka mbetur. Ashtu si imja. Nesër mund t’ia ndalojnë pushtetmbajtësit sllavë të atjeshëm akademik Rexhep Qoses edhe shtëpinë ku ka lindur. Mund t’i kërkojnë vizë. Mund t’i dalë policia përpara dhe t’i thotë: “Kthehu nga ke ardhur!” Nëmos atij, nipavet të tij. Tash, a ta lëmë edhe varrin e Isa Boletinit andej? T’i lëmë pa të drejtë për t’u kthyer në vendin e të parëvet, edhe mijëra familjet tona (thuhet 12000) të dëbuara vetëm vitevet të fundit?! Ta lëmë atje edhe mineralin, që nëntoka s’e ka ruajtur për të huajin, por e ka ruajtur për vendësin. (Nuk duhet të harrojmë që Stefan Nemanja, në shekullin XII, i pushtoi në fillim minierat e ish-Dardanisë, u vesh në ar e argjend prej atyre minierave, pastaj u ra tokavet të tjera më në jug.) Çka po flet kështu njeriu, artikujt e të cilit i kemi pritur dhe lexuar me dëshirë të madhe vite me radhë?!
Ne e duam Preshevën njëlloj si Gusinë dhe si Negovanin. I duam anamoravasit siç i duam ulqinakët dhe prevezarët. Fatkeqësia është e madhe për të gjitha tokat dhe për të gjithë banorët që na kanë mbetur jashtë 2 shtetevet që, fatmirësisht, më në fund mezi arritëm t’i kemi. A na lejohet tani t’u nënshtrohemi lojëravet të mjegullta konjukturore me gjoja shkëmbime, por në fakt me lëvzje kufijsh që s’dihet se ku mund të përfundojnë? U dashka t’ia lëshojmë Mitrovicën, apo edhe Leposaviqin, se paskan ardhur aty një tufë sërbësh, para 7 vjetësh, ose edhe para 7 shekujsh, pa paramenduar që nesër e pasnesër, në kushtet e një “federate” panevropiane, po aq sërbë (Edhe rusë me pasaporta sërbe!) mund të vijnë në Shëngjin, në Durrës e në Vlorë! Shkoni shihni si janë palosur sipër njëri-tjetrit të tillët në bregun midis Tivarit e Ulqinit! Në këmbim të cilit qytet do t’ia japim Durrësin Sërbisë, pasi aty të kenë penetruar nja 5000 familje sllave?!
Më vjen keq! Më vjen shumë keq për fjalët që tha Rexhepi. Mitrovica nuk duhet lëshuar! As Mitrovica, as Shkupi! Sllavët, në daçin të jetojnë me ne, le të rrinë! Të drejtat do t’i kenë, siç i kanë të gjitha pakicat në shtetet më demokratikë të botës. Në mos daçin, le të shkojnë nga kanë ardhur. Ne s’i kemi thirrur. Ndërkaq, në vend që të pranojmë aventura a la Busek, duhet të kërkojmë me këmbëngulje që edhe bashkëkombasvet tanë në shtetin sërb t’u jepen po ato të drejta që ne u japim sllavëvet në 2 shtetet tanë. T’i kërkojmë këto gjëra, t’i realizojmë të drejtat e tyre me të gjitha mënyrat dhe të presim kohën, jo për t’u dhënë fqinjëvet ç’nuk u takon, por për të rikthyer ç’na është marrë. Njëherë e mirë duhet ta kuptojmë që, po ia dhamë Sërbisë me dorën tonë Mitrovicën Veriore, Zveçanin, Zubin Potokun e Leposaviqin, Sërbia jo vetëm s’do të na i kthejë Preshevën, Bujanovcin e Medvegjen (Ata nuk e lëshojnë atë luginë, se kanë rrugëkalimet andej.), por do të sulen për të marrë edhe Gjilanin. Nuk i kanë shtuar kot garnizonet ushtarakë Tadiqët në atë pjesë të Kosovës Lindore, në një kohë kur ne na u sharruan edhe ata 5 mitralozë, që i patëm blerë me paret e refugjatëvet.
Do të ishte ndoshta rasti i parë që shqiptarët u dorëzojnë pushtuesvet territore me miratimin e vet. Të gjitha herët e tjera pushtuesit na i kanë marrë tokat, duke i shtruar me kufoma shqiptarësh ato toka, dhe ua kanë miratuar të huajtë, por ne vetë nuk i kemi miratuar kurrë të tillë aneksime, Gjeografikisht ato toka kanë mbetur dhe janë sot e përgjithmonë pjesë të Shqipërisë Lindore, pjesë të Shqipërisë Veriore, pjesë të Shqipërisë Veriperendimore, pjesë të Shqipërisë Jugore dhe pjesë të Shqipërisë Juglindore. Duhet njëherë e mirë ta kuptojmë që: Janë koncepti TOKË dhe BANOR TRADICIONAL I ASAJ TOKE ata që e përcaktojnë EMRIN E NJË VENDI e jo koncepti SHTET dhe BANOR I ARDHUR. Në Afrikën e Jugut mund të kenë jetuar e mund të jetojnë më shumë anglezë se ç’jetojnë sërbë në krejt trevat e Shqipërisë, nga Vraka deri në Kurshumli, por Afrika Jugore kurrë nuk është quajtur Angli dhe Mandela apo dikush tjetër kurrë nuk ka thënë: “Meqë anglezët nuk po duan të jetojnë me ne, le ta marrë Anglia Johanesburgun!”. Paralelizma të tillë mund të bëjmë me dhjetëra.
Në faqen 4 të gazetës “Metropol” lexova këto fjalë të profesor Rexhepit: “(Sërbët në Veri) nuk po duan të jetojnë me Kosovën…Ne do të mundësojmë që Veriun ta marrë Sërbia…Duhet t’u mundësojmë njerëzve që të jetojnë të lirë…Ndryshe s’ka si quhet pos si sundim.” Më erdhi shumë keq. Nuk kam dashur kurrë të polemizoj me profesor Rexhep Qosen. Kam pritur të takohem një ditë me të si mik e adhurues i tiji. Për çfarë SUNDIMI mund të bëhet fjalë, nëse shteti bullgar u kërkon turqvet të shtetit të vet taksa dhe rregull si gjithë shtetasvet të tjerë?! S’po dua të zgjatem. Dhe, besoj, s’ka nevojë të zgjatemi. Para pak ditësh pata shfaqur mendimin që lipset sqaruar lidhur me këto gjëra z.Ehard Busek dhe në fund pata shtuar: “Por duhet edhe vetëvetes t’ia themi me forcë. T’ia themi vetëvetes shumëfish më me forcë se zotit Busek.” Për fat të keq, më doli që paskam pasur të drejtë më shumë se ç’mund ta parashikoja!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura