ARDIAN RAMADANI: TEORIA E NJËSHIT DHE KULTI I INDIVIDIT

Kumanovë, 15. 04. 2013 – Duke lexuar librin e shkëlqyer të autorit Ylli Polovina « Nano dhe Berisha », lexuesi përpos pajisjes me informatat më të hollësishme të këtyre dy figurave të politikbërjes postkomuniste në Shqipëri, pajiset edhe me një sërë informatash që janë të rëndësishme edhe për karakteret e ndryshme të këtyre dy figurave politike shqiptare, si dhe veprimtarinë e tyre. Është më se e vërtetë se në përgjithësi historiografia shqiptare është e ngarkuar me figurën e NJËSHIT, duke filluar që nga shtetkrijimi e gjer në ditët e sotshme, por ky sindrom që me gjasa duhej të evitohej dhe të shkërmoqej pas rënies së komunizmit, vazhdoi edhe më tej të mbijetojë, e bile të marrë formën edhe më të sofistikuar. Kësisoj kulti i individit të politikanit dhe shtetarit u bë po ai që ishte në kohën e komunizmit, e bile edhe më i theksuar, me një performim edhe më të sofistikuar. Përderisa në fillim të gjithë u ekzaltuan me rrëzimin e diktaturës, shumë shpejt u kuptua që ajo ishte rigjallëruar dhe transferuar në formën e demokracisë, e bile edhe më keq, në fytyrën e saj. Kësisoj shpesh duke u shfaqur si demokraci ajo shpërfytyrim i saj, ishte diktaturë, e bile edhe më e rrezikshme.

Një lider mund të na duket në pamje «demokrat» dhe në fjalor të tij bile shkuar demokrati. Mirëpo mos të harrojmë, Zhan Pol Sartëri e quante De Golin «Hitler» vetëm e vetëm për shkak të autoritarizmit të tij, andaj edhe sot lideri i politikbërjes shqiptare kudo që gjendet, vepron po në stilin e njëjtë dhe në performimin e njëjtë me atë të një diktatori, duke përdorur autoritarizmin e tij në çdo cep të veprimit politik, por njëkohësisht duke e justifikuar këtë nën emrin e demokracisë. Duke aluduar në thënien e Madame De Stalit se « në Francë liria është traditë, e despotizmi aktual » për epokën e De Golit, me gojën plot mund të thuhet se aktualisht në Ballkan dhe në strumbullarin e politikbërjes shqiptare vlen thënia ime « Despotizmi është traditë, e liria e diktaturës aktuale ». Edhe pse liria për t`i thënë gjërat realisht, për të mos heshtur, liria nga frika….. edhe më tutje na rrin si shpata e Demokleut mbi kokë dhe për intelektualët funskionon si omertë. Krejt kjo ngase si intelektualë, nuk po guxojmë sa duhet të themi realitetin e hidhur dhe të propozojmë daljen nga ky reth vicioz despotik, në të cilin na kanë futur shtetari(ët) me Teorinë e njëshit dhe me kultin e individit. Me gjasa intelektuali si term francez i shek 19, nuk po bëhet bartës dhe propagandues i arsyes dhe moralit njerëzor (BAUMAN), nuk po prodhon ide të pakontekstualizuara, të vlefshme në secilën kohë (COLLINS), nuk po ndjehet i mërguar brenda shoqërisë, nuk po ngjan të jetë i panënshtruar ndaj kultit të individit dhe Njëshit të politikës (SAID), si dhe i mungon guximi dhe fantazia të flasë publikisht (HABERMAS).
Me gjasa Dimitri Volkognov kishte të drejtë kur shprehej se « Nuk ishte vetëm diktatori që bënte të ekzistonte sistemi, por edhe sistemi që krijonte dikatatorin ». Andaj ky sistem që krijon edhe më tutje këtë(a) neodikatatorë(a) nuk bëhet pa kontributin dhe votën tonë, pa legjitimitetin tonë. Sepse edhe komunizmi dje, e edhe fytyra e tij sot nën emrin e demokracisë, është një tmerr i vërtetë i përcjellë nga njerëz të devotshëm, si dhe i legalizuar po nga ne.
Rreziku apo e keqja e popullit as nuk ka ardhur e as nuk vjen nga përqëndrimi i pushtetit por nga shpërdorimi i tij, nën emrin e demokracisë, e me performimin e Njëshit. Njëshit si shtetar dhe politikbërës, e jo Njëshit, Atij që na krijoi dhe na dha mundësi të flasim, frymojmë, dëgjojmë…, pra Zoti.
Flasim për një shoqëri të civilizuar, e këndej Teoritë e njëshit edhe më tutje na kërcënojnë, urdhërat e tij (tyre) janë të pacenueshëm(me) dhe të paprekshëm(me), thuaja se ai(ata) është (janë) i (të) dërguari(ët) i (e) Zotit në tokë, për të na shpëtuar. Përmendim modelin amerikan dhe evropian, e harrojmë se modeli amerikan i një shoqërie të civilizuar është ajo me pesë pushtete të forta : Presidenti, kongresi, gjykatat, media e shkruar, televizioni. Ku i kemi ne këto të fundit, përpos të parës ? Në nivelin e pakënaqshëm dhe tmerrësisht të dobët. Flasim për të majtën, për të djathtën, e nuk kemi lidhje me origjinën e tyre, as me veprimin e tyre, e as me profilin e tyre, ngase gjithçka është nebulozë dhe e paqartë, e bile as vet Njëshat nuk dinë se a janë të djathtë apo të majtë, kur flasin se janë të majtë e kanë mendjen në të djathtë, e anasjelltas. E për dallim prej të majtës, e djathta duhet të sigurojë : konkurrencë, kohezion social dhe liri politike.
Andaj për të dalë nga ky rreth duhet të njerëzohet politika përmes pjesëmarrjes së intelektualëve në të (V. Havel). Ndërsa njeriun e ideologjizuar duhet ta shpëtojmë sa më parë, edhe atë ose t`a ideologjizojmë përmes mëkëmbjes së një shoqërie të hapur, moderne, të lirë ose ta deideologjizojmë në mënyrë false, pra t`i heqim njërën ideologji e ti vendojmë një tjetër.
Mos të harrojmë se sensi i politikës është liria (Hannah Arendt) e jo kulti i individit. Andaj nëse flasim për demokracinë e vërtetë, duhet t`a mundim korrupsionin dhe ndotjen e secilës pore të jetës shoqërore, ose ta korruptojmë edhe më tej demokracinë. Ngase opozita e diktaturës dhe komunizmit nuk është antikomunizmi, i cili shpesh herë i ngjan komunizmit, por është toleranca, respektimi i ligjit dhe demokracia.
Unë, ti, ai, ajo, …. të gjithë duhet ose të pranojmë politikën e përgjegjësisë dhe t`i ftojmë Njëshat tonë në këtë drejtim, ose të pranojmë politikën e bindjes absolute të Weberit dhe do të jemi me gjasa tufa, e besa edhe në ndjekës të verbër.
E gjithë kjo do të ndikojë që kultit të individit dhe Njëshit, o ti jap kartonin e kuq e të hap rrugën për demokracinë e vërtetë, por jo me fytyrë neokomuniste, ose ne do të marrim kartonin e kuq e do të bëhemi ndërtuesit e devotshëm dhe kontribuuesit e krijimit të aureolës së lavdisë së Njëshit dhe kultit të individit, si dhe do të zgjasim robërinë dhe varshmërinë tonë. Politikani dhe shtetari që na udhëheq nën emrin tonë dalngadalë do të vijë te thënia e Ponc Pilatit: «Ndoshta edhe ne jemi fajtorë se u besojmë shumë të vërtetave tona dhe nuk i dëgjojmë të vërtetat e të tjerëve ». Por, që të ndodhë një gjë e tillë duhet që intelektuali, studiuesi, shkrimtari, mësuesi, nxënësi, studenti, ….. të thotë «J`ACCUSE» (Unë akuzoj), sikurse Emilie Zola. E ta thotë këtë hapur dhe pa mëdyshje.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura