ARGJEND HASANI – LLASHTICA: POLITIKANËT TË ZHVISHEN NGA PETKU PARTIAK PËR HIRË TË INTERESAVE KOMBËTARE

Frankfurt, 20. 02. 2016: “Politikanët e Kosovës, si ata të pozitës poashtu edhe të opozitës mund të jenë gjithçka, por politikanë jo.”
– Ngjarjet e gjashtë mujorit të fundit, sidomos fjalori i përdorur dhe veprimet jo të matura të pozitës në njëren anë dhe të opozitës në anën tjetër, janë barometri më i rrezikshëm për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së përgjithshme në Kosovën e pasluftës.
Në këtë konotacion, të gjitha zhvillimet e fundit në parlament dhe rreth tij, kanë derivuar si pasojë e mungesës së dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe si rezultat i pakënqësisë së opozitës me veprimet e pozitës, si dhe krijimit të hendekut ndarës i cili për ditë e më shumë po thellohet ndërmjet politikës, përkatësisht përfaqësuesve politik e publik dhe popullatës si rezultat i regresionit socio-ekonomike të shtetit të Kosovës.
Faktorët që gjeneruan dhe po e gjenerojnë këtë krizë të thellë politike edhe më shumë derivojnë nga dy drejtime:
E para dëshira e pozitës, përkatësisht partive të mëdha që qeverisin me vendin të vazhdojnë të qeverisin edhe më tutje, pavarësisht kostos morale e financiare, pavarësisht dëmit, thjeshtë të vazhdojnë misionin e tyre për sëndërtimin e interesave puro personale dhe familjare e jo shtetformuese.
Dhe e dyta dëshira e opozitës për të marrë pushtetin me çdo kusht, dhe për të arritur sa më shpejtë deri te pushteti me qëllim të përfitimit të benificioneve dhe privilegjeve të cilat nuk i gëzon aktualisht opozita, sikurse i gëzon pozita. Thjeshtë këtu kemi të bëjmë me realizimin e synimeve “lakmisë” për interesa puro personale.

Prandaj, lirisht këtu mund të konkludojmë se si pozita, poashtu edhe opozita, po e përdorin popullin si mish për top. Termi “popull” nga dy taborret rivale politike, përdoret vetëm si shkronjë e vdekur në letër, sa për sy e faqe, vetëm për realizimin e synimeve afatmesme dhe afatgjata për sendërtimin e interesave të përfaqësuesve politik e publik. Këtë po e themi duke u bazuar nga dëshmitë dhe përvoja tanimë të hidhur mbase afro njëzetvjeçare në politikën dhe përditshmërinë e pasluftës në Kosovë.
Xhokeri i pozitës për reforma dhe zhvillim ekonomik pa një platformë të qartë, dhe me kuadro të konsumuara në politikën kosovare, dhe mungesa e një platforme të qartë kombëtare për një progres në të gjitha sferat në shoqërinë kosovare, si e tillë mund të konsiderohet si e vonë ose përfundimisht e djegur. Nuk luftohet korrupsioni me njerëzit të cilët vetë janë protagonistë të korrupsionit, nuk menjanohet dot mentaliteti i keqpërdorimit, keqmenaxhimit në qeverisje me ata të cilët vetë e instaluan mentalitetin e keqmenaxhimit me resorët e shtetit.
Rrethanat dhe gjeneratat janë të reja, kërkesat, zgjidhjet dhe mentaliteti duhet të jenë të reja. Nuk maten gjërat e reja me kandarin e vjetër.
Retorika e pozitës-qeverisë është një retorikë shterpe, degraduese dhe shtetshkatërruese për Kosovën. Është një retorikë thjeshtë demode, të mos themi retorikë Asadiane, që vetëm e vetëm që të mbeten në pushtet të shkatërrojnë, denigrojnë dhe përndjekim ajkën e popullit në emër të interesave personale, familjare e biznesore. Pozita-pjesëtarët e saj të akomoduar dhe rehabilituar duhet t’i thërrasin mendjes dhe t’i ndërprejnë praktikat moniste si izolimin, censurën dhe autoritarizmin.
Retorika e opozitës, është dëshpëruese po aq sa edhe veprimet e tyre në parlament, është një retorikë të mos themi Marksisto-Leniniste, aspak demokratike. Ka mijëra ide kreative për realizimin e synimit për pushtet. Veprimet e fundit nuk i përngjajnë asesi një opozite konstruktive, shtetformuese e demokratike.
Të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve regresive në Kosovën e pasluftës, por nuk duhet që në emër të interesave të qeveritarëve dhe opozitarëve të djegim edhe këto të arritura edhe pse janë të vogla, nuk duhet t’i shkatërrojmë shtëpinë tonë sepse nuk i bëjmë nder vetes duke pasur parasyshë gjakun, djersën dhe sakrificën si dhe ndihmën e miqëve tanë perëndimor për ndërtimin e shtetit.
Dhe tani Hokus-Pokus, iu dogj bishti dhelprës dhe le të digjët e tërë bota. Jo, qytetarët e ndershëm të Kosovës nuk do të lejojnë një gjë të tillë.
Politikanët e Kosovës, si ata të pozitës edhe të opozitës mund të jenë gjithçka, por politikanë jo. Lakmia, si term i çuditshëm, por real ka verbuar sytë e politikanëve dhe shumë përfaqësuesve dhe bartësve të detyrave si në resorët politik poashtu edhe në atë publik. Nocioni fat(m)keq, Para dhe Fuqi nuk duhet të ju shërbej si udhërrëfyes për rrëmbimin dhe mbajtjen e pushtetit. Herojtë tanë Adem Jashari, Agim Ramadani, Ibrahim Rugova, Luan Haradinaj e dhjetëra, qindëra, mijëra, heronjë, dëshmorë i patën këto, por nuk frymuan lirshëm, dhe i dhanë të gjitha këto dhe më në fund dhanë edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre, që në këto toka të gjakosura të zotëroj liria.
Atëherë të ndalemi dhe të mendojmë me mendjen e këtyra burrave dhe grave për sakrificat dhe vështirësitë që përjetuan paraardhësit tanë, edhe në vetë dhe të shikojmë nga e ardhmja, mos të sakrifikojmë çdo gjë vetëm për realizimin e qëllimeve egoiste. Mos të bëhemi dëshmitarë të gjallë të thënieve dhe veprimeve dashakeqe sebo-çetnike, se: “Shqiptarët do ta fitojnë shtetin, por nuk do të dijnë ta mbajnë atë”.
Politikanët, shoqëria civile, gazetarët dhe e tërë elita intelektuale mos të shesin moral, mos të shesin analiza dhe opinione shterpe, por të bashkohen të organizojnë debate, diskutime, konkludime, dhe solucione. Të hartojnë platforma zhvillimore, për dalje nga kjo mjegull, të mos mjaftohen vetëm me konstatime por të ofrojnë zgjidhje, sepse të gjithë aktorët e skenës politike, publike e intelektuale nuk mund të zhvishen nga ndjenja e papërgjegjësisë, sepse për çdo rezultat të mirë dhe për çdo ngjarje a zhvillim eventuale me përmasa katastrofale të gjithë jemi përgjegjës.
Duhet t’i thërrasim mendjes që të zhveshemi mbase edhe një ditë nga petku partiak e personal, që të mos e dëmtojmë edhe më shumë imazhin e shtetit më të ri në botë, të ndërtojmë rrugë të reja të komunikimit dhe marrëveshjeve, të instalojmë mentalitetin e shtetndërtimit dhe zhvillimit, të hapim përspektiva të reja për Kosovën tonë, sepse përndryshe do të rrëshqasim me vetëdije apo pa vetëdije në gropën që po i ngrisim njëri tjetrit në atdheun tonë…
Të freskëta i kemi plagët nga lufta jonë e gjatë shekullore për liri, por të freskëta i kemi pamjet e ngjarjeve vëllavrasëse në Shqipëri të vitit 1997, dhashtë zoti që ngjarje të tilla të mos përsëriten asnjëherë në trojet tona shqiptare, e aq më pak në Kosovë…
(Argjend Hasani-Llashtica, ka qenë gazetar dhe është autor i disa veprave publicistike)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura