RKL: ÇËSHTJEN E KATEGORIVE TË LUFTËS NUK E ZGJIDH DOT PROKURORIA, GJYKATAT, AS KADRI VESELI, AJO DUHET FILLUAR NGA E PARA!

Prishtinë, 30 gusht 2017: Letra e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli drejtuar shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së lidhur me fryrjen enorme të numrit të veteranëve, (por edhe të invalidëve edhe të dëshmorëve) në radhë të parë është e vonuar, për më shumë se katër vjet dhe sot në një segment mund të trajtohet si “kofini pas të vjelave”, edhe pse kjo çështje dashur pa dashur duhet të rikthehet për shqyrtim rrënjësor, nëse vërtetë luftëtarëve të lirisë u ka mbetur nder, moral, besë, trimëri, konsekuencë, barazi e ndere të tjera, të cilat duhet t’i kenë të gjithë ata që për asnjë çast, gjatë dhe pas luftës nuk e kursyen veten për të qenë në shërbim të lirisë, kombit e atdheut. Për të tjerët. që luftën e pastër të UÇK-së e kthyen në kapital financiar, politik, për disa sabotues ikanakë e dezertorë, mercenarë të pas luftës nuk do të flasim, sepse ata, gjithsesi se do ta gjejnë vendin e merituar, jo nga drejtësia e Kosovës, jo nga thirrjet e Kadri Veselit, jo nga krekosjet e veteranëve zyrtarë, por në radhë të parë nga më meritorët e luftës, ata që e kanë ruajtur, por e ruajnë dhe do ta ruajnë integritetin moral të UÇK-së, jo me fjalë të mëdha por me punë.
Kadri Veseli, konstaton se “Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës”. Me këtë konstatim duhet të pajtohen të gjithë veteranët, të cilët kanë moral dhe ideal kombëtar, por kush është ai apo kush janë ata, që e ngrehen “karremin”, ata të cilët shpallen konkurs publik për aplikim të kategorive të luftës?.
Pse Kadri Vesli, si kuadër me ndikim gjatë dhe pas luftës nuk e flet asnjë fjalë për shkaktarët e vërtetë të kësaj katrahure, por flet vetëm për pasojat? Ndoshta ai ka qenë kundër “konkursit” për kategoritë e luftës, por këtë nuk e ka publikuar asnjëherë deri tani, jo me sa di unë.

Në kohën kur ka filluar aplikimi e kemi thënë me përgjegjësi se kemi të bëjmë me një konkurs social, me qëllim për të mos lejuar, jo vetëm revoltat por edhe kërcënimet e një segmenti të veteranëve, të cilët duke parë sesi po zhvatet shteti, sesi po pasurohen njerëzit brenda ditës, sesi më meritorët jo vetëm po anashkaloheshin por edhe po etiketoheshin si ekstremistë, si primitivca, si dofarë, dofarësh, ata shfaqen kërkesa për diçka më shumë se një ndihmë sociale dhe kjo u pranua nga kreu i shtetit dhe institucionet, thjesht duke menduar se vetëm një kategori specifike e veteranëve do të “mbulohej” materialisht, por ndodhi e kundërta.
Konkursit publik të Qeverisë për kategori të luftës iu përgjigjën dy fish më shumë se sa ka pasur veteranë
Konkursit publik të Qeverisë për kategori të luftës iu përgjigjën dy fish më shumë se sa ka pasur veteranë, meqë kryetari, Hashim Thaçi, kishte kërkuar që të aplikonte çdo shqiptar, apo qytetar i Kosovës, (pavarësisht përkatësisë kombëtare), i cili kishte ndihmuar luftën qoftë me një gotë ujë, një thes patate, një bashkë lesh, apo diçka më shumë. Këtë thirrje të Thaçit asokohe nuk e ka kundërshtuar Kadri Veseli, as shoqatat e luftës, as institucionet e vendit.
Këtë të drejtë e shfrytëzuan hiq më pak se rreth 70.000 qytetarë të Kosovës, në mesin e tyre edhe mijëra kundërshtarë të hapur të luftës edhe të tillë që kishin qenë madje edhe në radhët e forcave serbe, të tjerë që ishin kthyer nga shtetet në perëndim ku kishin qëndruar tok me familjet deri dy e tri vjet pas luftës, të tjerë që e kishin sharë dhe e shajnë edhe sot luftën e UÇK-s-, dhe sa e sa të tjerë si këta dhe si soji i të tillëve.
Komisioni Qeveritar për caktimin e kategorive të luftës, ishte valid dhe kishte filluar punën si gjithnjë në kushte e rrethana të padefinuara si duhet, sepse në vend se listat e veteranëve t’ i paraqitnin, t’ i evidentonin komandantët e luftës nga shtatë Zonat Operative, duke filluar prej atyre të togjeve, të njësive, batalioneve e deri te ata të Brigadave dhe të Shtabit të Përgjithshëm, ndodhi e kundërta, sepse duket se dikush kishte planifikuar me qëllim që puna të dështonte dhe të arrinim këtu ku jemi tani.
Pastaj çështja rrëshqiti gjithnjë e më keq, sepse e drejta për konkurrim u shpall si e drejtë për çdo qytetar, dhe, nuk mund të mos pranohej asnjë aplikacion, sepse çdo qytetar që kishte ndarë mendjen të konkurronte e dinte përse iu kishte qepur punës, gjithnjë duke menduar paraprakisht dhe duke u mbështetur te një i njohur, te një e afërm, te një shok e mik, te një bashkëfshatar apo kushëri, i cili do ta vërtetonte praninë e tij në UÇK.
Krejt kjo që ndodhi në dy tri vitet e fundit, ishte një fushatë për deformimin e UÇK-së në të gjitha segmentet, për krijimin e një pasqyre të keqe jo vetëm para qytetarëve të vendit, por edhe në sytë e ndërkombëtarëve, pse jo edhe të armiqve të UÇK-së, të cilët e kanë ironizuar dhe e ironizojnë tërë procesin. Krejt kjo ka ndodhur para syve të Kadri Veselit, Hashim Thaçit, ish- komandantëve të Zonave, të brigadave, të batalioneve, të njësive, të togjeve, ka ndodhur me pjesëmarrje të anëtarëve të komisionit qeveritar, me dijen dhe aktivitetin e pandërprerë të shoqatave, kryesuesit e të cilave tani nuk pranojnë asnjë përgjegjësi, edhe pse kishin deklaruar se të drejtën për të qenë veteranë e ka çdo luftëtar që ka kaluar qoftë një natë të vetme në UÇK. Kanë kujtesë të dobët këta veteranë-zyrtarë dhe mendojnë se ato që i kanë thënë nuk ruhen, se harrohen, se tashmë janë harruar.
Ku e ka hallin Kadri Veseli që pikërisht tani kërkon fillimin e një beteje kundër falsifikatorëve të brendshëm?
Ku e ka hallin Kadri Vesli që pikërisht tani shkruan letër të hapur dhe kërkon fillimin e një beteja kundër falsifikatorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm të së vërtetës së UÇK-së, e cila sipas tij qenka betejë për vet shtetin e Kosovës, prandaj, u dashka ta fitojmë pa mëdyshje atë.
Për cilën Betejë e ka fjalën, nuk e ka thënë, sepse procesi i verifikimit të listave të veteranëve, invalidëve, dëshmorëve ka marrë fund, është nënshkruar nga të gjithë komandantët e brigadave, batalioneve dhe instancave të tjera relevante. Ai e di mirë se ky proces nuk mund të rregullohet nga brenda, nuk mund të rregullohet me “ndërgjegjen e veteranëve dhe me identifikimin, me emër e mbiemër të atyre që janë shpallur veteranë”, por nuk kanë qenë asnjë ditë në luftë, nuk mund të përmbyset me dhjetëra raste të cilat mund t’ i marrë në trajtim Prokuroria.
Ai po ashtu e di fare mirë, se nënshkrimi i një komandanti, i verifikuar nga komisioni qeveritar dhe nga instancat përcjellëse është një “kashtë që i nxjerrë gjashtë” dhe kjo nuk mund të ndodh.
Ai thotë: Ne e dimë, gjithashtu, se këto shifra nuk përputhen me evidentimin zyrtar të veteranëve që është bërë së fundi. Shifrat zyrtare janë shumë më të mëdha se shifrat reale. Ky është fakt dhe kjo nuk është dashur të ndodhë, në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, sepse me këtë është cenuar, në moralin e saj, vlera sublime e UÇK-së. Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës.
Këtu retorika e Kadri Veselit është retorikë “siu generis” fjalë sa për të folur. Si mund të konstatohet se Shifrat zyrtare janë shumë më të mëdha se shifrat reale. Shtrohet pyetje a i disponon Kadri Veseli shifrat reale me emër e mbiemër, apo flet kuturu, sa për të folur, sa për t u paraqitur mbrojtës fanatik i vlerave të luftës së UÇK-së, pasi kanë kaluar 18-vjet nga ajo kohë. Këtë “mbrojtje me çdo kusht të UÇK-së, mund t ia atribuojë vetvetes, por jo si kryetar partie, jo si drejtor i SHIK-ut, jo si zyrtar mbi shoqatat e luftës dhe mbi Komisionin Qeveritar, por vetëm si luftëtar i lirisë, ashtu sikur të gjithë të tjerët, ashtu sikur kam të drejtë të fals edhe unë, sepse me kohë kam folur, kam shkruar se procesi po hyn në rrugë pa krye. Nuk jam vetëm unë që kam paralajmëruar një zezonë të tillë, por reagimet e mia dhe të Radios- Kosova e Lirë kanë qenë konstante të përhershme e nganjëherë edhe të përditshme.
Përderisa Kadri Vesli kërkon nga veteranët të “denoncojnë” bashkëluftëtarët e tyre me emër e mbiemër, a është ai i gatshëm ai t’i paraqesë publikisht dhjetë emra dhe unë përnjëherë do t ia paraqes me emër e mbiemër 100 të tjerë, një me dhjetë.
Në letrën e tij ankimore, retorike, bombastike, Kadri Veseli bëhet “bashkë me erën” kur pyet: “Kush është ai apo kush janë ata të cilët “kërkojnë me çdo kusht që rrëfimi madhështor për UÇK-në të përbaltej, të njollosej, të nxihej, me të vetmin qëllim -minimin e avancimit të lirisë së Kosovës dhe formimin e shtetit të pavarur dhe sovran të saj? E gjithë kjo fushatë, nuk kaloi pa pasoja. Ato tanimë dihen fare mirë. Në fakt, kjo fushatë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Me vetëdije, ose pa të, qëllimeve të saj janë duke i ndihmuar edhe interesat e politikës ditore dhe interesat e ndryshme klienteliste. Derisa dikush, përmes devalvimit të UÇK-së, synon t’i krijoj vetes vend të pamerituar në rrëfimin për lirinë e Kosovës, dikush tjetër, në emër të saj, përpiqet të përmbushë egon personale për pushtet dhe favore të tjera materiale. Për të parët UÇK-ja, si institucion moral, është pengesë, për të dytët është instrument personal.
Të dy palët, në fakt, operojnë me mjetet e falsifikimit e historisë së UÇK-së dhe për efekt kanë rrënimin e statusit të saj – si vlerë sublime e kombit shqiptar”.
Këto konstatime të Kadri Veslit janë mjaft konfuze dhe krejtësisht jashtë temës, janë të taborin e urrejtjes së tij partiake, të adresuara te kundërshtarët politikë dhe nuk kanë të bëjnë fare me veteranët me shoqatat me komisionin qeveritar, por me politikanët dhe me pretendimet për të cilat ai flet.
Nuk mund të akuzohen partitë politike për këtë katrahurë, por vetëm kreu i saj, Qeveria, kryeministri i asaj kohe, qeveritarët e asaj kohe, kur u mor vendimi për krijimin e Komisionit qeveritar si dhe krerët e shoqatave, të cilët duhet të rezervohen nga paraqitjet e ngutshme publike, sepse asnjëherë deri tani nuk kanë reaguar publikisht kundër manipulimeve të hapura, por e kanë pranuar numrin e veteranëve, i cili ka qenë dy fish më i madh, sesa ata kanë në regjistrat e tyre, nëse i kanë të plota dhe të sistemuara.
Reagimi i Kadri Veselit, kryetar aktual i PDK-së, jo vetëm është i vonuar por është krejt konfuz dhe nuk segmenton përpjekjet apo propozimet për të gjetur zgjidhje, sepse thirrja në ndërgjegje është fjalë koti, është fjalë që e merr era. Çfarë ndërgjegje kërkon nga ai njeri, që asnjë ditë nuk ka qenë në luftë, dhe tani ka statusin e barabartë të veteranit, të njëjtë si Kadri Veseli, Hashim Thaçi e mijëra të tjerë. Si mund të kërkohet nga veteranët që ata vullnetarisht të distancohen nga jo veteranët, kur të njëjtën mund ta bëjnë jo-veteranët kundër veteranëve. Ja si e sheh zgjidhjen Kadri Veseli “Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës”.
Veseli nuk ka demonstuar qartë si mund të arrihet kjo, kur një apo disa komandantë të kontrabanduar, me shantazhe e kërcënime kanë futur në lista sa e sa njerëz, duke i shpallur veteranë dhe kanë hequr nga lista apo kanë injoruar shumë të tjerë. Të tillët mund t i përgjigjen thirrjes së Kadri Veselit, por sa do të jetë e vërtetë ajo, nëse e demantojnë të tjerët. Atëherë z Veseli do të zgjedh se kujt do t’i besojë duke ndarë drejtësi sipas shembullit të “Gjyqit të Solomonit”.
Në shkrimin e tij Kadri Veseli ka arsyetuar pse gjatë luftës nuk pati më shumë veteranë duke specifikuar se: “Ne që ishim në strukturat drejtuese dhe organizative, gjatë gjithë luftës, jemi përballur me faktin e mijëra e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që donin të vishnin uniformën e UÇK-së, por kjo pamundësohej nga armatimi i limituar dhe rrethanat reale të gjendjes së luftës”. Vullneti ishte i plotë, por mundësitë reale për një mobilizim total ishin tejet të kufizuara”.
Në këtë interpretim të realitetit të kohës së luftës, Kadri Veseli pretendon të na bind se gjatë gjithë kohës së luftës “ka qenë strukturë drejtuese dhe organizative e saj” dhe është ballafaquar me mungesë të armatimit. Se ku ka qenë dhe kah ka gjezdisur Kadri Veseli me disa nga shokët e tij gjatë luftës, e di mirë ai vetë, por e dinë edhe shumë të tjerë, andaj nuk është mirë “qëndisja” e tillë e vetvetes, sepse pak kush gjatë luftës ka ditur për Kadri Veselin e Hashim Thaçin, por kanë ditur për komandantët e zonave, për ata të operativës për ata të brigadave e të batalioneve dhe për sa e sa trima e trimëresha të UÇK-së që sot janë dëshmorë, invalidë apo veteranë.
Letra e Kadri veselit është thjesht letër e një veterani të UÇK-së, meqë ai nuk e ka nënshkruar me autoritetin e luftës, as me autoritetin e SHIK-ut më shumë virtual sesa real, as me autoritetin e të parit të PDK-së, që edhe nuk do të mund ta nënshkruante, sepse veteranët u përkasin të gjitha partive dhe jo vetëm PDK-së. Letra e tij është më tepër përpjekje për të paraqitur një pozicion të fortë nga ana e tij, letër e një njeriu që pretendon të na tregojë se ka qenë dhe është i pagabueshëm dhe nuk pajtohet me atë që ka ndodhur dhe po ndodh me listat e veteranëve. Thjesht është një letër fakultative, e cila zbulon një anë te realitetit fatal, që ka ndodhur dhe po ndodh me veteranët, por nuk jep as edhe një propozim real, faktik, operativ për zgjidhjen e problemeve me veteranët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura