Tiranë, 9 tetor 2018: Në të famshmen “Naturalis Historiae” Plini Plak dëshmon për një farë Straboni, burrë i zakonshëm, që posedonte një aftësi të jashtëzakonshme. Ky njeri u bë i famshëm, duke qëndruar mbi Kepin Limbeu të Sicilisë arrinte të shikonte brigjet e Kartagjenës (në një vijë ajrore rreth 200 kilometra) dhe sinjalizonte saktësisht lëvizjet e anijeve luftarake që dilnin nga portet kartagjenase për të sulmuar flotën e romakëve.
Dëshmia e Plinit Plak ngjan sigurisht hutuese, përtej rutinës së shikimit natyror njerëzor, por besueshmëria qe e padiskutueshme, e qartë, logjike, plot zgjuarsi strategjike të padyshimtë në teatrin epik të luftërave romako-kartagjenase. Pra plot miratim dhe shpresë, me një sharm poetik virgjilian.
Në motshmëri besohej (gati një paragjykim i gjerë mesdhetar) se ekzistojnë njerëz që kanë në secilin sy nga dy, ose tri bebëza.
Zeusi në formën autoritare të shqiponjës në mënyrë sekrete u jepte shikimin e papërballueshëm të shqiponjës edhe njerëzve të rëndomtë, madje edhe miopë, jo aq për arsye hyjnore profetike se sa për të koncentruar dhe ruajtur përherë statusin kapriçoz të misterit olimpik, mërinë, ose dashamirësinë.
Ky është një lloj shpjegimi mbushamendës dhe elegant. Por dëshmia e Plinit Plak e ka një ndjesi të ftohtë kronikore, atë të thjesht regjistrimit, pa asnjë koment lirik, ose filozofik. Askush nuk e shenjtëroi njeriun e kepit sicilian, për të nuk u ngrit asnjë statujë, jo më ndonjë tempull përkushtimi të shekujve. Pra e vërteta e kësaj historie duket se e ka një boshllëk (pikërisht çdo enigmë manifestohet përherë si boshllëk).
Mirëpo atë koncept që e kufizon e kaluara, mund ta hapë dhe shumëfishojë e ardhmja.
Studiuesit nervozë strukturalistë të kohërave moderne kanë hetuar tek personazhi i harruar i Plinit Plak idenë potenciale të teleskopëve dhe radarëve. Pra një projekt të lashtë të modernitetit teknologjik. Kështu fijet e këputura të ngjarjeve s’këputen dot dhe asnjëherë dhe vetëm harlisen.
Në shekullin XX, një shkrimtar argjentinas miop (më vonë i verbër tërësisht) Jorgo Luis Borges e kishte lexuar në rini megjithatë “Historia Natura” të Plinit Plak (ose ja kishin cituar që është e njëjta gjë).
Rasti i sicilianit me shikim të hatashëm, me emrin Strabon (imagjinata e plleshme e Borgesit e profenonte këtë emër, duke e arsyetuar metaforikisht edhe si posedim të shpirtit lëvizës, metapsikozës pitagorike të historianit të famshëm Strabon që ka shkruar për disfatën e llahtarshme detare të flotës persiane në brigjet greke) dhe padyshim u bë melankolik dhe u ndje i zilepsur me të drejtë.
Ngaqë shqetësimet janë si ethet duhen kuruar. Ahere Borgesi e sajoi (dokumentoi) historinë (fabulën) “Funesi, ose kujtesa e pamatshme”.
Borgesi thotë se e ka takuar në periferitë e Uruguait në 1887 një djalosh 19 vjeçar të quajtur Irine Funesi, pikërisht në lokalitetin e Fray Bentos.
Funesi kur e takoi herën e fundit Borgesi (e takoi tri herë dhe mbas kësaj nuk e takoi kurrë më) rrinte i shtrirë në dhomën e tij në gjysmerrësirë në shtëpinë e vogël dhe frikërisht të rëndomtë në fshat, sepse qe i paralizuar nga një rrëzim aksidental nga një kalë i harbuar.
Borgesi i kishte dhënë (me kërkesën e ndrojtur të Funesit) pikërisht “Naturalis Historiae” në latinisht të Plinit Plak, në librin e shtatë të kësaj enciklopedie flitej për Kujtesën.
Në të thuhej se Simonidi qe shpikësi i Mnemonikës, artit të mbamëndjes, Metrodori predikoi teknikën e përsëritjes besnikërisht të gjërave vetëm me një të dëgjuar, Kiri i Persisë thërriste me emër pa u gabuar secilin nga ushtarët e ushtrive të tij të mëdha, Mitridat Eupatori e shpallte drejtësinë në 22 gjuhët e popujve të perandorisë së tij.
Emri i Funesit mungonte mynxyrshëm tek “Naturalis Historiae”.
Funesi qe i vetmi njeri që kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë ndonjëherë në këtë botë të brishtë, të vrazhdë dhe mosmirënjohëse që ngrihej lehtësisht mbi të gjithë mbamendësit e mëdhenj dhe anekdotikë.
Funesi kishte aftësinë (qysh vallë? Si? Pse?) të mbante mend absolutisht gjithçka.
Swifti tregon se mbreti i liliputëve shquante lëvizjen e akrepit të minutave të orës së Guliverit, Funesi shquante pa ndërprerje përparimet e qeta të prishjes, kalbjes, lodhjes, lëvizjen e tërë yjeve, fazat e mbirjes së bimëve akrobacitë e padukshme të fluturimit të zogjve, tërë numrin e qimeve të krifës së një luani apo të jetëve të njëmijë kuajve njëherësh, numrin e pafund të milingonave dhe të baktereve si dhe të rërës.
Sistemi i tij i numërimit qe i pazakontë, një stil paradoksal vetjak.
Në vend të shtatëmijetrembëdhjetë thonte Maximo Perez, në vend të tridhjetmilion Hekurudha, në vend të pesëbilonenjëzetmijëepesë përdorte emrin Napoleon.
Borgesi u lemeris nga bisedat me Funesin e papërsëritshëm. Rrëfimi (apo trilli) i Borgesit u botua dhe u përkthye në shumë gjuhë të botës pikërisht për të grishur dhe torturuar lexuesit e pafund, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre rreshtave gati kaotikë.
Kritikët bjerrakohës dhe astetët me sklerozë kanë shkruar shumë apologji dhe marrëzira kundërthënëse, të shtirura dhe të rreme për personazhin Irene Funesi.
Ata megjithatë vatërzohen (koncentrohen) tek ideja se Funesi është vetë personaliteti i fshehtë i Borgesit të hiperbolizuar.
Ky përfundim i paragjykuar ka veskun e një metafore, gjithsesi të pëlqyeshme dhe në shumë pika të pranueshme me shikim të parë.
Por pakufishmëria e mendimit ka përgjithmonë diçka funesiane. Dëshmia konkrete e Borgesit (si ajo e një detektivi serioz) nuk mund të shpiket. Ashtu si edhe e Plinit Plak!
Gjërat (dukuritë) e jashtëzakonshme nuk shpiken, ato janë, kanë qenë dhe do të jenë.
Sot bota e kompjuterave dhe kibernetikës shfaqet si një shpikje e jashtëzakonshme. Por kjo botë ka qenë, shumë herët, por ende e pashfaqur. Njeriu, që e regjistroi Plini Plak dhe Funesi borgesianë janë struktura parake, ftillëzuese, njerëzore, shqimese, të sakta kurse bota e kompjuterave dhe kibernetikës janë një administrim teknologjik i shëmbëlltyrave të mëparshme. Një vërtetim, ose një konkretizim.
Por mbetet për t’u sqaruar edhe diçka. Vetë lidhja misterioze midis Plinit Plak dhe Borgesit. Nëse hamendësojmë se tek Plini Plak kishte shtegtuar shpirti i Borgesit (ende i palindur) ahere mund të bëjmë një simetri të tejdukshme për të thënë se shpirti i Plinit Plak mbas kaq shekujsh (mijëvjeçarësh) hyri tek Borgesi.
Verbimi i Borgesit e bëri të padebatueshëm më ekzistencën e sicilianit që shikonte në largësi të mëdha, kurse kujtesa e pallogaritshme e Funesit shpjegoi përfundimisht pse Plini Plak, ndonëse i vetëm, shkroi atë që nuk mund ta bënin mijëra e mijëra njerëz të ditur bashkë, dmth të krijonte “Natyralis Historiae”.
Teza se ajo që shkruhet më pas është një rishkrim i asaj që është shkruar më parë nuk është e kundërt dhe sfiduese me tezën se çdo gjë që mund të shkruhet në këtë lak kohor, në të tashmen e sotme të sinkretizmit të kohës dhe të hapësirës, nuk është gjë tjetër veçse një shkrim origjinal, i lashtë, ndoshta i fjalëpërfjalshëm në latinishten e dikurshme (që sot është një gjuhë e vdekur) me konotacione dhe modernitet semantik të pakrahasueshëm, që edhe Plinit Plak nuk i kanë shkuar kurrë ndër mend.
Por as Borgesit. Prometeu qe i pari që i lindi ideja për të hetuar, zbuluar dhe kuptuar të fshehtën e stenografisë së rrufeve.
Sa herë zotat diskutonin debatonin mbi Olimp, grindeshin, lajkatonin njëri-tjetrin, shpallnin sekrete dhe komplote, mllefe dhe ambicie të pafundme vetvetiu shkrepnin rrufetë rreth e qark në hapësirat kozmike, sipas një logjike të një arkivi hyjnor, të amshuar.
Prometeu mbas lëkundjeve të mëdha, dilemave përvëluese, hezitimeve sfilitëse i mblodhi dhe i botoi fjalimet, rrëfimet, pa i marrë leje, te Zeusit! Dhe për këtë shpiku shkrimin dhe ua dhuroi njerëzve, vdekatarëve të paditur!
Njerëzit e mësuan shkrimin dhe nisën të shkruajnë gjithçka dhe nuk çanë më kokën për stenografinë e rrufeve dhe e harruan më në fund edhe vetë Prometeun!
Mbase në shkrimet e librave të pafund, me shumë të marrëzishëm se sa të saktë, ende disa njerëz të vetmuar kanë aftësinë të shohin në format grafike të shkronjave stenografinë e rrufeve dhe madje të kenë ndjesinë e përfytyrimit se si kjo stenografi mund të ringjallet, të mbijetojë të kërcënojë, të ndezë befas letrat e librave, të qytetërimit libror të mijëvjeçarëve plot paradokse në një zjarr të mrekullueshëm!
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: A MBROHEN ME LIGJ VLERAT KOMBËTARE TË KOMBIT SHQIPTAR?!
Durrës, 21 mars 2017: Rasti i zjarrit në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë më nxiti këto ditë ta bëj…
BEDRI TAHIRI: MOS IKNI NGA ATDHEU!
Pashtriku.org, 08. 01. 2015 – Një fjalë vetëm me katër shkronja: IKJA. E vogël në të parë, por…
PRESIDENTJA E PËRÇARJES DHE E URREJTJES, VOJSA OSMANI!
Nga Behxhet SH. SHALA – BAJGORA Etërit dhe majkat Themeluese të federalizimit të Kosovës“ Etërit Kryesorë Themelues…
GJOKË DABAJ: LETËR E HAPUR ED RAMËS ME RASTIN E DITËS SË FLAMURIT
Pashtriku.org, 19. 11. 2014 – (ZOTIT ED RAMA, KRYEMINISTËR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË – T I R A…