SOKOL BYLYKBASHI: SHOVINIZMI SERB

(Prishtinë, 24. 07. 2012) – Fitorja e partive radikale në Serbi edhe një herë ka dëshmuar se shovinizmi serb kundrejt popullit shqiptar nuk ka përfunduar me Milosheviqin, ashtu siç nuk kishte filluar me të. Shovinizmi ka qenë gjithmonë bazamenti i platformave dhe veprimeve politike të pushteteve në Serbi. Elitat politike dhe akademike serbe në shekujt e kaluar, kanë hartuar programe shoviniste për kolonizimin, shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve në tokat e tyre autoktone. Veprimet gjenocidale serbe në periudha të ndryshme janë zbatuar në shkallë të ndryshme. Edhe sot këto plane famkeqe po zbatohen në forma më të sofistikuara në Luginë të Preshevës dhe në veri të Kosovës.
Fitorja e Tomislav Nikoliqit tregon qartazi se strukturat shoqërore serbe akoma e përkrahin vazhdimin e politikës se vjetër serbomadhe. Retorika e presidentit të ri serb është shumë e ngjashme me atë të Milosheviqit. Nikoliqi sikurse paraardhësi i tij po i përdor mitet nga historiografia e tyre, për të përligjur planet e tij të errëta për Kosovën. Liderët poltik dhe fetar serb janë të prirur që Kosovën ta quajnë “vend të shenjtë” të tyre, duke u thirrur nga “Beteja vendimtare” e Kosovës, nga kujtesa e “bërthamës” së mbretërisë së tyre mesjetare dhe nga “trashëgimia kulturore” (kishat dhe manastiret) e asaj kohe, mite të cilat si të tilla janë manipuluar për qëllime politike.

Kryetari i Serbisë – Radikali “përparimtar” Tomisllav Nikolic!

…………………………………………………..

Në çdo përvjetor të betejës së Kosovës, serbët organizojnë tubime nacionaliste në Kosovë. Edhe këtë vit grupe të ndryshme çetnike erdhën pa ndonjë vështirësi të madhe në Gazimestan. Disa grupe të tjera serbe në Merdarë sulmuan me objekte të forta Policinë tonë, me ç’rast mbetën të plagosur dhjetëra policë. Të gjithë e dinin që serbët e organizuar do të përdorin dhunë dhe retorikë që nxit urrejtje, prandaj Qeveria nuk do të duhej që t’i lejonte këto grupe serbe të hynin në shtetin tonë. Çdo mosveprim institucional në këto rrethana është shkelje e Kushtetutës dhe e ligjëve. Meqë serbët gjithëherë po hyjnë në vendin tonë dhe asnjëherë nuk po ndëshkohen nga organet e drejtësisë për veprimet e tyre në këto manifestime, ata do të vijnë përsëri në vitin tjetër me planet dhe qëllimet e njëjta.
Pak kohë më parë, në një ceremoni të xhandarmërisë serbe kemi parë se si u bë betimi i komandatit të ri të këtij formacioni policor famkeq. I gjithë teksti i betimit ishte bërë duke u bazuar në mitin e origjinës së shtetit serb. Nuk është hera e parë që pas përfundimit të luftës, forcat policore dhe ushtarake serbe kërcënojnë vendin tonë në mënyrë indirekte dhe direkte. Janë pikërisht forcat e xhandarmërisë serbe, të cilat jo rrallë herë kanë hyrë në territorin tonë dhe kanë krijuar frikë te banorët që jetojnë në fshatrat afër kufirit me Serbinë. Rasti i fundit që këto forca policore e shkelën tokën tonë, ndodhi me kidnapimin e policëve tanë kufitarë.
Dihet që shovinizmin përveç politikanëve dhe ushtarakëve e përkrah edhe Kisha Ortodokse e Serbisë. Përfaqësuesit e kësaj kishe duke u thirrur në mitin e trashegimisë kulturore, deklarojnë kohë pas kohë se do të bëjnë gjithçka për të rikthyer Kosovën nën Serbi. Kisha Serbe ka përkrahur politikanët dhe ushtrinë në të gjitha luftërat që janë bërë në Ballkan. Pjesëtarët e këtij institucioni fetar kanë bekuar secilin eprorë ushtarak serb, ani pse e dinin fare mirë se ata do të bënin krime të rënda. Kisha serbe në vend që të kultivojë ndjenjat e paqes dhe të tolerancës ndërmjet popujve, ka nxitur dhe arsyetuar vrasjen e qindra mijërave qytetarëve joserbë.
Përdërisa shovinizmi është i rrënjosur në shoqërinë serbe, ne nuk mund të kemi kurrfarë marrëdhënie reciproke me Serbinë. Shovinizmi e përjashton bashkëpunimin, ngase qëllimi i tij është sundimi dhe shtypja e një populli nga një popull tjetër. Negociatat politike dhe marrëveshjet që po bëhen me Serbinë, nuk janë asgjë tjetër veçse pranim dhe zbatim i shovinizmit serb. Këto marrëveshje po e gërryjnë sovranitetin gjysmak të shtetit tonë.
Shovinizmi serb dhe zbatimi i tij nuk do të mund të stopohet pa një ballancë të forcave ekonomike dhe ushtarake. Bashkimi i shqiptarëve që do të duhej të fillonte me Kosovën dhe Shqipërinë është rruga e vetme që do të krijonte ballancë të forcave. Ky bashkim do të krijonte mundësi shumë të mëdha për zhvillim e progres dhe pashmangshëm do t’i bënte shqiptarët faktor të rëndësishëm në Ballkan. Duke qenë faktor, shqiptarët do të kenë shansin që vet t’i përcaktojnë zhvillimet e përgjithshme politike dhe socio-ekonomike në hapësirat e tyre. Sipas disa sondazheve të bëra nga organizatat ndërkombëtare dhe vendore, shumica e popullit shqiptar për dallim nga shumica e partive politike shqiptare janë për një diskurs politik, i cili do ta bashkoj kombin në kuptimin politik, juridik, ekonomik dhe kulturor.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura