ARIF EJUPI: KUJTIME FËMIJËRIE ME ATA QË MË TEPËR SE VETEN DESHËN GJUHË E KOMB

Gjenevë, 25. 09. 2014: Kohë më parë Shtëpia Botuese “Faik Konica” e Prishtinës, botoi librin “Shtëpia në Rrugë” të autorit Avdyl Gërvalla. Ky libër i llojit ditar trajton etnogjenezën e familjes Gërvalla, dhe përballjet e kësaj familjeje me armiqtë e të gjitha periudhave. Po ashtu vend qëndror zënë kujtimet e grumbulluara nga jeta e fëmijërisë së autorit në Jesenicë të Sllovenisë, me nënën Ajshe dhe vëllezërit e tij Hysenin, Jusufin, Bardhoshin dhe kunatën Hedijen. Në këtë libër ka gjetur vend nocioni letërsi dhe nocioni histori. Këto dy terma njëra e sferës së fantazisë krijuese dhe tjetra me burim nga realiteti kombëtar e shtyjnë autorin që t’i qes në letër të gjitha dukuritë dhe ngjarjet e përjetuara. “Shtëpia në Rrugë” është ndërtuar me personazhe reale, asgjë s’ka të trilluar çdo gjë është origjinale, dhe e paraqitur objektivisht. Autori njëkohësisht në librin “Shtëpia në Rrugë” shtjellon edhe figurën e Gjergj Kastriotit – SKËNDERBEUT. Atë e barazon me ZOTIN, kur thotë : “SKËNDERBEU edhe qiellin e ndan me Zotin e gjithëfuqishëm” Falë kësaj krijese dhuratë nga Perëndia shprehet autori – Ne shqiptarët shpëtuam nga furrë shkrirja e Perandorisë Otomane.
Në fillim autori paraqet historinë e vitit të egër e të trishtuar 1921 kur regjimi kriminal i të ashtuquajturës Jugosllavi në emër të vetëquajturës “reformë agrare” shtetëzoi 6 hektarë e 33 ari tokë të familjes Gërvalla. Kjo familje u getizua duke iu lanë në dispozicion më pak se 4 ari tokë me qëllim që t’i detyronin me u shpërngul. Në tokën e Gërvallajve plot 56 vjet qëndroi koloni shovinist Dushan Shaliq. Ai i mbështetur nga pushteti – ligje dhe rregulla i bënte vet. Kjo politikë asimiluese dhe gjithë ky digresion te origjina jonë kishin shpjeguar paraardhësit e autorit ishte përcjell te neofashistët e ri serb nga Gopçeviqi dhe gopçeviqët tjerë serb. Gjoka Perina një vazhdues i Gopçeviqit, planifikonte se në Kosovë duhet bërë 67,5 përqind serb. Për ta arritur këtë qëllim, thotë ky shovinist atje duhet dërguar 470 mijë serb, dhe duhet larguar prej andej 300 mijë shqiptarë. Karshi kësaj gjendje bëhen mosdurues dhe kryengritës Gërvallajt e rinj. Poenta e tyre është se kryengritja është trajta më autentike, madje dhe e vetme morale e sjelljes kur Atdheu dhe liria janë në rrezik. Nisur nga ky parim Hyseni, i njomë të cilit e gjithë barra e shtëpisë i kishte rënë mbi supe, pas vdekjes së babait të tij Bardhoshit, mobilizon Jusufin, Haxhiun dhe Binakun, dhe një ditë prej ditësh ata takojnë kolonizuesin Dushan Shaliq. Atij i shpjegojnë se ata ishin në tokën e tyre edhe kur nuk kishte Ballkan, edhe kur nuk kishte bullgarë, serbë, maqedonas, malazias e osmanë.

Gërvallajt ishin në tokën e tyre prej qëkur toka shoqërohej vetëm me Hënën dhe me Diellin.
Kur Shaliqi pa këmbënguljen dhe vendosmërinë e këtyre burrave që vdekjen për Tokën stërgjyshore e konsideronin rilindje, fshehurazi në stil dhelpre me bishtin nën shalë ik në Beograd.
Prapëseprapë Gërvallajt nuk ndjenin rehati sepse Shaliqi, kishte lënë në Kosove lavrat e tij. Nga autori i këtij libri mësojmë të panjohurën, që monstruozi dhe mizori më i zi i historisë se re shqiptare Ali Shukriu ishte dhëndër i Shaliqëve. Me kusht që të shpëtohej nga asgjësimi dhe zhdukja e familjes Gërvalla, parashtrohet alternativa e tmerrshme ekzili i detyrueshëm. Dajë Lushi largimin e motrës Ajshe dhe të nipave të tij e përjeton si thikë të ngulur mu në zemër. Ai me çdo kusht kërkonte që njëri nga nipat e tij të mbetej në Kosovë. Shkuarjen e gjithë familjes në mërgim ai e konsideronte si shkulje rrënjësh. Në marrëveshje me motrën Ajshe dhe nipin Hysenin vendosin që në Kosovë të qëndroi Jusufi. Meqë Jusufi ishte i zhdërvjellët, i mençur e plotë gjallëri dajë Lushi e ndihmoi me tërë qenien zhvillimin e personalitetit të tij. Në Jusufin ai shihte përfaqësuesin e ardhshëm e të vërtetë të luftëtarit trim e të pamposhtur.
Kurse pjesa tjetër e familjes e lodhur dhe e traumatizuar nga shtypja më 1959 shkon në Jesenicë të Sllovenisë.
Shumicën e faqeve të librit “Shtëpia në Rruge” e zënë kujtimet e ruajtura të Avdylit, nga jeta në Slloveni. Ai sikur në shirit magnetofoni incizon çdo gjë deri në detaje. Rrëfen për punën e rëndë e tepër të mundimshme të vëllait- Hysenit, i cili edhe pse ende i mitur punonte në ngarkim-shkarkim vagonësh. Ai brenda një turni duhej të shkarkonte 25 tonë argjilë nga ai vagon i madh që nuk i shihej as fundi. Këto imazhe të trishtuara të fëmijërisë autori i librit “Shtëpia ne Rrugë” Z.Avdyl Gërvalla do t’i mbajë në kujtesë deri në frymën e tij të fundit. Avdyli indinjohej edhe nga pabarazia shoqërore sepse e ëma e tij Ajshja bënte po ashtu punë të rëndë. Puna e rëndë dhe kushtet e rënda të banimit në barakën e ndërtuar me pllaka iver bënë që nëna Ajshe të sëmuret nga tuberkulozi. Si pasojë e sëmundjes ajo shtrohet në dhjetor të vitit 1963, në Sanatoriumin e Bohinjska Bela-s.
Me të njëjtën sëmundje diagnostikohet edhe Bardhoshi, i cili po ashtu dërgohet në Spitalin për fëmijë në Gozd Martuljek, ku qëndron plot gjashtë muaj.
Avdyli me të vëllanë Bardhoshin kishin të përbashkët lojën, shtratin, mbulojën mbase edhe ëndrrat.
Bardhosh Gërvalla ishte burrë i vendosur i fjalës e besës,ishte mburrje për familjen dhe nder i veçantë për institucionin ku punoi,për shokët me të cilët i ndau të mirat e të këqijat e kësaj jete.
Një nga cilësitë e jashtëzakonshme të Bardhoshit ishte modestia dhe sinqeriteti i madh.
Ai kishte një inteligjencë të nivelit mbi normalen. Fliste dhe shkruante disa gjuhë të huaja.
Veç kësaj Bardhoshi kishte prirje edhe prej aktori. Ai gjatë kohës sa ishte nxënës i tetëvjeçares në Slloveni, pati shkëlqyer me rolin e tij kryesor në veprën e dramatizuar “Kekec“ Me sllovenishten e tij të butë dhe të prajshme Bardhoshi pati bërë për vete të gjithë shikuesit. Shkëlqimi në rolin e Kekecit Bardhoshin e bënë edhe pjesë të roleve tjera të shumta. Pa kurrfarë dileme zgjuarsinë e tij prej aktori e lakmonin të gjithë. Ai i qetësonte edhe fëmijët e pa rehatuar kur shfaqej para tyre, ata sy e vesh i bënin katër, sepse vërtetë ua pushtonte zemrat.
Ai ishte dhe instrumentist i shkëlqyer, sidomos shquhej me ekzekutimet e tij brilante me kitarë. Tashmë të gjithë jesenicasit Bardhoshin e njihnin si djaloshi që u jepte shpirt dhe kreativitet karnavaleve. Prandaj nga të gjithë admirohej dhe njihej si Bardhoshi i veprave të mëdha e jo i llafeve e dogmave.
Bardhoshi kishte shpirt të vërtetë humanisti dhe bamirësi. Njerëzve në vështirësi ua jepte kafshatën e tij të gojës. Këtë humanizëm të tij të pa parë e argumenton rasti me shokun e tij slloven Borisin i cili në një fatkeqësi kishte humbur njërin sy dhe jetonte ndërmjet prindërve të ndarë. Thuajse ishte i pa strehë. Bardhoshi i jepte Borisit çdo gjë që i binte në dorë. Sa e sa herë ia kishte dhënë edhe triskat e tij të ushqimit, gjë të cilën e kishin hetuar edhe punëtoret që shërbenin në mensën e shkollës. Madhështia dhe shpirti kaq bujar i Bardhoshit i kishte habitur dhe fascinuar të gjithë.
Kasollja e Gervallajve ishte shtëpi e dytë e Borisit. Sikur të kishte hapësirë të mjaftueshme ai as që do të lëvizte ndonjëherë nga kjo kasolleje. Për te ky ishte vendi i vetëm i preferuar sepse i ofronte ngrohësi dhe mikpritje të duhur. Thjesht Borisi këtu gjente prehje. Autori po ashtu flet plot me mall e nostalgji edhe për Jusufin, të cilin të gjithë e njohim si: shkrimtar, piktor, kompozitor, publicist, filozof, përkthyes e këngëtar. Autorin e këtij libri e gëzonte jashtë mase ardhja e kohëpaskohshme e Jusufit në Slloveni .Vizitave të Jusufit u gëzohej e gjithë familja e veçantë Avdyli e Bardhoshi. Atyre u dukej sikur Jusufi ua sillte një copë tokë Kosove.

Më 15.08.2014, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, u promovua libri “Shtëpia në Rrugë” i autorit Avdyl Gërvalla, botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”. Autori në këtë libër shkruan për jetën familjare, kujtimet e fëmijërisë për vëllezërit Hysenin, Jusufin e Bardhoshin dhe nënën Ajshe.

*   *   *

Ardhja e Jusufit në Slloveni jo vetëm që e nderonte familjen por i nderonte të gjithë jesenicasit.
Më 1964 në Jesenicë, me rastin e inaugurimit të radios së kësaj qyteze Jusufi, ishte ftuar nga përgjegjësi i kësaj radioje që të marrë pjesë në këtë ngjarje të shënuar. Jusufi me këtë rast kishte interpretuar këngën spanjolle “El Coplero“ që për kohën ishte hit në vete dhe kudo bënte bujë.
Nga ky interpretim i mrekullueshëm e mjaft mbresëlënës ishin ndjerë të nderuar të gjithë të pranishmit në sallë dhe jashtë saj. Kuptohet nga ky sukses gëzimi i familjes ishte i veçantë dhe i pa përshkruar.
Çdoherë netët e errëta e ditët e brishta në kasollën e Gervallajve në Jesenicë i thyente dhe i çonte në qafëthyerje kënga, poezia, piktura dhe tregimet e bukura e plotë sharmë të nënës Ajshe. Shpeshherë nëna Ajshe ia thoshte këngës së bashku me të bijtë e saj. Pesimizmin e cilësonte dergj prandaj e urrente dhe e konsideronte të huaj. Kurse gjumin e quante fytyrë të vdekjes. Ajo dhe të bijtë shihnin vetëm nga e ardhmja. Njëthundrakët e Karpateve edhe pse e vranë Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, ata s’munden ta vrasin porosinë amanet brezave lirin dhe bashkimin e shqiptarëve. Sot këta bij të popullit së bashku me heronjtë tjerë të Kosovës jetojnë në pavdekësi. Ata s‘vdesin kurrë!
Respekti dhe harmonia në familjen Gërvalla nuk janë risi .Këto virtyte me vlera janë përcjell nga brezi në brez. Në këto kujtime hapësirë i lihet edhe gruas punëtore e të devotshme Hedije Rugova Gërvalla, e cila simbolizon tipin e malësores së vendosur e të paluhatshme. Ajo gjithmonë ishte bukëdhënëse dhe bukëkrijuese, prandaj ajo me të drejtë duhet të gëzojë pjesën e nderit e të lavdisë që i takon.
Krye personazh që çdo gjë nisë dhe përfundon me Te në këto kujtime është NONA kështu në shenjë nderimi e thërrisnin të gjithë nënën Ajshe. Figura e saj reflekton vetëm dritë e çiltërsi. Andaj lexuesi i vëmendshëm i këtij libri do të vërej që nënës Ajshe edhe Dante do t,ia kishte zili për ferrin nëpër të cilin ajo kishte kaluar. Nëna Ajshe ishte ai Sokrati i vuajtur që kurrë nuk u pajtua me Derrin e kënaqur. Ajo me të drejtë meriton epitetin nënë e dashurisë dhe shqiptarizmës. Gjatë gjithë jetës së saj duke i mbetur besnik karakterit arbëror vazhdimisht dha mesazhe për bashkim e respekt, për tolerancë e dashuri vëllazërore. Nëna Ajshe në këto kujtime na del analoge në punë e jetë me Norën e Malësisë së Hotit. Libri “Shtëpia në Rrugë” do të ngelë për brezat rrëfim dhimbjeje dhe krenarie, dhe tregues me vlera që ai popull që synon lirin më gjithë kalvarin e vuajtjeve dhe të persekutimeve do të arrijë në cakun e dëshiruar. Avdyl Gërvalla, ndonëse plot 46 vjet qëndroi në mërgim mbeti në të njëjtin pozicion ashtu siç qëndron shqiptari i mirë dhe i gatshëm për të sakrifikuar çdo gjë për dashurinë më të madhe ATDHEUN. Ai edhe këngën e vet e ka vënë në shërbim të ATDHEUT. “SHTËPIA NË RRUGË” përfundon me uratën: liria e Kosovës qoftë lumturi dhe mirësi e të gjithëve!

——————————————

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MOTIVE JETIKE

MOTIVE JETIKE Nga Meti Rexhepi Hysen Këqiku: “LULELALET  VESHIN  PETALE” (Poezi dhe tregime për fëmijë) Shtëpia botuese, KURORA,…