ARIF EJUPI: LULE DHE LOT MBI VARRIN E PEDAGOGUT NUHI T.OSMANI

Gjenevë, 20. 02. 2017: Më 15 shkurt 2017, në Vindenis të Besianës me dhimbje dhe pikëllim të thellë, familjarë, kolegë, nxënës e miq të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit pedagogut të palodhshëm të shumë brezave, Nuhi Tahir Osmani.
Nuhi Osmani lindi në Vindenis të Besianës,më 1952 (ish – Gllamnik të Podujevës)
Katër vitet e para të ciklit fillor Nuhiu i kreu në shkollën “Ganimete Tërbeshi “ të Vindenisit.
Kurse programin me zgjerim të lëndëve mësimore e përfundoi në shkollën tetëvjeçare të quajtur me imponim “Gjuro Gjakoviq” tani “Isa Boletini” të qytezës së Besianës.
Edhe pse në kushte tejet të rënda materiale i etshëm për dije Nuhiu,edhe në katër vjetët e ardhshme do të jetë nxënës i Gjimnazit të atëhershëm “8 Nëntori “ të Besianës.
Nuhiu punëtor e i sjellshëm përfundon me sukses të lakmueshëm gjimnazin .
E, në tetor të vitit 1971 nis studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”të Gjakovës, dega Biologji-Kimi.
Si çdoherë i butë dhe modest përkushtohet me tërë qenien në studim dhe punë hulumtuese.
I pandashëm nga ushtrimet praktike shpejt përvetëson njohuritë nga fusha e Botanikës, Zoologjisë dhe Antropologjisë.

Nuhi Tahir Osmani (1952-2017)

Me dëshirë dhe pasion të njëjtë ndjek edhe studimet në Kimi. Falë punës sistematike ai në qershor të vitit 1973 merr titullin mësimdhënës i Biologjisë dhe Kimisë.
Vetëm dy-tre muaj pas diplomimit fillon punën në shkollën tetëvjeçare “Meto Bajraktari” të fshatit Vindenis të Besianës ( ish-Gllamnik i Podujevës)
Ai angazhohej maksimalisht që tek nxënësit të mbjellë dëshirë dhe vullnet për mësimnxënie.
Duke qenë tamam një pedagog i vërtetë këtë synim e realizon me sukses.
Nxënësit që hasnin në vështirësi i ndihmonte nëpërmjet organizimit të orëve shtesë.
Rivalitetin jo të shëndoshë ndër nxënës e evitonte menjëherë duke thënë se ai shpie në egoizëm dhe varfërim të personalitetit të tyre. Virtyt tjetër dallues i tij ishte kujdesi dhe mëshira ndaj njerëzve në nevojë.
Gjithashtu shquhej në organizimin e aktiviteteve të lira. I pëlqente tepër të gjitha sportet e në mënyrë të veçantë futbollin. Të dielën pasdite i shoqëruar nga kolegë e nxënës ndiqte skuadrën e Llapit dhe përcillte me ëndje zhvillimin e hovshëm të legjendarëve në futboll Esat Mehmeti e Fadil Vokrri.
Këto momente gëzimi e suksesi të Nuhit nuk zgjasin gjatë sepse në vitet në vijim pushtuesit sllavë do të tregojnë gjithë brutalitetin e tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ata me programe të përgatitura nga akademikë belaxhinj e popë leshatakë do të përgatisin aneksimin e përgjakshëm të Kosovës.
Nuhiu masat represive të pushtetit serb pas demonstratave studentore të vitit 1981 i përjeton rëndë, sidomos fushatën e diferencimeve. Në mënyrën më të paskrupullt regjimi komunist i Serbisë, pati burgosur dhe përjashtuar nga procesi mësimor qindra mësimdhënës llapjanë.
Si goditje të radhës dhe devalvim të vlerave tona kombëtare Nuhiu e pati konsideruar edhe dekretin e ardhur nga Beogradi më 1982 për ndërrimin e emrit të shkollës së fshatit Vindenis nga” Meto Bajraktari” në “Boro e Ramizi”.
Në ato kohë të liga Nuhiu ishte lidhur si thoi me mishin me nxënës dhe vazhdimisht i thërriste ata për durim e maturi. Ai e dinte se nxënësit 14-15 vjeç ende fëmijë mund të binin padashje preh e inskenimeve të pushtuesve serbë.
27 vjet rezistencë në mbrojtje të identitetit kombëtar
Më 23 mars 1989 Serbia me automatikë e tanke suprimon Autonominë e Kosovës.
Në shenjë pakënaqësie gjithandej Kosovës shpërthejnë revolta dhe organizohen protesta.
Në demonstratën gjithëpopullore të organizuar më 27 mars 1989 në Besianë, në mesin e mijëra pjesëmarrësve do të jenë arsimtarë e nxënës të Vindenisit.
Pushtuesit serbë të tërbuar nga guximi i llapjanëve egërsohen tej mase dhe të pashëruar nga fashizmi i tyre vrasin të riun 23 vjeç Mehmet Maliq Ejupi, ish-nxënës i arsimtarit Nuhi Osmani, në vitet e 80-ta.
Serbia e ndihmuar nga malazez e maqedonas si edhe nga disa kroatë,sllovenë e boshnjakë hibrid me qëllim që të mbjellë frikë ndër shqiptarë të nesërmen e kësaj dite të kobshme ndalon bashkimin e njerëzve në grup me më shumë se tre veta.
Shqiptarët e të gjitha treva të vendosur për të vdekur në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës, nuk përfillin këtë urdhër të pushtuesve por marrin pjesë në mënyrë masive në varrimin e djaloshit engjëllor Mehmet Maliq Ejupi.
Edhe sot na shfaqen para syve ata njerëz me plisa të bardhë të ardhur nga Dibra, Presheva, Tetova e Ulqini. Arsimtarët si ajka e shoqërisë me lot në sy sikur betohen para varrit të ish-nxënësit të tyre Mehmet Maliq Ejupi, se edhe në gjendje shtetrrethimi do ta mbajnë ndezur vatrën e mësimit në gjuhën shqipe.
Ky premtim edhe u mbajt mësues dhe arsimtar mbi një dekadë të ndjekur ,të keqtrajtuar e të vrarë nga pushtuesit serbë pothuajse vullnetarisht punuan vetëm e vetëm që shkolla shqipe mos të shuhet.
Veç kësaj në vitet e 90- ta arsimtarët e fshatit Vindenis, iniciuan nismën që shkolla e tyre të emërtohet “Kongresi i Manastirit”
Kjo kërkesë gjeti përkrahjen nga Drejtoria Komunale e Arsimit të Besianës(ish-Podujevës) e cila vepronte jashtë objekteve të uzurpuara nga pushtuesit.
Shkolla e fshatit Vindenis, me paralelet e saj të ndara në Sibovc, Konushevc e Sekiraqë, prej atëherë mban emrin “Kongresi i Manastirit”. Sot, shtimi i numrit të nxënësve ka bërë që disa nga paralelet e ndara të kësaj shkolle të veprojnë të pavarura.
Nuhi Osmani i përcaktuar që deri në vdekje të jetë në shërbim të nxënësve me vullnet e dëshirë punoi me vite të tëra edhe në paralelet e ndara të shkollës “Kongresi i Manastirit”

Nga e djathta Nuhi Osmani me kolegë e nxënës të tij. (Fotografi e ruajtur me dashuri dhe respekt nga Blend Ejupi nxënës i dalluar i vitit të dytë të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” të Besianës)
Ai edhe pse me shumë fëmijë e pa të ardhura as edhe një ditë të vetme nuk la anash nxënësit e tij të dashur, tek të cilët llogariste të ardhmen e ndritur të vendit.
Si adhurues i zjarrtë i një ambienti të pastër me kolegë e nxënës të ndihmuar edhe nga miq ndërkombëtar mbollën fidanë të shumtë në hapësirat e shkollës,të cilat u zbukuruan edhe me tepër me rinovimin e gjithëmbarshëm të objekteve të kësaj shkolle para tre-katër vjetëve.
Vdekja e parakohshme e Nuhi Osmanit, preku nxënës, kolegë, bashkëfshatarë e miq të shumtë.
Dhimbja dhe emocionet u shtuan edhe më shumë kur ish-nxënës të shumtë të Nuhiut, me lot në sy mbi varrin e tij të njomë vunë kurora lulesh.
Kujtimi i mirë për arsimtarin fisnik e të palodhshëm Nuhi Osmani,do të jetë i përhershëm!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura