Arif Ejupi: Me ndarjen nga jeta të prof. dr. Zejnullah Gruda, jurisprudenca shqiptare mbetet e mangët

Gjenevë, 16 mars 2021: Pikërisht më 7 mars të vitit 2021, Ditën e Mësuesit u nda nga jeta Zejnullah Gruda, themelvënës i jurisprudencës në Kosovë, dhe profesor i shumë brezave në Fakultetin Juridik të Prishtinës.
Zejnullahu, lindi më 1 qershor 1936 në Pejë. Origjina e familjes së tij është nga Malësia e Madhe, saktësisht Gruda.

Kjo krahinë që shtrihet në të dy anët e luginës së poshtme të Cemit, midis fshatrave Selishtë, Vllanë, Kuç, Triepsht e Hot, deri në vitin 1913, ishte e banuar nga shqiptarët autoktonë të Shqipërisë së Natyrshme.
Pas gjymtimit të kufijve të saj në Konferencën e Londrës, sikurse shumë familje të tjera shqiptare ashtu edhe të parët e profesorit Gruda, u detyruan që nën dhunë dhe represion të shpërngulen në Pejë.
Shënime të ruajtura në arkiva shtetërore dhe rrëfime individësh nëpër breza Grudajt i shquajnë si njerëz të mençur e trima.
Ata veçohen me heroizmin e tyre të treguar në luftën e vitit 1880, kundër shovinistëve serbo-malazezë në mbrojtje të Grudës, Hotit, Tuzit, Dinoshës, Pikalës, Këshevës, Shipashnikut, Llofkës, Grykëllukës, Selishtës dhe Mileshit.
Prindi i tij Ramë Gruda, duke njohur deri në detaje kalvarin e paraardhësve të tij edhe pse në gjendje të rëndë ekonomike bën çmos që fëmijëve të tij t’ua krijojë të paktën kushtet elementare për të studiuar.
Zejnullahu pas përfundimit të mësimeve të para dhe kryerjes me sukses të shkëlqyer të gjimnazit real në Pejë, regjistrohet në Fakultetin Juridik të Sarajevës. Me të mbaruar me sukses të lartë shkallën e-II- (dytë)studimet e magjistraturës dhe temën e disertacionit i kryen në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit.

Ai, atje do të jetë i pandarë me mikun e tij të fëmijërisë Dervish Roshaja, i cili po ashtu bënte studime të avancuara në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Beogradit, në Degën e Biologjisë.
Profesor Gruda, duke qenë i dhënë me mish e shpirt pas hulumtimeve në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare Publike, këto thirrje shkencore do t’i arsyetojë, duke botuar dhjetëra libra e qindra trajtesa, në revista e gazeta që merren ekskluzivisht me këto tema.
Se vërtetë kemi të bëjmë me një studiues të përmasave ndërkombëtare flet edhe fakti që punimi i tij i doktoraturës mbi Kanalin e Panamasë, ishte literaturë e obligueshme për të gjitha ata që pretendonin titullin e Magjistrit, tani i barasvlershëm me atë Master.
Në vitin 1962 , Zejnullah Gruda, do të jetë njëri nga profesorët e parë shqiptarë që do të nisë punën si ligjërues në Fakultetin Juridik-Ekonomik të Prishtinës. Asokohe kushtet e punës ishin shumë të rënda. Mezi sigurohej letra e mjaftueshme edhe dy-tri makina shkrimi, për gjëra të tjera as që bëhej fjalë.
Veç kësaj pabarazia e arrinte kulmin. Nga gjithsej 63 studentë të rregullt vetëm 30 ishin shqiptarë.Gjatë rrëfimeve të tij profesor Gruda thoshte”me shpresën që më në fund po shohim dritë duhej të durohej, edhe atëherë kur sheshazi vëreheshin shkelje të rënda të të drejtave të shqiptarëve si popull shumicë.”
Demonstrat e 28 Nëntorit të vitit 1968, do të jenë ato që do t’i detyrojnë krerët e udhëheqjes jugosllave që kërkesat e ligjshme të shqiptarëve të Kosovës, si popull i tretë në numër në ish-Jugosllavi, t’i shqyrtojnë seriozisht.
Ata të gjendur para një presioni të brendshëm dhe ndërkombëtarë japin sinjale për disa ndryshime në dobi të shqiptarëve të Kosovës.
Më 1970, Fakultetit Filozofik të Prishtinës, të hapur para 10 vjetëve do t’i shtohen edhe 10 Fakultete të tjera, e 7 Shkolla të Larta.
Pjesë e kësaj arritje të madhe të shqiptarëve të Kosovës, është edhe profesori dhe diplomati shembullor Zejnullah Gruda.
Ai, plot gjysmëshekulli në amfiteatrot e Fakultetit Juridik të Prishtinës e Tetovës, ligjëroi lëndën E Drejta Ndërkombëtare Publike.
Hapja e Universitetit në Gjuhën Shqipe dhe ekspozimi i simboleve kombëtare në institucionet e Kosovës, çojnë edhe në aprovimin e kushtetutës së vitit 1974.
Me miratimin e kësaj kushtetute Kosova nga qark autonom i Serbisë, bëhet element konstitutiv i Federatës Jugosllave.
Pas këtyre ndryshimeve esenciale Kosova ka Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit si organin më të lartë vendimmarrës, si dhe Gjyqin kushtetues dhe Gjykatën e Lartë.
Po ashtu ajo delegon anëtarin e saj në kryesinë e RSF. të Jugosllavisë. Me gjithë proklamimin se kinse shqiptarët gëzojnë të drejta të barabarta me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë, hegjemonistët serbomëdhenj të prirë nga Dobrica Qosiq, natë e ditë punojnë për rrënimin e kësaj Autonomie të shqiptarëve të fituar me gjak.
Katër-pesë sllovenë e kroatë reformator në udhëheqjen e Federatës Jugosllave, duke ditur që në rast trazirash as vendet e tyre nuk do të jenë të qeta insistojnë që në atë konglomerat kombesh e kombësish të ish-Jugosllavisë, të përfaqësohen edhe shqiptarët.
Kështu që më 1975, Zejnullah Gruda, si ekspert i dalluar i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, emërohet Ambasador Fuqiplotë i ish-Jugosllavisë, në Panama të Amerikës Qendrore.
Ai këtë funksion e kryen me mjaft sukses deri në vitin 1978. Si çdoherë i urtë e modest gjatë qëndrimit në këtë vend të mbi 800 ishujve studion historinë dhe kulturën e popullit panamez.
Me këtë rast krijon edhe miq të shumtë, me të cilët i ruan kontaktet edhe pas kryerjes së misionit të tij prej Ambasadori.
Zejnullah Gruda, me përvojën e fituar si diplomat me emër do të jetë edhe sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të ish-Jugosllavisë.
Andaj, është fakt i pamohueshëm që kësaj organizate të karakterit bamirës dhe social në Kosovë, themelet ia vuri profesor Zejnullah Gruda.
Me gjithë ofertat e shumta për të bërë karrierë politike profesor Gruda, ndihet rehat vetëm në punë me studentë, të cilët i trajtonte sikur të ishin fëmijë të tij.
Atyre që shfaqnin interesim për studim por qëndronin keq materialisht u ndihmonte në kompletimin e dokumenteve për sigurimin e ndonjë burse.
Edhe pse i butë në dukje me lajkatar e mashtrues s’bënte kurrfarë kompromisi. Shpeshherë e përsërite atë thënien e tij të vazhdueshme“shihni o kryejeni punën ashtu si duhet o mos e bëni fare.”
Matja më e saktë që profesor Gruda, i ka dhënë shumë jurisprudencës së Kosovës, janë edhe mbi 30 profesorë e asistentë të Fakultetit Juridik të Prishtinës, të gjithë ish-studentë të tij.
Pa llogaritur edhe qindra gjyqtarë, juristë e avokatë në Kosovë, Maqedoni të Veriut , Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Profesorë Gruda, si personalitet i rrallë shkencorë duke parë si nevojë urgjente sigurimin e literaturës së nevojshme për studentët e Fakultetit Juridik të Prishtinës, në fillim të viteve të 80-ta, boton tekstin universitar“E Drejta Ndërkombëtare Publike.”
Ky libër me një vëllim prej 485 faqesh që përfshinë edhe indeksin e lëndës me vendimin e Pleqësisë së Universitetit të Kosovës, nr.652 të datës 6 qershor 1983, aprovohet si literaturë adekuate për studiuesit e kësaj fushe.
Kur kësaj i shtohet edhe koha e daljes së këtij libri në dritë vijmë në përfundim që kontributi intelektual i profesor Zejnullah Grudës, në fushën e Drejtësisë ka qenë i jashtëzakonshëm.
Ndryshimet qenësore në arenën ndërkombëtare bënë që profesor Gruda, këtë libër ta ribotojë edhe më 1987 dhe 1997.
Ai të dyja herët këtë libër e ka korrigjuar dhe plotësuar me atllasin e vendeve të Botës, Anëtare të Kombeve të Bashkuara. Ky tekst me vlerë i botuar nga xhepi i profesorit Gruda, është shfrytëzuar edhe nga disa studentë shqiptarë të Universitetit të Gjenevës.
Në vitin 2000 profesor Gruda, nxjerr në dritë në dy vëllime edhe librin“Mbrojtja Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.” Ndërkaq, më 2009 e boton një Manual Diplomatik, me diku 307 faqe.
Pesë vite më vonë e boton librin tjetër të titulluar “Koha, ngjarjet, njerëzit”, ku përfshinë studime, artikuj, fejtone, publicistikë, portrete e intervista të ndryshme të periudhës 1963-2013.
Profesor Gruda, duke vërejtur papërgjegjësi totale dhe mosnjohje të problemit të udhëheqësve tanë mbi demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, shkruan me dhjetëra artikuj.
Me kulturën e tij të paparë për debat të njëmendtë këtë problem tepër serioz e trajton në gazetat dhe televizionet tona me harta e dokumente origjinale.
Nga dëshira për të lënë diçka shkencore dhe të qëndrueshme më 2016, tërë këtë material e boton në një libër të vetëm të emërtuar“Kufijtë në dëm të shqiptarëve.”
Ata që e kishin bërë këtë dëm të pafalshëm i mallkonte, sepse me kohë dhe në mënyrë të përsëritur ua kishte tërhequr vërejtjen që të mos luajnë me kufijtë e vendit, edhe ashtu të tkurrur.
Profesor Gruda, si personalitet i gjithanshëm ka botuar edhe artikuj të shumtë nga fusha e religjionit me theks të veçantë ka trajtuar temat që kishin të bënin me fenë ose bindjen.
Ai po ashtu është pjesëmarrës i shumë Konferencave e Simpoziumeve të nivelit ndërkombëtar.
Gjatë viteve të 60-ta, ka bashkëpunuar ngushtë me profesorin kroat të së Drejtës Ndërkombëtare Gjura Jordash, i cili ka qenë njëri nga dhjetë ekspertët më të mirë në botë, i kësaj sfere.
Meqenëse punonte sistematikisht e pazhurmë është e pamundur të përmblidhet e gjithë puna e tij shkencore dhe atdhetare.
Ne bëmë përpjekje t‘i veçojmë vetëm disa nga punët e tij kapitale në dobi të çështjes së Kosovës.
Profesor Gruda, në periudhën e luftës dhe gjenocidit serbë në Kosovë, ishte anëtar i Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë.
Në vitet 1997-1999 pata nderin që t’i kem mysafirë në banesën time në Gjenevë, delegacionet e KMDLNJ-së të Prishtinës.
Ato nëpërmjet Organizatës “INTERNACIONAL FEDERATION OF HUMAN RIGHTS LEAGUES” po përcillnin punën e Sesioneve dhe Nënkomisioneve, pranë OKB-së, që trajtonin çështje mbi shkeljen drastike të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, dhe vendeve të tjera të botës.
Madje, më 1999, isha i privilegjuar që edhe unë të jem në OKB, përkrah dy profesorëve të prajshëm dhe të vyeshëm prof.dr.Zejnullah Gruda dhe prof.dr.Ymer Jaka.
Në këto vite të vështira kur Kosova po lahej në gjak dhe po përjetonte eksodin biblik të shpërnguljes së qytetarëve të saj, të gjithë ishim në ankth të papërshkruar.
Gjithçka që ndodhte atje informonte Behxhet Shala-Bajgora, sekretar ekzekutiv i KMDLN-së.
Edhe pse në kushte gati të pamundshme ai, nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me Z.Adem Demaçi, zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtar nderi i KMLDJ-së, me të marrë informacione e fotografi nga Maqedonia i përcillte në Gjenevë.
Me kusht që të alarmohet bota nga këto masakra që i kalonin edhe ato të Aushvicit, Mauthausenit, Dahut dhe Belsenit, në qytete të ndryshme të Zvicrës dhe të Francës, KMDLNJ i Prishtinës, ka organizuar ekspozita të shumta.
Përkthimin e të gjitha materialeve që vinin nga Kosova prej gjuhës shqipe në atë angleze e bënte Ismet Bërdynaj, njohës i shkëlqyeshëm i kësaj gjuhe.
Kurse, përkthimet nga gjuha shqipe në frëngjishte i kryente profesori shumëvjeçar i kësaj lënde në Universitetin e Prishtinës, prof.dr.Ymer Jaka.
Profesor Zujnullah Gruda, si njohës i gjuhës spanjolle dhe angleze me taktin e tij prej diplomati të rryer edhe gjatë pauzave shfrytëzonte rastin që të bisedojë me përfaqësues eminentë të vendeve të ndryshme të botës.
Nga frika e ndonjë lëshimi eventual të njëjtën kohë shpërndarjen e materialeve nëpër qendra të ndryshme të botës e bënin Xhafer Shatri, udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës në Gjenevë, dhe Ibrahim Makolli e Lutfi Kelmendi, pronar i platformës “Trepça.net.”
Profesor Zejnullah Gruda, ithtar i punës në ekip me ecurinë e punës së delegacionit të KMLDJ-së, së Prishtinës që ato ditë po qëndronte në Gjenevë, e njoftonte Kryetarin e KLMDNJ-së, akademik Pajazit Nushi, mendimin e të cilit e çmonte shumë.
Profesor Gruda, që një jetë të tërë u mor me studimin e të Drejtave të Njeriut në shkallë vendi e atë ndërkombëtare prej vitit 2011 e deri në vitin 2013, e udhëhoqi edhe punën e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.
Pedagogët, Gruda dhe Jaka, që edukatën dhe mirësjelljen e kishin në gjene një vlerësim të veçantë i bënin edhe angazhimit të ime shoqe Xhevrije Dema Ejupi, e cila përkujdesej për kuzhinën dhe higjienën, ngase KMDLNJ, s’kishte kurrfarë mbështetje materiale nga Qeveria në ekzil, e as nga Partitë Politike të Kosovës.
Miqësitë e krijuara në kohëra të vështira mbesin të përjetshme. Të dy profesorët tani të ndjerë si Ymer Jaka ashtu edhe Zejnullah Gruda, deri në frymën e tyre të fundit na kanë nderuar, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen tonë.
Sa herë që kemi ardhur në Kosovë na kanë ftuar në shtëpitë e tyre, duke na ofruar pritje që s’harrohen kurrë.
Si profesorit Zejnullah, ashtu edhe profesorit Ymer, u qoftë i lehtë dhéu i Kosovës, dhe mos u harroftë për jetë të jetëve vepra dhe emri i tyre!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura