ARKITEKTURA E SHTËPIVE TRADICIONALE NË SHQIPËRI

Pashtriku.org, 07. 11. 2015: Arkitektura e shtëpive është konsideruar si një nga reflektimet më të thella e të rëndësishme të kulturës. Njëkohësisht ashtu si në çdo vend tjetër dhe në Shqipëri, arkitektura e aplikuar ka qënë e kushtëzuar jo vetëm nga kushtet e vendodhjes së vendit apo kushteve klimatike por edhe asaj të kulturës dhe traditës Shqiptare, disponimi i materialeve, influencat e jashtme dhe të brendshme, si pushtimet dhe kulturat e sjella nga perandoria osmane, apo influncat europiane të importuara nga periudha italiane dhe gjermane, statusi i banorëve të vendit etj.
Në arkitekturën e ndërtimeve qytetare Shqiptare banesat rezidenciale apo të strehimit zënë një rol të rëndësishëm në aspektin arkitektonik në të gjitha trevat e arealit shqiptarë. Banesat Shqitare dallohen për tipologjitë e tyre të larmishme e të pasura si ato qytetare dhe ato fshatare. Zhvillimi me i fuqishëm i banesave të strehimit ishte gjatë shek. 18-19.
Meqënëse është e vështirë të ilustrohen të gjitha llojet të ndërtesave popullore shqiptare, një klasifikim i përgjithshëm do i klasifikonte ndërtesat banuese në katër grupe kryesore:

Banesat me vatër zjarri kryesisht gjenden në zonën e Tiranës dhe fshatrat përreth saj. Kjo lloj tipologjie përbën një nga tipet kryesore dhe më të lashtë në arkitekturën e banesave shqiptare. Karakteristikë e këtyre banesave ishte shtëpia e zjarrit, e cila ngrihej në lartësinë e dy kateve dhe mjediset e tjera vendoseshin rreth shtëpisë së zjarrit.

Banesa me hajat është një tjetër lloj banese e përhapur gjerësisht në Shqipërinë e mesme. Tipar dallues në këtë stil është lidhja e shtëpisë me oborrin dhe natyrën. Shpesh herë meqënëse këto shtëpi ndërtoheshin në trualle të sheshta, oborri shfrytëzohej nga qytetarët për të zhvilluar ekonomi bujqësore.

Shtëpia e Shijaksve, Tiranë
Shumica nga këto ndërtime i përkasin shek. XVIII dhe fillimit të shek. XIX. Një shembull tipik i kësaj tipologjie ështe Shtëpia e Shijaksve. Banesa rrethohet me mure qerpiçi, në të cilat hyhet nëpërmjet portave të mëdha dykanatëshe, pothuaj gjithmonë mbuluar me çati të thjeshtë.
Banesa me çardak si fazë ndërtimi i përket shek. XVIII – fillimit të shek. XIX. Më së shumti hasen në Berat, dhe më rrallë në Krujë e Lezhë. Në këto banesa çardaku luan një rol kryesor në kompozimin e jashtëm të ndërtesës. Çardaku ndërtohet kryesisht në fasadën kryesore të banesës dhe në fazën e tij origjinale ishte i hapur. Ai shërben njëkohësisht edhe si ambient ndërlidhës për hapësirat e tjera të banesës. Ky ambient shfrytëzohej së tepërmi nga banorët gjatë stinës së ngrohtë duke shfrytëzuar në maksimum dritën natyrale. Për vetë kompozimin dhe përdorimin e gjerë të tij, banesa me çardak ndahet në disa nën tipe; banesa “me çardak në gjithë ballin”, “me çardak në një krah” dhe “me çardak në qendër”.

Banesë me çardak e Hajdar Sejdinit
Një tjetër shembull tipik i ndërtesës me çardak mund të shikohet dhe në Elbasan, tek Banesa e Hajdar Sejdinit, e ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të dhe paraqet zgjidhjen më të zhvilluar të këtij tipi, me prirje të theksuara qytetare. Banesa me planimetri katërkëndëshe është dykatëshe dhe e ndërtuar me mure guri e skelet druri. Në katin e poshtëm ndodhet hajati dhe katojet, ndërsa në katin e sipërm çardaku me mjediset e banimit dhe anekset e shërbimit.
Banesat Kulla Qytetare, në përgjithësi përfaqësohen nga banesat Gjirokastrite. Emërtohen Banesa bulla për vetë faktin se ka tipare mbrojtëse. Veçoritë e jetës së kohës në Shqipëri lanë gjithashtu gjurmë në arkitekturën e tyre: nevojiteshin strukturat mbrojtëse, sepse shqiptarët herë pas here luftonin kundër njëri tjetrit; për më tepër ata rebeloheshin kundra Portës së Lartë në Stamboll.
Duhej një vend i sigurt edhe për bagëtinë në dimër; duhej dhe vendi për të rezervuar ujin për gjatë muajve të thatë të verës. Katet përdhese të kullave ishin edhe struktura mbrojtëse edhe magazina të shtëpisë.

Shtëpia e Zekatëve, Gjirokastër: Ndërsa katet e sipërme shprehnin mikpritjen gjirokastrite, kulturën dhe mënyrën e jetesës së tyre; por, përmes interierëve të pasura, edhe rangun e pasurinë e të zotëve të shtëpisë. Herë-herë kjo e fundit duket sikur tejkalon dukshëm edhe vetë funksionin mbrojtës të shtëpisë. Kjo lloj ndërtese ndeshet dhe në qytete të tjera si: Berati, Kruja dhe Shkodra por në nivel më të ulët zhvillimi. Një shembull tipik ështe ajo e shtëpisë së Zekatëve në Gjirokastër. Megjithëse është me prejardhje otomane, arkitektura e ndërtesës, është produkt i shumë përbërësve. (acp.al)

………………………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura