BESIM CENGU: POEZI QË KAPËRCEN EPOKAT

Tiranë, 21 mars 2018: Refleksione rreth vëllimin poetik “A thua, vegim?!” të poetit Dedë SHKURTI.
Përgjegjshmëria dhe pesha e fjalës, si njësi bazë ndërtimi poetik, vlerësohet maksimalisht prej poetit Dedë Shkurti. Si poet dhe si njeri, ai është shumë i përgjegjshëm për atë që thotë dhe për rëndësinë që ka teksti poetik. E kishte porositur poeti Ndoc Gjetja, kur i pat thënë “pas botimit të vëllimit të parë, kur t’i vijë koha të dytin medeomos të jesh një shkallë më lart.

“S’e shkruaj dot një poezi në ditë,
S’është mur guri çekiç a mistri.
Në varg të tretë strofa ka thyer brinjtë,
Pret lule zambaku, të del një kakërdhi.

(Pa titull)
Kështu shprehet në këtë katërvargsh në të cilin paraqet mundin që i duhet krijuesit për të përcjellë mesazhin e duhur te njerëzit. Në kushtet e agresionit internetik, ky përcaktim i epërm tingëllon si kërkesë kohe. Tre vëllimet poetike të butuara, përcaktojnë tre shkallë rritje cilësore. Prej vitit 2002, kur botoi vëllimin “Me zemrën u zura keq” që pasohet me vëllimin “E bardha dhe të zezat”, botuar në vitin 2014, kishte përsosë vargun e tij deri në krijimin e një profili krijues të dinjitetshëm dhe të kompletuar në të gjitha aspekte artistike. Pas publikimit të këtij vëllimi që mori çmimin “Gjergj Fishta” na tha një ditë ne shokëve: Licencën e inxhinierit e kam marrë heret, po licencën e poetit a e kam marrë pas këtij botimi?!
Ç’farë modestie profetike!
Botimi i tretë “A thua, Vegim?!”, që pa dritën e botimit vetëm dhjetë ditë para se të na linte lamtumirën, është botuar në formën e një ditari në vargje. Të gjitha janë poezi të shkruara në gjendje tepër të rëndë shëndetësore e vuajtjesh shpirtërore. Janë krijimet e tij të vitit të fundit të jetës, që ngjajnë si një epilog heroik që rrefuzon me krenari vdekjen duke mbetur gjithnjë etalon matës i pulsit të jetës njerëzore. Në këto poezi, kemi të derdhur plotësisht thellësinë e botës së tij krijuese dhe ndërkohë më së miri shpaloset arti i tij i madh e talenti i rrallë.

Poeti Dedë SHKURTI

Te poezia e Dedë Shkurtit, shoh agun e afërt të misionit hyjnor dhe universal të krijimit artistik që përcillet si mesazh te qeniet e vetëdijshme sot. Sipas tij, puna e poetit është punë Sizifi sepse:
“…Robtoheni mbi poezi ta sfidoni këtë kohë banale,
Por ju kanë mbirë metaforat mbi një det me fekale.”
Krijimtaria e Dedë Shkurtit është poezia e trazimeve shpirtërore të njeriut, e ritmit të ecjes dhe e ndryshimeve të vrullshme dinamike të përditshme të shoqërisë njerëzore në të gjitha rrafshet. Çdo krijim ngjan me një shpërthim që sjell ndryshim esencial, prandaj kjo poezi e kjo fjalë artistike, trondit si një tërmet dymbëdhjetë ballësh psikologjinë dhe të gjithë konstitucionin shpirtëror të njeriut të epokës sonë. Në fakt ky është misioni i krijimit të njëmendët. Mirëpo për të tronditë shpirtërat njerëzorë, është e domosdoshme llava e nxehtë e fjalëve shqipe:
Nuk guxova më të imitoj Nekrasov e Pushkin,
Ka të mëdhenj të tjerë mbi këtë dhê.
U ngula mbi poetët me namë të vendit tim,
Migjen, Fan Nol, Dritëro, Kadare.

(Dështime dhe triumf)
Ky parim krijues, ka përcaktuar identitetin dhe origjinalitetin e poetit Dedë Shkurti prej botimit të vëllimit të parë e deri në fund. Ka formuar identitetin e tij se autori kapet nga rrënja, meqë sipas parimeve të veta, të rrënja gjendet tematika e larmishme, janë idetë, por edhe ëndërrat, emocionet, vizionet, teknikat dalluese që kanë emrin dhe vulën e vet. Ka krijuar origjinalitetin se autori, duke arritur të ngrejë lart dinjitetin krijues dhe personalitet dallues me veçansitë të mos mundet ta imitojë askush. Nisur nga ky vlerësim, Dedë Shkurti, nuk ngjason me asnjë krijues tjetër as para, por besoj as pas tij.
Poezi që vlon, digjet, dashuron, sakrifikohet, proteston, urren, ledhaton, evokon, fton kujtesën. Ka të futur brenda te fjala, vargu e strofa, noestalgjinë për fëmijërinë, pengun e jetës, limontinë, xhelozinë, palimpsestin…kjo është poezia e tij. Herë e hareshme, herë e mërroltë, herë e zymtë e herë e roztë, herë plot dritë dhe e gëzueshme; si vetë jeta e njeriut, jeta e tij, plot tallaze e fortuna, por edhe çaste gëzimi e drite shpirti.
Në poezitë e tij ndjehet fryma e njeriut dhe shoqërisë ku jeton, rrahja e zemrës së tij që ecë me ritmin e shoqërisë, klithma njerëzore dhe shpërthim proteste të guximshme dhe të sinqertë.
Krijime të tilla, në këtë gjendje e stad të zhvillimit njerëzor, por edhe specifik, janë përgjithësim i energjive njerëzore, e bëjnë këtë lloj poezie universale…Prandaj poeti i përgjegjshëm nënvizon: “Gjurmën nuk ta ruan asnjë rrugë edhe po ta lësh mbi gur. Kujdes me të shkruarit, është gjurmë që të mbetet i pafshirë në përjetësi dhe pasardhësit nderohen ose turpërohen me të.”
Poeti është delikat dhe i ndjeshëm si vetë koha, si stinët e vitit, ku pasqyrohen kontrastet e forta përmes fjalës si instrument komunikimi artistik, pasi kjo është lënda e parë e poetit që ndërton kështjellën poetike.
Rrallëkush deri tash, në krijimin shqip, ka gjetur mjetet për ta paraqitur kaq mjeshtërisht kompleksitetin njerëzor, e për më tepër, kontrastin jetësor, si poeti Dedë Shkurti. Ai me lehtësi të pabesueshme kalon me finese mjeshtri, prej fjalës hijerëndë të natyrës së eposit të kreshnikëve e Lahutës së Malcisë, te fjala e butë dhe e kadiftë mbushur plot dritë dashurie:
“…Ballëngrysur, gunën zhveshur, pushkëlëshuar, Luftëtar,
Prapa shpine pas të ndjek si manar një re e bardhë.
Shtangin gurët si gjinj shterpash në Moravë. Ç’të ka ngjarë?

(Zhgënjimi i luftëtarit)
Çfarë vargu i ngjeshur e çfarë ritmi i brendshëm plot tension e nerv krijimi!
Troku poetik të kujton Nolin e madh te “Marrshi i Barabajit”. Nga kjo majë artistike, kalon te vargjet e buta plot ndjenjë e dritë dashurie. Vështirë të besohet se është e njëjta mendje prodhuese dhe e njëjta dorë krijuese. Fjalë krejt tjetër, varg krejt i ri, teknikë e hapësirë vargu krejt tjetërlloj…
Vetëm një mjeshtër i madh i fjalës shqipe dhe një talent, arrin ta bëjë këtë ndryshim esencial artistik! Ja si këndon përjetimit të puthjes së parë:
“…Ajo mbrëmje s’u bë natë për të dy,
U bë flakadan drite në pasqyrë.
Nuk qenë më dy por ishin katër sy,
Në njëra-tjetrën katër buzë në fytyrë.”

(Përjetim i puthjes së parë)
Te Dedë Shkurti, humanisti dhe krijuesi, janë shkrirë në një, duke synuar arritjen e virtytin njerëzor e dashurinë universale në këtë jetë. Vetëm pesë muaj para se të kalonte në amshim i drejtohet njeriut si qenie, duke e përmbledhur sintetikisht në këto fjalë:
“O njeri,
Në jetën e shkurtër, tokësore, je i dënuar të takosh, kërkosh dhe të strehosh në qenjen tënde dy të kundërta: vesin dhe virtytin.
Përfytyro një pemë me fruta: veset të vijnë vetë edhe kur fle në hije të saj, për të gjetur virtytin duhet të kërkosh me kujdes gjithë kurorën.
Vesi të vjen me ndërrimin e disa hapave, virtytin mund ta gjesh me një cikël vrapimesh maratonë.
Është në dorën tënde të zgjedhësh.”
Sepse poeti e di se në traun e ekuilibrit, sot në botë, janë edhe vesi edhe virtyti njerëzor. I vetëdijshëm për këtë, ai ka drojën se do të jetë fitues vesi, egërsia dhe errësira njerëzore, sepse sipas tijë sot “është kohë trazire” në të gjithë botën, sidomos në mjedisin social ku jeton dhe shkruan:
…-“Kohë përgjysmë s’vjen, kanë ditë, vite”-
thotë Kryepenëtari që koha Zot e njeh
Plugaxhinj, furkesha! Anonimë mjeranë
në këtë kohë tranzite,
Nga plehrat keni ardhur, do të shkoni prapë në pleh!

(Kohë e pakohë)
Pothuajse në të gjitha rastet, poetin e thirr vetë poezia dhe në asnjë rast nuk poezia nuk thirret prej poetit. Edhe kur i ka ndodhur ndonjëherë, që poezia i ka “vdekur në dorë”, i është shndërruar në në “kakërdhi” siç thotë edhe vetë në një poezi. Shpesh autori është i detyruar të shkruajë poezinë e tij nën “egërsinë e Unit”, pra nën impulse instikti që herë-herë e drejtojnë poetin nëpër rrugë qorre të metempsikozës njerëzore ku e thirr tundimi, “sqima e burrit” që rri në folenë ku fle “e egra”.
Të shijojmë një poezi të këtij lloji nga me të arrirat artistikisht në të gjithë krijimtarinë e poetit:
“… Instinkti më pushtoi si felinët në zebra
Mos u çudisni,
edhe në sqimën e burrit ka folenë e egra.
Djalërisht
dhëmbin e qenit ia ngula fort, pa mëshirë.
Një dhimje t’i shkaktoja, një hemoragji.
Si pelte i zbut ajo buzë e shfyrë.
Ma shpagoi tundimin,
përpara meje e kish puthur më parë një bisturi.”
(Shpagim i merituar i tundimit)
Poezia e Dedë Shkurtit është poezi e guximit, prandaj në shumë raste është e vrullshme. Ai nuk ndjehet i qetë, po nuk pati krijimi përveç fjalës së madhe poetike edhe protestën brenda, gulfimin shpirtëror human që shoqërohet me një patetizëm artistik. Dhe trishtohet prej megallomanizmit të politikës shqiptare, inflacionit të fjalëve boshe në sallat “rakitike” me të cilat ndërtojnë demagogjinë e tyre të padurueshme dhe mungesën e frytit të punës. Midis dëshpërimit dhe humbjes së besimit, nuk e duron mjedisin social dhe shprehet me trishtim:
“…Këtu s’bulon më djersë prej pune,
Ku shterron fjala, mirësi.
Këtu tribunash rrjedh lëng turme,
njëzet Halimë në Qeveri.”

(Në këtë mjedis)
Dhe bie në pesimizëm për një çast kur shprehet se:
“…nga të tredhurit s’vjen asnjëherë ndryshimi!
prej shterpave s’vjen kurrë rilindja!…”
(Pa titull)
Por ashtu si jeta njerëzore e cila ka baticat e zbaticat e saj, në të njëjtat kushte është edhe vetë krijuesi. Në mesin e kësaj zallamahie e humbje orjentimi, poeti në krijimet e tij nuk harron të shohë dritën në tunel dhe mbahet fort pas shpresës, si burim drite dhe protestës si mjet për thirrjen e saj, si shpëtim kundrejt falsitetit të gjasme liderëve dhe shkruan:
“…Megjithatë do protestoj i vetëm, në heshtje, pa zhurmë,
Me mua qindra miq janë, protestojnë e më bëjnë nder.
Refuzoj me përbuzje t’ju bëhem pjesë në turmë,
Në mjedisin tuaj s’më ka joshur as qenia Lider.

(Turmë e lider)
Pasi kaloi 154 ditë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore siç ishte në spital, por edhe po kaq ditë të tjera shprese ringritjeje fizike, drita e optimizmit mbeti brenda tij si një margaritar tepër i çmuar. Shpirti i tij shkoi në përjetësi, duke e menduar vdekjen si akt biologjik i zakonshëm pa iu ndalë turri e pa iu trembur asnjëherë syri, por edhe pa e besuar asnjë çast atë. Dedë Shkurti, përveçse një prej poetëve më të mirë të kohës, mbeti gjithnjë me plot kuptimin e fjalës një burrë i lartë Mirdite:
“Unë nuk i shes mend sëmundjes sime,
Të pashpresëve të vetmuar mend s’u shes.
Jam ushtar roje i vetes në aventura e tundime,
Kam testament, në moshën e nënës do të vdes.”

(Nuk i shes mend sëmundjes sime)
Mirëpo shtriga vdekje s’ndalet as prej flakës e as prej shigjetës. Ajo vjen e të merr, ashtu sikurse merr të gjithë njerëzit në këtë botë. Kështu erdhi dhe e mori këtë poet të vyer e njeri me shpirt të madh.
Ai na la shumë, por edhe më shumë i mori me vete, se vdekja qe e parakohshme, në kohën kur ishte në kulmin e vet krijues. Na la tre vëllime poetike mbushur me perla antologjike. Më shumë se tre vëllime të tjerë poetikë e po kaq në prozë, janë në dorëshkrim të pabotuara ende. Dhjetëra vëllime të tjera na i mori me vete për t’i ndry përgjithmonë në shtëpinë që i dha zoti.
Ndjehem thellësisht i trishtuar për faktin mendja e tij nuk mendon e prodhon më, se zemra e tij nuk rreh me pulsin e shoqërisë së vet, se dora e tij e talentuar nuk do të hedhë më mbi letrën e bardhë fjalën e madhe shqipe…
Sot shoqëria jonë është në krizë. Në krizë është edhe arti. Jam i sigurt se kumbimi i fjalës së tij do të jetë i përjetshëm, sepse Dedë Shkurti qe dhe mbetet poet me autoritet fjale dhe mendimi që kapërcen epokat.
Me krijimtarinë e tij Dedë Shkurti ka fituar mandatin e përjetshëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura