ARSIM SPAHIU: NË PËRGJIGJE TË KRITIKËS SË MUZAFER KORKUTIT

Tiranë, 5. 9. 2016: Mora vesh se në ‘Gazeta Shqiptare’ ose ‘Ballkanweb’ qenka botuar një shkrim kritik i Muzafer Korkutit, ku qenka përfshirë dhe emri im. Korkuti është drejtues i Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë. Me kërshëri e kërkova dhe e lexova shkrimin “Gabime trashanike në botimet historike, mjaft diletantizmit”.
Përmbajtja e tij ishte e papritur për mua; e çuditshme, por vërtetë…!
Emri im mes disa autorësh të tjerë ishte kritikuar kolektivisht! Sinqerisht, nuk prisja që Muzafer Korkuti të bënte diçka të tillë.
Për librat e mi Korkuti më pati përsëritur disa herë: “…Nuk kuptoj asgjë nga ato që shkruan, jam si i verbri në shkretëtirë që dëgjoj një zë të pakuptueshëm!” S’e besoja, por me sa duket kjo paska qenë plotësisht e vërtetë.
Megjithëkëtë, përsëri është e pashpjegueshme: Si mund të kritikosh, apo qoftë edhe të flasësh për diçka, nga e cila nuk kupton asgjë?! Unë, jo vetëm nuk do e bëja kurrë, por as nuk do e çoja nëpër mend një gjë të tillë. Mirëpo unë nuk jam M. Korkuti.
Korkuti me një përpjekje me sa duket “titanike” ka mbledhur në një dorë 15 autorë, më shumë se 20 libra dhe mbi 6000 faqe (siç thotë ai), që kanë të përbashkët temën pellazgjike, apo iliro-pellazgjike. Në një shkrim prej më pak se 5 faqesh, apo 2200 fjalësh, nga të cilat më shumë se gjysma janë të shkëputura pikërisht nga librat që kritikohen e kundërshtohen, M. Korkuti rreket t’i zhbëjë këta libra dhe autorët. Nuk e di përse pikërisht tani m’u kujtuan disa vargje të ?ajupit, të cilat edhe pse nuk kanë lidhje me çështjen, meqë erdhën pikërisht tani, unë po i paraqes.
“Pse s’u bë nga perëndia, me një kokë njerëzia,
që ta pres menjëherë, të mos mbeteshin të tjerë!
(Vjersha-satirë “Sulltani”).
Sidoqoftë unë nuk kam as njohuritë e mjaftueshme (nuk i kam lexuar) dhe as autorizimin për të mbrojtur punimet e autorëve të tjerë, kështu që do të paraqes qëndrimin tim shkencor, në lidhje me kritikat e M. Korkutit ndaj veprave të mia.

Së pari, në “Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër”, 2006, f. 399, i paskam dhënë shkas Muzafer Korkutit të më kritikojë për gabime, pasaktësi dhe mangësi. Ky libër përbën tezën e doktoratës, që e kam mbrojtur në Ecole Normale Supérieure, Paris, para një jurie franceze të përbërë nga katër profesorë francezë, të kërkuar në Paris e më gjerë dhe Prof. Neritan Ceka.
Të kisha qenë vendas atje, do të isha para pesë profesorëve francezë, por si i huaj kisha të drejtë të kërkoja një profesor nga vendi im, dhe propozimin e J.-L. Lamboley për Neritan Cekën e pranova, sigurisht.
Në këtë mënyrë mora gradën e Doktorit në histori. Mirëpo z. Korkuti nuk është dakord. Ai kritikon pikërisht këtë vepër. Nuk thonë kot: “I zoti e shet, tellalli s’e jep”.
Mos do më duhet të kthej mbrapsht “doktoraturën”, bashkë me titullin?! A do të mjaftojë emri i Korkutit dhe shkrimi i tij me më pak se 5 faqe për të bindur profesorët francezë e shqiptarë se e kanë pasur gabim kur më kanë laureuar “Doktor i Shkencave”?!
Historianët pranojnë se në Greqi, Epir, Maqedoni e më gjerë ka pasur pellazgë, që disa historianë i quajnë ilirë. Pjesërisht këtë e ka pranuar dikur dhe vetë Muzafer Korkuti: emri i tij figuron krahas historianëve tanë të parë në studimin “Ilirët”, 1960, që gjendet i përkthyer në frëngjisht, në Bibliotekën Kombëtare François Mitterrand. Mirëpo bashkautori në fjalë i ka harruar ose është bërë pishman. Nejse.
Si mbaruam punë, Prof. Jean-Luc Lamboley, ish-drejtori i dytë i tezës sime, më thotë se librin nuk mund ta botoja në Paris, sepse kushtonte shumë shtrenjtë. Shtrenjtë kushton vërtet në Paris, sepse pas nja dy-tri vitesh, i shtytur nga një historian gjerman e çova dispensën në shtëpinë botuese që, pas nja dy javësh më njofton se libri u duket shumë i përshtatshëm për ta botuar, por kërkojnë 5500 euro. Kuptohet e lashë me kaq. Ndërkohë vajza ime, Alketa Spahiu, doktore e Universitetit të Sorbonës në letërsinë moderne, iu përvesh punës për ta shqipëruar dhe botuar në “Mësonjëtoren” e Tiranës, që të kritikohet në këtë mënyrë. Por ka edhe më.
Për këto ‘paudhësitë’ e mia Muzafer Korkuti jep referencë faqen 399 të këtij libri, që në të vërtetë është vetëm faqja e fundit e bibliografisë, pas së cilës vjen kapaku i librit. Bëra çudi.
Libri i dytë i kritikuar është “Orakulli i Dodonës dhe epirotët” (2008, f. 224). Edhe në këtë rast, si në librin e parë, referenca që jep Muzafer Korkuti përbën faqen e fundit të bibliografisë! U shastisa me gjithë mend.
Në “Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe Epirit” (2009, f. 242), faqet e librit, duke përfshirë dhe bibliografinë, nuk mjaftojnë për referencën e faqes së shënuar nga kritika. Duhej të kisha shkruar dhe faqe të tjera që të kishte vend për referencën e kritikës. ‘Këqyr ça tha njaj Hyso Radoica’.
“Gjuha e epirotëve të vjetër” (2010, f. 223), me gjithë referencën e dhënë nga kritika, përbën librin e katërt. Në këtë rast faqja e referuar përmban faqen e parë të bibliografisë. Me sa duket, autori u hedh një sy për herë të parë atyre autorëve të panjohur krejtësisht dhe tërësisht.
Në librin e pestë “Shteti i epirotëve” (2011, f. 247), autori i kritikës na nxjerr jashtë librit. Këtë libër e ka lexuar bytevi, sepse e ka promovuar vetë Muzafer Korkuti dhe nuk më ka bërë ndonjë vërejtje, madje është shprehur i kënaqur nga punimi im. Vazhdojmë më tej.
“Maqedonia e vjetër dhe arkeologji e tyre”, 215. Edhe për këtë libër e njëjta gjë. Gjithë këto pasaktësi për librat e mi më bëjnë të mendoj: A i ka lexuar?
Përveç këtyre që thamë, Myzafer Korkuti u kthehet përsëri librave të mi. Sidomos tezës së doktoratës, më voluminoze sigurisht, si punë e tri viteve, s’i ndahet dhe na këshillon për metodologji e ku ta di unë.
Gjithnjë duke pasur parasysh vetëm punimet e mia, sidomos tezën e doktoratës, më të kritikuarën, po i kujtoj Muzafer Korkutit dhe po sqaroj lexuesit e kolegët, se për hartimin e atij teksti jam mbështetur mbi bazën e mitologjisë, teksteve historike, të dhënave arkeologjike dhe gjuhësore, nga autorë të kontrolluar prej profesorëve të mi, duke u mbështetur përherë në metodat e krahasimit e të rindërtimit. Sa u përket organizimit të ideve dhe planit të punimit, nuk më është bërë ndonjë vërejtje.
Vitet universitare dhe pasuniversitare në Francë, para mbrojtjes së tezës më kanë mjaftuar për të nxënë ato që duheshin për tezën. Vërejtje më janë bërë sidomos në terminologji; sidomos termat si racë, racizëm, nacionalizëm etj., m’i kanë shojtur profesorët, që s’kanë munguar asnjëherë të më bëjnë vërejtjet e tyre. Kam shënuar 1405 referenca, për të cilat profesorët nuk më kanë bërë vërejtje.
Zoti Korkuti më ka kritikuar pse në librin tim është shënuar se fjala aspet do të thotë i shpejtë. Korkuti e paraqet këtë si sajesë timen. Në të vërtetë unë i jam referuar jo një, por disa autorëve me peshë për këtë përcaktim. Unë nuk do t’ia lejoja vetes, siç nuk ia kam lejuar, as sajesën dhe as plagjiaturën. Njëkohësisht mua, ashtu si edhe për çdo aspirant tjetër, nuk do të më lejonte asnjë profesor, në Francë, të jepja përcaktime e përfundime, pa shënuar referencën përkatëse ose pa argumentuar këtë përcaktim ose përfundim.
E çuditshme se si Myzafer Korkutit i ka shpëtuar, ose e ka nënvleftësuar, ose e ka harruar, ose ku di unë e ku ta di unë, pse nuk i ka lexuar referencat, n.q.se nuk i ka lexuar…
Po të ishte ndërtuar teza ime ashtu si thotë Muzafer Korkuti, unë nuk do të isha bërë kurrë Doktor për Historinë e Lashtë. Në Francë nuk ta lejojnë pasaktësinë, sajesën apo plagjiaturën, aq më tepër gënjeshtrën. Profesorët atje i falen dhe i besojnë rigorozitetit dhe së vërtetës shkencore. Ata nuk bëjnë kompromis me të pavërtetat, siç edhe nuk hedhin kurrë baltë e llome mbi punën e kolegëve apo të studentëve. Unë kam qenë me fat që pata mundësinë të punoj e studioj nën drejtimin e tyre.
Që ta marrë vesh Muzafer Korkuti, kam qenë i detyruar nga profesorët e mi francezë të mbaj një qëndrim shkencor në rreptësinë e kontrollit të burimeve dokumentare. Prandaj jam përpjekur të bëj një punë pa ndjekur metodologjinë materialiste, që mëton (pretendon) të depërtojë në lidhjet e brendshme të cilat përcaktojnë dukuritë historike; jam përpjekur të punoj si në Perëndim, duke ndjekur mësimet e historisë labrusiane, ose brodeliane, fr. braudelienne.
I bindur se zbatimi i pluridisiplinaritetit është mënyra më e mirë për të mbrojtur shkencërisht një çështje historike, kam vënë në dukje parapëlqimin (preferencën) tim për kërkimet në fusha të ndryshme. Në punimin tim hyjnë në punë, e përsëris, mitologjia, tradita letrare, arkeologjia dhe gjuhësia. Rrjedha e punimit tim përshtatet sipas subjektit të tezës dhe lëndës së mbledhur. Unë kam qenë përherë në një mendje me të dy drejtorët francezë të tezës sime mbi orientimin e përgjithshëm të tezës, fushat e zbatimit të tyre, metodat, planin dhe etapat e punës sime. Rrjedha e tekstit është modifikuar pak në funksion të metodave, sidomos në funksion të pikave limitrofe… Duke u nisur nga të dhëna të mitologjisë, që kam shprehur në tekst, juria e tezës pranon, sigurisht se pellazgët dhe ilirët luajnë rol të rëndësishëm në Greqinë e vjetër, në Epir dhe në Maqedoni etj. Këta dy popuj janë aq të afërt mes tyre, sa nganjëherë nuk mund të bëhet dallim mes tyre.
Fraza e fundit e paragrafit të fundit përbën periudhën time të parë të formimit tim të bindjes se pellazgët janë paragrekë dhe se ilirët janë pasardhësit e tyre. Pas disa vitesh, gjithnjë duke nxënë njohuri të reja për këta popuj, pellazgët dhe ilirët për mua kaluan në periudhën pellazgët dhe/ose ilirët, ndërsa në vitet e fundit në raportin barazues pellazgët ose ilirët, gjithnjë duke pasur parasysh vetëm pellazgët në Greqi, në Epir, në Maqedoninë Perëndimore e në vendet përreth.
Korkuti shumicën e kritikave të tij ndaj “pellazgjistëve” i ka bërë në lëmin gjuhësor. Unë dija që është arkeolog, dhe ndoshta historian. Pashë CV-në e tij. Ashtu vërtet. Përfunduar institutin 3-vjeçar të historisë në Tiranë në vitin 1962. Që atëherë ka punuar vetëm arkeolog. Pashë botimet. Asnjë që lidhet me gjuhësinë?! E çuditshme se si bëhet tjetri gjuhëtar në moshën 80 vjeç, pa u marrë asnjëherë me atë profesion.
U mundova të gjej se çfarë gjuhësh të vjetra apo qoftë edhe të reja njeh Korkuti, e në këtë mënyrë të kuptoja se cilët autorë ka studiuar. Mirëpo në CV-në e tij s’kishte asgjë për këtë fushë, ashtu siç nuk kishte se kur, me çfarë teme dhe përpara kujt e ka mbrojtur doktoraturën ky “shkencëtar i madh”.
Sidoqoftë, nga ajo CV rizbulova se ne shqiptarët bëjmë të pamundurën, atë që nuk ndodh në asnjë vend apo komb tjetër: pa bërë asgjë, kërcejmë nga dyert e Fakultetit të Historisë, në profesor universiteti dhe që aty, në nënkryetar e kryetar të Akademisë, dhe pastaj nuk e kanë problem të gjykojnë e madje t’i bëjnë tezat e mbrojtura në Paris me gabime trashanike e kështu me radhë.
Tani po arrij të kuptoj se ku paska ngecur puna ime në Tiranë. Nuk arrij të kuptoj çfarë lidhjeje ka hipokrizia me shkencën. E çuditshme… Kryetari i Akademisë së Shkencave…
Kur e takova për herë të parë në kafenë e Akademisë (asokohe kisha botuar vetëm katër nga punimet e mia), më thotë e ma përsërit: “Vetëm ju po punoni, ne këtu jemi kot”. Ai atëherë ishte nënkryetar, mirëpo tani që është kryetar, di më shumë, sigurisht. Në rast nevoje ai mund ta lëshojë me ferman që të mos lexohen autorët e vjetër grekë dhe të harrohen pellazgët.
Kulmi i fundit të sh. XX, me gjuhën e pellazgëve merret Françoise Bader, profesore e njohur në Paris që thellohet përherë e më shumë në pellazgjisht, ndërsa M. Sakellariou, akademik grek, vazhdon studimin e gjuhës dhe arkeologjisë së pellazgëve, kurse në Tiranë, kryetari i Akademisë shqiptare thotë prerë nuk ka pasur pellazgë!
Po ky Kryetar i Akademisë, pak a shumë të njëjtën gjë ka deklaruar këtu e nja dhjetë vite të shkuara në kafe ‘Tajvan’, para tre vetave: “Maqedonasit e vjetër janë grekë”. Mirëpo ata na paskëshin qenë pellazgë ose ilirë.
Fqinjët tanë me qëllim të qartë politik kanë nxjerrë në dritë një libër me titull “4000 vjet kulturë helene në Epir”. Bëhet fjalë për të njëjtin territor e për të njëjtën kohë, historisë së vërtetë të së cilës i kam kushtuar gjithë jetën time, që kam pasur në dispozicion.
Akademia e Shkencave, ku Korkuti është kryetar, do të duhej të kishte organizuar, mbështetur, financuar e përkrahur studimin e planifikuar të historisë së hershme e të lashtë të trojeve pellazgo-ilire.
Mirëpo Korkuti nuk do, nuk do që të trazohen ujërat e të shpërthejnë të vërtetat.
Ai është gati të bëjë gjithçka, edhe artikuj si ky i para pak ditëve me titull “Gabime trashanike në botimet historike, mjaft diletantizmit”, i cili nuk plotëson asnjë kriter shkencor, mjafton që punimet e tij, që përsëriten e ripërsëriten që nga mesi i viteve ’70-’80, të vazhdojnë t’i rrinë si kapak apo si maskë, historisë së vërtetë mijëravjeçare pellazgo/ilire.
Ndoshta nuk duhej të isha marrë fare me M. Korkutin, mirëpo duke paraqitur të pavërteta ai po më pengon seriozisht. Mendojeni vetë: e ndërpreva punën time të përditshme mbi maqedonasit e vjetër dhe humba katër ditë, për dy artikujt e fundit.
Kujt i shërbejmë ne kështu?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura