SADRI RAMABAJA: VETËVENDOSJE – SI BLLOK I RI POLITIK

 Prishtinë, 7 maj 2012 – Me paraqitjen e saj në skenën politike VV ka shpërfaqur qartë pretendimin për të qenë zëri i vullnetit politik dhe gjakimeve të asaj shtrese që është e përkushtuar për ndryshim dhe progres. Ajo gradualisht shihet, jo thjeshtë si një parti politike, por si një bllok i ri politik. Shih për këtë, zërat që paragjykonin se kjo forcë politike do t`i ngjajë vesës së mëngjesit, ndjehen tashmë të zhgënjyer dhe të friksuar.
     Pavarësisht pozicioneve që zunë forcat politike në zgjedhjet për kryetar të Ferizajit, burbuja për fitore relativisht të qartë nga PDK dhe pozicionimi i LDK në vendin e dytë, duke e lënë VV në pozicionin e tretë, megjithatë nuk pati shijen e fitores. Më të zhgënjyerit duket të jenë ata që po pretendonin të jenë më tej zot të kësaj skene, PDK, LDK dhe AAK-ja. Kreatorët e këtij roleti politik tashmë nuk ndjehen të qetë, madje trishtimi i tyre lexohet nga larg.
     Në këtë trishtim të pafshehur dot, nuk është e rastësishme që më të zëshmit kundër VV na prezentohen PDK dhe AAK. Ndërkaq LDK, jo pse ka farë afrish programore apo farë projektesh bizare për ta përfshirë VV në farë koalicioni të mundshëm, siç turtullisin të ashtuquajturit analistë të oborreve partiake, por ngaqë kreu i saj paragjykon me logjikën e viteve `70-ta, kur ai filloi ngjitjen në jetën politike të Lidhjes Komuniste Jugosllave, nuk është as në gjendje të projektoj politika largvajtëse. Kjo logjikë atij ia ka ngushtuar dioptrin e të pamunit, duke e shnderruar ndoshta në miopin politik të tipit të Don Kishotit, që i mjafton ta ketë Sançon pranë dhe të mendoj se e ka „krejt Kosovën“. Ndërkaq duke gjykuar nga ky këndvështrim, ai vazhdon të rezonojë se edhe fëmijët e kësaj shtrese që përfituan nga ai pushtet që e ngriti atë në figurë politike, janë të sojit të Sanços, pavarësisht se ata tashmë gjuhë të dytë të komunikimit nuk e kanë serbishten, por anglishten dhe një pjesë e tyre po kthehen nga perëndimi si specialistë të fushave të ndryshme e me bindje politike krejtësisht tjera.

___________________

     Por çfarë leksioni paraqesin zgjedhjet e Ferizajit për VV? A ka nevojë ajo për rishikim se çfarë i duhet të koncipoj në politikat e saj në procesin e ristrukturimit dhe ngritjes, para se të shndërrohet në forcë të besueshme për elektoratin dhe partnere dinjitoze për faktorin ndërkombëtarë?
Model i mirë mund të ishte Konkresi i Punës i Partisë së Piratëve në Gjermani, i mbajtur para pak ditësh, në vigjilje të zgjedhjeve lokale në Republikën e Shlesvik-Hollshtajnit (6 maj) dhe Nordhajn-Vestfalenit (13 maj). Nga ky kongres kjo forcë e re politike gjermane dërgoi mesazhin më të qartë të mundshëm për spektrin politik gjerman, duke bërë të qartë se në të ardhmen e afërt kjo forcë politike do të luaj rol të fuqishëm në skenën politike gjermane. Në krye të degëve të kësaj partie, në zgjedhjet e brendshme që zhvilloi në frymën më demokratike të mundshme, erdhën personalitete të njohura, të vlerësuar nga rrethi profesional e të afërt me qytetarë. Kryetari i ri i sapozgjedhur vije nga administrata e lartë e Ministrisë së Mbrojtjes, njeri me kualifikime të larta akademike, personalitet që reflekton simpati edhe përtej radhëve të partisë, personalitet politik me kuadraturë për t` u shnderruar në lider dhe burrështeti.
     Por nëse Pirratët gjerman e kanë bërë fare të qartë se janë parti e progresit, ata nuk kanë toleruar në asnjë mënyrë që në radhët e saj të infiltrohen simpatizantë të nazizmit. Ndërkaq duke ngushtuar terrenin e fërkimeve të brendshme për çështje jo parimore, ata sinjalizuan pjekuri politike për të përballuar egocentrizmin si element gangrenizues dhe jua bën me dije kundërshtarëve se kanë të bëjnë me një forcë politike të aftë për ndryshim dhe progres real. Diçka ngjashëm do të ishte e pritshme të reflektoj edhe VV.
VV në fakt ka ditur të veproj mirë me të ashtuquajturit ekstremistë të të gjitha ngjyrave, duke mos lejuar që të bëhet strehë e tyre, por jo gjithmonë në debatet publike ua ka treguar vendin që meritojnë. Rasti i veçant ishte i ashtuquajturi debat për mbulesën e vajzave tona në shkolla publike. Në skenën tonë politike, tashmë të përfaqësuar edhe në Parlament, ne kemi „nazistët“ tanë, që na shpërfaqen të shpërfytyruar nga identiteti kombëtar dhe lehtë të manipulueshëm nga ekstremistët islamik të të gjitha ngjyrave. Kjo kategori, në një të ardhme të afërt, mund të jetë spektri më i rrezikshëm i përspektivës evropiane të Republikës sonë. Si do të sillemi me këtë kategori?
     Takimet me qytetarë në komunën e Ferizajit gjatë fushatës afatshkurtër, por edhe gjatë punës së rregullt të kryesisë dhe deputetëve kudo në Kosovë, Vetëvendosjes ia kanë bërë të qartë se me cilat shtresa ajo duhet të punoj më shumë për të fituar besimin e tyre. Ndërkaq prezenca e përfaqësuesve të shtresës së mesme, ekspertëve të fushave të ndryshme etj., gjithësesi do ta rriste më shumë besimin në këtë forcë politike.
     Gjatë kësaj periudhe të shkurtër të jetës parlamentare, VV ka arritur të etablohet si forca më reale opozitare, duke u cilësuar si alternativa e vetme politike. Kjo është arsyeja pse ajo shikohet nga LDK dhe AAK me apati dhe dro. Rrita e VV për këto dy forca të ashtuquajtura opozitare d.t.th. zvoglim dhe ngushtim i terrenit të tyre, madje deri në pamundësi, për t`u ngritur ato sërish në forca të vetme qeverisëse. Ndërkaq duke veneruar me kujdesë dhe shqetësim njëkohësisht rritën e VV, por edhe shuarjen e AKR-së – satelit, që u ngrit dhe funksionoj si parti tërësisht klienteliste, PDK-ja që tashti ka filluar të shestoj strategjinë për të ashtuquajturin bllok të madh qeverisës, ku do të duhej të përfshiheshin pas saj tok, si LDK-ja, ashtu edhe AAK-ja, pavarësisht se për një pjesë të mirë të elektoratit një koalicion i tillë është tërësisht i pa dëshirueshëm.
     Në këto rrethana VV i mbetet të përqëndrohet në ndërtimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, pa cenuar programin e saj dhe objektivat politike. Ajo do të duhej të hartonte strategjinë që do ta shndërronte në Bllok politik më vete, pjesë e së cilës do të ishte intelegjencia e re dhe shoqëria civile. Ndërkaq mërgata jonë në këtë kuadër do të mund të launte rolin që luajti emigracioni ynë politik i tri dekadave të fundit të shek. XX-të në ngritjen e UÇK-së. Meqë PDK dhe aleatet e saj në një të ardhme të afërt – LDK e AAK, do ta bëjnë çështje të kryer shitjen e aseteve kryesore të Republikës (KEK-un, Postën, Trepçën…), duke e shndërruar qytetarin tonë në çiraxhi në shtëpi të vet, Vetëvendosja duhet t`i rikthehet asetit rezervë – emigracionit tonë të ri në Evropë. Model për një veprim paralel organizativ me thekse strategjike afatgjata, do të mund të shërbente emigracioni hebre. Ndërkaq krijimi i rrjeteve të aseteve ekonomike disponuese (në emigracion) dhe kooperimi me forcat politike progresive vendëse, do të mund të krijonte predispozitat për çlirimin e Republikës nga vargonjtë e përfaqësuesve të korporatave të huaja dhe mafias vendëse, që ka shenja të qarta se mund ta shnderrojnë Republikën në peng kolateral afatgjatë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura