ARTUR ZHEJI: NË KËRKIM TË KODIT MORAL

Tiranë, 22. 07. 2015 – Ne që duam s’duam, kemi jetuar vite të gjata në atë periudhë kur flitej gjerë e gjatë për një moral të lartë, për traktoristin pararojë që punonte në vitin 1980, për llogari të vitit 2020. Flitej për Ndërgjegjen, si pjesa e Epërme dhe më e ndritura e mendjes njerëzore dhe e evolucionit të zhvillimit shoqëror. Flitej për Fjalën e dhënë, Partisë apo Popullit, si për një Marrëveshje të Shenjtë, një marrëveshje pra, që po të shkelej, shkelësi “ndëshkohej” me vdekje, apo si dhe thuhej ndryshe: merrte dënimin e merituar!
Përtej kësaj retorike, që shtirej sikur ishte themeluar një aristokraci vlerash njerëzore dhe shoqërore, të pakrahasueshme me botën e “degjeneruar” oksidentale, fshihej Antinjeriu dhe Antishteti që shtirej si një shtet i shumicës, por në të vërtetë ishte vetëm dhunë dhe hipokrizi vrastare.
Mbas Rënies së Madhe, të Gënjeshtrës së Madhe komuniste, ashtu sikur dhe ndodh mbas një tërmeti rrënues, u krijua fillimisht një humnerë boshllëku, e cila u mbush më pas me një pyll të madh gënjeshtrash të vogla dhe individuale.
E pra, Gënjeshtra e Madhe u zëvendësua me pyllin e gënjeshtrave të vogla, që nuk premtonin parajsën globale që do të ndërtonte rrejshëm Partia dhe Shteti, por që vidhnin njësoj, rast pas rasti, Parajsën që nuk erdhi dhe që po vonon pambarimisht. Kapitalizmi i formës tregtare, mbas rënies së iluzionit famëkeq të piramidave më ’97, që blen me 5 dhe shet me 7, u bë forma dominuese e shoqërisë së vjetër që rikthehej mbas rënies së Gënjeshtrës së Re komuniste. Nga bananet e rrugës, te pllakat sanitare, tualetet “kaurçe”, aparatet me ngjyra Tv, e deri sot, në kohën e koncesioneve qindra milion euroshe.

Koncesione disi shpesh të dyshimta dhe shoqëruar me një konstelacion fabrikëzash që prodhojnë për konsumin e gjerë miell, djathë apo birra, por që rrëfejnë se kapitalizmi tregtar i rrugëve me pluhur, është sot, një realitet i ri.
Një realitet që mbështetet gjithsesi, në respektin kontraktual, me Bankat dhe me partnerët që i huazojnë njëri-tjetrit, me marrëveshje të qëndrueshme xhentëlmenësh, kalimin e çasteve apo ngërçeve të vështira të sipërmarrjeve të tyre.
Ky realitet në një zhvillim të hovshëm, sepse e hovshme është në thellësi të natyrës njerëzore dëshira e pakufishme për para, në të vërtetë për shumë më tepër para, se sa individi sipërmarrës dhe krejt familja e tyre në 7 breza, ka realisht nevojë. Dihet, është pikërisht kjo ambicie pakufi, që e shndërron sipërmarrësin dhe sipërmarrjen në një gjenerator energjie që i shkon, për absurd të pikënisjes, në favor zhvillimit të përgjithshëm shoqëror.
Dhe në këtë drejtim shoqëria shqiptare, me gjithë dështimet, falimentimet, gjobat, apo vrasjet e pamëshirshme me plumb pas koke, është padyshim në pjesën e vet më të zhvilluar.
Themelet e këtij zhvillimi qëndrojnë në një kod moral, që paraja, e mbiquajtur shumë shpesh më e pamoralshmja e shpikjeve njerëzore, ka vendosur gjithsesi në më të shumtën e dinastive më të reja të sipërmarrjes shqiptare.
Kontradikta që pllakos është një tjetër.
Pikërisht ata, pinjollët e sipërmarrjes politike shqiptare, që kërkojnë vota në emër të Moralit të qeverisjeve të tyre, kanë në një shumicë absurde, një dendësi të patolerueshme mercenarizmi në radhët e tyre.
Pa kod moral.
Shpesh shpërfillës ndaj respektit të një kontrate xhentëlmenësh.
Kontradiktë që duhet zgjidhur. Në vetëdije të faktit se jetëgjatësia në politikë mbështetet tek respekti i Fjalës së Dhënë. Edhe seleksioni shqiptar këtë e ka provuar.
Herët a vonë, Kodi Moral është dhe do të bëhet gjithmonë e më përcaktues. Në të mirë të atyre që e aplikojnë dhe të atyre që u besojnë.
Sepse Shqipja thotë: E vërteta zhytet, por nuk mbytet!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura