ASLLAN MUHARREMI: DY FJALË ME JUSUF GËRVALLËN (JANAR 2012)

Pashtriku, 18 janar 2021: Sa herë vije janari i natës së 17 janarit 1982 dhe sa herë përmendet emri i Jusuf Gërvallës, në kokën time më sillet kujtimi i një bisede, të shkurtër dhe të vetme në jetën time, që e kam bërë me Jusuf Gërvallen. Koha kur është bërë dhe rrethanat që e krijuan atë, janë edhe një dëshmi më shumë se përse u vra Jusuf Gërvalla së bashku me Bardhosh Gërvallen dhe Kadri Zekën nga dora kriminale dhe tinëzare e Beogradit.
Në gjysmën e parë të dhjetorit të vitit 1981, një nate me hënë, në shtëpinë time në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë, vije Sheremet Saraçi, i cili sapo i hapa derën dhe i urova mirëseardhje, më tha se me vete e kishte Xhafer Durmishin, të cilin e dija se ndodhej në Gjermani. Së bashku me Sheremet Saraçin u nisën në drejtim të vendit ku po na priste Xhafer Durmishi dhe pasi u përshëndetëm dhe përqafuam me njëri-tjetrin, të tre së bashku u nisëm në drejtim të shtëpisë së Sheremet Saraçit në fshatin Bivolak.
Në shtëpi të Sheremet Saraçit, nga Xhafer Durmishi u njoha për qëllimin e ardhjes së tij në Kosovë: ai më njoftoj se edhe para largimit të tij nga Kosova, verën që shkojë, kishte vepruar në kuadër të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ); se ai duke ditur se unë isha shok i krahut të Ramadan Pllanës, i cili ishte dënuar së bashku me Shefqet Jasharin dhe shumë shokë të tjerë, kishte biseduar me shokët e LNÇKVShJ-së që vepronin jashtë Kosove dhe ishin pajtuar që edhe unë dhe shokët e mijë t’i bashkoheshim Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi. Në çështjen e bashkëpunimit dhe bashkimit të shokëve të rrethit tim me LNÇKVShJ-së, Xhafer Durmishi, priste nga unë përgjigje.

Xhemajl Pllana, Ferki Morina dhe unë e përbënim një bërthamë të LNÇKVShJ-së, të rimëkëmbur pas burgosjes së Ramadan Pllanës dhe grupit të shokëve që u dënuan me të. Gjatë një takimi, ditën e nesërme, e njoftova Ferki Morinën për ardhjen e Xhafer Durmishit dhe i kërkova që ta kontaktonte Xhamajl Pllanën dhe që të tre së bashku ta mbanim një takim sa më shpejtë që të jetë e mundur. Dy-tre ditë më vonë jam takuar me Xhemajl Pllanën dhe Ferki Morinën dhe i kam njoftuar për qëllimin e ardhjes së Xhafer Durmishit dhe propozimin e tij. Gjatë takimit jemi pajtuar që ta pranonim propozimin e Xhafer Durmishit dhe që unë, si individë të kyçesha në Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, dhe që njëkohësisht të shërbeja si lidhje në mes krahut tonë dhe LNÇKVShJ-së.

Ato ditë isha shumë i lumtur sepse pas një kërkimi të gjatë, që nga vjeshta e vitit 1979, përpjekjet për t’i marrë lidhjet me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, e dhanë frytin e tyre, tani, në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani, nuk kishim nevojë të dërgonim shokë jashtë vendit për ta kërkuar Jusuf Gërvallën, sepse ishte Jusuf Gërvalla ai që na kishte gjetur dhe trokitur në derë.

Menjëherë pas takimit me Xhemajl Pllanën dhe Ferki Morinën e kam takuar Xhafer Durmishin dhe e kam njoftuar se e pranoja propozimin e tij me kënaqësi të madhe. Pas inkuadrimit tim në LNÇKVShJ-i, detyra e parë që m’u ngarkua nga Xhafer Durmishi dhe Sheremet Saraçi ishte: t’i telefonoja Jusuf Gërvallës dhe ta njoftoja se Skënderi (Xhafer Durmishi) kishte arritur në Kosovë. Xhafer Durmishi ma dha një numër telefoni dhe më tha se së bashku me Shokun e Lëvizjes jemi pajtuar që të prezantohesha si Aliu.

Menjëherë pas marrjes së numrit të telefonit dhe një teksti të shkurtër në gjuhën gjermane, i hyra punës për mësimin përmendësh të tekstit dhe numrit të telefonit. Të nesërmen i dija përmendësh të dyja. Shkova në Prishtinë dhe bëra një përpjekje për ta marrë në telefon Jusuf Gërvallën nga qendra e postës në lagjen Dardania. Ndonëse u përpoqa disa herë nuk arrita ta merrja lidhjen me Gjermani. Kështu bëra edhe disa përpjekje nëpër posta të ndryshme në Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë dhe Obiliq. Pas tre-katër ditësh përpjekjeje, arrita ta marrë gjermanin. Ia thash në gjermanisht atë që kisha për të thënë dhe ai ma ktheu me: Ein moment dhe pastaj mbretëroi një heshtje për disa minuta. Më në fund zëri i një burri u prezantua Alo Gërvalla! Unë e përshëndeta me Tungjatjeta! I thash se jam Aliu, se Skënderi është shëndoshë e mirë dhe ju bënë shumë të fala! Gërvalla më falënderoj shumë për telefonatën dhe biseda u ndërpre. Dola menjëherë nga kabina u drejtova tek sporteli i arkës dhe e bëra pagesën e bisedës dhe u ika nga posta. E dija se me kë kisha biseduar dhe po fluturoja nga gëzimi!

Sapo ra terri në tokë u nisa për Gllavotin në drejtim të shtëpisë së Sheremet Saraçit, ku e kishte folenë Xhafer Durmishi dhe ia dhashë lajmin e bisedës me Shokun. Xhafer Durmishi, i gëzuar për këtë lajm, na njoftoj Sheremetin dhe mua se duhet udhëtuar në Bled të Sllovenisë, sepse shokët e Lëvizjes, sipas marrëveshjes, do ta nisin “Zërin e Kosovës” dhe se ata duhet pritur në Stacionin Hekurudhor të Bledit. Xhafer Durmishi, Sheremet Saraçi dhe unë u pajtuam që Xhafer Durmishi dhe një Shok i tij (Bahtir Haradinaj) të udhëtonin në Bled për ta pritur dhe sjellë në Kosovë organin e LNÇKVShJ-së.

Pas tre-katër ditësh Xhafer Durmishi vije tek unë së bashku me Bahtir Haradinajnë. Xhafer Durmishi më njoftoj se ishte kthyer nga Bledi i Sllovenisë, fatkeqësisht, pa “Zërin e Kosovës”. Sipas të gjitha gjasave shokët e nisur me disa qindra ekzemplarë të “Zërit të Kosovës” nuk ishin paraqitur në vendin e takimit dhe diçka e keqe kishte ndodhur me ta. Shokët e Lëvizjes nga Gjermania, gjatë një bisede telefonike që Xhafer Durmishi kishte pasur me ta, i kishin thënë Xhaferit që ai duhej të largohej menjëherë nga Bledi. Atë natë ishim të dëshpëruar për këtë dështim në përpjekjen për ta futur organin e LNÇKVSHJ-së në Kosovë. Dëshpërimit tonë iu shtua edhe një dëshpërim tjetër, duke shikuar Radio Televizionin Shqiptar mësuam se Mehmet Shehu, kryeministri i Shqipërisë, kishte bërë vetëvrasje. Ne na duhet më së paku një lajm i tillë nga Shqipëria!

Në pritje të marrjes së lajmit se ç’kishte ndodhur me shokët e nisur me “Zërin e Kosovës”, intensifikuam përpjekjet për mbledhjen e informacionit për numrin e saktë të të vrarëve gjatë demonstratave të marsit dhe prillit 1981, për numrin e të burgosurve dhe të dënuarve. Për këtë qëllim aktivizuam të gjithë shokët nëpër rrethe të ndryshme. Behxhet Ahmeti dhe Burim Zagragja, që ishin studentë të fakultetit ekonomik dhe shokë të afërt të Ferki Morinës, kishin arritur ta siguronin një fotografi të Naser Hajrizit dhe të Nesim Danës, të vrarë gjatë demonstratave të mars-prillit 1981.

 

– Është fjala për këto dy fotografi –
Në foto – Dëshmori Naser Hajrizi, i dyti në këmbë nga e majta dhe dëshmori Nesim Dana nga Gjakova.

(Publikohen për herë të parë në www.pashtriku.org )
Gjithashtu bëmë edhe shumë fotografi të vendeve të ndryshme si dhe siguruam materiale të tjera të rëndësishme për Lëvizjen dhe organin e saj. Xhafer Durmishi ma dhe edhe një aparat fotografik me ngjyra (që ishte dhuratë nga Jusuf Gërvalla dhe të cilin e kam ruajtur në familjen time deri në vitin 1999, kur policia dhe ushtria serbe e djeg fshatin dhe shtëpinë time). Në të gjitha rrethet filluam t’i konsolidojmë radhët dhe ta riorganizojmë LNÇKVShJ-në, që burgosja masive e vjeshtës së vitit 1979 e kishte goditur rëndë.
Pas një pune intensive dhe me forca të shtuara për ta rimëkëmbur Lëvizjen, në kohën kur po bënim edhe përgatitjet për udhëtimin e Xhafer Durmishit në drejtim të Gjermanisë, me 19 janar 1982, e kishim lënë një takim unë dhe Xhaferi. E bleva “Rilindjen” dhe duke e shfletuar atë me shkuan sytë tek një lajm që më tmerroj ( Është lajmi i dhënë nga TANJUG-u për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës, më 17 Janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë – plotësim i Sh.B). U përpoqa të përmbahesha dhe shkova në drejtim të Xhaferit që ishte duke më pritur në një ëmbëltore të Pallatit të Rinisë… Sapo e lexoj lajmin edhe Xhaferi, e lamë ëmbëltoren dhe u morëm vesh të takohemi në shtëpi të Sheremet Saraçit. Të nesërmen e përcolla Xhafer Durmishin deri në Stacionin Hekurudhor të Fushë Kosovës prej nga ai do të udhëtonte në drejtim të Shtutgardit, ku e prisnin detyra të tjera në shërbim të luftës sonë nacionalçlirimtare.

 

Këto ditë bëhen tridhjetë vite nga nata kur shtetit kriminal dhe terrorist jugosllav i vrau Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, por vepra e tyre në shërbim të lirisë dhe çlirimit është e pavdekshme. Unë jam krenar që ndërrova dy fjalë me Jusuf Gërvallën dhe që isha së bashku me të në shërbim të lirisë dhe çlirimit të Kosovës sonë.

Asllan Muharremi, Suedi, Janar 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura