AURON TARE: VIZITA E RRALLË – PRINCI I UELLSIT ZBRET NË DURRËS NË VITIN 1862

Tiranë, 11. 04. 2013 – Ishte një dite shkurti plot mjegull e vitit 1862 kur një anije e pazakontë iu afrua Limanit të Durrësit dhe u ankorua jo shumë larg bregut. Nga godina e vetme qeveritare nga ku valëvitej flamuri otoman, disa zyrtarë të rangut të ulët dolën me nxitim për t’u ndodhur në molin e vjetër prej druri, ku varkat e mëdha sapo kishin sjellë një grup të madh vizitorësh britanikë. Askush nuk e dinte se kush ishin udhëtarët e sapoardhur, megjithëse rrobat që mbanin dhe shërbëtorët e shumtë tregonin se ata duhet të ishin njerëz të rangut të lartë. Grupi i britanikëve, mes të cilëve shquhej një djalë i ri shumë i pashëm dhe ekspresiv, pasi doli në qytetin e përgjumur nga dimri i gjatë, filluan të vizitonin rrënojat antike që kishin mbetur në këmbë. Vizita e të huajve sigurisht që tërhoqi vëmendjen e banorëve, të cilët kishin mbushur rrugët e përbaltosura të qytetit të vogël. Megjithatë ajo që çuditi më shumë kureshtaret ishte një prej personave të grupit, i cili mbante me vete një vegël prej druri me këmbë të gjata si lejlekët e shumtë që dimëronin në kënetat që rrethonin qytetin. Personi me veglën e çuditshme ndalonte për të parë vende të ndryshme dhe dy shërbyesit e tij rregullonin veglën prej druri me të cilën anglezi ekscentrik bënte disa matje të çuditshme.
Britaniket shoqëroheshin nga një grup i vogël shqiptarësh të veshur me veshjet tradicionale, të cilët me sa duket i përcillnin anglezët nëpër kodrat e buta që rrethonin Durrësin. Shiu i imët i shkurtit ndoshta e pengoi grupin e britanikëve që të eksploronin më tej territorin shqiptar. Askush nuk e dinte se cilët ishin dhe përse kishin ardhur këta anglezë të çuditshëm. Pasi anija u zhduk në horizont, vizita e anglezëve u harrua shpejt nga zyrtarët e vegjël të portit dhe qyteti ra përsëri në përgjumjen e tij.

– Princi i Kurorës Albert –

Por kjo vizitë nuk mbeti pa lënë gjurmë tek djaloshi më i ri i grupit.
“Durrazo, një vend mjaft piktoresk,” do të shkruante në ditarin e tij personal sapo ishte larguar nga porti i Shqipërisë otomane në shkurt 1862, Alberti, Princi i Uellsit në bordin e jahtit mbretëror OSBORNE.
Vizita e princit të kurorës britanike, i cili do të vinte në fronin e perandorisë si Eduardi i VII, në Durrësin e përgjumur me sa duket nuk ka lënë asnjë gjurme historike. Ndoshta britanikët nuk kanë dashur që princi i kurorës të ishte nën presionin e ceremonive të autoriteteve otomane apo ndoshta ruajtja e anonimatit ishte një kërkesë e vetë anglezëve. Gjithsesi deri me sot nuk dihej nëse grupi i personaliteteve angleze së bashku me Princin e Kurorës kanë vizituar Shqipërinë përgjatë udhëtimit të famshëm të turit mbretëror të Princit të Uellsit në Tokën e Shenjtë.
Ky udhëtim, i cili krijoi edhe modelin e turit mbretëror, të cilin e njohim sot, ishte udhëtimi i parë i një anëtari të familjes mbretërore që mund të shikohej nga populli për arsye se këshilltarët e familjes mbretërore morën një vendim historik. Ata rekomanduan që të merrnin me vete edhe një fotograf zyrtar, i pari në historinë e mbretërorëve anglezë, 42- vjeçarin Francis Bedford.
Fotografitë e këtij udhëtimi historik nuk ishin botuar kurrë me parë të gjitha së bashku dhe ishin pjesë e koleksionit të familjes mbretërore britanike. Por në dimrin e kaluar fotografitë e marra gjatë këtij udhëtimi të Princit të Uellsit në Tokën e Shenjtë, ishin pjesë e një ekspozite. Kjo ekspozitë e organizuar nga Trusti i Koleksioneve Mbretërore solli fotografitë e Mbretit të Britanisë, Eduardi VII pranë një një publiku të gjerë. Në koleksionin e këtyre fotove, si dhe në shënimet e bëra gjatë këtij udhëtimi, mësojme se i gjithë grupi që shoqëronte Princin Albert qëndruan në portin e Durrësit, një port i vogël në territoret otomane. Ekipi shoqërues i Princit, së bashku me lartësinë e tij, mbërritën me tren në Venecia, ku i priste jahti mbretëror OSBORNE. Pas kësaj morën rrugën sipas një itinerari të përcaktuar me shumë imtësi nga i ati i Princit në konsultime me një grup studiuesish dhe politikanësh britanikë. Qëndrimi i Princit të Kurorës në portin e Durrësit duket se ka qenë i paracaktuar nga planifikuesit e udhëtimit të tij në Londër, por megjithatë nuk kemi një ide të qartë nëse autoritetet otomane ishin në dijeni të kësaj vizite apo jo. Por nëse shikojmë se britaniket nuk përmendin asnjë ceremoni zyrtare nga autoritetet vendase, atëherë kjo të bën të mendosh se ata kanë qenë më shumë në një vizitë private për të parë rrënoja antike që rrethonin Durrësin.
Francis Bedford gjatë kësaj vizite të shkurtër në Durrës ka mundur të shkrepë me aparatin e tij vetëm 5 herë duke na dhënë një mundësi për të parë paksa Durrësin e asaj periudhe. Duhet theksuar gjithashtu se teknika e shkrepjes së një aparati fotografik në atë kohë ishte një proces, i cili merrte një kohë shumë të gjatë dhe i gjithë ky procesi bëhej i mundur me ndihmën e dy ndihmësve, të cilat mbanin në krahë pllakat dhe solucionet që nevojiteshin.
Foto e parë e koleksionit mbretëror është xhamia e Durrësit. Një pamje tashmë e zhdukur përgjithmonë. Të zë syri që në qendër janë një grup shqiptarësh të veshur me veshjet tradicionale të zonës dhe me armë në brez. Duket se ata janë shoqëruesit e grupit të britanikëve, pasi Francis Bedford i ka vendosur ata në qendër të fotos së dytë. Çuditërisht dy fotot nga 5 të shkrepura në Durrës tashmë janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare në Kanada, por janë ekspozuar si pjesë e ekspozitës së koleksionit mbretëror.
Një nga fotot më të bukura të këtij koleksioni është fotoja e një grupi evgjitësh, të cilët me sa duket ishin njerëzit që transportonin qypat e mëdhenj të vajit në Durrës. Kuratorët e kësaj ekspozite vënë në dukje ekspresionin e jashtëzakonshëm që ka kjo foto duke nxjerrë në pah të gjithë elementët e jetës së këtij komuniteti të varfër, por mjaft të gjallë të qytetit.
Udhëtimi i Princit të Kurorës në Tokën e Shenjtë në fakt ishte një dëshirë e kahershme e të atit të tij. Princi Albert ishte krijuesi i asaj që sot njihet si udhëtimi mbretëror. Ai e kishte dërguar të birin në një udhëtim nëpër Kanada dhe në Amerikë në 1860 dhe kjo vizitë kishte qenë një sukses i madh duke konsoliduar marrëdhëniet e këtyre vendeve me Kurorën Britanike. Fatkeqësisht princi Albert vdiq në dhjetor të vitit 1861. Megjithatë Mbretëresha Viktoria, nëna e Princit të Uellsit, nuk e ndaloi planin e udhëtimit për në Tokën e Shenjtë, por me kushtin që ky udhëtim të bëhej nën “vellon” e zisë zyrtare. Për këtë arsye ajo i dha instruksione specifike gjeneralit Bruce, i cili ishte edhe Guvernatori i Princit të Kurorës.
Por sipas mendimit të disa historianëve të kohës, ka shumë mundësi që Mbretëresha Viktoria e donte të birin larg Anglisë për të evituar një skandal që kishte shpërthyer në rrethin e lartë të Anglisë. Flitej kudo se Princi i Kurorës gjatë periudhës së tij në radhët e ushtrisë kishte pasur marrëdhënie me një prostitutë me emrin Clifden. Kur ky lajm kishte mbërritur në kështjellën e Uindsor, prindërit e Princit ishin tmerruar nga përmasat e këtij skandali të padëgjuar më parë.

– Xhamia e Durresit – 

Megjithëse bashkëshorti i Mbretëreshës Viktoria vdiq nga tifoja përsëri Mbretëresha ia hidhte fajin të birit si shkaktari kryesor i vdekjes së të atit. Për këtë arsye Viktoria mori vendimin se udhëtimi i planifikuar nga bashkëshorti i saj për në Tokën e Shenjtë nuk do të ndalohej. Princi Albert, i shoqëruar nga disa prej mendjeve më të ndritura në Angli, u nis për në Tokën e Shenjtë. Ndalesa e parë sipas një pjese shumë të vogël të ditarit të tij personal, tregon se grupi i britanikëve u ndal në Durrës për të parë rrënojat arkeologjike dhe për pak gjueti. Megjithëse në grupin e Princit ishte si udhërrëfyes i historisë antike Arthur Stanley, i cili më vonë u zgjodh Dekan i Departamentit të Historisë në Oksford, shënimet e udhëtimit tregojnë për një djalosh të ri, i cili nuk kishte asnjë interes për historinë antike. Princi i Uellsit kërkonte më shumë të kalonte kohën duke gjuajtur shpendë apo krokodilë në ujërat e Nilit, se sa duke vizituar disa nga rrënojat më të famshme të botës.
Megjithatë mungesën e pasionit për historinë antike, Princi i Kurorës e kompensonte me dëshirën e tij të zjarrte për çështjet e politikës europiane. Gjatë udhëtimit të tij historik nëpër Tokën e Shenjtë, ai takoi disa nga personalitetet më të rëndësishëm të kohës, duke krijuar edhe një miqësi të gjatë me disa prej tyre si kuedivin e Egjiptit, Said Pashen. Duhet thënë se princi Albert ishte i pari princ britanik që nga koha e Rikard Zemërluanit që vizitonte Jerusalemin duke shënuar kështu një eveniment historik.
Megjithëse koha e kaluar në Tokën e Shenjtë ishte me shumë një ekspeditë private për ta mbajtur larg nga skandali i Londrës Princin e Kurorës, ky udhëtim shërbeu si një ngjarje historike për fotografin zyrtar të ekspeditës, Francis Bedford. Megjithëse Anglia viktoriane kishte pasur mundësi të shikonte pikturat e një sërë piktorësh që kishin udhëtuar në lindje, ata për herë të parë shikon lindjen në gjendjen reale. Fotografitë sollën pamje të kësaj pjesë të botës të paparë ndonjëherë në Perëndim. Në ditarin e Mbretëreshës Viktoria shkruhet se pas kthimit nga udhëtimi, princi Albert i tregoi asaj fotot që Francis Bedfor kishte bërë. Por Mbretëresha ishte shumë e zënë me trajtimin mjekësor të gjeneralit Bruce, Guvernatori i Princit të Kurorës, i cili u sëmur gjatë këtij udhëtimi dhe vdiq tre javë pasi u kthye në Angli.
Fotot e udhëtimit mbretëror ishin pjesë e një botimi me shumë pak kopje një vit pas kthimit në Angli dhe që prej asaj kohe ato kanë qëndruar në Koleksionin Zyrtar të Familjes Mbretërore. Për herë të parë për publikun e gjerë u ekspozuan disa muaj më parë në Londër duke sjellë atmosferën e Tokës së Shenjtë dhe vende të tjera gjatë periudhës viktoriane. Princi Albert i Kurorës pas vdekjes të së ëmës u ngjit në fronin mbretëror si Eduardi VII.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura