IDRIZ AJETI: SOT MBAJ MBI SUPET E MIA 100 VJET…!

Pashtriku.org, 30. 01. 2017: Akademik Idriz Ajeti ka festuar me miq e familjarë 100 vjetorin e lindjes, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ndër të tjera aty është lexuar edhe fjala e shkruar nga vetë ai. Në të përmblidhen kujtimet e emocionet më të rëndësishme të akademikut, në 100 vjet jetë të tij.
Letrën po e botojmë të plotë, më poshtë:
Vizionet për Kosovën e të ardhmes i kam përjetuar në periudha të ndryshme të jetës sime dhe jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj të të qenit dëshmitar i rrjedhave të historisë.
Është një ndjenjë e veçantë dhe më shumë se një privilegj për një njeri që të nderohet nga një Akademi Shkencash e Artesh, në një ditë të veçantë të jetës së tij.
Ju faleminderit!
Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, ju Akademikë, miq të mi dhe bashkëpunëtorë, më keni nderuar sot në këtë moshë të thyer timen dhe më keni bërë të ndjehem i veçantë në mesin e të veçantëve të këtij vendi.
Ju faleminderit për respektin dhe nderimin e madh.
Miq të mi nga Shqipëria, nga simotra Akademi, nga trevat e tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe nga vendlindja ime e shtrenjtë – Medvegja, nga Presheva e Bujanoci, që keni marrë udhën për të më nderuar sot – ndiej respektin e thellë dhe e mbaj në zemër dashurinë që tregoni ndaj meje.
Ju faleminderit!
Dua që sot të ndaj një falënderim të veçantë për njeriun që më ka qëndruar pranë me dekada të tëra, njeriun që ka ndarë me mua momentet e gëzimit dhe njëkohësisht edhe të hidhërimit, lexuesin e parë të dorëshkrimeve të mia dhe njëkohësisht kritikun tim të përhershëm por shumë të kujdesshëm – bashkëshorten time – Hajrijen!
Faleminderit për durimin, dashurinë dhe respektin e pafund ndaj meje!
I nderuar kryetar i Akademisë,
President, Kryeministër dhe përfaqësues të institucioneve,
Miq të mi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve,
Të gjithë ju që sot po ndani këto momente bashkë me mua,
Nuk kam zgjedhur unë ta kem një shekull mbi supet e mia dhe as që e kam menduar se natyra e Zoti do të më japin këtë jetëgjatësi dhe njëkohësisht forcën që të shoh e përjetoj gjithë zhvillimin tonë si shoqëri e si shtet. Dhe e ndiej se përgjegjësinë për ecjen tonë e kemi pasur ne!
Kam ardhur nga një fshat shqiptar përtej kufirit të sotëm të Kosovës, sikur shumë të rinj të tjerë, të gatshëm e të etur për të ndryshuar rrjedhat e shoqërisë. Por unë kam ardhur me idenë për të gjetur copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe dhe për t’i bërë bashkë ato – në një mendje dhe një shpirt.
E kam menduar se ‘pagëzimi i gjuhës’ do të ndodhë kur pavarësisht rajoneve tona, pavarësisht shtrirjes sonë gjeografike, do të bëjmë bashkë përtej kufijve jo vetëm idenë por mbi të gjitha njerëzit, që flasin një gjuhë, por që nuk njihen mirë mes vete.
Unë do t’ju flas për gjuhën edhe në këtë 100 vjetor timin dhe mbase fjalimet e mia për të, edhe në këtë ditë kur së bashku po shënojmë këtë jetëgjatësi timen, do të jenë të pafund, sa i pafund është thesari i saj. Sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një – të përbashkët, të plotë.
Por gjuha zhvillohet, po aq sa zhvillohen edhe shoqëritë. Po aq sa është zhvilluar edhe e gjithë shoqëria shqiptare, kudo, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë edhe në pjesët e tjera të Ballkanit.
Dhe gjuha duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evoluimit, e përmbushjes së nevojave të një populli, që flet me dialekte por që rrënjën e ka të përbashkët. Dhe prandaj përpjekjet tona, në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë, tani duhet të jenë përpjekje për ta përmbushur, pa e trandur themelin e saj.
Kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme të dashurisë për gjuhën, me një ndjenjë të përgjegjësisë dhe me qasje të ndërgjegjshme ndaj saj për ta ruajtur, kultivuar dhe për ta zhvilluar duhet t’i prijnë institucionet tona shkencore, në Tiranë e Prishtinë.
Akademia e Shkencave dhe Arteve është, jo vend i pleqve dhe pleqnarëve, por i shkencës dhe i dijes, që si autore e studimeve, dokumenteve dhe krijimtarive të ndryshme u bë prijatare e momenteve të kthesës në historinë e popullit të Kosovës.
U bë historia e re e saj.
Akademia duhet të vazhdojë që ta ruajë dhe ta përmbushë obligimin e veçantë në fushën e shkencës dhe të artit, por mbi të gjitha të ndihmojë në zhvillimin e kombit dhe të shtetit.
Në kohë të vështira të përmbysjeve të vlerave shkencore e kulturore, Kosova ka nevojë për një Akademi të fuqishme që do ta shndërronte shkencën në pjesën më të rëndësishme të jetës dhe në vizion të së ardhmes së vendit dhe popullit të tij.
Përparimi ynë si shtet bazohet në dije, shkencë e arsim.
Avancimi i tyre do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe prandaj Akademia ka rol të rëndësishëm të saj në këtë fushë.
Momentet historike të vendit i kanë dhënë rol vendimtar Akademisë dhe ajo këtë rol duhet ta ketë dhe sot.
Vizionet për Kosovën e të ardhmes i kam përjetuar në periudha të ndryshme të jetës sime dhe jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj të të qenit dëshmitar i rrjedhave të historisë.
Por historia është vetëm një përkujtuese dhe shënjuese e devotshme e ngjarjeve dhe zhvillimeve të ndodhura, ndërkaq e tashmja është ndërtuesja e të ardhmes.
Themelet e një jete më ndryshe vendosen sot dhe ato duhet të jenë të forta për ta mbajtur peshën e rëndë të zhvillimeve të shoqërisë.
Prandaj shteti i Kosovës ndërtohet sot dhe ndërtohet bashkërisht; ndërtohet me vizion dhe me durim; ndërtohet me shumë dashuri dhe me shumë mund. Askush nuk mund të ketë privilegjin e shtetit, sepse ai është i qytetarëve të tij dhe sepse si i tillë ndërtohet dhe jetohet prej tyre.
Të nderuar miq,
Sot mbaj mbi supet e mia 100 vjet, që mund t’ju them më kanë rënduar.
Nuk ishin asnjëherë njëqind vitet e vetmisë, por vite të mëdha të të arriturave të mëdha. Dhe unë i bëj bashkë të arriturat e përbashkëta, në çdo fushë. Prandaj kur e nisa fjalën për t’ju falënderuar e nisa pikërisht me gjuhën shqipe; një dashuri imja e pashterur, e pashuar dhe e përjetshme.
Prandaj e nisa me gjuhën që ta bëj bashkë me popullin që zhvillohet dhe kërkon një të nesërme më të mirë.
Ju falënderoj të gjithë juve, që sot më keni nderuar, më keni bërë të ndjehem i privilegjuar dhe i veçantë, më keni dhënë më shumë forcë. JU falënderoj të gjithëve që keni marrë udhë për të qenë me mua sot.
Zoti ju bekoftë juve, Akademinë dhe Kosovën.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura