AVZI MUSTAFA: ABETARJA E SAMI FRASHËRIT – VEPËR ME RËNDËSI PËR HISTORINË E ARSIMIT DHE GJUHËS SHQIPE

Tetovë, 31. 07. 2014 – Sami Frashëri bashkë me rilindësit tjerë e kishin kuptuar se pa hartimin e abetareve nuk mund që të ngrihen themelet e kalasë së kulturës kombëtare. Kështu që vitet 1886-1888 janë vitet kur patriotët shqiptar iu përveshën punës për botimin e librave shkollore sepse pa to nuk do të mund të realizohej projekti që e kishin hartuar burrat e mëdhenj të kombit. Pa abetare dhe tekste të tjera shkollore nuk mund të hapeshin shkollat në gjuhën amtare shqipe. Dhe kjo periudhë do të dallohet nga periudhat tjera sepse detyra parësore siç shkruan Skender Luarasi se “nën mbikëqyrjen e shenjtërve tonë: Koto Hoxhit, Hoxhë Tasinit, Pashko Vasës, Jani Vretos, Sami dhe Naim Frashërit e Isamil Qemalit e të tjerëve, të shkruhet një Abetare me të cilën do të përhapet Drita” (Mustafa,A.,1995, f.11).
Sami Frashëri bashkë me rilindësit tjerë Fjalës shqipe i dha Fytyrë sepse ai botoi “Abetaren e gjuhës shqip”. Abetarja e Samiut u shtyp për herë të parë nga shoqëria “Drita” e Bukureshtit, më 1886. Kjo Abetare është libri i parë që shtypej me alfabetin e njësuar, me alfabetin e Stambollit, që u krijua po në atë vit. Në Alfebetaren e Stambollit” Sami Frashëri ka botuar dy shkrime: Gjuha shqipe dhe Dheshkronja (Gjeografia). Këto kanë rëndësi për idetë patriotike që shpreh autori dhe që i shtjellon më vonë në veprat e tij si Shqipëria ç’ka qenë. Ç’është dhe ç’ka do të behet ( 1899).
Sami Frashëri si model merë Alfabetaren e gjuhës shqip të botuar 7 vjet pas “Alfebetares së gjuhës shqip” të Satambollit ashtu si me përvojën e fituar nga përdorimi i saj, diskutimet me veprimtarët tjerë të Rilindjes e ndihmuan shumë që Sami Frashëri ti reket punës për të hartuar një libër mësimor me një nivel më të lartë nga pikëpamja metodike në krahasim me Alfabetaren.

Siç dihet se shkolla dhe shkrimi shqip u përhap në kushte tej të vështira jo vetëm nga ana e otomanëve, por edhe nga lufta e pa drejt dhe gllabëruese e shovinistëve fqinj, që sa më tepër tokë arbërore të përvetësojnë, por edhe nga vetë shqiptarët.
Dhjetë vjet më vonë pas botimit të “Abetareres” se Sami Frashërit, shtypi i kohës do të shkruaj “kleri është një armik po aq i madh se qeveria osmane, se fetë janë bërë mollë sherri dhe gjakësore, se besimet e ndryshme, hoxhët çallmëdhenj, priftëritë mjekërgjatë dhe pashallarët e fëlliqur janë ata që na pengojnë, se nga fanatizmi e priftëria e hoxhallarëve jemi përndarë e copëtuar” (Shqipëria nr. 8, qershor, 1897).
Duke analizuar Abetarin e gjuhës shqip të Sami Frashëri shohim se kjo abetare është ndërtuar mbi bazën e shkronjave latine dhe siç thotë linguisti Anastas Dodi mund të “ quhet i përsosur në kuptimin e përcaktimit të numrit të fonemave të gjuhës letrare shqipe dhe të zbatimit të parimit një shkronjë një tingull”. (Dodi, A, Gjuha jonë, nr. 2/1986, f. 108).
Kjo tregon shton Dodi se Sami Frashëri “ përmban një figurë të shquar në formimin enciklopedik, një nga mendjet më të ndritura që ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në kulturën evropiane” ( Dodi, po aty).
Sami Frashëri në hartimin e shkronjave është mbështetur në metodën e rrogëzimit sepse ai në Abetare na jep një pasqyrë të rrokjeve të shqipes, sidomos mjaft interesant është ndarja e fjalëve në rrokje duke i përfshirë rrokjet e hapura dhe rrokjet e mbyllura. Po ashtu me një njohje të thellë të një filologu në mënyrë shumë të drejtë i përpunon grupet e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, si dhe përdorimin e theksit. Shembujt që i përdor janë fjalë të marra nga gurra popullore për të shënuar si theksin e mprehtë dhe atë hundor e sidomos fjalët të cilat kanë pasur historikisht një -n-fundore ai shkruan me theks hundor si p. sh.: hu, fre, tra, dru etj. Vetëm ky detaj na dëshmon se Samiu ishte edhe njohës i mirë i të folmeve shqiptare, gjegjësisht një dialektolog i shquar.
Nëse e i bëjmë Abetares së Sami Frashërit një vështrim gjuhësor nga aspekti gramatikor do të shohim se ky linguist rëndësi të madhe i jep gramatikës didaktike ku jep edhe njohuri mbi përdorimin e shenjave të interpukcionit : mbi thonjëzat, pikëpresjen, pikëçuditësen, dy pikat, pikën, kllapat , vizën lidhëse, vizën ndarëse etj .(Frashëri, Abetare, mësimi 58).
Por jo vetëm kaq Sami Frashëri ndihmesë të madhe jep edhe në sferën e leksikologjisë në afrimin e dialekteve si dhe përpjekjen e tij në pastrimin e gjuhës shqipe prej fjalëve të huaja, por edhe në pasurimin e terminologjisë shqiptare. Kështu që Samiu mund të llogaritet si një ndër ato që ka vetëdije të lartë ku gjuhën amtare dhe këtë e shikon si një prej faktorëve kryesor të mëvetësisë kombëtare.
Abetarja e Samiut paraqet interes të veçantë edhe nga përmbajtja e saj. Ajo përmban vlera letrare të vërteta. Copat e leximit nuk janë vetëm përralla e vjersha , por janë përfshira edhe, bujqësia, klima, , pasuritë natyrore që kanë për qëllim ta njoftojnë lexuesi me pasuritë e Shqipërisë. (Frashëri Sami, Abetare, mësimi nr.49-58)

Copat e leximit përmbajnë karakter shkencor, artistik dhe edukativ. Ato janë të bukura dhe të përshtatura moshës së nxënësve. Zgjedhja e tyre është bërë me mjeshtri nga dora e një pedagogu siç ishte Sami Frashëri. Ato janë interesante tërheqin vëmendjen e nxënësve e cila mbartin vetinë e shpërndarjes të shpejt tek ata. Mbi të gjitha ato janë mjaft të thjeshta dhe shumë të përshtatshme për fëmijët.
Fjalitë janë të thjeshta e të qarta . Në çdo copë leximi del në pah trimëria, dashuria. thjeshtësia, puna, mirësjellja, morali, atdhedashuria etj. Të gjitha tregimet janë të zgjedhura me një mprehtësi shumë të madhe që kanë pikësynimin rritjen e vlerave shëndosha edukuese ku nxënësi duhet të fitojnë njohuri mbi virtytet dhe parimet e drejta të drejtësisë e të krenarisë shqiptare. Si p. sh. Dheu është flori, Mbollë të tjerit e ha ti, Kush s’punon mbetet urëtë, mos e fshih fajin etj/ ( Frasheri Sami, Abetare e gjuhës shqip, mësimi 59, 60, 61) që edhe sot e kësaj dite janë këto copa të leximit janë prezentë në abetaret e sotme.
Samiu në Abetaren shqip në çdo ribotim atë e plotësonte pa lenë anësh të gjitha trevat shqiptare. Kështu që në ribotimin e dytë e heq copën e leximit ku janë figura mitike “Jakobi dhe Josifi- dhe vendos vjershën e patriotit nga Reka Josif Bagerit me titull “Djali dhe bilbili”. (Frasheri, Sami, mësimi 69). Po ashtu se në Abeteren e tij kemi edhe zëvendësimini e copës së leximit me titull “Kristofor Kolumbi e cila zëvendësohet me copën e leximit “Mësimi gegërisht ( Frashëri Abetare e gjuhës shqipe,mësimi 68).
Në Abetaren e Samiut në botimet qe pasojnë është dhenë ABEC-ja e shqipes në përqasje me turqishten , frëngjishten dhe greqishten jo pa qëllim , por shumë nxënës shqiptar të cilët ndiqnin shkolla të huaja të mund që sa më lehtë ta mësojnë gjuhën e bukur shqipe.
Abetarja e Samiut beri shumë shërbime të vlefshme shkollës shqipe dhe arsimit tonë. U ribotua për së treti herë në vitin 1909 në Stamboll me njëherë pas mbajtjes së Kongresit të ABC-së në Manastir ku u vulosën shkronjat tona të arta, , e Manastiri mbetet Jerusalemi shqiptar sepse i bashkoi edhe germat edhe shqiptarët që për gjuhën dhe arsimin shqip. Abetarja e Samiut dha dëshminë më të madhe në përhapjen alfabetit të përbashkët dhe ndërpreu rrugën e përçarjeve fetare sepse ajo ishte mëndesha e vërtetë e edukimit dhe rritjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare pa dallim besimi e krahine sepse vuri kufirin në mes të shkollës shqipe dhe shkollave të huaja.
_____________________
Referencat:
Mustafa, Avzi ,Figura mësuesish shqiptar-1-, BKSH, Tetovë, 1995
Shqipëria nr. 8, qershor, 1897).
Dodi, Anastas, Gjuha jonë, nr. 2/1986,
Frashëri,Sami, Vepra 4, Abetare e gjuhës shqip, red. Xhevat Lloshi.Logos_A, 2004
– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
1
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura