HAZIR MEHMETI: ‘PELEGRIN’ PROMOVOHET NË VJENË

Vjenë, 11. 01. 2013 – (100 vjetori i pavarësisë me „Pelegrinin“) – …“Pelegrin”, Organ i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë -“Drita… Piktura në një teknikë të veçantë e gdhendur në pllakë metalike e artistit Fadil Tafili, dhuratë ambasadës me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar….Dr.Kiqmari: ”Aty ku përcillen vlerat kulturore e letrare të bashkatdhetarëve tanë, ne dëshirojmë të jemi prezent dhe i përkrahim pa rezervë”.
Krijuesit mërgimtarë nga shumë vende të botës takohen me krijimet e tyre në revistën “Pelegrin”, revistë letrare kulturore e botuar nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë, e cila selinë e ka në Athinë të Greqisë. Kësaj radhe “Pelegrin” dhe krijuesit e saj mërgimtarë anë e këndë globit u bashkuan në vazhdën e aktiviteteve të shënimit të Shekullit të Shtetit Shqiptar në Vjenë. Dhe, kjo nuk ishte rastësi por një nevojë e shtrirjes së hapësirave të afirmimit të artit letrar e pamës edhe në kryeqytetin austriak.
Vjena, si njëra nga qendrat e kulturës europiane, ku lanë gjurmë shumë krijues arti e shkence nga shqiptarët duke e kujtuar këtu Aleksandër Moisiun, aktorin e madh me famë botërore i cili me “Hamletin” e tij pushtoi kohën e teatrove. Emri i tij përjetësohet me Shoqatën e Krijuesve “Aleksandër Moisiu”, krijimet e së cilës kësaj radhe ishin në faqet e “Pelegrin”.

Revista “Pelegrin” Nr-19, e 100 vjetorit të Pavarësisë, edhe në Vjenë.

Ambasadat shqiptare në Vjenë, vërtetë janë bërë shtëpi e parë e prekjes së ngrohtësisë së vendlindjes, kujdesit dhe dashurisë së ngrohtë për mërgimtarin krijues e mall plot. Nikoqir i aktivitetit ishte Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe personalisht Dr.Vili Minarolli, ambasador, i cili për shkaqe shëndetësore nuk ishte fizikisht prezent por pjesë nga krijimtaria e tij letrare u lexuan, duke e sjellë prezencën e tij artistike aty pranë flamurit kuqezi i cili tani mbanë 100 vite simbol e krenari e shtetit shqiptarë. Z.Egin Ceka, sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë i përshëndeti të pranishmit në cilësinë e nikoqirit. Me prezencën e tij e nderoi aktivitetin Dr.Sabri Kiqmari, ambasador i Republikës së Kosovës në Austri. Ai në fjalën e tij mes tjerash tha: “Aty ku përcillen vlerat kulturore e letrare të bashkatdhetarëve tanë ne dëshirojmë të jemi prezent. Ambasada e Kosovës, sikur sot kjo e Shqipërisë do ju përkrahim në vazhdimësi. E përgëzo kryetarin z.Besim Xhelili dhe ‘Shoqatën Kulturore “Aleksandër Moisiu” për aktivitet e saj, punën e mirë që po bënë”. 
Nga Ambasada e Maqedonisë në Austri krijuesit dhe mysafirët dashamirë të fjalës së shkruar i përshëndeti z. Fitim Nuhiji, këshilltar i dytë i ambasadës. “Unë ndihem i lumtur që erdha këtu ku tani ka shumë aktivitete në shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe ndjej kënaqësi kur shqiptarët janë aq shumë aktiv në sferat e ndryshme të kulturës, sportit dhe aktivitete tjera”. Programin e drejtoj Edona Ramadani, poete. Prezent ishte edhe kryetari i Shoqatës së Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë në Austri z.Osman Ademi.
Në promovim morën pjesë edhe grupi i veprimtarëve nga Landi i Salzburgut të cilët organizuan dikur ndihmën për Kosovën, ushtrinë e saj, atëherë kur luhej me jetën, të jesh apo të mos jesh. Ata shoqëroheshin nga shkrimtari dhe veprimtari i njohur në Austri z.Zef Ndrecaj. Rreth revistës letrare kulturore “Pelegrin” shkurtimisht foli z.Besim Xhelili, kryetar i Shoqatës së Krijuesve “Aleksandër Moisiu” në Austri. “Pelegrin” ka jetë që nga viti 2004 dhe është Organ i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita. Njëri nga themeluesit e saj krahas z.Nase Jani është edhe Dr.Vili Minarolli, ambasador i Shqipërisë në Austri. Z. Minarolli është shkrimtar dhe publicist krahas punëve diplomatike që kryen me disa dekada. Redaksia e “Pelegrin”-it është e vendosur në disa shtete dhe pritët që të kemi edhe në Vjenë, si qendër shekullore e krijuesve poetë e letrarë nga radhët e shqiptarëve.
Në numrin e nëntëmbëdhjetë, solemn të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në “Pelegrin”, prezantohet Shoqata e Krijuesve “Aleksandër Moisiu” me Besim Xhelili, Anton Marku, Hazir Mehmeti, Amir Jonuzaj, Dan Kosumi, Ragip Dragusha, Zef Ndrecaj, Zaim Toska dhe poetja e re nga Vjena, studentja Edona Ramadani. Në emër të shoqatës z.Fadil Tafili, artist, i dhuroi Ambasadës së Shqipërisë me rastin e Shekullit të Shtetit Shqiptar një pikturë të bukur. Piktura ishte e punuar në një teknikë të veçantë e gdhendur në pllakë metalike.
Z.Fadil Tafili në fjalën e tij përshëndetëse tha se ndihet krenar që sot mund t’i dhuron një nga punimet e tij përfaqësuesit të shtetit shqiptar këtu në Austri. Ai e shpjegoi teknikën e artit të tij të veçantë dhe krejt e re në kontinentin tonë. “ Unë jam i vetmi që momentalisht punoj në këtë teknikë të re në Europë kurse në SHBA janë nëntë artist tjerë. Kjo teknikë ka zgjuar interesim të madh në art, kritikën e artit dhe ndihem i lumtur që edhe ne shqiptarët krahas kombeve tjera këtu në Austri po tregojmë vlera nga kultura e jonë me rrënjë shekullore, si popull i lashtë që jemi” Në pikturë paraqiteshin trevat etnike shqiptare dhe figura madhore historike të kombit tonë. Në orën letrare të organizuar me këtë rast lexuan krahas krijuesve tjerë edhe poetët Haxhi Morina nga Linci dhe Zef Ndrecaj nga Salcburgu, ndërsa nxënësja Blerta Ismaili u paraqit me një këngë të bukur. Shoqata shtroi koktej rasti për mysafirët e rastit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura