AVZI MUSTAFA: PËRPJEKJET DENIGRUESE KUNDËR KONGRESIT TË ABC-së NË MANASTIR

Shkup, 20. 11. 2013 – Në 105-vjetorin e Kongresit të Manastirit) – Periudha që përfshinë vitet 1908-1912 është e mbuluar me plot ngjarje shoqërore, politike, kulturore dhe arsimore. Më 24 korrik 1908 triumfoi revolucioni i turqve të rinj, ku edhe shqiptarët dhanë kontributin e tyre në përmbysjen e pushtetit absolut me të vetmin qëllim se edhe ky popull lirisht do të mund të marshojë si popujt e Evropës. Menjëherë pas Hyrijetit, në shumë qendra e qytete jashtë dhe brenda Shqipërisë, si në: Stamboll, Korçë, Elbasan, Manastir, Shkup, Bukuresht, Sofje, Selanik etj. u ngritën klube dhe shoqata duke nxjerrë gazeta dhe revista në gjuhën shqipe. Krahas këtyre hov relativisht të mirë mori edhe përhapja e arsimit në gjuhën shqipe.
Një ndër problemet imperative të kohës ishte zgjedhja e mirë dhe e plotë e shkrimit të gjuhës shqipe, si çështje që ende nuk kishte gjetur zgjidhje përfundimtare. Edhe pse alfabeti i Stambollit 1879 ishte aprovuar nga shumica e intelektualëve shqiptarë po ende përdoreshin alfabete të tjera.
Që t’i jepej fund kaosit të alfabeteve që përdoreshin si nga shqiptarët ashtu edhe nga albanologët e huaj(1),, Klubi i Manastirit “BASHKIMI” e mori mbi vete të organizojë një Kongres kombëtar, do të thoja një parlmanent gjithëshqiptar. Në Kongresin e Manastirit që u mbajt prej 14-22 nëntor 1908 nuk u morën vetëm qëndrimet për shkronjat shqipe, por u bisedua për një program operativ për t’i realizuar kërkesat shekullore të shqiptarëve. Dhe kështu gjatë ditëve të Kongresit u hartuan kërkesat në 18 pika dhe u autorizua Shahin Kolonja që t’i dërgojë për realizim tek deputetët shqiptarë në Stamboll(2).
Armiqët e shqiptarëve qoftë të bredshmit apo të jashtmit me të dëgjuar se po përgatitet të mbahet një Kongres, menjëherë morën inisiativa për ta ndalur atë.
Sipas disa burimeve nga shtypi i kohës, kuptojmë për lajmërimin e qeverisë turke që të mos japë leje për përdorimin e germave latine dhe për hapjen e shkollave shqipe. Sipas një dokumenti nga arkivi i J. Jovanoviqit kuptojmë se si përgjigjet qevria turke ku thuhet: “Problemi i hapjes të shkollave shqipe është çështje që duhet të diskutohet në parlament, e sa u përket germave ajo është çështje e shtypshkronjave”(3).
Patriotët shqiptarë, në këtë drejtim, punuan me një mjeshtri shumë të madhe. Nëpërmjet Kongresit u trajtuan dy anë të të njëjtit qëllim që kishte karakter politiko-shoqëror. Se nëpërmjet shkronjave shqipe mori hov të madh përhapja e arsimit si dhe lëvizja kombëtare në përgjithësi.

Jehona e mbajtjes së Kongresit mori përmasa të gjëra ashtu siç njofton prof. Kristaq Prifti jo vetën në tokat shqiptare, por edhe jashtë. Për këtë Kongres shkruan gazetat Françeze, Italiane, Zvicërane etj. “se shqiptarët do të mblidheshin në Kongres për qëllime politike ose kishin ndërmend të diskutonin çështjen e pavarsisë, se Kongresi mund të shndërohej në një bashkim politik”(4).
Edhe pse qarqet reaksionare të vendit si dhe shtetet shoveniste ballkanike pritnin se tani germat do të jenë “mollë sherri” për përçarje edhe më të madhe. Mirëpo shqiptarët nga ky Kongres dolën edhe më të bashkuar duke i treguar botës se edhe ata janë një popull, se kanë një gjuhë, se edhe germat duhet të jenë të përbashëta.
Kongresi i parë i zhvilloi punimet në Manastir prej datës 14-22 nëntor 1908. Tërë barrën rreth organizimit dhe mbajtjessë Kongresit e kishin vëllezërit Gërmenji, Gjerasim Qirijazi dhe Fehim Zavallani, që nuk kursyen as mundin e as bazën materiale për ta realizuar detyrën e madhe që e kërkonte momenti historik. Si hoteli “Liria” ashtu edhe shtëpa e Qeriazëve ishin transformuar në ato ditë në çerdhe bisedash për idealet e lirisë, dhe kabinete pune. Pas miratimit të vendimeve nga gjithë populli ky Kongres u përshendet si një hap i rëndësishëm drejt unitetit dhe luftës për çlirim kombëtar.
Xhonturqit dhe aleatët e tyre nëpërmjet disa deputetëve tradhtarë dhe disa feudalëve dhe fanatikëve fetarë përsëri e shtruan problemin e çështjes së alfabetit në Parlamentin e Turqisë. Këta dolën me tezën se popullsia myslimane “gjoja ka qenë dhe janë për alfabetin turko-arb, i cili njëherit është dhe alfabet i Kur’ anit, kurse alfabeti latin prish fenë myslimane dhe se me te nuk shkohej në Qabe”(5).
Dhe kështu xhonturqit nuk lanë gurë pa lëvizur për të sjellur huti e përçarje tek shqiptarët nëpërmjet të propagandës antikongresiane dhe antishqiptare. Ata i arritën qëllimin që më 23 korrik 1909 përgatitën dhe organizuan Kongresin e Dibrës ku dualën me tezën se ” në këtë Kongres u muar vendimi, që ky të lihej në pëlqimin e vetë popullatës të çdo krahine “(6).
Për të justifikuar këtë mendim luanin në kartën e fesë, se shqiptarët e besimit mysliman janë kundër alfabetit latin. Në këtë kohë dallkaukët dhe honxhobonxhët e kishin vënë në shënjestër pjesëmarrësin me të drejtë vote në Kongres, delegatin nga klubi i Shkupit, Emin Beun se gjoja i ka tradhtuar parimet myslimane dhe perandorinë osamane. Pas disa kërcënimeve nga turkofilët, Emin beu kishte deklaruar haptasi se në “Kongres nuk erdh në shprehje asnjë alfabet turko- arab, diskutimet ishin vetëm rreth shkronjave që i paraqesin më së miri tingujt e gjuhës shqipe. Edhe shqiptarët kanë të drejtën e tyre të shkruajnë si të duan ashtu siç kanë serbet, grekët, bullgarët etj”(7).
Kjo deklaratë si dhe mllefi i akumuluar i marimangave turke në Shkup nëpërmjet të një shoqërie që mbante emrin “shoqata për të shkruar gjuhën shqipe me germa osmane”, organizuan një mbledhje, ku atë mbledhje e quajtën “Kongres” për të cilin shumë pak dihet, për arsye se nuk bëri jehonë në masat e gjëra, sepse ky ishte vetëm një mendim apo kërkesë e një deputeti nga Shkupi Seid Efendisë, duke trumbetuar se myslimanëve me Kur’an u është ndaluar të shkruajnë nga e majta në të djathtë.
Shqiptarët e Shkupit pasi dëgjuan këto marifetllëqe për një akt shumë të ulët shprehën revoltën e tyre, u proncuan me një artikull “Nga një zemër shqiptare”. Në të thuhej:- “Dje u mbajt këtu një kongres prej ca nga të parët e vendit, të cilët vendosën të përdorin alfabetin me shkronja arapçe për shkollat e e Shqipërisë…Atë alfabet që vendosën të përdorin këta zotrërinj, le ta mbajnë për vetën e tyre, asnjeri s’e njeh, as do ta njohë, s’e di, as do ta dijë. Shqipërija e tërë ngrihet në këmbë për me thanë: Turp i math për këta njerëz! (Po themi njerëz për mos me thënë ndryshe!)(8)

Propagandat e ndryshme si nga xhonturqit ashtu edhe nga fanatikët e klerit fetarë nuk kishin të ndalur. Ata filluan me të madhe të agjitonin pa zgjedhur mjete, duke organizuar peticione, mbledhje, mitingje për t’i dërguar kryeministrit të Perandorisë Osamane që shqipja të shkruhej me germa turko-arabe. Edhe pse ministri i arsimit turk, më 6 shkurt 1325, sipas Hixhrës lajmëron se qeveria turke ndaj alfabetit të arnautëve mbetet neutrale. Sikur nuk deshin të kuptonin se çështja e alfabetit kishte marrë fund pikërisht në Manastir. Ata përsëri thirreshin në nenin e 16 të Kushtetutës Turke se gjuhë zyrtare është turqishtja dhe se përdorimi i gjuhës shqipe rreptësisht ndalohej. Këtë e shohim nga deklerata e kryeministrit turk Ibrahim Hakki Pashai që nuk drojti pa deklaruar: “Se çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria na sheti Osman” (9). Ata që ta bindin qeverinë turke shumë gazetarë të paguar shkruanin se gjoja tek arnautët myslimanë dominon një pakënaqësi dhe urretje e madhe ndaj germave të “kaurrëve”. Dhe në shumë qytete si në Kaçanik, Shkup, Pejë Janinë, Shkodër si dhe në vetë Manastirin dominon një pakanaqësi. Ata mashtronin qeverinë turke dhe opinionin botëror se gjoja në Kaçanik është organizuar një miting kundër shkronjave latine dhe se është sjellur një rezulutë se “germat latine janë në kundërshtim me Sheriatin dhe se banorët e kësaj ane kërkojnë që të mbyllen të gjitha shkollat në gjuhën shqipe dhe të ndalohen librat të shkruara me alfabetin latin “(10).
Gjithashtu në Gjilan shkruanin se gjoja janë djegur orenditë shkollore dhe se janë rrahur dy mësues pse kanë përdorur shronjat latine. Nga të gjitha vendbanimet shqiptare gazetat turke informonin se gjoja dëshpërimi është shumë i madh tek banorët shqiptarë me fe myslimane.
Ndërkohë simpantizuesit e shkronjave turko – arabe nga klubi i Ak-Sarajit “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmetin nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me Rexhep Vokën për të krijuar një abetare me shkronja turqisht dhe nëpërmjet të Xhemijetit ta shpërdante nëpër shkollat shqipe .
Derisa po zhvillohej një luftë rreth këtij problemi patriotët shqiptarë filluan pa leje që të hapin shkolla në gjuhën shqipe jo vetëm nëpër qytete, por edhe në mjaft fshatëra. Dhe kështu, u çelen shkolla në viset e Korçës, Elbasanit, Beratit, Manastirit, Janinës, Prishtinës, Shkupit etj.
Çështja e alfabetit dhe shkollës shqipe sipas vendimeve dhe veprimeve që ndërmerrte qeveria dhe shërbëtorët e tyre po bëhej serioze. Ato vepronin jo vetëm me propagandë, por edhe me metoda shtypëse për ndalimin e alfabetit shqip. Kësaj propagande antishqiptare iu bashkangjit edhe kisha ortodokëse edhe pse nuk i interesonte drejtpërsëdrejti alfabeti turko-arab, por dëshironte që nëpërmjet të kësaj kishe t’i përçante shqiptarët. Kësaj propagande iu bashkangjitën edhe austriakët dhe italianët. Por populli shqiptar pa dallim feje e kishte kuptuar fare mirë qëllimin se ç’kërkonin turqit e të tjerët. Ai, populli, nuk qëndronte duarëkryq. I tërë populli u orientua në mbrojtje pa dallime fetare e krahinore. Të parët që i dhanë forcë vendimeve të Kongresit ishin nxënësit e Idadijes së Korçës, më pastaj ish nxënësit e shkollës së Janinës, Manastirit, kurse nxënësit e Elbasanit e braktisën tërë shkollën dhe bashkë me popullin ku protestuan mbi 7000 veta. Drejtori i Idadijes së Shkupit pse e ndërroi qëndrimin e pushuan nga puna. Në Berat ndoqën shembullin e Elbasanasve dhe dolën për të mbrojtur vendimet e Kongresit mbi 15.000 veta.
Nuk ngeli pa jehonë edhe Kongresi i Manastirit edhe nga shumë intelektualë që në mënyrë individuale e mbronin ABC-në shqipe. Kështu ndodhi në rrojtoren e kasabës së Kërçovës ku Rexhep Fasku iu hudhi shkumën e sapunit në sy berberit turkofil duke i thanë se “harfat shqipe do t’i shkruajë në ballë se ne jemi shqiptar”.
Këto veprime patriotike të nxënësve si dhe të shumë patriotëve qartë i treguan pushtetit osman dëshirën e zjarrtë të popullit shqiptar për gjuhën dhe shkollën shqipe. Pas kësaj dëshire nuk qëndronin vetëm nxënësit, patriotët, intelektualët, por tërë populli shqiptar pa dallim feje. Me veprimet e tyre qartë treguan se mbrojtja alfabetit dhe gjuhës shqipe me të vërtetë shënon një faqe të lavdishme të historisë sonë dhe është një mësim i qëndresës në momente vendimtare.
____________
Referencat:
1. Tomor Osmani, Udha e shkronjave, Shkodër.,1999
2. Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i manastirit, Tiranë, 1972,214
3. Fotokopje nga arshivi Krahinor në Prishtinë marrë nga fondi i J.Jovanoviqit.
4. K. Prifti, “Kongresi i Manastirit, ngjarje e shënuar në kulturen kombëtare”, “Gjuha jonë”, Tiranë, 1988, nr.3, 10;
5. ”Rufeja” e datës 14.02.1910.
6. Historia e Shqipërisë, Kongresi i Dibrës, vëll.II,300-302.
7. Informatë nga Akad. Oliovera Jashar -Nasteva , bija e Emin Beut, dhënë në vitin 1998
8. Shih gazetën “Korça” nr.32, dt.1910
9. T.Osmani, vepër e ituar,faq.500
10. Shiko gazetë “Vardar” 6 dhe 7 shkurt 1910.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura