FATBARDHA DEMI: DY SHEKUJ GENOCID MBI SHQIPETARËT (II)

Tiranë, 19. 04. 2014 – «Genocid mbi baza raciste» është i vetmi emërtim që përcakton saktësisht, marrëdhëniet historike, të shteteve që u krijuan pas shëmbjes së Perandorisë Osmane me shqipetarët. Copëtimi i trevave shqipetare nga ana e Fuqive të Mëdha, siguroi vazhdimsinë e suksesshme të proçesit të çfarosjes dhe tjetërsimit të kësaj popullsije të madhe dhe autoktone në Ballkan.
Gjatë vitit 1944, kur popujt ishin të bindur se bashkë me nazizmin, po i vinte fundi dhe ideologjisë raciste dhe genocidit çfarosës, kur besimi se njohja e të drejtave të njeriut dhe e dënimit të krimeve do të triumfonte në Europë, fqinjët veri-lindor dhe jugor të popullit shqipetar, ju rikthyen zbatimit të Programeve të tyre raciste të shekullit 19 («Nacertanie» dhe «Megali Idea»).
Në 14 maj 1944 me vendim të Shtabit Suprem të UNÇJ’së, nën drejtimin e Aleksandër Rankoviçit, u formua OZN’a (Odelenje za Zashtitu Naroda – Dega e Mbrojtjes Popullore) një forcë speciale e policisë sekrete e cila në janar 1946 u emërtua UDB (Uprava drzhavne bezbednosti/ sigurnosti/ varnosti). Zbatuesit më të egër të shovenizmit serb – Aleksandër Rankoviçit, J.B.Tito i kishte dhënë pushtet të plotë. Ai mbante detyrën e sekretarit të Komitetit Qëndror të LKJ-së, ministrit të Punëve të Brëndshme dhe të nënkryetarit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. OZN/UDB-ja, kishte si detyrë zbatimin e Programit të shek.19 “Nacertenia”, e cila me çdo mjet dhe dhunë, do të siguronte mbijetesën e Jugosllavisë së Madhe, në prag dhe mbas mbarimit të Luftës II Botërore.

– Aleksandër Rankoviçi dhe Josip B.Tito – 

Që në shtator të 1944, Miladin Popoviqi në një letër dërguar të gjithë komisarëve politikë në Kosovë, në emër të PKJ-së shkruante: “Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesë janë bandat e armatosura (patriotët shqipetarë-shën im) që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme për spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda të cilat duhet likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit, këtë do ta kryejnë shtabet (e UNÇJ). Në fshatrat që kanë bërë rezistencë, organizatorët duhen dorëzuar gjyqit ushtarak… ndërsa fshatarët të çarmatosen…”.
Brigadat e UNÇJ’së në Kosovë nisën çarmatosjen e popullsisë në emër të “spastrimit të terenit nga bandat kriminale shqipetare”. Më 7 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ’së J.B.Tito në një takim me ushtarakët serb: Savo Derleviçin, Gjuro Medenicën dhe Kersto Filipoviçin në Beograd, shtroi programin e tij për të ardhmen e Kosovës, pas mbarimit të Luftës. Me urdhërin nr.31 ë 8 shkurtit 1945 u vendos administrimi ushtarak në Kosovë nën komandën e serbo-malazezeve, duke e bërë “fakt të kryer” pushtimin. Kjo makineri pushtuese ushtarake jugosllave, në emër të “spastrimit” të terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundër-revolucionarët” vrau e masakroi mijëra shqipetarë anë e kënd Kosovës.
Gjatë vitit 1944 dëri në vitin 1947, sipas Xheladin Hanës (anëtar i KNÇK, i vrarë më 15.12.1948 nga UDB-ja) forcat pushtuese ushtarake serbo-sllave të drejtuara nga Tito, kanë vrarë mizorisht rreth 86.000 shqipetarë.
Menjëherë mbas 1945, në Jugosllavi u rishfrytëzuan kampet naziste të përqëndrimit apo u ndërtuan të reja, si ay në Borovnica, Aidussina, Goli Otok, Maribor, Skofia Loka, Sveti Grgur. Një prej vuajtsve të këtyre fabrikave të vrasjes ka qenë edhe patrioti Adem Demaçi.
Sot nuk dihet numri i saktë i viktimave, sepse regjistrat e këtyre kampeve, me urdhër të Titos, u zhdukën dhe të vrarët apo të vdekurit nga tortura janë hedhur në humnera, në det apo në varrezat masive. (20)
Historiani Gjokë Dabaj duke sjellë në studimet e tij, krimet dy shekullore raciste ndaj shqipetarëve, të serbo-sllavëve në veri dhe hellenëve në jug, shprehet: “Ky kalendari ynë, i martirëvet, nuk do të përkujtonte vetëm 1 martir në një ditë të caktuar, por sejcila nga datat tona do të bartte mbi shpinë me dhjetra, me qindra e, disa herë, me mijëra martirë, përjetësisht të pangushëllueshëm”.
IV Rruga e vdekjes
Ky emërtim ju dha çvendosjeve masive të popullsive të ndryshme, në vitin e fundit dhe pas Luftës II Botërore, të kryera nga Jugosllavija e Titos dhe shtetet e tjera në Europë.
“Rruga e vdekjes” e shqipetarëve u zbatua nga shteti titist në muajin mars-prillit të vitit 1945, (Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar) që në historinë tonë, njihet me emrin “Masakra e Tivarit”. (Masakra u pasqyrua nga studiusi Uran Butka ne librin “Masakra e Tivarit”).

Mbasi vendosi regjimin ushtarak në Kosovë, duke vrarë “terroristët” shqipetarë, grabitur pasurinë e tyre, djegur fshatra të tëra dhe çarmatosur popullsinë, udhëheqia jugosllave shpalli mobilizimin e brigadave të “Kosmetit” për në Frontin e Sremit, në vëri të Serbisë. Por duheshin larguar fillimisht forcat e armatosura partizane të shqipetarëve.
Nga fillimi i janarit 1945 Shtabi Operativ i “Kosmetit”, urdhëroi Shtabin e Brigadës së Shaban Palluzhës, të lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, ku duhet të bashkohej me Brigadën e VII të “Kosmetit”, për të vazhduar rrugën për në Serbi (Kurshumli – Banjë e Kurshumlisë – Prokuplë – Srem). Largimi i burrave dhe rinisë së armatosur nga Kosova dhe Maqedonia, në valën e dhunës së ushtrisë titiste, shkaktoi kundërshtimin e popullsisë shqipetare.
Më 11.03.1945 në Gjakovë u organizua një dëmonstratë e grave, kundër mobilizimit me dhunë, të djemve, vëllezërve dhe burrave të tyre. Shumë shqipetarë dhe formacione partizane, duke iu shmangur mobilizimit, iu bashkuan rradhëve të grupeve të rëzistencës. Ata u quajtën “dezertorë” dhe “tradhëtarë”. Në prag të çlirimit nga nazizmi, ushtria jugosllave titiste nisi genocidin mbi popullatën e pafajshme, me preteksin e ndjekjes së dezertorëve e të “spastrimit të terenit nga forcat reaksionare shqipetare”.

Gjatë muajve janar – prill 1945, janë mobilizuar dhunshëm rreth 44.523 shqipetarë nga Kosova dhe viset e tjera etnike, për në frontet e ashtuquajtura të “Sremit” e të “Adriatikut”. Të mobilizuarit me dhunë (mars-prill 1945) u grumbulluan në kazermat ushtarake të Prizrenit. Mbasi u çarmatosën, me arsyetimin se “armët do t’i merrnin në Kroaci e Slloveni!”, u formuan tre kolona, tashmë si robër të luftës, për t’u nisur drejt rrugës Prizren – Kukës – Shkodër – Tivar – Dubrovnik – Riekë. Shoqërimi i tyre ju ngarkua Brigadës 27 të divizionit 46-të serb, e njohur për terrorizimin e popullit shqipetar gjatë muajve të kaluar.
Grupi i parë prej 3.700 veta, u nis më 24. 03. 1945 dhe pas një udhëtimi 6 ditor me keqtrajtime shtazarake nga ana e shoqëruesve serbo-malazez, mbriti në Tivar dhe iu dorëzua reparteve të Divizionit të 9-të jugosllav.
Grupi i dytë i përbërë nga 4.700 veta i shoqëruar nga partizanë titistë të Brigadës 27-të, mbas dy ditësh nisi marshimin katër ditor në rrugën Prizrën – Zhur – Kukës – Pukë – Shkodër.
Vrasjet e para ndodhën në mesnatën e 26/27 marsit gjatë një ndalese në Kukës. Sipas planit të para-përcaktuar, në kohën që kolona e shqipetarëve ishte në gjumë, vriten mizorisht rreth 120 – 140 veta dhe kufomat e tyre hidhen në greminë. Në shënjestër u vunë komandantët shqipetarë të njesiteve që ishin grumbulluar në Prizren.
Shqipetarët e kuptuan se nuk po shkonin për luftë kundër ushtrisë naziste, por drejt vdekjes. Nën grykat e pushkëve, kolona natën e 28 / 29 marsit kaloi luginën pyjore në periferi të Pukës, duke lënë rrugës trupat e shokëve që për shkak të torturave, helmimeve me ushqim dhe të ftohtit, mëngjesi i gjeti të vdekur.
Gjatë kalimit tek “Ura e Zogut” që ishte e shkatëruar, me një vagon – teleferik të sajuar, ranë në lum rreth 50 veta, ku shumica prej tyre gjeti vdekjen.
Më 30 mars, ushtarët serbo-malazezë që i shoqëronin, nuk i lejuan shkodranët që kishin dalë me ushqime dhe ujë për vëllezërit e tyre nga Kosova, i çuan në kodrat e qytetit dhe në mesnatën e 31 marsit, pa e marr veten nga rruga e gjatë dhe të uritur, i nisën në drejtim të Ulqinit.
Më të kaluar kufirin (afër Ulqinit) kolona është ndalur gjoja për të pushuar. Të gjithë të sëmurët dhe të plagosurit veçohen nga shokët, me shkakun “për të evituar ndonjë epidemi të mundshme” dhe se do të çoheshin në ndonjë spital të Malit të Zi. Kurrë nuk u mësua gjë për fatin e tyre.
Në mesditën e datës 1 prilli 1945 mbritën në Tivar. Atë ditë të kobshme, rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo – malazez, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqipetarëve. Në qendër të qytetit u urdhërua të ndalej për të pushuar. Të raskapitur nga udhëtimi dhe të etur për ujë, katër shqipetarë iu afruan një burimi. Rojet shoqëruese i larguan duke i goditur me tytat e pushkëve dhe duke shkaktuar kundërshtimin e tyre ndaj këtij trajtimi çnjerëzor. Menjëhere ushtarët filluan të qëllojnë me breshëri plumbash mbi shqipetarët. Ky veprim i ushtarëve serb, i përgatitur qëllimisht në mes të sheshit të qytetit, shërbeu si sinjal për fillimin e zjarrit me pushkë dhe mitralozë të vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritareve e tarracave të shtëpive përreth sheshit të qytetit të Tivarit dhe në kodrat përreth. (21)

Azem Hajdini, dëshmitar i Masakrës së Tivarit.

Azem Hajdini një nga të mbijetuarit tregon vijimin e masakrës: “Ne ishim në kolonë për 4, me gjatësi prej 5-6 km, dhe mundësia për një shfarosje masive ishte më e vogël. Na urdhëruan të ngrihemi në këmbë dhe me duar të lidhura mbas kokës të ecnim drejt një ndërtese të madhe 3 katshe që ndodhej mës të kodrave shkëmbore. Oborri ishte i rrethuar me mure të larta hekuri që mbaronin me maja të mprehta. Ishte zgjedhur një vend i përshtatshëm për vrasje masive. Duke hyrë në oborr 10 – 15 ushtarë më shufra hekuri na goditnin në kokë, në gjoks apo në shpinë duke lënë në tokë për vdekje afro 100 – 150 veta. Në ndërtesë aritën të futen 100 veta dhe 2200-2500 të tjerë mbetën në obor. Rreth orës 14.00 filloi goditja me pushkë automatikë, mitralozë, mortaja dhe bomba dore mbi rekrutët shqipetarë dhe brënda një ore, nuk mbeti njeri në këmbë. Sheshi i oborit u mbulua nga gjaku ndërsa ndërtesa u shndrua në gërmadhë, me qindra kufoma shqipetarësh brenda saj.
Xhelatët, për t’u siguruar se mos kish shpëtuar ndonjë i gjallë nën trupat e pajetë të shokëve të tyre, në emër të “shtabit” bënë thirrjen: “Informohen të gjithë ata që kanë mbetur gjallë ose të plagosur, se komandanti suprem i UNÇ, shoku Tito ka urdhëruar ndërprerjen e zjarrit dhe të gjithë i ka falur – pavarësisht prej gabimeve që kanë bërë !!!
Të gjithë të plagosurve do t´u jepet ndihma mjekësore
…Kërkojmë të brohorisni: “Rroftë shoku Tito”, “Rroftë bashkim-vëllazërimi”, “Rroftë ushtria nacional-çlirimtare”… !!!
Duke i besuar thirrjes, shumica e të plagosurve u ngritën për të kërkuar ndihmë mjekësore. Por… çka ndodhi…?! Ushtarët u vërsulën si bisha mbi ta dhe i masakruan pa mëshirë”.
Për të fshehur gjurmët e kësaj vepre mizore, u mobilizuan të gjitha njësitë ushtarake serbo – malazeze, qytetarë e punëtorë të këtij nacinaliteti dhe me kamionë, vagoneta, qerre etj, gjatë tërë natës i bartën kufomat dhe të plagosurit (bashkë!!!) në drejtim të Tivarit të vjetër, tek një greminë në mes shkëmbinjëve të bregdetit. Një pjesë e kufomave fillimish u dogjën e pastaj u hodhën në humnerë, ndërsa pjesa tjetër do të varrosej …!!! (22)

Aleksandër Rankoviçi dhe shteti titist, këtë ngjarje e cilësoi si të rëndë dhe të shkaktuar për faj të vetë shqipetarëve!!
Vetëm pas 51 viteve, më 20.9.1996 TV norvegjez njoftoi për zbulimin e një varreze masive afër Tivarit me 2 mijë viktima të shqipetarëve të vrarë më 1 prill 1945.
Grupi i tretë, me 2700 veta, nga Prizreni u nis më 27 mars 1945 dhe u shoqërua nga Brigada famkeqe 27. Shumë shqipetarë gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, për mungesa të ushqimit e të higjienës u sëmurën me tifo dhe dhjetra prej tyre vdiqën rrugës. Në mbrëmjen e 2 prillit ky grup arriti në Tivar dhe iu dorëzua Divizionit të 9’të dalmat. Nga Tivari me anije u transportuan në Dubrovnik, ku u vendosën në disa objekte. Një grup prej 800 vetash që ishin vendosur në një depo baruti, u helmuan gjatë natës dhe në mëngjes u zgjuan të enjtur. Gjatë ditës vdiqën të gjithë sa ishin aty. (23)
Kjo politikë dy shekullore e sllavëve për çfarosjen raciste të shqipetarëve, pati kulmet e veta (kur krimi përfshinte gjithë popullsinë), e fundit në rradhë ishte ajo e Kosovës së 1998-99!
V Zgjidhja finale
Emërtimi “zgjidhje finale” (Endlösung der Judenfrage) u përdor nga nazistët në fund të vitit 1940 e planifikuar si hapi i fundit i programit racist për çfarosjen e hebrejve. Sot kjo veprimtari njihet me emrin “holokaust” dhe u përdor gjërësisht edhe në Europën e viteve të para, të mbas Luftës II Botërore. Qëllimi ishte zhdukja e popullsive etnike, jo si pasojë e luftimeve ushtarake, por vrasjeve të planifikuara me gjak-ftohtësi dhe në mënyre çnjerëzore.
Genocidi etnik u dënua si veprimtari politike dhe pseudo-shkencore, me shpalljen në vitin 1950 nga UNESCO të “Deklaratës mbi racat”, por kjo nuk shënoi fundin e ideologjisë dhe veprimtarisë raciste. Politik-bërësit europianë, me gjithë ngjarjet e zhvilluara, nuk duan ta pohojnë se kjo ideollogji kundër etnisë shqipetare, vijon të udhëheq vemrimtarinë e disa shteteve ballkanike deri në ditët e sotme.

– Sllobodan Millosheviç dhe Dobrica Ҫosiç –

 Radikalët: Aleksandër Vuçiç (Kryeministër i R. së Serbisë), Vojisllav Sheshel (aktualisht i burgosur për krime lufte në Hagë) dhe Tomosllav Nikoliç (President i R. së Serbisë)

Në memorandumin e famshëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit të 1986’ës, shkrimtari nacionalist serb Dobrica Ҫosiç, President i «Jugosllavisë së Re» të Milosheviçit më 1992, deklaronte: «Spastrimi etnik është veprues për të krijuar Serbinë e Madhe (…) suksesi i një veprimi ushtarak varet nga zhdukja prej territorit, të popullsive të huaja» (24)
Platforma antishqiptare për spastrimin etnik të Kosovës, është përgatitur nga “Komiteti Qëndror Atdhetar i Partisë Radikale Serbe” (SRS), i nënshkruar nga kryetari i saj, Vojisllav Sheshel, zëvëndës/kryeministri i Serbisë dhe zëvëndës/kryetar i Partisë Tomisllav Nikoliq, Nikolla Poplashen, Maja Gojkoviq, Ranko Dujiq e Aqim Vishnjiq, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, Aleksandër Vuçiç.
Kjo Platformë u botua në gazetën “Serbia e Madhe” (Velika Serbia), më 14 tetor 1995 në Beograd dhe më 1997 nga Qendra “Global Communicators”, në Washington, D. C. (25)
Por si çdo strategji politiko-ushtarake, për t’u vënë në jetë duheshin përgatitur edhe zbatuesit e saj dmth ushtarët dhe qytetarët jugosllavë. Historia e shek.20 ka dëshmuar se racizmi etnik (si çdo lloj racizmi), është zbatuar paraprakisht, si ushqim shpirtëror i frymëzuar në bangat e shkollës, në administratat shtetërore, ushtri, masmedia dhe në institucionet fetare. Urrejtja kundër kombit shqipetar është përfundim i këtij aktiviteti arsimor, kulturor, ushtarak dhe fetar i vendeve fqinj, që krijoi «bishat» të cilat vunë në jetë planet çfarosëse të aparatit ushtrak të Milosheviçit në Kosovë.
Poezia epike heroike serbe, si ajo kushtuar Kraleviq Marko, për intelektualët e Akademisë serbe të Shkenacave, vlerësohet si një trashëgimi “shkencore” e traditës. Ajo lartëson krimet makabre të heronjve, si: prerjet me gjakftohtësi me thikë, nxjerrja e syve, prerja e gjymtyrëve, djegia në zjarr, shkatërrimi i pasurisë së kundërshtarit dhe shfrytëzimi i tradhtisë për të mundur kundërshtarin dhe kultivoi ndjenjën e superioritetit mbi popujt të tjerë. Anëtari i Akademisë serbe, Antonije Isakoviç, theksonte se: “Mitet tona na bëjnë më të fortë, dhe ne duhet të jetojmë me to. Sa herë kemi qënë në mes vështirësish, vinim në Kosovë, te Karagjorgji tek poezia popullore…”.
Vidovdan
Vështroj qiellin, shekujt që kalojnë
Kujtimet e lashta është i vetmi mjekim
Kudo që shkoj, tek ty kthehem sërisht
Sepse asnjeri nuk mund të ma shkul nga shpirti Kosovën
Si një zjarr i përjetshëm në zëmrat tona
Lufta e Kosovës mbetet qartësia e vetme…

(Vidovan është një këngë e epopesë serbe që këndohet në çdo 28 qershor, ditën e shën Vidovanit kur përkujtohet humbja ndaj turqve në Fush-Kosovë, pranë Prishtinës më 1389). Këngë të tilla u thurrën edhe për të kërkuarit nga Gjyqi i Hagës për krime lufte si Radovan Karagjiq, Mlladiç e shumë të tjerë. (26)
Keqpërdorimi i historisë për qëllime raciste dhe ushqimin e urejtjes, shprehet edhe në tekstet e pas-luftës të historisë, letërsisë, gjeografisë, arteve dhe njohurive shoqërore që nga klasa e parë fillore deri në arsimin e lartë. Psh në tekstin e historisë së klasës së tetë fillore: “Gjatë periudhës 1941-1944 janë likuiduar 10.000 serb, ndërsa janë shpërngulur me dhunë rreth 100.000 nga terrori i shqiptarëve”. Ende përdoret si emërtim ofendues emri “shiptari”, “arnauti” duke i paraqitur si “serbë të islamizuar”. (27)
Vasa Ҫubriloviç (ministër i Titos dhe këshilltar i Milosheviçit deri sa vdiq më 1991), i cili në vitin 1937 kishte përpunuar manifestin “Zbimi i shqipetarëve” (Iseljavanje Arnauta) rreshtonte në projektin e tij të spastrimit shkencor, mënyrat e arritjes së kushteve për një zbim masiv: «Asnjë veprim nuk kërkon kaq vëmendje dhe durim. Për të patur një largim masiv, kushti i parë është krijimi i një psikologjije të përshtatshme, që mund të ndikojë në shumë mënyra». Një nga këto “psikologji të përshtatshme” në strategjinë e «luftës finale» kundër popullsisë shqipetare, ndoshta më e rëndësishmja, ishin krimet kundër femrës shqipetare.
Goditja më e rëndë ndaj femrës shqipetare ishte ajo e torturimit dhe vrasjes së fëmijëve.
Një “raport i brendshëm”, i cilësuar “tepër sekret”, i hartuar nga shërbimet sekrete të “Ushtrisë Jugosllavë”, në janar/shkurt të vitit 2000, jep një pamje të përmasave të krimeve të tmerrshme që kryen forcat ushtarake serbo-jugosllave gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë. Raporti ishte përpiluar për IWPR’në, “Oficerë serbe tregojnë krimet”, i botuar më 4 prill 2000, nga gazetari Miroslav Filipoviq nga Kraleva: “Dëshmitë e përbashkëta të oficerëve në teren, tregojnë se njësitë e Ushtrisë Jugosllave kanë vrarë mizorisht të paktën 800 fëmijë se “Crni2 iu afrua një plaku, i cili mbante në dorë një fëmijë rreth tre ose katër vjeç. Ia mori fëmijën nga duart dhe kërkoi nga plaku një pagesë prej 20 000 markash gjermane. Kur pa së shqipetari kishte vetëm 5 000 marka e mori fëmijën për flokësh, nxori një thikë nga brezi dhe i preu kokën. “5 000 marka janë të mjaftueshme vetëm për trupin!”, – tha dhe eci përpara fshatarëve të tjerë, duke mbajtur kokën e fëmijës nga flokët. E gjithë kjo ka ndodhur në sytë e dhjetra njerëzve, tregon Vladimiri. Ne ishim të gjithë në një gjëndje shoku: disa ushtarë vollën, ndërsa nëntogeri ynë i ri në moshë humbi ndjenjat para një pamjeje të tillë makabre të trupit pa kokë në tokë. “Crni” më pas u deklarua si i papërgjegjshëm mendërisht, u shkarkua dhe u dërgua në shtëpi. Por ai është akoma i lirë, megjithëse ka kryer këtë krim të tmerrshëm. Është i dyshimtë fakti se ata do të dalin ndonjëherë para drejtësisë. Shumë prej tyre përkundrazi, janë graduar dhe ngritur në pozita». (28)
Në strategjinë e «luftës finale» u përfshinë, krahas forcave ushtarake edhe popullsia civile serbe, e cila dha informata, grabiti dhe një pjesë e tyre mori pjesë aktive në zhdukjen e shqipetarëve. Megjithëse për të mos u njohur nga komshinjtë ata përdorën maskat, emrat e tyre u bënë të njohura. Kjo është edhe arsyeja që shumë prej këtyre familjeve, sot nuk guxojnë të kthehen në Kosovë për të jetuar pranë viktimavë të tyre.
Në të gjithë shekullin e 20, në historinë e Europës, nuk mund të gjëndet asnjë shëmbull i ngjashëm me ato krime që përjetoi femra shqipetare e v.1998-99.

 Dëshmia e R.N. nga Prishtina e gjetur e lidhur në lokalin e Fakultetit Juridik, mbas tërheqjes së trupave serbo-malazeze:
“Më thanë se do të më merrnin në pyetje; njëri pej tyre më urdhëroi që të zhvishesha siç kam lindur nga nëna. Unë refuzova. Një milic më ra me shuplakë dhe menjëherë më plasi gjaku nga buzët e shkrumuara. Tjetri vuri gishtin te buzët e mia, e ngjyu me gjak dhe tha: “Siç duket të gjithë shqipetaret e kanë gjakun e ëmbël dhe unë me këtë thikë do t’i shijoj të gjitha”. Pasi mbaroi punë, bisha urdhëroi njërin prej kolegëve të tij t’i ndizte një cigare. Unë mezi mbaja pikat e fundit të fuqisë që po më shteronin krejt. Me cigaren e ndezur m’u afrua dhe më tha: “Unë, Nenad Stojanoviq, do të ta lë një kujtim për tërë jetën. Ndoshta ti, si e re dhe e bukur që je, don ta jetosh jetën, por unë do të të vras ngadalë-ngadalë”, dhe ma afroi cigaren te gjitë e mi dhe e fiku atje. Mbi një paketë ka shuar në trupin tim për disa orë. Në asnjë film nuk kisha parë asi torture. Të nesërmen, sapo më zgjidhën duart, më kanë dhunuar që të gjithë me radhë. Nuk e di se sa burra kanë luajtur me trupin tim, kur kam ardhur në vete. Ende sot, kam në trupin tim me qindra plagë cigaresh dhe plagë thike, ku kanë gdhendur turli fjalësh në serbisht”. Disa ditë më vonë e pashë veten në dhomën e panjohur të një fshati; më kishin marrë e më kishin mjekuar atje. Më kishin mjekuar plagët që më kishin bërë me thikë duke pikturuar me tehun e saj në lëkurën time”.(29)

_________________________

DOKUMENTE ARKIVORE

Organizata joqeveritare e Gruas “Jeta në Kastriot”, e drejtuar nga Luljeta Selimi, që ka nën përkujdesje 2016 femra shqipetare, të përdhunuara nga forcat serbo-malazeze dëshmon se 124 prej tyre kanë plagë të dukshme në trup (gjinj të prerë, gishtërinj të këputur, nëntë janë me nga një sy të nxjerrë dhe gjashtëmbëdhjetë më plagë të hapura në fytyrë). Ato janë në gjëndje të rëndë shëndetsore e psiqike.
Shaip Vrellaku, i cili ishte zënë rob nga forcat serbe ndodhej në stacionin e trenit në Gllogoc: “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit të Gllogocit. Edhe sot i dëgjoj ato britma të tmerrshme dhe trishtuese të vajzave që digjeshin”. (30)
Sot, historianë dhe intelektualë kurajozë, po nxjerrin nga thellësitë e Arkivave dhe i bëjnë të njohura faktet mbi genocidin dhe racizmin mbi popujt e tyre, i cili shkaktoi shumë viktima tek popullsia civile, si gjatë edhe pas Luftës II Botërore në Europë. Ka shtete që e dënojnë këtë ideollogji dhe ruajnë dëshmitë e pasojave të saj për të treguar rrezikshmërinë e saj. Por nuk veprojnë të gjithë kështu…
Në shek.19 një francez, Prisi i Avenes (Prisse d’Avenne1807-1879) i dhënë pas artit egjiptian, bleu pranë Tebës një papirus që përmbante kopjen e vetme të plotë të Maksimave të Ptahhotepit (dijetarit më të shquar të Egjiptit faraonik). Në Maksimën 36 të tij shkruhej: Humanizmi i dlirë, që beson në mirësinë natyrore të njeriut, bën gabim tragjik ; ky nuk ndreqet vetvetiu. Krimi që mbetet pa u ndëshkuar, e shndërron atë që e ka kryer, në sulmues e shkatrimtar. (31)

Zhvillimet e sotme të politikës europiane, dëshmojnë domosdoshmërinë e njohjes dhe dënimit të krimeve të “fshehura” edhe në Ballkan, siç është: GENOCIDI RACIST DY SHEKULLOR KUNDËR SHQIPETARËVE.
Ky akt duhet të bëhet, për hir të PAQES historike midis popujve ballkanik dhe europianë (sepse racizmi nuk njeh kufij), në mënyrë që të dënohet ideologjia politike e shpërblimeve për hir të «ekujlibrit» midis Fuqive të Mëdha e shekullit 19-20, e cila vijon edhe sot të mbajë të ndezur fitilin e luftrave kriminale.
Fatbardha Demi – 31.04.2014
__________________
1- “Shqiptaret në tekstet shkollore të Serbisë dhe të rajonit” Mazllom Kumnova Educologia 5/2011. Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Edukimit)
2- http://www.glas-javnosti.rs/dodaci/vehabije-haraju-srbijom/nove-knjige-otmica-kosova
3- L’antinegazionismo nell’esperienza giuridica tedesca e comparata polis.unipmn.it/pubbl/RePEc/uca/…/luther121.pdf –
4- Albert Nikolla “Akuza që ulërijnë”
5- http://www.kombetare.al/identiteti-etnik-dhe-struktura-demografike-e-trojeve-shqiptare-ne-prag-te-shpalljes-se-pavaresise/
6- http://gazetadita.al/austriaket-ne-1869-shqiptaret-mund-te-behen-zoter-te-rajonit-2/
7- http://fr.wikipedia.org/wiki/Halford_John_Mackinder
8- http://gazetadita.al/austriaket-ne-1869-shqiptaret-mund-te-behen-zoter-te-rajonit-2/
9- “Kerkesat patollogjike fashiste” Qerim Pllana, 2012, INA“iliria news agency”
10- Gjurmimë albanologjike, seria e shkencave historike IX-1979, Prishtinë, 1980, fq. 142).
11- Dosja 58 – Përmasat e barbarise serbe mbi shqipetarët- Veli Haklaj, www.pashtriku.org
12- Demir Krasniqi: “Shpërnguljet e shqiptarëve në këngët tona popullore”
13- http://www.huffingtonpost.it/daniele-scalea/hj-mackinder-un-filosofo- dellequilibrio_b_4120701.html)
14- f 182 Nuri Dragoi “Shqipëria dhe Greqia” 2009.
15- f199 N.Dragoi po aty
16- f231 N.Dragoi po aty
17- Albert Nikolla “Akuzat që ulërijnë”
18- http://pashtriku.beepworld.de/files/kosova_2010/prill_2010/14- 18.10/fitnete_ramosaj_pjese_nga_vellimiidyte_i_librit_18.4.10.htm)
19- Dosja 58 “Përmasat e barbarisë serbe mbi shqipetaret” – Veli Haklaj, www.pashtriku.org)
20- Sheradin Berisha Publikuar më 21 janar 2012 http://www.albaniapress.com/lajme/15668/Shembelltyra-e-J-B-Titos-ne-studimet-e-Ibrahim-Rugoves.html
21- http://www.albaniapress.com/lajme/5496/Si-ndodhi-masakra-e-Tivarit-me-1-prill-1945.html)
22- http://www.albaniapress.com/lajme/15668/Shembelltyra-e-J-B-Titos-ne-studimet-e-Ibrahim-Rugoves.html
23- http://www.albaniapress.com/lajme/5496/Si-ndodhi-masakra-e-Tivarit-me-1-prill-1945.html)
24- http://www.lefoibe.it/approfondimenti/dossier_web1.pdf
25- http://pashtriku.beepworld.de/files/kosova_2010/prill_2010/14-18.10/fitnete_ramosaj_pjese_nga_vellimiidyte_i_librit_18.4.10.htm)
26- http://www.ossin.org/kosovo/i-giorni-della-spiritualita-e-del-raccoglimento-vissuti-nel-kosovo-martoriato.html
27- “Shqiptaret ne tekstet shkollore te Serbise dhe te rajonit” Mazllom Kumnova Educologia 5/2011. Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Edukimit
28- “USHTRIA JUGOSLLAVE” PËRGJEGJËSE PËR VRASJEN E TË PAKTËN 800 FËMIJËVE GJATË LUFTËS NË KOSOVË
29- pashtriku – krimet – riza lani: unË dragan spasiq jam njeriu qË me … www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=139‎)
30- pashtriku – krimet – fetntete ramosaj: pËrdhunimet si krime lufte www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630‎)
31- f36, “Mësimet e Ptahhotepit- Libri më i lashtë i botës”, Logoreci, 2006
.

FUND

…………………………………………….

FATBARDHA DEMI: DY SHEKUJ GENOCID MBI SHQIPETARËT (I)
PJESA E PARË: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2685

***************************

/ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG, Sh.BERISHA/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura