AZIS GJERGJI: AHMET BEJ ZOGOLLI DHE LUFTA E PARË BALLKANIKE

(Pashtriku.org, 01. 08. 2012) – Për rastësi, ditën që Mbretëria e Malit të Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane (8 tetor 1912), kreu i ri i dinastisë Zogolli, Ahmet Muhtar Mati, mbushi 17 vjeç dhe hyri për 18. Kështu, ditën e parë të vitit të 18-të të jetës së tij të re, përpara Muhtarit të Matit u çel perspektiva e një karriere ushtarake të shpejtë në shkallët e hierarkisë perandorake osmane, siç edhe kishin arritur stërgjyshërit e tij pashallarë. Ai i kishte dhënë fjalën prefektit të Dibrës për të mobilizuar farefisin e tij dhe gjithë banorët e krahinës në luftë për mbrojtjen e “atdheut të përbashkët osman”, ashtu siç kishte vepruar edhe gjyshi i tij, Xhelal bej Zogolli, kur kufijtë e Perandorisë Osmane ishin sulmuar për herë të parë nga trupat malazeze – 60 vjet më parë, në vitin 1852.
Por ndryshe nga sulmet e veçuara të vitit të largët 1852, kësaj radhe shtetet e krishtera të Ballkanit të lidhura në Aleancën e fshehtë Ballkanike ishin ngritur në bllok në luftën finale kundër Perandorisë Osmane. Duke iu drejtuar pronarëve të mëdhenj të tokave, pashallarëve, bejlerëve e bajraktarëve, të cilët vazhdonin t’i shërbenin me verbëri sulltanit, patrioti і madh shqiptar, dijetari Sami Frashëri i kishte paralajmëruar ata se edhe nëse shqiptarët do të ngriheshin për të mbrojtur trojet e tyre, por do të njiheshin si besnikë të Portës së Lartë, pa kërkuar prej saj njohjen e veçimin e trojeve të tyre kombëtare, ishte rrezik të njëjtësoheshin me osmanët dhe, kur Perandoria Osmane të shembej, tokat shqiptare do të konsideroheshin pjesë e trashëgimisë së saj dhe fitimtarët kishin të drejtë t’i kërkonin e t’i ndanin midis tyre. (1).

Ahmet Zogolli

…………………………………………………

Trumpetat e luftës do të hidhnin në sulm 44 500 malazezë të Mbretërisë malazeze në Plavë e Pejë, Hot e Grudë, Shkodër e Lezhë; do të nisnin 230 mijë ushtarë të Mbretërisë së Serbisë drejt Mitrovicës, Pejës, Priepoljes, Nishit, Manastirit, Elbasanit, Prizrenit e Durrësit. Po ashtu, një ditë më pas, do të niseshin drejt fronteve të Maqedonisë dhe Shqipërisë edhe 125 mijë trupa të Mbretërisë së Greqisë dhe 350 mijë trupa të Principatës së Bullgarisë që synonin ta ndalnin vrapin në dyert e kryeqytetit perandorak osman, Stambollit.
Për t’u bërë ballë sulmeve të njëhershme të 750 mijë trupave të ushtrive të krishtera ballkanike, Sulltan Mehmeti V shpalli mobilizimin e 300 mijë forcave të saj ushtarake të shërbimit aktiv (nizam), rezervist (redif) dhe batalionet e mbrojtjes territoriale (mustahfëz), ndërsa Porta e Lartë lëshoi urdhërin mbi hapjen e depove të reparteve ushtarake në Ballkan për armatosjen e rreth 50 mijë burrave myslimanë, të përllogaritur për t’u bashkuar me trupat osmane në operacionet e ndryshme ushtarake. Në këtë kuadër, autoritetet e sanxhakut të Dibrës, krahas përgatitjes së kontigjentit të parë në ndihmë të Shkodrës, do të dërgonin në kazanë e Matit oficerët e Qendrës së Rekrutimit për mobilizimin e rezervistëve dhe batalionin e mbrojtjes territoriale. Por, autori i broshurës “Ahmet Zogu, Mbret і Shqiptarëve” (1937), Kristo Dako shkruan:

Këta oficerë, duke mos ditur zakonet e maleve të Shqipërisë, nuk e mbaruan dot misionin e tyre dhe kështu pas pak ditësh u kthyen prap në Dibër. Kur oficerët në fjalë ishin në udhëtim e sipër, Ahmet Zogu i dërgoi prefektit të Dibrës një telegram me anën e të cilit e lajmëroi se ai mund të mblidhte një fuqi prej 2 000 matianësh dhe shtonte se ishte gati të nisej vetë në krye të kësaj fuqie kundra armikut në Shkodër, po t’i dërgonte qeveria turke municione…
Për më tej, në botimin “Nga notimet e Zogut…” mësojmë se Ahmet Bej Zogolli në telegramin e tij dërguar prefektit të Dibrës i paska thënë:
Kam të gatshme një forcë prej 8 mijë matjanësh dhe jam gati të nisem vetë në krye të kësaj force kundër armikut në Shkodër. Po të më dërgojë qeveria turke armë e municione, kam dërguar 500 kuaj në Dibër për të tërhequr armët në fjalë me anën e Mahmut Beg Selmanit… Prefekti i Dibrës nuk vonoi e iu përgjigj: Armët dhe municionet i keni gati, menjëherë do t’i dorëzohen Mahmut Beg Selmanit, sipas kërkesës së Prijësit të Matit. Me të marrë këtë lajm Zogu lajmëroi mbarë Matin, se paria gjendej gjithmonë pranë tij, që të mblidheshin në Burgajet brenda tri ditëve… (2)

Jason Tomes – “King Zog  self-made monarch of Albania”

……………………..

Mbledhja për të cilën bën fjalë Ahmet Bej Zogu në “notimet” e tij njihet me emrin “Kuvendi i Qershizës” së Burgajetit. Në dokumentet e Bashkisë së Burrelit thuhet se kuvendi është mbajtur më 4 tetor 1912, por kjo datë duhet të jetë shënuar sipas kalendarit të vjetër julian, ndërsa sipas kalendarit të ri gregorian që përdorim sot, rezulton të jetë mbledhur jo më parë se data 17 tetor 1912. Në kuvendin e Qershizës u muar vendimi unanim për mobilizimin e përgjithshëm të forcave luftarake të krahinës dhe nisjen e tyre në luftë krah për krah me oficerët dhe ushtarët osmanë në mbrojtje të Lezhës e Shkodrës. Tradicionalisht, të gjithë burrat e aftë për armë të Matit ishin të detyruar t’i zbatonin vendimin e marra në kuvendet e krahinës për mobilizim të përgjithshëm, pasi në rast moszbatimi do të gjendeshin përballë një kundërveprimi të pazakontë, siç ishte dëbimi nga fshati apo krahina bashkë me familjen përkohësisht ose përgjithmonë. Ky detyrim është i dokumentuar edhe në telegramin e Ahmet bej Zogollit dërguar nënprefektit të Matit pas mbërritjes së luftëtarëve matjanë në Shullaz të Kurbinit:
Tel. Nr. 260. Fshati Shullaz, 30 e vjeshtës së dytë 1328/12 nëntor 1912, ora 03.
Nënprefektit Xhemal Beut, Mat.
Bashkë me nji pjesë t’ ushtriës tonë, ndashti mbërrina këtu. Halim Beu, sot do të niset për Krua. Prandaj, ata qi janë shkrue atje vetëdashës edhe deri ndashti nuk janë bashkue me vetëdashësit e tjerë të Matit, pleqsoni-e me komisionin edhe ia dërgoni sa ma shpejt Leshit. Në pastë asish qi s’duan me ardhë, pa fjalë, ata t’i nxirrni jasht Matit.
Ahmet Muhtar Zogolli (3)

Në dokumentet e shfrytëzuara nga autori Perparim Rexhepi për studimin e tij historik “Mbrojtja e Shkodrës” thuhet se në Lezhë, krahas forcave të rregullta nizamë, redifë e mustahfëz të reparteve ushtarake të Shkodrës, Elbasanit, Shijakut e Krujës, ndodheshin vetëm “500 luftëtarë të batalionit të Matit e Rekës” (4). Gjithsesi, në kohën kur forcat luftarake të Matit hynë me flamurin e gjysmëhënës osmane në qytetin e Lezhës, trupat e mbretërisë malazeze e kishin mbyllur rrethimin e Shkodrës, duke zënë pozicione dominuese në malet e Kakarriqit, Jushit e Reçit. Komandanti i trupave osmane të Lezhës, kolonel Ali Fehmi Kosturi, do t’i dërgonte trupat e sapombërritur të Matit në frontin e Kakarriqit, ku lufta po zhvillohej me shumë ashpërsi dhe trupat osmane kishin nevojë për përforcime. Biografi Kristo Dako, në broshurën e tij “Ahmet Zogu, Mbreti і Shqiptarëve” (1937) thotë:
“Në malet e Kakarriqit u zhvillua një luftë e gjatë dhe e rreptë; në të cilën ranë të vrarë mëse 80 trima matjanë”. Po këtë shifër të Dakos jep edhe historiani anglez Xheizën Toms (Jason Tomes) në librin e tij “King Zog of Albania, Europe’s self-made muslim monarch” (2003), duke shtuar se mbi 80 luftëtarët matjanë janë “vrarë në një ditë”. Ndonëse nuk paraqet ndonjë dokumet, studiuesi matjan Ramiz Fiçorri e ul shifrën e të vrarëve në Kakarriq në 40 vetë. Gjithsesi, beteja dhe humbja e matjanëve në malet e Kakarriqit është e mbushur me mister, gojëdhana dhe legjenda të çuditshme. Kështu, historiani amerikan Bernd Fischer, i mbështetur në një informacion të botuar në gazetën gjermane “Deutsche Allgemeine Zeitung”, më 21 gusht 1928, dhjetë ditë para se Ahmet Zogu të shpallej “Mbret i Shqiptarëve”, si dhe në një botim të mëvonshëm gazetaresk, shkruan se Zogolli “u detyrua të tërhiqej shpejt, pasi humbi 200 prej luftëtarëve të tij më të mirë.” Megjithatë, numrin më të madh të të rënëve e të plagosurve matjanë në Kakarriq e jep vetë Hysen Selmani në botimin “Nga notimet e Zogut”, ku thotë se u vranë 400 luftëtarë matjanë dhe 500 -700 mbetën të plagosur (5).

Ahmet bej Zogolli me qentë e tij!

…………………………………..

Të thyer dhe të demoralizuar nga humbjet e mëdha në malin e Kakarriqit, rezervistët dhe forcat territoriale të Matit e braktisën frontin e Lezhës sapo u muar vesh se kolona e ushtrisë mbretërore serbe, e nisur nga Prizreni drejt Durrësit, kishte mbërritur në krahun lindor të qytetit të Lezhës. Brenda dy ditëve rezervistët dhe mbrojtësit territorialë matjanë u kthyen në krahinën e tyre për të mbrojtur familjet, tokat dhe bagëtitë. Në lidhje me këtë tërheqje, në botimin “Nga notimet e Zogut” thuhet:

Tërheqja ishte kritike, por vetëm se kurajo e madhe e Zogut mundi ta realizonte… Koha e keqe i detyronte të kalonin nëpër fusha, ku edhe ishte mjaft e rrezikuar nga serbët, por ata kishin një shpejtësi rrufe, e kështu kaluan në Kthellë e Lacë të Matit. Pa u ndaluar gjatë gjithë natës arritën në qendrën e tyre në Burgajet…(6).

Dorëzimi i Shkodrës – 1913!

…………………………………………..

Ahmet Zogu u kthye shëndosh e mirë në sarajet e Burgajetit, por tmerri, lemeria dhe paniku që përjetoi në frontin malazez të Lezhës nuk do t’i shqiteshin nga memoria për të gjithë jetën. Ashtu si gjyshi i tij Xhelal Pasha edhe Ahmet bej Zogolli nuk do të ndeshej më kurrë me ushtritë mbretërore malazeze e serbe; përkundrazi, do të kërkonte me këmbëngulje të bashkëpunonte me të gjitha mënyrat me qeveritë e tyre për të arritur në majën e pushtetit politik në Shqipëri. Dhe hapin e parë drejt pushtetit do ta hidhte sapo të merrte vesh shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Qeverisë së Përkohshme të saj.
_____________
Shënimet:

1) Sami Frashëri, Vepra 1, Akademia e Shkencave e RSH, Tiranë, 1988, f. 59–67.
2) Google: First Balkan War 1912; www.albanur.eu/Historia e Shqipërisë/Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë; Lufta e Parë Ballkanike; J. Tomes, King Zog of Albania…, p. 19; K. Dako, Ahmet Zogu …, f. 27; H. Selmani, Nga notimet e Zogut…,” f. 33.
3) Google: Kuvendi і Qershizës 1912; Lef Nosi, Dokumente historike (1912–1918), botim II, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë: 2007, f. 11.
4) Përparim Rexhepi, Mbrojtja e Shkodrës, 1912–1913, Tiranë: Globus R., 2001, f. 60–61, 79.
5) K. Dako, Ahmet Zogu, mbret i shqiptarëve, f. 29; J. Tomes, King Zog of Albania…, p. 19; R. Fiçorri, Mati, f. 123; B. Fischer “Mbreti Zog…”, vep. e përm., f. 17 (sipas Deutsche Allgemeine Zeitung, 21 gusht 1928; USDS 875 001 Zog/86: Tirana, Nr. 886, 9 tetor 1993); H. Selmani, Nga notimet e Zogut…f. 34.
6) H. Selmani, Nga notimet e Zogut…f. 35.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura