AZIS GJERGJI: KUSH E VRAU DEMOKRATIN LIBERAL LUIGJ GURAKUQI?

(Pashtriku.org, 12. 09. 2012) – Më mirë vonë se kurrë – kjo këshillë e urtë e popullit vlen sot për intelektualët dhe popullin demokrat shkodran, kur janë ngritur njëzëri në mbrojtje të patriotit e demokratit të shquar Luigj Gurakuqi kundër vendimeve të një qeverie të quajtur “demokratike”, por me veprime aristokratike. Tetëdhjetë e shtatë vjet më parë, kur qeveria italiane po shqyrtonte kërkesën e emigrantëve demokratë shqiptarë, ministri fuqiplotë i Italisë në Shqipëri, markezi Karlo Duraco (Carlo Durazzo) do t’u dërgonte eprorëve të tij kërkesën e Ahmet Zogut për kthimin e menjëhershëm në Shqipëri të 10 refugjatëve “më të rrezikshëm” politikë demokratë, të cilët ishin: Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Shefqet Korça, Qazim Kokoshi, Hasan Prishtina, Aziz Çami, Mustafa Kruja dhe Kostandin Boshnjaku. Për kompesim, Kryetari dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Ahmet Zogu do t’i pranonte të gjitha kërkesat e ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Italisë, Salvadore Contarini, përveç dhënies së koncesionit të kërkim-shfrytëzimit të fushave vajgurore të Shqipërisë. Në fakt, Shoqëria “Anglo-Persian Oil Company”, siç e ka zbuluar nëpër dokumentet e kohës studiuesi Iljaz Fishta, i kishte parapaguar në dorë Ahmet Zogut “25 mijë lira stërlina”, ose “50 milionë dinarë”, sipas historianëve Bernd Fisher dhe Owen Pierson. (1)
Më 16 shkurt 1925, kur Asamblea Kushtetuese e Shqipërisë miratoi me procedurë të përshpejtuar draftin e Ahmet Zogut për dhënien e 250 mijë hektarëve tokë për shfrytëzim shoqërisë “Anglo-Persian Oil Company”, Benito Musolini do t’i dërgonte një letër të ashpër Sër Austin Çamberlenit, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe. Në lidhje me protestën e Musolinit, historiani anglez Xhozef Suajër shprehet: “Shqetësimi i tij është i kuptueshëm, duke pasur parasysh përfitimin që do të kishte Italia nga shfrytëzimi i fushave naftëmbajtëse tepër afër brigjeve të saj…” (2)

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Ahmet Zogu dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Salvadore Contarini.

………………………………………………………

Me të njëjtin zemërim e mllef, Musolini iu drejtua edhe Kryetarit të Republikës e Kryeministrit të Shqipërisë, Ahmet Zogut, duke e kërcënuar me kartonin e kuq të emigrantëve politikë shqiptarë të strehuar në Itali, të cilët realisht përbënin një rrezik potencial për rrëzimin e tij nga pushteti. Pikërisht, koncesioni i naftës e gazit të Shqipërisë u bë mollë sherri midis Musolinit e Zogut dhe do t’i hante kokën një të treti që s’kishte të bënte fare me të, patriotit e demokratit liberal shqiptar Luigj Gurakuqi. І ndërgjegjshëm për rrezikun e kërcënimit të Musolinit, Ahmet Zogu dërgoi me urgjencë agjentët e tij pranë emigrantëve demokratë shqiptarë në Itali dhe emëroi në detyrën e Konsullit të Legatës Shqiptare në Bari, një nga bashkëpunëtorët dhe shokët e tij më të ngushtë, shkodranin Çatin Saraçi. Ndërkohë infiltroi në gjirin e emigrantëve të Barit kriminelin Baltion Stambolla, një “aventurier shkodran” dhe “një njeri i degjeneruar që tërë jetën e kishte kaluar nëpër burgje”, siç shkroi shtypi i kohës. (3)
Objektivi i Çatin Saraçit dhe Baltion Stambollës qe vrasja e udhëheqësit demokrat Luigj Gurakuqi. Dy ditë pas atentatit vdekjeprurës të Gurakuqit, më 2 mars 1925, faqet e para të gazetave italiane “Il Messaggero”, “Tribuna”, “Giornale delle Puglie”, “Il Giornale d’Italia” e “Il Mattino” do të dilnin me titujt e mëdhenj: “Një tragjedi shqiptare në Bari”, “Vrasja e ish-ministrit shqiptar Gurakuqi”, “Fizionomia politike e krimit Gurakuqi”, “Nëpër gjurmët e krimit Gurakuqi”, “Krimi politik i Barit” etj. Pas kapjes së kriminelit Baltion Stambolla, refugjatët politikë shqiptarë i kërkuan MPJ të Italisë të mbante nën mbikëqyrje edhe konsullin shqiptar Çatin Saraçi, ndërsa gazeta “Il Giornale d’Italia”, më 13 mars 1925, do të dilte me titullin e madh: “Misteri i arratisjes së konsullit shqiptar në Bari pas vrasjes së ish-ministrit Gurakuqi”.
Ndërsa vetë konsulli Çatin Saraçi ka pohuar në kujtimet e tij këto fjalë: ”Mbas këtij episodi tragjik ia dola t’i fitoja zemrën Zogut dhe të bëhesha njeriu i tij më i besuar… Sa i takon krimit të mësipërm ishte më se e natyrshme që emri im të përlyhej e të lidhej me atë të Zogut… U nisa për në Tiranë dhe kur mbërrita e gjeta Zogun dhe kunatin e tij, Ceno Kryeziun, shend e verë dhe krenarë për atë çfarë kishte ngjarë në Bari…” Disa muaj më pas, Ceno bej Kryeziu do t’i deklaronte gazetës serbe “Novosti”: “Unë e kam xanë dhe e kam vra anmikun tuej Marko Raspopoviqin… Unë kam vra Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin – për paqen tuaj e tonën…” (4)

Luigj Gurakuqi (19 shkurt 1879 – 02 mars 1925)

…………………………………………………….

Nga ana tjetër, lajmi mbi vrasjen e Luigj Gurakuqit do të shkaktonte zemërim e indinjatë të thellë në rrethet atdhetare e demokratike në mbarë trojet shqiptare. Për këtë shkak, më 4 mars 1925, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i jepte urdhër prefekturës së Shkodrës se kërkesën e familjes dhe të atdhetarëve shkodranë që trupi i Luigj Gurakuqit, krahut të djathtë të patritotit të madh Ismail Qemal Bej Vlorës në ngritjen e Flamurit Kombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912; tribunit të vegjëlisë në Parlamentin Shqiptar (19120-1924) dhe ministrit të ndershëm të Financave të Shqipërisë gjatë Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, të mos e pranonin që të varrosej në Shkodër. Shkaku i refuzimit zyrtar, arsyetohej në telegram, ishte se “në të tilla raste e ceremonira kundërshtarët mundohen të përfitojnë”. Në të vërtetë, fantazma e ceremonisë së varrosjes së udhëheqësit të rinisë demokratike, Avni Rustemit, një vit më parë në Vlorë, vazhdonte t’i linte pa gjumë pushtetarët e Tiranës. Më pas, duke kujtuar vrasjet e idhujve të rinisë dhe popullit shqiptarë: Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e të tjerë, Ahmet Zogu do t’i pohonte Çatin Saraçit: “Unë e di që më urrejnë me gjithë shpirt, por edhe ty nuk të urrejnë më pak, i dashur mik. Ne u kemi vrarë idhujt, ndaj edhe s’kanë për të na e falur kurrë!” (5)
Për paradoks, atë që demokratët dhe mbarë populli shqiptar nuk ia fali kurrë Ahmet Zogut, po e bën qeveria e Sali Berishës, duke і ngritur edhe përmendoren e dytë në zemër të Tiranës, kryeqytetin e Shqipërisë Demokratike (?!) Fizionomia politike e krimit Gurakuqi do të zbardhej brenda dy javësh nga Prokuroria e Përgjithshme e Gjykatës së Apelit të Puljes. Hetimet vërtetuan plotësisht shtytësit dhe shkakun e vërtetë të vrasjes: “Baltion Stambolla, thuhet në pretencë, e kishte përgatitur krimin për një kohë të gjatë, i shtyrë prej një motivi të përbuzshëm, krim të cilin e kishin vendosur të tjerët, për të zhdukur Luigj Gurakuqin, i cili konsiderohej Kampioni i Partisë Nacionaliste Shqiptare dhe si kërcënim i vazhdueshëm për partinë që sundon në Shqipëri; parti e cila në personin e Gurakuqit shikonte njeriun e aftë për të organizuar dhe për të kryer një revolucion të ri kundër Ahmet Zogut.”(6)
Por përfundimi i hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme të Gjykatës së Puljes do të kundërshtohej nga ministri italian në Shqipëri, markezi Duraco, me telegramin “urgjent” dhe “tepër sekret” dërguar Kryeministrit Musolini më 13 mars 1925: “Gjykuar nga pikëpamja e interesit tonë politik, s’ka asnjë dyshim se pa penguar ecurinë e drejtësisë, duhet shmangur që procesi gjyqësor ndaj vrasësit të kthehet në një proces politik kundër regjimit shqiptar në fuqi dhe njerëzve që janë në krye, me të cilët jemi duke lidhur marrëveshje kaq të dobishme.”(7) Në të vërtetë, ato ditë Asambleja Kushtetuese dhe Kryetari i Republikës e Kryeministri i Shqipërisë Ahmet Zogu ratifikuan “Traktatin Italo-Shqiptar të Tregtisë e Lundrimit”, për të cilin Albert Museja shprehet se Italia në të vërtetë përfitonte monopolin ekskluziv të kabotazhit, pra të lundrimit të kufizuar pranë bregdetit shqiptar, si dhe atë të “Transportit detar të mallrave dhe të udhëtarëve”. Po ato ditë, shoqëria Ferrovie dello Stato Italiano (Hekurudhat e Shtetit Italian) dhe filialet e saj: Azienda Italiana Petroli Albania (AIPA) e Societa Italiana delle Miniere di Selenizza (SIMSA) do të merrte ekskluzivitetin e kërkimit e të shfrytëzimit të naftës, gazit natyror, bitumit dhe shkëmbinjve bituminozë në një sipërfaqe prej 50 mijë hektarësh, për një afat prej 60 vjetësh.(8)

Konsullit i Legatës Shqiptare në Bari, Çatin Saraçi.

……………………………………………..

Megjithatë, ngjarja më e rëndësishme politike, ekonomike e financiare, për të cilën e kishte fjalën Duracoja, pritej të zhvillohej më 15 mars 1925, kur përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, ministri i Financave Myfit bej Libohova, do të nënshkruante me presidentin e grupit të fuqishëm financiar “Il Credito Italiano”, Mario Alberti, marrëveshjen për themelimin e “Bankës Kombëtare të Shqipërisë” si dhe krijimin e “Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë” (Societá per la Sviluppo Economico dell’Albania), e njohur në Shqipëri me inicialet famëkeqe SVEA. Themi “famëkeqe”, sepse të 12 akordet e nënshkruara nga ministri Myfit bej Libohova favorizonin hapur palën kontraktuese italiane. “Kjo konventë ekonomike,– shkruan historiani amerikan Bernd Fisher,– ishte aq e pavolitshme për Shqipërinë, saqë tingëlloi si rënia e kambanave të vdekjes për çdo synim të mëtejshëm për pavarësi ekonomike”. Me këtë rast, diplomati Ugo Sola do t’i njoftonte eprorët e tij në MPJ se “në saje të parashikimit të sigurt dhe të vendimeve të shpejta, … u bë e mundshme të sigurohet, brenda tri javëve, një seri e plotë shumë e rëndësishme e dokumenteve themelore për afirmimin e epërsisë sonë vendimtare në jetën ekonomike dhe pra edhe politike të këtij vendi…” Më 2 shtator 1925, pikërisht, në ditën që përkonte me gjashtëmujorin e vrasjes së patriotit dhe demokratit Luigj Gurakuqi, në Romë u zhvillua ceremonia e përurimit të qendrës së “Bankës Kombëtare të Shqipërisë”, e cila, siç shprehet historiani Bernd Fisher, do ta lidhte “ekonomikisht Shqipërinë me Italinë gjatë gjithë periudhës midis dy luftërave.” (9)
І ndërgjegjshëm se pushtimin fashist të Shqipërisë e kishte përgatitur me duart e veta të ngjyera me gjak patriotësh e demokratësh, në mbasditen e 7 Prillit 1939, Ahmet Zogu do t’i mbante këmbët në Londër për të mbrojtur kokën e vet dhe milionat e marra si ryshfete nga Benito Musolini.
__________________________
Shënimet
(1) Iljaz Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj dhe pasojat e saj skllavëruese për Shqipërinë (1925-1931), Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Studimeve Ekonomike), Tiranë, 1979, f. 52-53 (sipas Pietro Pastorelli: Italia e Albania, 1924-1927, Firenze, 1967, f. 98-102); Arben Cici, Marrëdhëniet shqiptaro-italianen vitet 1920-1934, Tiranë, Afërdita, 2002, f. 64-68 (sipas A. Lessona, Quando il Duce “compro” Zogu d’Albania, vep. e përm., f. 80–86 dhe P. Pastorelli: Italia e Albania, 1924-1927, f. 98-102); B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 80; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 230.
(2) J. Swire, Shqipëria…, f. 357; A. Cici, Marrëdhëniet shqiptaro–italiane…, f. 69–70; Pearson, Albania and king Zog, f. 244.
(3) P. Tako, Luigj Gurakuqi, f. 381, 383.
(4) T. Frashëri, Ali Këlcyra…, f. 73 (A. Këlcyra, Zhvillimi (1924–39), f. 2; MAE, dosja 724, fletorja “Albania”, 8 mars 1925); R. Këlliçi, Me djemtë e “Bashkimit”, f. 132; Ç. Saraçi, Zogu i shqiptarëve, f. 66; P. Tako, Luigj Gurakuqi, f. 382–384 (citimi i gazetës “Novosti” është dhënë sipas gazetës “Liria Kombëtare”, Gjenevë, 16 shtator 1925).
(5) P. Tako, Luigj Gurakuqi, f. 385 (AQSH. F. 252, v. 1925, dos. 74, fl. 1). Ç. Saraçi, Zogu i shqiptarëve, f. 83.
(6) T. Frashëri, Ali Këlcyra…, f. 92 (Archivo Storico– Ministero degli Affari Esteri (ASMAE), B724. Prefekti i Barit, De Vita, tel. nr. 20, 2 mars 1925, raport i Prokurorisë së Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Puljes, 14.03.1925); P. Tako, Luigj Gurakuqi, f. 390
(7) T. Frashëri, Ali Këlcyra…, f. 93 (ASMAE, B725, Markezi Durazzo, tel. nr. 122 sekret, 13. 03. 1925 për kabinetin e ministrit të MAE, në këtë kohë posti mbahej akoma nga Kryeministri Benito Musolini; njoftim i Ministero dell’Interno (MI) për MAE, te. rr. 33713, 2 shtator 1925).
(8) A. Mousset, Shqipëria përballë Europës (1912–1929), f. 70; Historia e Shqipërisë, vëll. II (1965), f. 564-565; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 257, O. Pearson, Albania and king Zog, f. 245.
(9) Historia e Shqipërisë, vëll. II (1965), f. 565; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 258, I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj…(1925–1931), f. 60; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 102; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 246, 249.

………………………………………………..

Fotokopje e origjinalit të letrës së Baltion Stambollës dërguar Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut, e ruajtur nga Atdhetari Gjon Kamsi, sot e arkivuar në Muzeun e Shtetit në Shkodër. (Foto 2009):
Transkriptimi i letrës së vrasësit të Luigj Gurakuqit Baltion Stambolla:

“Kerkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveriës
Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…
Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.
Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)
Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)
Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”

…………………………………………….

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura