AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (II)

Tiranë, 14. 09. 2016: Një ditë Gushti 1914, në sarajet e Zogollëve në Burgajet të Matit, ku tashmë jetonin nipërit e Xhelal Pashë Zogollit, arriti një mik i rendësishëm serb me emrin Mlladen Satamatoviç. Në të vërtetë, emri i tij ishte Xhemal Bej Ljubović, oficer i zbulimit të ushtrisë mbretërore serbe, i dërguar personalisht nga Kryeministri serb Nikola Pashiç (Nikola Pašić) të punonte së bashku me kreun e Qarkut të Ohrit, Jovan Çirkoviç për rekrutimin e sa më shumë krerëve shqiptarë në zonën e kufirit të Serbisë me Shqipërinë. Në përmbledhjen (Résumé) e artikullit të tij studimor në frengjisht: “Ahmet Bej Zogu dhe Serbia: Një bashkëpunim i papërfunduar (1914-1916)”, historiani serb, Dushan T. Batakoviç (Dušan T. Bataković) shkruan: “Për të zgjeruar rrjetin e shefave të klaneve miqësorë përmes emisarëve specialë në Shqipëri, Nikolla Pashiç (Nikola Pašić) rekrutoi Ahmet Bej Zogun [Zogollin], kreun e krahinës së Matit dhe nip i Esat Pashës.”( www. academia edu. Dušan T. Bataković, Ahmed Bey Zogou et la Serbie Une coopération inachevée (1914-1916), pages 169, 173.)

Lexoni këtë kapitull në formatin PDF:
Dušan T. Bataković, Ahmed Bey Zogou et la Serbie Une coopération inachevée (1914-1916),
http://www.doiserbia.nb.rs/img/doi/0350-7653/2012/0350-76531243169B.pdf
Edhe këtu:
https://de.scribd.com/document/135317524/Dushan-Batakovich-Ahmed-Zogu

……………………………………………………
AHMET BEJ ZOGOLLI

Në të vërtetë, Ahmet Bej Zogolli kishte lidhje farefisnore të largët me Esat Pashë Toptanin nga e ëma, por ishte drejt për së drejti djalë i djalit të Xhelal Pashë Zogollit, i njohur me pseudonimin “Stanko Ivanoviç”. Interesimi i agjenturës mbretërore serbe për Ahmet Bej Zogollin duhet të ketë qenë shumë i hershëm, megjithatë sipas dokumenteve të zbuluara deri më sot, emri i tij del në një telegram të Prefektit Jovan Çirkoviç, dërguar eprorëve të tij në Beograd, më 25 Prill 1914. Aty thuhej se ishin bërë përpjekje për tërheqjen e kreut krahinor Ahmet Muhtar Matit në krah të Mbretërisë së Serbisë, duke i premtuar shkollim për oficer në një vend të Europës, por ai nuk kishte paraqitur ndonjë interes për shkollim të mëtejshëm.
Mlladen Stamatoviç u paraqit në sarajet e Zogollëve, pas vrasjes së agjentit të dyfishtë xhonturk dhe serb, Arif Hiqmetit nga Kumanova, mik shtëpie i Ahmet Bej Zogollit, me zanafillë qysh në shoqërinë kulturore “Mahfel” të Stambollit, ku propagandohej shkrimi i gjuhës shqipe me shkronja arabe. “Arif Hiqmeti,” shkruan dëshmitari i kohës Jusuf Elezi, “ishte “shok į pandarë į Ahmet Bej Zogollit, në shtëpinë e të cilit banonte në atë kohë.” Sejfi Vllamasi shprehet se Arif Hiqmeti, nga fshati Llojan i Kumanovës, ishte “një tip i zgjuar dhe aventurier i klasit të parë”. Ai kishte shërbyer për disa kohë si sekretar i Prefekturës së Dibrës, ku gjatë Luftërave Ballkanike (1912-1913) ishte rekrutuar nga dy shërbime të fshehta, i Komitetit Xhonturk të Stambollit dhe i Prefektit serb Çirkoviç të Ohrit. Në dokumentet e Qeverisë Kombëtare të Përkohshme të Vlorës, Arif Hiqmeti përmendet si një “intrigant į famshëm”, propagandues i rrezikshëm për zgjedhjen në fronin e Principatës së Shqipërisë të një princi nga Dinastia Osmane”, si dhe “përhapës i propagandës në favor të Serbisë”.
Në datën 11 Prill 1914, gazeta patriotike “Populli”, e Vlorës, kishte botuar një artikull me titull: “Një lëvizje suspekte (e dyshimtë) në Mat”, ku thuhej: “Nga disa njerëz pranë atyre viseve mësojmë se një tradhtar i vjetër i kombit dhe gjuhës shqipe, Arif Hiqmeti, duke hyrë në shërbim të Serbisë, me të holla dhe me anën e disa krerëve përgatiten një lëvizje të dyshimtë.”
Po ashtu, patrioti Ismail Strazimiri kujton: “Pata marrë vesh se nji į quejtun Arif Hiqmeti, dy-tre herë kishte dalë nga Serbia dhe tuj kalue përmes Matit, kishte shkue në Tiranë. Veç kësaj isha lajmue se ky njeri, morali į të cilit ishte fare į dobët, qenka takue edhe me Ahmet Bej Zajmin e Jusuf Bej Hysen Agollin në shtëpi t’Ahmet Bej Zogut në Mat dhe paska lidhë besë me ta.” Se për çfarë bese bëhej fjalë, gazeta “Populli” e sqaron në një artikull tjetër, më datën 2 Maj 1914, të titulluar: “Arif Hiqmetoviç”: “Çanaklëpirësi ynë s’lodhet duke u endur dhe vetë sa nga Matja, sa nga Golloborda. Ka gjetur disa interesan [interesaxhinj] dhe ka ngeh nja dy a tri krahina, bie fjala, si në Gjoricë e gjetkë, ku gjandarëve iu jep (i paguan) nga 4 lira rrogë. Çudi pra, ku i gjen këto të holla?”
Paratë sigurisht ishin vënë në dispozicion nga fondi i fshehtë i Prefekturës së Ohrit. Më 29 Maj 1914, Kryeministri Pashiç e kishte urdhëruar Prefektin e Ohrit, Çirkoviç, ta porosiste Arif Hiqmetin që të hynte në lidhje me krerët e rebelëve të Shqipërisë së Mesme në rrethin e Durrësit dhe të kërkonte prej tyre që të mos përziheshin në Mat dhe Malësi të Dibrës; pasi, sipas tij, ata kishin “vetëqeverisje”, “xhandarmëri” dhe “kishin një lloj “autonomie si Epiri”. Mbledhja e krerëve rebelë në Shijak e pranoi unanimisht kërkesën e Arif Hiqmetit dhe e zgjodhi atë anëtar të Qendrës së Përgjithshme të Kryengritjes. Pas mbledhjes së Shijakut, Arif Hiqmeti ishte vazhdimisht në lëvizje, në Mat, Gollobordë, Dibër e Gostivar; por më 10/23 Qershor 1914, në rrugën Gostivar-Mavrovë, pranë fshatit Zhirovnicë, një plumb preçiz į patriotëve dibranë e goditi në kokë, duke e rrëzuar nga kali me tru të dalë jashtë kafkës. Kryeministri serb Pashiç e komunikoi vdekjen e bashkëpunëtorit të zellshëm të tij, Arif Hiqmeti, si aksident, për shkak të rënies nga kali. Më 8 Korrik 1914, gazeta “Populli” e Vlorës shkroi: “Prej një lajmi të sigurtë nga Shkupi marrim vesh se Arif Hiqmeti është rrëzuar nga kali, vendosur në spital të Shkupit, ku mjekët i bënë një operacion dhe pas dy ditëve vdiq. Tradhtarit iu gjetën 29.000 franga në xhep.”
Në rrethanat luftarake të krijuara nga atentati serb i Sarajevës kundër Princit Franc Ferdinand të Austro-Hungarisë (28 Qershor 1914) dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore (28 Korrik 1914), agjentura mbretërore serbe e përqëndroi vëmendjen tek afrimi i miqve të ngushtë të Arif Hiqmetit, njëri prej të cilëve ishte edhe Ahmet Bej Zogolli, i cili ishte tërhequr nga malet e Krujës, ku kishte shkuar në ndihmë të Princit të Shqipërisë, Wilhelm Wied, i cili ishte rrethuar nga rebelët turkomanë. Edhe vetë Zogolli i ri ishte i interesuar të lidhej me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë për t’i dalë përpara ndonjë pushtimi të papritur të krahinës së Matit nga ushtria e mobilizuar serbe. “Pas vdekjes së Arif Hiqmetit, në verën e vitit 1914”, shkruan historiani Batakoviç, Ahmed Bej Zogu [Zogolli] u bë “njëri nga krerët e rrallë të rëndësishëm të klanit shqiptar të gatshëm për të bashkëpunuar me Serbinë fqinje.” (Après la mort d’Arif Hikmet à l’été 1914, Ahmed Bey Zogou était l’un des rares chefs de clan albanais importants prêts à coopérer avec la Serbie voisine.)

Ahmet Zogolli ( 1895 – 1961)

Rekrutimi i Ahmet Bej Zogollit dhe krerëve të tjerë shqiptarë të krahinave kufitare me Serbinë u krye nga agjentura mbretërore serbe sipas udhëzimeve të Kryeministrit N. Pashiç [Pašić] dhënë titullarëve të MPJ të Serbisë, më 3 Gusht 1914, të përmbledhura në një material sekret me titull: “Udhëzime për punë me shqiptarët”. Në dokumentin e botuar nga historiani Shukri Rahimi në artikullin e tij: Marrëveshjet e Qeverisë Serbe me Esat Pashë Toptanin gjatë viteve 1914-1915, thuhej: “Mundemi çdo njerit fis t’ia njohim qeverisje e veçantë dhe të gjitha fiset të formojnë Senatin. Me Serbinë të formojnë aleancë politiko-doganore dhe mbrojtjen e përbashkët nga armiku į jashtëm. T’į lejohet Serbisë të ndërtojë hekurudhën gjer në bregdet. Më së miri do të ishte që ata ta pranojnë bashkimin shtetëror dhe doganor, kurse përbrenda të qeverisin sipas zakoneve të veta. Marrëveshja në fillim të arrihet me disa krerë, kurse më vonë, një vendim të tillë ta miratojë një Kuvend į tyre į Përgjithshëm, į cili do të kërkojë prej nesh formimin e bashkësisë personale dhe doganore, që do të thotë të kemi ushtrinë të përbashkët, doganën dhe mjetet e përbashkëta të komunikacionit.” (f. 120-21)
Në kohën kur Mlladen Stamatoviç shkeli në sarajin e Ahmet Bej Zogollit në Burgajet, Ahmet Bej Zogolli ishte i braktisur nga shumica e matjanëve që kishte pasur në Krujë, ndërsa nga turkomanët e Matit dhe Dibrës ishte etiketuar “i shitur” dhe “tradhtar i osmanizmit”. Kështu, udhëzimet e paraqitura nga Mlladen Stamatoviç mbi vetëqeverimin e krahinave dhe të gjithë klanet të formonin një Senat për të drejtuar dhe miratuar ligjet, i shkuan për shtat Ahmet Beut, pasi ishin edhe pikëpamje të shprehura me kohë prej tij në veshët e shurdhër të KNK dhe Princ Vidit. Në marrëdhëniet publike, Toger Mlladen Stamatoviç prezantohej si vartës i Prefektit Çirkoviç, në të vërtetë, në linjë agjenturore ishte shefi i tij. Kështu, në dokumentet serbe, të nxjerra në dritë nga historiani Bogumil B. Hrabak dhe të cituara nga Dushan Batakoviç thuhet: “Përfaqësuesi serb në Shqipëri Xhemal Ljubović [Mlladen Stamatoviç] dhe zëv/shefi i tij në Ohër, prefekti Jovan Çirkoviç, arritën me sukses të tërheqin në anën e Serbisë, Ahmet Bej Zogun [Zogollin], gjithmonë į izoluar politikisht në bastionin e tij në Mat. Qeveria e Beogradit į pagoi atij afro 4000 dinarë, një të pestën e shumës së parave të ndarë për krerët e fuqishëm të klaneve të Shqipërisë së Veriut.” (f. 174)

(VIJON…)

_______________________________

AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5643
***
AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5644
***
AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5645

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura