BACA ADEM – FENIKSI I NDËRGJEGJES SONË KOMBËTARE

Nga Ramadan PLLANA

BACA ADEM – FENIKSI I NDËRGJEGJES SONË KOMBËTARE

Zürich, më 21 shkurt 2016, në Simpoziumin në nderim të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, duke referuar kumtesën time me titull: Baca Adem – feniks i ndërgjegjes sonë kombëtare

Foto: Shtruerë – Vushtrri, gusht 1996, me Bacën Adem e Behxhet Shalën 

Të nderuar miq, mikesha, bashkatdhetarë e bashkëveprimtarë të Bacës Adem Demaçi,

Të nderuar organizatorë të këtij simpoziumi kushtuar Bacës Adem, 

Të nderuar të pranishëm në këtë tubim, 

Duke e nderuar atdhetarin më të devotshëm të kohës sonë, Bacën Adem, feniksin e ndërgjegjes sonë kombëtare, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, jo vetëm që i bëjmë nder personalitetit të tij, po me këtë edhe i shërbejmë kujtesës historike, sepse vetëm duke i përkujtuar personalietetet e tilla, e nderojmë edhe historinë tonë kombëtare. 

Adem Demaçi, Baca ynë i madh, një figurë madhështore e kombit tonë, Ky simbole i Rezidencës sonë kombëtare, Nderi i Kombit, tërë jetën ia kushtoi cështjes së pazgjedhur të shqiptarëve në ish Jugosllavi e në Serbi, fitues i çmimit “Saharov”, përfaqësues politik i UÇK-së; shkrimtar i njohur nga romani i tij “Gjarprinjtë e gjakut” etj.; veprimtari më i denjë për çlirim e bashkim kombëtar të kohës sonë, i cili me angazhimet e veta të paepura, në historinë tonë kombëtare të gjysëmshekullit të njëzet dhe fillimit të dy dekadave të shekullit njezet e një, pas 27 viteve të qëndrimeve në burgjet jugosllave, bëhet si një feniks, që digjet e ringjallet, për lirinë e popullit të vet.

Unë në këtë punim do përqëdrohem, me pak fjaë, në një jetëshkrim të thukët rrëfyer nga ai vetë, për pikëpamjet dhe qëndrimet e tij për UÇK-në, për « Zajednicën » dhe, në fund, një letërkëmbim elektronik që kam pasur me te në qershor të vitit 2007 lidhur me LNÇKVSHJ -në.

Flet Baca Adem : Intervistoi:Zenepe Luka

Koha Jonë: Lexuesi i “Koha Jonë” kerkon të dijë diçka më shumë për birin e Kosovës, Adem Demaçi. Mundet?

….Dhe unë, Ademi i vogël, biri i nënës Nazife, vëllau i motrës Aishe, nipi i Ramadan Lahut, pata fatin që, bashkë me shumë e shumë të tjerë, të kisha forcë, vullnet e energji që përkundër represioneve çnjerëzore të robëruesve të egër, të “palavitesha”, për kohë të gjatë, burgjeve të Serbisë për të dhënë ndihmesën time në funksion të lirisë e të pavarësisë për të gjithë, në funksion të demokracisë së vërtetë për të gjithë, në funksion të barazisë së popullit tim me të gjithë popujt e tjerë e në funksion të humanizmit të pakufizuar për gjithë botën.

(E Enjte, 10 Qershor 2004

PUSHTETARËT E KOSOVËS “LUAJNË” “MUZIKËN” E UNMIK-ut

Flet për “Koha Jonë” Adem Demaçi, lider shpirtëror dhe figurë politike në Kosovë

Intervistoi: Zenepe Luka

Koha Jonë: Ju ishit protagonisti kryesor për krijimin e UÇK-së, ndërkohë u tërhoqet. Cilat ishin shkaqet?

Adem Demaçi: Jo, une nuk kam qenë fare protagonist i krijimit të asaj etape të

UÇK-së. Protagonistë kane qenë grupi i fuqishëm i Prekazit në krye me Jasharajt, bërthama e Gollapit në krye me Zahir Pajazitin, bërthama e Shalës së Bajgores në krye me Mehë Ukën dhe grupi i Glloxhanit, të Rrafshit të Dukagjinit, në krye me familjen e Haradinajve. Mirëpo, në të vërtetë, rrënjet e UÇK-së burimore zënë fill që nga kryengritjet shqiptare kundër otomanëve dhe pushtuesve serbë. UÇK e ditëve tona ishte një shfaqje moderne e përpjekjeve për liri të pjesëve të robëruara të shqiptarëve. Unë iu bashkova UÇK-së në gjysmën e gushtit të vitit 1998. Detyra ime, bashkë me shokët që u bashkuan rreth meje, ishte që me mjete politike-diplomatike të hapja shtegun që kryengritja jonë për liri e pavarësi të kurorëzohej me të drejtën për vetëvendosje të popullit të Kosovës, në frymën e Rezolutës së Bunjajt të dhjetor-janarit të vjeteve 1943-44. Në momentin kur udhëheqja e atëhershme e UÇK-së pranoi të shkonte në Rambuje për të nënshkruar statusin autonom të Kosovës nën Serbi, unë, Albin Kurti dhe ata qe ishin me ne, u tërhoqëm.

(E Enjte, 10 Qershor 2004

PUSHTETARET E KOSOVES “LUAJNË” “MUZIKËN” E UNMIK-UT

Flet për “Koha Jonë” Adem Demaçi, lider shpirtëror dhe figurë politike në Kosovë

Intervistoi:Zenepe Luka)

Koha Jonë: Si do ta përkthente z. Demaçi planin e Koshtunicës për pesë kantonet serbe në truallin e Kosovës?

Adem Demaçi: Ky plan, “Srpska Autonomna Zajednica na Kosovu i Metohiji – Bashkësia Autonome Serbe në Kosovë e Metohi), përgatitet që të bëhet një shtet -“federatë” e pesë “kantoneve” serbe në truallin e Kosovës.

(E Hënë, 03 Maj 2004 

TË NDALIM RRETHIMIN E KOSOVËS

Intervistë ekskluzive për “Koha Jonë” e personalitetit kosovar Adem Demaçi

Intervistoi Zenepe Luka

……………………………………………………

Për ndikimin ose lidhjet direkte të Adem Demaçit në lidhje me formimin e LNÇKVSHJ-së i kam shkruar, më 19 qershor 2007, edhe Simbolit të Rezistencës sonë kombëtare, letrën time, si dhe përgjigjen e tij do ta keni të plotë në rreshtat që vijojnë: 

From: Ramadan Pllana 

To: 

Subject: Përshëndetje! 

Date: Tue, 19 Jun 2007 08:43:54 +0000 

Fort i shtrenjti baca Adem,

Jam një nga ithtarët tu, qysh nga rinia, dhe emri yt lakohet në të gjithë aktivitetin tim ndaj çështjës kombëtare. Mu për këtë edhe po e marr guximin që të shkruaj këtë letër elektronike me shpresën se do t’më kuptosh e ndihmosh me 2-3 fjali!

Jam Ramadan PLLANA, gjendem në Zvicër nga 5 tetori i vitit 1997, nga fshati Shtitaricë, tani Shtruerë, i Vushtrrisë. Jam dënuar dy herë dhe kam vuajtur dënimet afërsisht sa 1/3 e burgut tënd. Tani në mënyrë organizative nuk i përkas asnjë subjekti a partije, se neve shqiptarëve na dualën përhundësh këto “begati” “demokratike”! E përkrah me sa kam mundësi parimin e Vetëvendosjës së popujve, si të drejtë juridike e natyrore si të vetme që garanton lirinë tonë kombëtare. Baca Adem nuk po të lodhi me mendimet e mia, po kam një kërkesë të madhe që kishte për të qenë shumë e dobishme për mua! Jam duke i përgatitur edhe unë Kujtimet e mia për përpjekjet tona dhe para se t’i bëj pyetjet direkte po të përshkruaj pak për themelimin e LËVIZJËS NACIONAL CLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE VISEVE TË TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI, shkurt LNCKVSHJ: 

Një nga udhëheqësi e kësaj organizate Sabri Novosella na thoshte se kjo organizatë është vazhdimësi e LRBSH-së së Adem Demaqit dhe me dijeninë tënde; për çka edhe kishim pranuar të jemi anëtarë edhe Jusuf Gërvalla e unë. Ishte “formuar” “Komiteti Qendror” i Lëvizjës me këta anëtarë:

1. Metush Krasniqi,

 2. Sabri Novosella, 

3. Shefqet Jashari,

4. Jusuf Gërvalla dhe 

5. Ramadan Pllana.     

Në një nga Intervistat e Shefqet Jasharit, dhënë “Dritës” në Suedi më 1997         

Shefqet Jashari, përveq tjerash, thotë:

-Ideja për themelimin e LKCKVSHJ-së ka lindur në pranverën e vitit 1976, ndërkaq pas disa takimesh me veprimtarë të shumtë në pushimet e verës (korrik-gusht) të atij viti, në shtëpinë e Sabri Novoselllës është mbajtur Mbledhja për formimin e kësaj organizate. Në këtë mbledhje ishin prezent : Metush Krasniqi, Shefqet Jashari dhe Sabri Novosella. Aty u raportua për formimin e disa celilave. Metushi ka formuar 5 celula (prej tyre një në Shkup), Sabriu 3 celula dhe Shefqeti 2 celula.

Po e theksoj se ky “Komitet” kurrë nuk është takuar në ndonjë mbledhje a bisedë!…

Në fillim të tetorit të vitit 1979 “Komiteti” më dha një detyrë për të kontaktuar me shokët tu, vëllazërit Tefik e Njazi Straja, gjëja për bashkëpunim! Shkova, edhepse nuk pajtohesha për një takim të tillë, mirëpo pasiqë isha i informuar se këtë takim e ka kërkuar baca Adem nga burgu. Isha prezentuar si Luani i Prishtinës dhe nuk ua kisha dhënë emrin tim. Ndejta 3 ditë te Tefiku. Bisedat patën qenë formale e private, po Tefiku insistonte që ne ta heqim nga Statusi i Lëvizjës pikën e parë ku thuhej se Qëllimi i parë dhe i fundit i LKCKVSHJ-së është të sigurohet e drejta për Vetëvendosje për teritoret shqiptare të aneksuara nga Jugosllavija dhe ribashkimin e tyre me nënën Shqipëri.

U morëm vesh se nuk u morëm vesh, do të thoje ti dhe e lamë me kaq. Mirëpo ditën e tretë Tefiku në dyqanin e tij m’i prezentoj dy diplomatë të shtetit shqiptar, me gjasë Bujar Hoxha dhe një tjetër me të cilët pata një polemikë të ashpër lidhur me ndryshimin e pikës së Statutit. Ata insistonin që, vetëm me udhëheqësinë e atëhershme të Krahinës autonome të Kosovës, të përpiqeshemi për të drejtat tona të barabarta me republikat tjera në RSFJ etj..

Në një moment, pasi që dola për nevojë fiziologjike, Tefiku ma mori çantën e dokumenteve të mia duke më thënë se mund t’i vjedhin hajnat në WC publike…Kur u ktheva ata m’i kishin kontrolluar dokumentet dhe mu drejtuan ,- Eja Ramadan Pllana…Kjo mua më shokoi dhe ua ktheva: Nuk ua pata borxh këtë dhe nuk ju besoj se jeni diplomatë të shtetit shqiptar!

Arrestimet e grupit tonë filluan nga 11 nëntori i atij viti, 1979 duke filluar nga Sulejman Qyqalla etj.

…Më 4 qershor 1980 grupi ynë i LKCKVSHJ-së nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë u dënuam këta persona:

1. Shefqet Jashari, 8 vjet si anëtar i “Komitetit”, 2. Ramadan Pllana, 7 vjet si anëtar i “Komitetit”, 3. Avdi Kelmendi, 5 vjet si anëtar i Lëvizjës, 4. Avdyl Lahu, 4 vjet pa fakte se ishte anëtar i Lëvizjës, 5. Skënder Jashari, 3 vjet pa fakte se ka qenë anëtar i Lëvizjës, 6. Isa Demaj, 4 vjet, pa fakte se ka qenë anëtar i Lëvizjës, 7. Sylejman Qyqalla 4 vjet, si simpatizues i Lëvizjës dhe 8. Hysen Gërvalla, 3 vjet si anëtar i Lëvizjës. 

 Baca Adem nuk po të lodhi më shumë se e di që punon shumë! Edhe unë e kam lexuar me kureshtje romanin Letër Dardhës dhe më pëlqen shumë e kisha patur dëshirë që ti shtroj edhe ca pyetje me këtë po nuk po të ngarkoj më shumë.

Pyetjet e mia janë këto:

1. Sa ka realitet në dijeninë tënde për formimin e LKCVSHJ-së?

2. Sa është e vetrëtë se ti ke porositur që të kontaktojmë me Tefik e Njazi Strajën?

(Kam të dhëna se edhe persona tjerë kanë shkuar me “porosinë” tënde…)

3. Do të dëshiroja të di nga ti se si je njohur me Ramadan Shalën nga Akrashtica e Vushtrrisë dhe çfarë marrëdhënjesh ke patur me te?

4. Sa ke patur kontakt dhe në çfarë cilësije me Metush Krasniqin?

5. Sa ke patur bashkëpunim me Hyrije Hanën?

6. Me bacën Ahmet Haxhiu a e ke patur kontaktin të pashkëputur?

Baca Adem të lutem për mirëkuptim dhe po pate mundësi, kurdoqoftë, më përgjigjesh me pak fjalë në këto kërkesa shumë kureshtare për gjeneratat e ardhshme!

Të përshëndes me ndjenjat më të sinqerta e më vëllazërore 

 Ramadan Pllana

***

RE: Përshëndetje‏ 

De: Adem Demaçi ([email protected]

Envoyé : mercredi, 20. juin 2007 05:39:54

A: [email protected]

VËLLA RAMADAN!

KE BËRË SHUMË MIRË QË MË KE INFORMUAR PËR GJËRA QË KAM DITË FARE PAK E JO NGA DORA E PARË. PO BËN MIRË QË PO MË PYET DHE PO TË PËRGJIGJEM SHUMË 

SHKURT.

PIKA NJË: 

NUK KAM PASUR ASNJË DIJENI, MIRËPO DËSHIRA IME INTIME KA QENË QË VEPRIMTARIA E LËVIZJES TË VAZHDOHET, PRANDAJ EDHE PO TË MË PYETNIN DO TË KISHA QENË PËR TË VAZHDUAR PUNËN. ËSHTË PUNË TJETËR SE SA NJERËZIT E ANGAZHUAR KANË PASUR KAPACITET TË ARRIJNË REZULTATE EDHE MË TË MËDHA. 

PIKA E DYTË: 

NUK E KAM POROSITUR SE NUK KAM PASUR SI TA BËJA KËTË PUNË, POR SIKUR TË KISHA PASUR MUNDËSI DO TA BËJA EDHE ATË PUNË. QËLLIMI KRYESOR KA QENË TË VAZHDOHEJ PUNA ASHTU SA KEMI PASUR MUNDËSI. 

PIKA E TRETË: 

NËSE ËSHTË AI RAMADAN SHALA QË E KAM NJOHUR GJATË STUDIMEVE, NË BEOGRAD, NË DOMIN E VOZHDOVCIT, SA KEMI QENË NË ATË DOM KEMI PASUR MARRËDHËNIE TË MIRA VËLLAZËRORE, POR MË VONË NUK KEMI PASUR KURRFARË MARRËDHËNIESH. 

PIKA E KATËRT: 

ME METUSHIN KEMI PASUR MARRËDHËNIE SHUMË TË NGUSHTA, SHUMË TË FORTA DHE FSHEHTËSI TË MËDHA TË CILAT NUK JANË ZBULUAR KURRË KA QENË MË I MIRI PREJ NESH. 

  PIKA E PESTË. 

ME HYRIJEN JAM SHOQËRUAR SI ME MOTRËN E NJË PATRIOTI TË MADH, POR PUNË TJERA MË TË THELLA MË TË NUK KAM PASUR SEPSE NUK MË ËSHTË DUKUR ME VEND QË ME TË TË BËJA PUNË SERIOZE. 

PIKA E GJASHTË: 

ME AHMET HAXHIUN, KEMI QENË MISH E SHPIRT DERI NË VDEKJEN E TIJ. AI, KA PUNUAR ME TË GJITHË PAVARËSISHT SE CILAVE GRUPE U KANË TAKUAR PA KURSIM SEPSE UNË, TË SHUMTËN E KOHËS GJENDESHA NËPËR BURGJE…

VËLLA RAMADAN, KËSMET, KUR TË VAZHDOJ ME KUJTIMET E MIA, PERIUDHËN PREJ NËNTOR 1961 E DERI NË QERSHOR 1974 DO TË DALIN EDHE SHUMË DETALE QË TASH PËR TASH NUK KAM MUNDËSI TË TË FLAS PËR TO.

TË PËRQAFOJ E TË FALËNDEROJ SHUMË.

TË PRIFTË E TË PËRCJELLTË E MBARA!

TUNG!

ADEM DEMAÇI. 

***

Baca Adem, feniksi i ndërgjegjes sonë kombëtare, e ka dëshmuar veten katërçipërisht duke e shkrirë jetën për atdhe me mish e me shpirt gjatë gjithë jetës së vet. Prandaj heroi ynë i gjallë, Nderi i Kombit, e ka fituar përjetësinë dhe nuk vdes kurrë ! Emri, vepra dhe shembulli i Bacës Adem, është dhe do të jetë gjithmonë një yll udhërrëfyes i përhershëm për çlirim e ribashkim kombëtar. Kush e nderon këtë hero të gjallë, në teori e në praktikë, e nderon popullin, e nderon veten, e respekton historinë e lavdishme kombëtare, e siguron të tashmen dhe të ardhmen e atdheut.

Bacës Adem i urojmë jetë të gjatë sa malet e Shqipërisë Etnike!

• Lavdi të përjetshme Bacës Adem Demaçi – yllit tonë kombëtar të shkëlqyer!

Zürich, më 21 shkurt 2016

—————————–

RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (I)

***

RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (II)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura