PROF.DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIK I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË JAVOREN ‘ZËRI’ (DHJETOR 1997 – MARS 1999) (Pjesa III)

Prishtinë, 23 korrik 2020: “Zëri” i datës 6 qershor 1998 boton intervistën me Bujar Bukoshin, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, i cili pasi konstaton se Qeveria nuk e ka formuar UÇK-në , më tej shprehte se “…natyrisht se UÇK-ja është një realitet siç është realiteti dhe fillimi i realizimit të kryengritjes popullore të armatosur kundër agresionit serb”. Pra, Kryeministri në ekzil i Qeverisë së republikës së Kosovës, z. Bukoshi e deklaronte hapur përkrahjen e tij për UÇK-në, realitet siç e thoshte i realizimit të kryengritjes popullore të armatosur kundër pushtuesit serb. Por, për rrethanat e atëhershme politike brenda popullit shqiptar, pra, jo vetëm në Kosovë, Shqipëri, por edhe në diasporë, deklarata e Bukoshit, sipas të cilit, Qeveria nuk e ka themeluar, formuar UÇK-në ishte mjaft domethënëse. Ishte menduar, në opinionin shqiptar të atyre viteve se, një deklaratë e tillë e Bukoshit ishte për konsum politik, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar, por, fakti ishte se, vërtet UÇK-në nuk e kishte formuar e as madje ndihmuar, përkrahur në organizim dhe në mjete, logjistikë Qeveria në ekzil e Republikës së Kosovës. UÇK-në e lavdishme e kishte formuar, Organizata Lëvizja Popullore e Kosovës.
“Zëri”, në të njëjtin numër në shkrimin e korrespodentit të vetë nga Brukseli, shkruan se lidhur me ndryshimin e pikëpamjeve dhe cilësimeve të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me UÇK-në, përshkrimi më i mirë haset tek diplomati i NATO-së Jamie Shea cili thotë se ,”sa herë që forcat serbe sulmojnë një fshatë, disa të rinj më tepër inkuadrohen në UÇK”.
Artikullshkruesi, gjithashtu konstaton se, më as Primakovi, ministër i jashtëm rus nuk e quan UÇK-në organizatë “terroriste”.
“Zëri” në numrin e 13 qershorit të vitit 1998, kur nga dita në ditë rritej fushata militare serbe, kundër luftës çlirimtare të UÇK-së, vlerësonte se “Strategjia e Beogradit, është që të pengoj krijimin e një guerile shqiptare më efektive, duke e detyruar UÇK-në që të krijojë formacione më të mëdha. Mund të supozohet se strategjia e komandës serbe për fazën e dytë do të ishte me qëllim që të asgjësoj formacionin e UÇK-së, ose të dëbohen përtej kufirit në Shqipëri. Po në të njëjtin numër,”Zëri” boton intervistën me Hydajet Hysenin, i cili pasi konstaton se UÇK-ja është produkt i realitetit tonë, ai vlerësonte se “faktorët të tillë, si UÇK-ja janë faktorë tejet serioz dhe me ndikim të jashtëzakonshëm”. Hydajet Hyseni e mbronte hapur dhe guximshëm këtë qëndrim, edhe për faktin se, si veprimtar i hershëm i Ilegalës Atdhetare Shqiptare të Kosovës, kishte mbrojtur idenë kombëtare se, Kosova mund të çlirohej vetëm me luftë, me kryengritje të armatosur.
Në ditën e muajit qershor, 1998 kur Milosheviqi e kushtëzonte tërheqjen e njësive ndërhyrëse policore ushtarake nga Kosova me tërheqjen dhe ndërprerjen e aktiviteteve luftarake të UÇK-së, “Zëri” në numrin e 20 qershorit të vitit 1998 shkruante se UÇK-ja sigurisht se nuk ka ndërmend që tu bindet premtimeve të Beogradit, sikur që nuk do ti bindet lehtë as porosive të udhëheqësish politike shqiptare në Prishtinë dhe gjetiu për tu ndërprerë aksionet” (1).

Adem Demaçi

Në të njëjtin numër, Adem Demaçi në vështrimin e tij politik shkruante se “Historia e jonë e gjatë nuk njeh qëndresë më heroike dhe më madhështore sesa qëndresën e UÇK-së bashkë me popullin e vet”. Pra, Demaçi e ngrinte lartë qëndresën e UÇK-së në fushëbetejat anë e mbanë Kosovës dhe luftën e popullit mbarë kundër forcave pushtuese serbe/jugosllave.
Demaçi, i cili është i bindur me fuqinë e UÇK-së dhe në rrugën e saj te lirisë, u jep mesazh qarqeve të caktuara të diplomacisë evropiane, perëndimore me fjalët se: “Nuk mund të asgjësohet UÇK-ja pa u asgjësuar krejt populli shqiptar”. Gjithsesi, ishte ai një deklarim shumë vizionar dhe jo vetëm i guximshëm i Demaçit, i cili, sikur ishte tejet i ngazëllyer që e kishte pritur kohën, ditën, historinë që, nga gjiri i popullit të Kosovës të lindë ushtria çlirimtare e tij.
Po në të njëjtin numër 20/06/1998 “Zëri” boton intervistën me zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi , i cili deklaron se “UÇK-ja është jashtë çdo ombrelle partiake, kurse për ideologji ka shqiptarizmin “ Deklarata e ish zëdhënësit të UÇK-së, një ndër personalitetet më të fuqishme, më të ndritshme dhe më të guximshme të Lëvizjes moderne Shqiptare për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë, pra, Jakup Krasniqit ishte në funksion të qartësimit të strategjisë dhe misionit kombëtar, historik të UÇK-së, pra, siç e thoshte ai vet, UÇK-ja për ideologji e ka shqiptarizmin! Sigurisht, ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me një deklaratë të tillë u jepte përgjigje edhe atyre zërave, të cilët spekulonin se, UÇK-ja përmban ideologji majtiste, revolucionare e çka tjetër. Krasniqi, siç del nga përmbajtja e atyre deklaratave të botuara në faqet e Javores Politike Shqiptare “Zëri” ishte shumë i qartë dhe i prerë duke deklaruar se, Programi i UÇK-së ishte Program Kombëtar dhe jo ideologjik e as partiak apo krahinor!
“Zëri” në numrin e 11 korrikut 1998 botoi intervistën me Janush Bugajskin , analist i njohur amerikan, i cili pasi vlerëson se “pjesëmarrja e UÇK-së është më se e domosdoshme në çdo bisedimesh “thekson se “ajo tash është shndërruar në një forcë serioze lufte dhe se në rastin eventual politika e Shqipërisë do të kanalizohej drejt mbështetjes të UÇK-së drejt një pavarësie”. Pra, Bugajski, një analist shumë prestigjioz amerikan, njohës i shkëlqyeshëm i rrethanave në Evropën Juglindore, përkrahës i luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së jepte vlerësim realist dhe ishte i bindur se, pjesëmarrja e UÇK-së në çdo lloj bisedime me Serbinë dhe me faktor ndërkombëtar ishte e domosdoshme. Një vlerësim i tillë, i cili vinte nga analistë ndërkombëtar ishte i rëndësishëm, sepse e legjitimonte luftën e drejtë të UÇK-së dhe në fakt, impononte qëndrimin se, UÇK-ja duhet të jetë faktor në bisedime politike dhe partner i barabartë në çfarëdo nivel të bisedimeve me ndërmjetësim ndërkombëtar midis Kosovës dhe Serbisë.
Në vështrimin tjetër të “Zërit”, të datës 18 korrik 1998, artikullshkruesi vlerëson se “Supozohet se ngritja e shpejt e UÇK-së i ka tejkaluar të gjitha parashikimet manipuluese të Beogradit dhe se ai u tmerrohet pasojave të parashikuara të kryengritjes masive”.

Jakup Krasniqi

Në këtë drejtim autori mbron pikëpamjen se, potencialet e UÇK-së janë vërtetë të mëdha. Në të njëjtin numër botohet intervista me Jakup Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së, i cili deklaron se UÇK-ja është perspektiva dhe ardhmëria e Kosovës, dhe se rezultatet konkrete të arritura në terren kanë bëre që UÇK-në ta njohë më parë faktori ndërkombëtar se sa ai i brendshëm. Ish zëdhënësi i UÇK-së, Krasniqi, sikur me atë qëndrim, pikëpamje dëshironte t’i bënte me dije opinionit të gjerë shqiptarë se, përbrenda faktorit politik shqiptar, në Kosovë dhe më gjerë, ende kishte forca të caktuara politike të cilat hezitonin ta pranonin, ta njihnin fuqinë, rolin, misionin historik, kombëtar të UÇK-së, e cila ishte bërë e njohur, si forcë ushtarake dhe politike edhe në disa qarqe diplomatike ndërkombëtare. Krasniqi kishte të drejtë ngase, derisa segmente të caktuara të politikës shqiptare po analizoni nëse UÇK-ja po e fiton primatin në luftën e popullit të Kosovës për çlirim, nga ana tjetër, nivele dhe struktura të diplomacisë evroperëndimore, sidomos ato amerikane po e shihnin UÇK-në si faktor, si forcë ushtarake dhe politike pa të cilën nuk mund të bisedohej me Serbinë. Prandaj, historiografia, jo vetëm shqiptare, por edhe ajo evro-perëndimore do të shkruajnë se, ishte pikërisht lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila e dërgoi Kosovën në Konferencën ndërkombëtare të Rambujesë.
Lidhur me krijimin e institucioneve shtetërore dhe kombëtare, Krasniqi prononcohet se krijimin e tyre do ta diktoj UÇK-ja, duke çliruar territore të reja. Në numrin e përmendur të “Zërit”, pra të datës 19 korrik 1998 botohet edhe intervista me Ismail Kadarenë, i cili shprehet se: “Që sot, ata djem dhe ato vasha të UÇK-së bëjnë pjesë në historinë morale të kombit, se UÇK-ja ringjalli vlerën e idealeve”. Ishte ai një vlerësim shumë nga ana e Ismail Kadaresë i cili, si një përkrahës i madh i çlirimit të Kosovës, i bënte nder UÇK-së me një vlerësim aq të lartë. Kadare, e ngriti vlerën e UÇK-së në dimensionet historike duke e quajtur pjesë të historisë morale të kombit shqiptar. “Zëri” në numrin e një gushtit boton intervistën ekskluzive me Sabit Gecin, njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, njërin ndër komandantët më në zë dhe më të shquar të Zonave Operative të UÇK-së i cili deklaronte se luftën e kemi fituar në momenti kur i rrokëm armët . Geci në pyetjen e gazetares se a mendon se UÇK-ja duhet ta zgjidh problemin e Kosovës është përgjigjur se: “Ajo duhet ta çliroj Kosovën, UÇK-ja ka mjaft forcë, ka njerëz, armatim dhe ajo do ta sjell lirin e Kosovës.
Në numrin e 28 gushtit të vitit 1998 “Zëri”, duke komentuar dështimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjeve brenda shqiptare, rreth formimit të grupit negociator, kur pritej të kishte përfaqësues edhe të UÇK-së, mes tjerash shkruan se, “…UÇK-ja mbeti e pa përfshirë në grupin negociator, fat ky i keq si për UÇK-në, aq më tepër për grupin negociator, e më së keqi për Kosovën”. Në të njëjtin numër botohet intervista me Adem Demaçin, aso kohe në detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, i cili deklaron se “UÇK-ja do të kundërshtoj çdo zgjidhje që është nën përcaktimin e popullit në referendumin e vitit 1991”, për të shtuar se “ Nuk është zor ti gjesh njëqind vetë të thonë “ kuku na mori në qafë UÇK-ja”, por shumica e popullit nuk e tradhtoi UÇK-në sepse ajo është ushtria e vetë”. Gjithsesi, Demaçi i indinjuar me spekulimet, me injorancën dhe primitivizmin e individëve shqiptarë, që e mohonin qenien dhe shpirtin e UÇK-së, i kundërshton hapur dhe deklaroi se, shumica e popullit shqiptar e ndjeu e përqafoi UÇK-në si ushtrinë e vet!
Demaçi është i qartë edhe në përgjigjen atyre të cilët në atë kohë trumbetohen gjoja për orientimin apo përcaktimin ideologjik e partiake të UÇK-së, duke thënë shprehimisht se “UÇK-ja , siç po shihet nuk dëshiron të jetë armatë në dorën e asnjë partie a ideologjie, por dëshiron të jetë armatë e këtij populli dhe UÇK-ja do të vazhdojë të jetë roje e popullit, e lirisë demokracisë dhe roje e të drejtave të njeriut”. Demaçi, përmes intervistës për javoren “Zëri” mbronte qëndrimin se, ideologjia e UÇK-së është ideologjia e çlirimit, e lirisë, e kombit, e Atdheut dhe se UÇK-ja është në roje të popullit, të lirisë, të demokracisë.
Ndërsa, në të njëjtin numër të javores “Zëri”, në temën rreth përçarjeve të mundshme në radhët e UÇK-së, Demaçi ishte i prerë duke thënë se “Unë besoj që nuk do të arrijë asnjë dorë të fusë farën e përçarjes në UÇK-së, ky do të ishte një rrezik i madh për të gjithë ne e jo vetëm për UÇK-në”.

Naim Maloku

Në të njëjtin numër të javores së përmendur, në vështrim me titull, “Kosova etnitet që duhet të mbrohet”, artikullshkruesi shkruan se “Pa kryengritjen e UÇK-së nuk do të fillonte zgjidhja më efektive e problemit, mirëpo nga ana tjetër UÇK-ja paraqiste një sfidë të madhe të potencialeve të njëmendët të kombit”, ndërsa sipas autorit, tani “edhe komandantët e UÇK-së, edhe përfaqësuesit e saj politike janë të vetëdijshëm se i pret një luftë shumë më e gjatë se sa kanë menduar”. “Zëri” në të njëjtin numër boton intervistën ekskluzive me Naim Malokun (Të realizuar nga autori i kësaj Kumtese – A. Z, i cili ishte korrespondent lufte nga Kosova për Programin shqip të Radio, “Deutsche Welle “), oficer i lartë i UÇK-së i cili deklaron se “Në UÇK nuk ka fraksione politike, se kur është fjala në çështjet esenciale ushtarake, atëherë qëndrimi i të gjithë ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së është i njëjtë dhe i ditur. Ai qëndrim është mbrojtja e këtij popullit dhe çlirimi i Kosovës”.
Në të njëjtin numër, botohet intervista me Sali Berishën, i cili pasi deklaron se e ka përkrahur UÇK-në, shprehet se “I kamë bërë thirrje UÇK-së në mënyrë sistematike që të bashkëpunoj me faktorin politik”, për të shtuar se UÇK-ja ka miq dhe ajo duhet ti dëgjoj këshillat e miqve.
Në atë muaj të vjeshtës 1998, ishin ndezur diskutimet brenda spektrit politik shqiptar, për institucionalizimin e UÇK-së, për vënien saj nën kontroll institucional dhe lidhur me këto zëra, Bajram Kosumi në shkrimin me titull institucionet dhe pseudo institucionet shkruante se: “Do të ishte e pa natyrshme që UÇK-ja të jetë e nënshtruar ndaj pseudo institucioneve të Kosovës dhe ndaj partive politike” .
Nga leximi i shkrimeve të “Zërit” të datës 12 shtator 1998 lidhur me UÇK-në vlen të përmendet deklaratat e Volfgang Syshel, atëherë diplomatë i lartë austriak, më pastaj edhe Ministër i Punëve të Jashtme i Austrisë, i cili shprehimisht, për lexuesit shqiptar kishte deklaruar se “E dini se nuk e mbështes UÇK-në , dhe e dini se po flas publikisht e jo heshtazi kundër mbështetjes së UÇK-së “. Ishte, për kohën politike dhe për relacionet e atëhershme ndërkombëtare një pikëpamje, thuajse e vetmuar e diplomatit austriak, i cili, pas fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi caqet e ushtrisë serbe, kishte lëvizur nga ai qëndrim. Diplomati Austriak preferonte, siç shprehej ai që të mbështeste “Forcat e moderuara”. Ndërsa në të njëjtin numër, Ema Bonino, Komisionere e Unionit Evropian për çështje humanitare shprehej se “Unë personalisht e shoh shumë të çuditshme që të vihet në të njëjtin rang përgjegjësit e armatës serbe dhe përgjegjësit e UÇK-së “. Pra, ishte qershori i vitit 1998 dhe, analizuar intervistën e Ministrit të Jashtëm të Austrisë si dhe deklaratën, po në të njëjtën numër të javores “Zëri”, pra të Ema Bonino, Komisionere e Unionit Evropian për çështje humanitare mund të kuptohej hapur se çfarë pikëpamje kundërthënëse, pra edhe në nivele të faktorëve, institucioneve ndërkombëtare kishte për luftën në Kosovës, për rolin UÇK-së në luftën çlirimtare etj.
VIJON …
___________
Referenca:
1 ,,Zëri”.20/06/1998
***
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIK I USHTRISË Ã’ÂªLIRIMTARE TË KOSOVËS NË JAVOREN ‘ZËRI’ (DHJETOR 1997 – MARS 1999) (Pjesa II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10301

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura