Bajo Topulli – udhëheqësi dhe simboli i shqiptarizmës

Bajo Topulli – udhëheqësi dhe simboli i shqiptarizmës

Nga Nesip Kaçi   

(Sipas librit Bajo e Çerçizi shkruar nga nipi i tyre Bajo Topulli i ri)

Në kryeartikullin e gazetës “Kombi “ të Bostonit, me autor Fan Nolin shkruhet : “ Ju që me fatin e Shqipërisë udhëtoni e lëvizni mal më mal, krah për krah me rrezikun mund t’iu quajnë për njerëz të marrë dhe të krisur, po kush ua var torbën… Ai lab i kulluar, ( është fjala për Bajo Topullin) të cilin nuk e zinte gjumi po të mos merrte hak… dhe në vrafshi dhe ndonjë dhespot a ndonjë hoxhë dhe Perëndia të mos ua ndjejë këtë faj, mos kini frikë, se jua ndjej dhe ua fal unë!. Ali Baba Cytexa.(Pseudonimi i Fan Nolit). Gazeta “ Kombi “ e datës 6 nëntor 1906, shkruan: “Neve na e do puna të jemi mbrojtës të të drejtave tona“.  Po kjo gazetë më 1 janar 1907, në numrin 21, shkruan: “ Kur u vra Foti,  në Korçë, këmbanat u çanë së brituri, duke qarë e lebetitur dhe mbajtën fjalime njerëz me rëndësi, si profesorë, kryepriftërinj dhe mallkuan shqiptarizmin. Ndërsa për Spiro Kosturin asgjë në Korçë. (Por edhe për Papa Kriston kambanat heshtën dhe populli shqiptar tha : Papa Kristonë e vranë,  , Dhe s’ra për të një kambanë. Po pse nuk ra asnjë kambanë për Papa Kriston? Se nuk i lejonte Foti, patriarkana, qeveria greke.N.K.)

Shahin Kolonja, drejtor i gazetës “Drita” në nëntor 1906, në këtë gazetë botoi një artikull të Bajo Topullit me titull “E vërteta”, ku ndriçohet opinioni publik, brenda dhe jashtë vendit për shkaqet që e shtynë Komitetin e shqiptarëve, të ngarkonte çetën e Bajo Topullit, për të vrarë dhespotin antishqiptar.

Gazeta “Drita” e Sofjes më 1 shtator 1906 boton këtë shtojcë të redaksisë: “ Këto që thotë në gazetën tonë kapedan Bajua janë të vërteta. Papa Kriston e vrau shpirtziu Karavangjeli ?, Foti ? apo ai që është në Manastir, Joaqimi ? Papa Kriston, të mirin prift, e vranë këta të tre. Shpirtziu Foti i kishte kapërcyer kufijtë, donte të pinte edhe tjetër gjak shqiptari. Nga ky shkak Komiteti Shqiptar dha karar (vendim) që të vritej Foti, që të lahej gjaku i të mirit prift Papa Kristo-Negovanit. Sikur të mos merrej gjaku i Papa Kristos, do kish mbetur një turp, një çnderim për gjithë kombin shqiptar. Greku po na pin gjakun. Një e nga një po i vret të gjithë ata që duan shqipen,… e tani në u gënjefshin prapë, atëhere për një do vrasim dhjetë. Lavdi Zotit. Tani që u bëmë me komita e kryekomita të fuqishëm, të mënçur, jo nga grekët e zgjebosur, por nga askush nuk na trembet syri. Kur kemi kryekomita si kapedan Bajo Topulli nga Gjirokastra e si levendin Riza Velçishtin, do të tundim pallët jo vetëm në Turqi, por edhe brenda në Greqi. Francezi thotë : “Qui vivra verrá “, „Kush do rrojë do shikojë“.

***

Në një vend ku i huaji ka të gjitha të drejtat dhe vendësi, shqiptari , s’ka asnjë të drejtë, palla e Bajo Topullit duket se u xhvesh jo për të prurë kërkime të paarsyeshme, por për t’i vënë kufi teprimit të të tjerëve. Bajo Topulli gjer më sot e përdori forcën në mënyrë greko-bullgare. Në  qoftëse do jo vetëm t’ju shtjerë datën armiqve dhe t’u presë sulmin, po edhe t’i shtojë nderin kombit, duhet rreptësisht e nevojshme të mbarojë pas mënyrës shqiptare.

Reagimi i patriotëve shqiptarë ndaj shkrimit, gjykimit dhe këshillave të Faik Konicës ishte i fortë dhe i prerë. Gazeta “Kombi” e Bostonit e vitit 1908, nën titullin “Bajo Topulli dhe çështja kombëtare”, shkruan : “ E përkohëshmja “Albania”në Londër në nr 8, 1907, në faqen 159, kritikon z. Bajo Topulli për vrasjen e Mitropolitit të Korçës, Fotit, duke e matur me masa Engleska e Françeska. Artikulli I “Albanias” është i gjatë, por ne do të bëjmë gjykimet tona…Ai shkruan :”Bajo Topulli dhe politika e assassinatëve” …këto e të tjera “Albania” i shkruan me një farë qesëndie, aq sa ata grekët vetë nuk i botuan me atë frymë. Po ne shqiptarëve, që na dhëmb shpirti për Atdheun, si mund t’i durojmë lodrat e firaunta…duke qënë kështu, s’themi dot që na pëlqejnë mendimet e “Albanias”.

Gjithë bota e di se në ç’mënyrë të ngarkuarit e “Krishtit “ grek vranë të vetmin prift shqiptar, i cili, hapte sytë e të verbërvë, duke shkuar kudo për mësimin e gjuhës shqip, gjuhës amtare. Le të  këndojë drejtori i “Albanies” fletët greke për politikën “njerëz vrasës” e pastaj le të gjykojë. Duke kënduar “Albanien”, mund ta marrim vesh e të kuptojmë psenë e asaj, me të cilën e për të cilën e kritikon këtë bënie të drejtë e të domosdoshme të cilën bëri z. Bajo Topulli.

Meqënëse zoti Direktor ( Faik Konica ) i “Albanies”, i ikur që në vogëli nga Shqipëria, i rritur në vende të qytetëruara…kujton se edhe në Shqipëri është ashtu. Këto na shtrëngojnë të jemi larg aryre këshillave, të cilat na i shkoqit “Albania” se gjëndia e ndodhitë e përditshme të armiqve tanë na japin të drejtën t’u  bëjmë ballë me ç’farë na mundet të na vijë për doresh… Këta armiq s’duan të na marrin gjënë apo shpirtin, po duan të na marrin vatrat e truallin e të na lënë më keq nga evgjitët. Armiqtë me dhelpërira, me fanatizma etj, na prishin punë e afro po na ç’rrënjosin. Qysh pra, s’paskemi ne të drejtë t’u shtypim kokën këtyre gjarpërinjve. Qysh u gjentka njeri në këtë botë të qortojë për një të këtillë të drejtë ? Qysh paskërka shqiptar të kritikojë z. Bajo Topulli për të keqe dhe paburrëri ? Kjo na duket çudi!”

Ja edhe një shkrim tjetër për këtë problem : Gazeta “Drita” e Sofjes datë 31.8.1907, shkruan : “Fjalët  Bajo Topulli janë emëri i një shqiptari, i cili, ndonëse qe mirë e bukur në rojtje e në shkuarjen vetjake dhe megjithse ndodhi musliman, shqiptar, gjaku i Papa Kristo  Negovanit, gjaku i të shpirtndriturit prift, me të pafajmit shokët e tij, ay gjak zotit Bajo Topulli i ngriti prehjen e qetësinë, s’e linte të bënte një orë gjumë, megjithse ndodhej në mes të librave, të shokëve, të vëllezërve, të farefisit e të dëfrimeve, ay gjak nuk e linte në prehje, kudo që vinte e nga do që shkonte i thriste: mermë shpagë! Më vranë me gjithë shokët në të drejtë e sipër! Nuk u pata pikën e fajit, faji qe që thashë vetëm se jam shqiptar! Ky qe shkaku që më vranë! (shpirti i Papa Kristos). Këto fjalë me arsye e drejtësisht i thërriste dhe i përsëriste së thirruri çdo shqiptar me ndjenja njerëzore, ky i pafajmë  gjak! Këto fjalë për të drejta i dëgjoi ajo zemër e Bajo Topullit, që nuk u ndodh i shurdhër, por trimërisht, më mirë se çdo nga gjithë ne, e dëgjoi dhe e mbaroi dëshirën e të pafajmëve, dhe bëri detyrën si atdhetar. Qeveria greke u bashkua me kishën e Fanarit dhe kërkon që të mos zihen në gojë dy emra: Shqipëri dhe shqiptar. Gjuhën tonë s’do ta shohë, e për këtë qëllim përdor gjithfarë djallëzish…Por ka sigurisht edhe ndihmën e pleqve të “Albanias”.

Sa për këshillat, të cilat shkruan “Albania”, për të mos prishur vetitë kombëtare, zakonet e burrërinë… fjalët janë të pëlqyera, po kur, po ku, qysh edhe me kë duhet përdorur e tillë burrëri, trimëri e kalori? Sa djallëzi e paudhesi përdorin armiqtë tanë? Këto e të tjera po bëjnë pleqtë e të dërguarit prej Fanarit. Dhespoti i Korçës, sikundër dhe çdo dhespot, s’është i paarmatosur sikundër na thotë “Albania” Veç këtyre jasakçinjve (rojeve), Mitropoliti merr dhe ca duzina suvarinj (kalorës) e zaptije (xhandarë). Kemi shpresa të padyshimta, të plota e të patundura se z. Bajo Topulli dhe shokët e tij, do të mbushin detyrën e tyre burrërisht ashtu si i ka hije shqiptarit pa dhënë hesap e fjalë kurkujt, se s’është ngeja, s’na prêt puna për të shkuar kohën me fjalë të thata. Duhet që edhe të tjerët  të mos vonojnë, por një orë e më parë të bëhemi të fortë dhe mburojë për atdheun. Ta ruajmë nga ujqit që na kërcasin dhëmbët.

Kur u botua artikulli i Konicës në vjeshtën e vitit 1907, Bajo Topulli sa ishte kthyer nga SHBA dhe në një mledhje të zgjeruar me atdhetarë e emigrant shqiptarë (ndofta në Itali, Rumani ose në Egjipt), mes  së tjerash, ai atakon fare shkurt edhe qëndrimin e F. Konicës. Ja teksti i atij fjalimi: …“Grekërit e vranë Papa Kriston e këtë e bënë që të friksonin shqiptarët ortodoksë dhe disa priftërinj mëmëdhetarë. Si kryetar i Komitetit të Shqiptarëve dhe si komandant i çetës, sëbashku me shokët, nuk mund ta harronim,  gjakun e të mirit Papa Kristo. Për të keqen e Shqipërisë disa shqiptarë flasin angllëç për ne dhe janë vënë në krah të grekërve dhe qajnë Fotin…Ka edhe nga ata që jetojnë jashtë, që nuk largohen nga rahati, qejfet e kuplaratë. Nuk di ç’kërkon beu i Konicës tani që puna e shqiptarizmës është vënë në brazdë? Dhe ay, me këto veprime nuk i del në krah shqiptarizmës, por grekut dhe përçarjes. Andartët vranë Papa Kriston  edhe disa veta dhe nuk kursyen edhe fëmijët. Andartët vranë dhe Spiro Kosturin, birin e atdhetarit Jovan Kosturi, që të na tronditin neve, që të heqim dorë nga gjuha e nënës, nga idea e kombëtares. Patriarkana bashkëpunon me qeverinë turke që të ndajnë ortodoksët shqiptarë nga myslimanët, dhespotët grekomanë në kisha mallëkojnë shqiptarët. Organizimin e andartëve e ka në dorë kisha greke për të vrarë ata shqiptarë ortodoksë, që kanë guximin të marrin pjesë me komitat shqiptarë për ringjalljen e Allvanisë, që punojnë për këndimin e gjuhës shqipe, për krijimin e një autonomie shqiptare.

Të bën përshtypje fakti, që veç tri rreshtave, të sipërcituara, Bajua në këtë fjalim nuk e përmend më Faik Konicën dhe as ju referohet më direkt pikpamjeve të tij për “urtësi” të shfaqura në artikullin e “Albanies”. As në raste të tjera nuk i kthehet më “përplasjes “ publike me një figurë të tillë të shquar, por dhe idhnak e kontradiktor. Bajua, ndonse burri matur, njihet si tip që nuk para i duronte akuzat e qëndrimet e padrejta. Përgjigjej flakë më flakë dhe, kur duhej, edhe tepër rreptë. Ndofta qëndrimi i tij përgjithësisht “ anashkalues”, në këtë rast, ( nuk ishte pak,- e akuzonte një atdhetar i madh për “qëndrime assassinante”! vinte nga që ai prej vitesh e çmonte dhe e respektonte “Albanian” dhe drejtorin e saj të shumëditur, i kuptonte edhe rrethanat edhe kushtet në të cilat jetonte e punonte F.Konica; e dinte se përgjegjet e duhura e të merituara F. Konicës, i ishin dhënë e po i jepeshin ngado; ndofta Noli me shokë kur ishte në SHBA i kishin folur dhe ja kishin shpjeguar “kompleksitetin” e tij, etj. Ndërkohë Bajua e njihte mirë edhe anën e ndritur të këtij patrioti; artikujt e Konicës dhe „Albanian“ ai i kishte prej vitesh ndër armët e luftës, ua shpërndante shokëve e miqve të tij në Selanik, me to frymëzonte e ushqente patriotizmin. Ishte ai Faik Konicë, që po ato muaj e po ato vite, përkundër këshillave për “urtësi aristokratike”, shkruante e publikonte nga Brukseli himnet luftarake që të rrëmbenin.

“Faik Konica, është ikonë e kombit shqiptar, gjuha shqipe për Konicën është kryesimboli dallues i kombit, shkruan Prof.Dr. Agron Fico në shkrimin “Universi i Konicës”, kjo ishte filozofia atdhetare e Konicës që e nxiste dhe ia frymëzonte përpjekjet për krijimin e një gjuhe të përbashkët shqipe.

Tani në mënyrë të natyrshme lind pyetja: Po atëhere pse Faik Konica në gazetën “Albania” Nr. 8, 1907 shkroi artikullin “Bajo Topulli dhe politika e assassinatëve”?  Assassinat, që është frëngjisht, në shqip përkthehet: vrasje, krim. Mbrojtja e atdheut nuk është krim, është detyrë e cdo shqiptari. Përgjigjia duhet të jetë kjo:  Ky Faik Konicë gjenial,në këtë rast, ka bërë një gabim gjenial, ai atë ditë që ka shkruar këtë artikull, ngjarjen nuk e ka analizuar dhe as gjykuar drejt nga pozitat e shqiptarit. Gjërat duhen thënë ashtu si janë, çdo zbukurim, çdo lehtësim nuk ka kuptim. Por duhet thënë se dhe vetë Konica e ka kuptuar këtë gabim kur shkruan: Unë jam një shqiptar aq i ftohtë dhe aq i humbur dhe një njeri me ndjenja aq të poshtra, sa që nuk kam qënë i zoti të kuptoj madhërinë e Bajo Topullit. Dhe më poshtë Konica, duke folur për mundimet Bajo Topullit për të zgjuar ndjenjat kombëtare të popullit, shkruan: Po edhe punët e rrepta ndofta nuk janë pa të mirën e tyre, kryengritja e tij i bëri njerzit (është fjala për pushtuesit) të mejtohen dhe ta unjin pak guximin e tepërt… Palla e Bajo Topullit u zhvesh për t’i vënë kufi tepërimit të të tjerëve, armiqtë nuk i mban as njerëzia e as nderi, po mund t’i mbajë forca dhe frika. Ja vijimi i artikullit të tij: Po s’dua t’i lë këndonjësit në besim se unë jam një kundërshtar i verbër i Bajo Topullit. Një besim i tillë do të jetë shumë i lajthitur (i gabuar) Më parë dua të them se Bajo Topullin nuk e njoh por ca miq, nga ata që i nderoj më tepër (bëhet fjalë për Fan Nolin-B.T.), më folnë për Bajo Topullin me lëvdata të vecanta, si një patriot i zjarrtë dhe i mënçëm.

Çështja shqiptare nuk zhduket dhe ne nuk friksohemi as nga greku dhe as nga turku. Kryeministri i Turqisë, tradhtari, vlonjaku Ferid Pashë Vlora, ky faqezi, që turpëroi fisin e tij, le të mbajë në burg  11  vëllezërit e mi në Janinë: Sakon, Jaçen, Manen,Kapon, Jonuzin, Halitin, Seldiun, Kamanin, Mehmetin, Banushin, dhe Namikun 22 vjeçar, ky i fundit vdiq para 40 ditësh në burgun e Janinës. Po kështu, djali i xhaxhait tim, Dauti, djali i vetëm e trim i Mehmet Topullit të dytë, ka vdekur ditët fundit në burgun e Janinës nga torturat. Por unë nuk do të jepem dhe ju betohem, që ta marrin vesh shqiptarët, se jemi duke përgatitur një lëvizje të madhe në të gjitha vilajetet shqiptare kundër Dovletit, që të mos paguajmë, taksa, vergji e xhelep, që të shkëputemi nga halldupi, duam gjuhën e nënës, duam shkolla në gjuhën tonë. Programin tonë, kanunoren tonë po e përkrahin të gjithë mëmëdhetarët në të gjitha vilajetet e Shqipërisë. Kudo do krijohen çeta të vogla e të mëdha e sidomos në vilajetin e Kosovës.

Një përgjigje të qartë e të prerë u dhanë pikpamjeve e “këshillave” për  ”besë” e “urtësi fisnike” ndaj pushtuesit turk e andartëve grekë, edhe shumë atdhetarë nga viset e Jugut e të Veriut, mërgimtarë  etj, të cilët nuk rreshtën së çmuari lart punën dhe aksionet e çetës së Bajo Topullit në favor të çështjes kombëtare. Hil Mosi në gazetën “Shpnesa e Shqypnisë”, nën pseudonimin “Lirijasi” shkruan:  “Vrasja e shkrimtarit tonë, At Kristos prej anës së klerit grek me dhespotin grek të Korçës Fotin në krye ç’farë frytit  prueni ? – dihet mirë. Zemrat atdhetare nisnë m’u ndezë flakë e pritëshin kohen se kur me shfry n’këto armiq, jo veç t’ kombësis t’onë, por edhe të Zotit; kur se kjo vrasje kje shkaku qi nji sokol me fletë, Bajo Topulli u çue me ca shokë dhe ngrehi “Komitetnë për Lirinë e Shqipënisë “ e me 13 shokë t’vet muer gjakun e At Kristos tuj vra Dhespotin grek të Korçës, Fotin, qi kish pas dorë n’kët vrasje…”.

Pas aksionit në Gurin e Capit, ku u vra dhespot Foti, çeta me Bajon në krye u hodh në fshatrat e Korçës e Kolonjës për të ngritur në këmbë djemtë e atyre viseve, për të vazhduar punën për përhapjen e idesë kombëtare, por edhe për t’u shpëtuar ekspeditave ndëshkimore të koshadheve turke e andartëve grekë, të cilët kërkonin ta zinin me çdo kusht Bajo Topullin e çetën e tij. Pastaj çeta u hodh në Frashër, ku u organizua edhe një mbledhje e zgjeruar për gjendjen e krijuar.Nga këto lëvizje çeta u shtua shumë me kolonjarë, korçarë, të krishterë e myslimanë. Çeta nga Skrapari e Përmeti kalon më vonë në Delvinë e Çamëri. Për të përballuar ndjekjet e vazhdueshme nga qeveria turke , e cila bashkëpunonte me Patriarkanën  greke,  dilte nevoja e një organizimi për një lëvizje kryengritëse më të gjerë edhe në Elbasan, Manastir,  Dibër, Kosovë e më gjerë.

Patrioti Kristo Luarasi, nëpërmjet një letërkëmbimi me një shokun e tij, që mban datën  1 nëntor 1906 shkruan : “ Bajo Topulli, që ish i pari kryengritës me vepra në Shqipëri, që shkoi në Kolonjë, Labëri, Çamëri, Elbasan, Manastir e Dibër, dhe që vrau dhespot Fotin, po bashkon shqiptarët me idenë kombëtare…” Ndjekjet e qeverisë, porositë për kapjen e Bajos me çdo kusht, e vështirësuan vrullin e patriotëve brenda. Këjo situatë e detyron çetën të shpërndahet dhe një pjesë, me Bajon dhe Çerçizin, mendonin të shkonin në Sofje, për të përballuar vështirësitë e momentit, ashtu dhe për të  zgjeruar lidhjet me patriotët e shoqërive në mërgim.

Për kokën e Bajo Topullit ishin vënë shuma të mëdha parash nga qeveria turke.  Pasi siguruan në Gjirokastër para hua, 32 lira ari tek kushëriri i tyre Ismet Karagjozi, Bajua dhe Çerçizi, duke marrë me vete edhe trimin Zeman Mashkullora, me ndihmën e patriotit Nazif Hadëri nga Palavlia, nëpërmjet një anijeje u nisën nga Saranda për në Bullgari. Kristo Luarasi, do të njoftonte pak më pas, se “Bajua ishte një shqiptar që nuk gjendet, ka ardhur në Bullgari për të përgatitur një kryengritje të madhe në të katër anët e Shqipërisë. Në fund të letrës Kristo Luarasi ngrë lart meritat e Bajos”. Po nga një letër e Kristo Luarasit, mësohet se gjatë kësaj periudhe Bajua shkon edhe në Bukuresht, i dërguar me mision që t’i zgjojë edhe atje shqiptarët për të bërë përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme”.

Bajo Topulli nga Sofja i bëri një telegram valiut të Janinës, Sejfulla Pashës, ku i thoshte: “Ja më lësho vëllezërit dhe të afërmit që ke burgosur në Janinë, ja se të më presësh atje“. Sejfullai me të marrë këtë telegram nga Bajua u tremb dhe i shkroi Stambollit. Nga Stambolli iu përgjegjën se s’është koha të merresh me njerëz firarë. Këtë plagë mos e zgjat. Pas kësaj përgjigjeje, valiu i Janinës, Sejfullai, i lëshoi nga burgu vëllezërit dhe farefisin e Bajos.  Qeveria këtë punë e bëri që të mos mahisej puna më tepër. Gazeta “Kombi” në nr 31, datë 31.7 1907, shkruan: “Na shkruajnë nga Janina se më 10 të këtij muaji u lëshuan nga burgu 10 shpirt prej fisit të Bajo Topullit”. /Dita

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura