XHAFER DURMISHI: PROGRAMI DHE STATUTI I FRONTIT TË KUQ POPULLOR I PËRPILUAR NGA JUSUF GËRVALLA

Pashtriku, 18 shkurt 2021: Si anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të dhënat që përmenden në këtë hyrje i kam mësuar nga Jusuf Gërvalla, shoku dhe ideologu i LNÇKVSHJ, në fund të korrikut 1981. Ato ngjarje të aktivitetit të tij, si anëtarë i LNÇKVSHJ, që m’i ka treguar e shpjeguar me kujdes e vëmendje, e quaj të drejtë dhe të arsyeshme t’i tregoj. Ata që janë të interesur për historinë e kësaj periudhe kanë mundësi me i kontrollua faktet. Diku në verën e hershme të vitit 1979 del nga shtypi numri i parë i gazetës “Bashkimi”. Ky numër del si Organ i Frontit të Kuq. Pas arratisjes së Jusufit në Gjermani, rrethanat sillen në atë mënyrë që Jusufi ia fillon ta ndihmoj gazetën Bashkimi. Në saje të punës së Jusuf Gërvallës bëhet e mundur dalja e numrit të dytë të Bashkimit, diku në shkurt 1980. Kah fundi i prillit 1980 del numri i tretë i Bashkimit. Edhe këta dy numra ashtu sikurse i pari dalin si Organe të Frontit të Kuq (pa mbaresën Popullor). Në maj 1980, Jusuf Gërvalla autorizohet ta shkruaj këtë Program dhe Statut të Frontit të Kuq Popullor. Ky dokument është i pari në të cilin e ndeshim mbaresën “Popullor” që i shtohet nga Jusufi. Kur Hysen Gega niset për Kosovë, nga banesa e Nami Ramadanit, ai merr me vete numra të shumtë të Bashkimit dhe këtë Program. Ky është programi i Jusuf Gërvallës e i Hysen Gegës, i pafalsifikuar. I armatosur me idetë e me qartësinë e Jusuf Gërvallës, Hysen Gega bëhet një nga militantët më të fuqishëm që ka patur Kosova. Është koha që pas 30 vitesh ta sjellim në dritë këtë Program të pafalsifikuar të asaj kohe të lavdishme. Në historinë e lëvizjes punëtore ndërkombëtare janë të njohura programe si p.sh. ai i Eisenach’ut, më 1869 (August Bebel), Gotha’s, 1875 (Ferdinand Lassalle) apo ai i Erfurt’it, 1891 (Karl Kautsky). Në historinë e luftës për çlirim nacional e social të shqiptarëve nën Jugosllavi, vend të veçantë ka zënë ky Propram që mund të quhet Programi i Esslingenit – Sallagrazhdës – Lumthatit të Hysen Gegës. Merita për kopjen e siguruar të këtij Programi i takon Faridin Tafallarit. Qëllimi i botimit të këtij Programi ka të bëjë vetëm me ndriqimin e fakteve historike. Por është edhe një e vërtetë tjetër, se fatin dhe efektin e vërtetë të fjalës së shkruar, fillimisht, askush nuk mund ta dij.
Xhafer Durmishi, tetor 2010

Simboli i Rilindjes kombëtare “Me pushkë e penë” i përdorur më vonë edhe si simbol i LNÇKVSHJ’së.
”Ka ardhur koha që komunistët të shtrojnë haptazi përpara gjithë botës pikëpamjet e veta, qëllimet e veta, aspiratat e veta dhe përrallave për fantazmën e komunizmit t’u vënë përball një manifest të vetë partisë.” Marksi dhe Engelsi
”Pika qendrore e edukimit internacionalist të punëtorëve në vendet shtypëse duhet patjetër të jetë propaganda dhe mbrojtja nga ana e tyre e lirisë së shkëputjes së kombeve të shtypura. Pa këtë nuk ka internacionalizëm. Ne kemi të drejtë dhe duhet ta trajtojmë çdo socialdemokrat (kupto komunist) të një kombi shtypës, i cili nuk e bënë këtë propagandë si imperialist dhe maskara.” Lenini
”Formimi i një fronti revolucionar të përbashkët është i pamundshëm, nëqoftëse proletariati i kombeve shtypëse nuk përkrah drejtpërdrejt dhe në mënyrë të vendosur lëvizjen çlirimtare të popujve të shtypur kundër imperializmit të ”atdheut” të vet, sepse ’nuk mund të jetë i lirë një popull që shtyp popuj të tjerë”. Engelsi
(…)
”Bota ndodhet në një fazë ku çështja e revolucionit dhe çlirimit kombëtar të popujve nuk është vetëm një aspiratë e një perspektivë, por edhe një problem i shtruar për zgjidhje.” ”PPSH mbështet dhe përkrah me të gjitha forcat luftërat e drejta të popujve liridashës…” Enver Hoxha
PËR NJE SHQIPËRI SOCIALISTE TË TË GJITHË SHQIPTARËVE! ME PUSHKË DHE PENË PËR LIRI E PAVARËSI!
”MA MIRË NJË PUSHKË NE MAL SE NJË THES FJALË NË PARLAMENTIN E BELIGRADIT”. AZEM GALICA
***
PROGRAMI DHE STATUTI I FRONTIT TË KUQ POPULLOR
PROGRAMI DHE STATUTI I FRONTIT TË KUQ POPULLOR është hartuar nga një grup shokësh, të cilët qenë të autorizuar. Për shkak të pamundësive, që janë evidente gjatë ilegalitetit të plotë, nuk qe e mundur që PROGRAMI DHE STATUTI të aprovohen në një konferencë të rregullt, ku do të merrshin pjesë përfaqësuesit. Si i tillë, është i plotëfuqishëm gjer sa ta krijojmë mundësinë për ta thirrur tubimin përkatës, i cili do analizojë edhe materialet e grumbulluara, që kanë të bëjnë me analizat rreth PROGRAMIT DHE STATUTIT tonë, analiza të bëra këto nga çdo militantë i Organizatës!
P R O G R A M I
Populli shqiptar, për të çarë me sukses frontin në luftë kundër pushtuesve të egër fashistë gjermanë e italianë, ishte bashkuar dendur rreth organizatës së vet masive, FRONTI NACIONAL ÇLIRIMTAR, Organizatë që qe formuar dhe udhëhiqej nga PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE, tani PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË.
FRONTI NACIONAL ÇLIRIMTAR është formuar në prag të Luftës së Dytë Botërore. I formuar nga PKSH (Partia Komuniste Shqiptare) FRONTI NACIONAL ÇLIRIMTAR luftoi me heroizëm armikun.
FRONTI NACIONAL ÇLIRIMTAR dhe PKSH, të frymëzuara thellë nga internacionalizmi proletar dhe nga Revolucioni i Tetorit, bashkuan armët me forcat e Partisë ”Komuniste” të Jugosllavisë. Në bazë të luftës së përbashkët ishte marrëveshja që, pas ngadhnimit mbi fashizmin, gjithkush të bëhej zot në shtëpinë e vet.
Parimi i Luftës Nacional Çlirimitare dhe antifashiste, pas së cilës do të fillonte një etapë e re e jetës dhe ndërtimi i socializmit, në njërën anë, si dhe mendimi se do të gjenin zgjedhje të drejt gabimet e pafalshme që ishin bërë ndaj shqiptarëve gjer atëherë, në anën tjetër, i shtynë shqiptarët të bëjnë sfidë në luftën e pakompromis kundër fashizmit. Në bazëtë parimeve të tilla, populi shqiptar, që deri më atëherë jetonte në tokat e veta në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Serbi, i jepej mundësia e ligjshme për dalje nga robëria e rëndë jugosllave, e paraluftës, dhe për bashkim me vendin amë,SHQIPERINE. Prandaj populli ynë nuk e kurseu gjakun e vet të shtrenjtë. Në ndjekje të fashstëve të egër ai vajti heroikisht deri në viset më të largëta të Jugosllavisë.
Por, në çastin e ngadhnjimit mbi fashizmin, kur populli ynë po bëhej gati t’i gëzohej realizimit të aspiratave shekullore, bashkimit të përgjithshëm kombëtar e shtetëror të shqiptarëve, piku një nga tradhtitë më të mëdha. P”K”J, me dredhi të papara, manovroi fuqishëm nën rrogoz dhe ia doli me sukses të siguroj për vete në mënyrë arbitrare kufijt shtetërorë, brenda të cilëve serisht përfshihej më se gjysma e tokave dhe e popullit shqiptar. Kështu, robëria e vjetër e kralëve serbë u zëvendësua me robërinë e re serbomadhe, në krye me klikën revizioniste të Titos.
P”K”J, në bashkpunim me çetnikët, të cilët ishin siguruar se në Jugosllavi nuk do të vendosej rendi shoqëror socialist, ripushtuan tradhtisht viset shqiptare dhe ia filluan këngës së vjetër – shfarosjes dhe asimilimit të popullit shqiptar. Madje, P”K”J nuk u mjaftua me kaq. Ajo duhej të çonte në vend edhe aspiratat e vjetra të borgjezisë serbomadhe për dalje të lirë në Adriatik. Prandaj me manovrime të reja, të ndihmuar nga disa tradhtarë shqiptarë, si Koçi Xoxe e Pandi Kristo, ia hyri edhe aksionit për pushtimin e Shqipërisë.
Vëllezërit tanë, në saje të vigjilencës së PPSH, e shpëtuan Shqipërinë nga ky rrezik i lig. Ata ishin tradhtuar njëherë nga P”K”J dhe nuk tradhtoheshin më. Por në kushtet konkrete që u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore, kur në nivel të politikës ndërkombëtare, ne vend që të korigjohej, u përforcua padrejtësia ndaj tokave dhe ndaj popullit shqiptar. RPS e Shqipërisë u gjend në aso situate që të mos mund të intervenojë për vëllezërit e vet të mbetur jasht kufijve të shtetit shqiptar, sado që dihej se Jugosllavia i ripushtoi tokat shqiptare që i kishin pushtuar përpara kralët dhe tani po ushtronte terror të egër. Në këto kushte, çdo intervenim ushtarak i RPS të Shqipërisë në viset shqiptare në Jugosllavi konsiderohet përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe tërheq me vete pasoja të rrezikshme, po të nivelit ndërkombëtar.
Megjithatë, mbetën mundësi tjera, me anën e të cilave RPS e Shqipërisë ndikoi shumë në qëndresën tonë. Duke fituar për vete (në saje të kultivimit të marksizëm-leninizmit të kulluar dhe të luftës së pakompromis kundër imperializmit, kapitalizmit, kolonializmit, neokolonializmit dhe revizionizmit modern) atributin e zërit më të fuqishëm në Evropë, Partia e Punës e Shqipërisë ndoqi me interes jetësor dhe me indinjatë të thellë edhe politikën diskriminuese jugosllave të gjenocidit mbi popullin shqiptar; e luftoi me ngulm këtë politikë, duke e denoncuar para forcave përparimtare të gjithë botës. Në këtë mënyrë për popullin shqiptar në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi u bë e qartë se ai nuk është i vetmuar në luftën për çlirimin social e nacional nga revizionizmi i egër titist.
* * *
Bazuar në domosdoshmërinë e Luftës Nacional Çlirimtare, si të vetmen për sigurimin e pavarësisë së plotë kombëtare, bazuar në domosdoshmërinë e përgatitjes së masave për revolucion dhe vet revolucionit, i cili pos pavarësisë dhe bashkimit kombëtar, në pushtet sjell popullin, bazuar në diskriminimin klika revizioniste që po ushtron klika revizioniste e Beogradit, të cilit diskriminim duhet t’i ndajvehemi përkatësisht, bazuar në shfrytëzimin e paskurpullt që u bëhet viseve shqiptare në Jugosllavi nga ana e klikës në pushtet, bazuar në të drejtat eelementare njerëzore, se edhe populli shqiptar (i tokave shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia) ka të drejtë të gëzojë dhe rrojë i lirë, i pavarur, i lumtur dhe, duke përkrahur pa rezervë luftën e drejtë dhe politikën parimore, vigjilencën e PPSH dhe të Qeverisë Shqiptare, në krye me shokun Enver Hoxha, punëtorët, fshatarët, mërgimtarët, të papunët, intelektualët revolucionar e patriot, e sidomos femra shqiptare, me një fjalë, të gjithë shqiptarët (e tokave të robëruara dhe në mërgim) e vetëdijshëm, që janë për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare të pushtuara, të cilët nuk dyshojnë në përkrahjen e motrave dhe vëllezërve të Shqipërisë , morën këtë
V E N D I M
Nga radhët e të larpërmendurve, që dalin nga gjiri i popullit shqiptar, të robëruar nga Jugosllavia, të formohet Organizata FRONTI I KUQ POPULLOR e cila do të bashkojë punëtorët, mërgimtarët, komunistët, intelektualët dhe gjithë popullin patriot e revolucionar shqiptar të robëruar – në luftë për LIRI dhe PAVARESI, në luftë për BASHKIMIN e popullit shqiptar në një shtet të vetëm, SHQIPËRINË SOCIALISTE.
Kundër kujt do të luftojë FRONTI I KUQ POPULLOR?
Për FRONTIN e KP (Kuq Popullor) është i huaj çdo akcion jashtë tokave arbërore. Çdo akt i kundërt me këtë do të konsiderohet akt agresiv dhe do të dënohet nga vet FRONTI I KP. Lufta kryesore dhe e vetme do të jetë lufta kundër robëruesit jugosllav, në krye me klikën titiste dhe shovinizmin sllavomadh (serb, malazez e maqedon) me qëllim të çlirimit social e nacional nga Jugosllavia dhe të bashkimit shoqëror e kombëtar me vendin amë, Shqipërinë Socialiste. Kjo është e drejtë legjitime e popullit shqiptar, i cili, megjithse derdhi pa kursim gjakun e vet të shtrenjtë për tokat e veta të shenjta, u bë pre e apetiteve pushtuese jugosllave dhe e politikës diskriminuese të fuqive të mëdha. Për viset tona derdhën gjakun gjyshërit dhe baballarët tanë, nga gjaku i të cilëve mbin pipat që sot arritën të formojnë FRONTIN E KUQ POPULLOR.
Nga FRONTI I KUQ POPULLOR do të jetë i luftuar çdo individ, grup a organizatë, që provon të bëhet pengesë në realizimin e vullnetit të popullit shqiptar. Do të luftohet hegjemonizmi, shovinizmi, borgjezia e byrokracia e çdo lloji, pa marrë parasysh a gjenden në radhët e tyre serbi apo shqiptari. Do të luftohen të gjithë renegatët dhe tradhtarët shqiptarë, sahanlëpirësit e mashtruar nga klika titiste, që ushqehet tradhtisht me gjakun dhe djersën e popullit të robëruar shqiptar. Do të luftohet ”intelegjenca” që shiti idealet e veta, duke lidhur fatin e vet me pushtuesit apo me borgjezinë, dhe jo me popullin. Me një fjalë, lufta jonë do të ketë tiparet e një revolucioni të përgjithshëm socialist.
FRONTI I KUQ POPULLOR, duke studiuar kushtet aktuale dhe duke shfrytëzuar edhe mendimin e çmueshëm të PPSH lidhur me gjendjen e përgjithshme në Jugosllavi, ka nxjerrë përfundimin e drejtë se në Jugosllavi dominon një atmosferë e volitshme (pasi gjendja e vështirë ekonomike dhe politika pa principe e shfrytëzimi klasor kanë bërë të pakënaqur të gjithë popujt e Jugosllavisë) për shpërthimin e revolucionit. Të mbërthyer ndërmejt shfrytëzimit të egër të Perëndimit e Lindjes dhe politikës antipopullore të udhëheqjes titiste, e cila interesat e vendit i ka shitur fare lirë te imperializmi e socialimperializmi, popujt e Jugosllavisë ndodhen në prag të një revolucioni popullor. Duke përfituar nga kjo situatë, si dhe nga niveli i lartë i vetëdijes shoqërore e kombëtare të shqiptarëve që lëngojnë nën thundrën jugosllave, FRONTI I KUQ POPULLOR, duke u bërë pararojë e luftës për LIRINE E PAVARESINE e shqiptarëve dhe për bashkimin e tyre me vendin amë, do të luftojë pa kompromis për të vjelë frytet e revolucionit, të cilat janë në pjekjen përfundimtare.
Klika e Beogradit po i gërmon me të madhe varrin vetvetes. Por, po ajo nuk do të bjerë do në të, në qoftë se nuk e shtynë forcat revolucionare. Këtë detyrë i ka caktuar vetes FRONTI I KUQ POPULLOR.
Cilat janë metodat e luftës që bën FRONTI I KUQ POPULLOR?
Nën thundrën e klikës revizioniste të Beogradit, pos shqiptarëve, u merret fryma edhe popujve tjerë, të përfshirë brenda kufijve politik të Jugosllavisë, të cilët i shtrohen politikës në favor të borgjezisë titiste. Shfrytëzimi, byrokracia, korrupcioni dhe dominimi i kapitalit të huaj, i kanë shtrirë përdhe interesat e këtyre popujve dhe sidmomos të klasës punëtore e fshatarësisë. Në këtë kontekst, lufta do të ketë shumë pika të përbashkëta me luftën e ardhshme të punëtorëve dhe fshatarëve të të gjithë popujve që rrojnë në Jugosllavi. Solidariteti ynë në këtë drejtim nuk do të mungojë. Mirëpo nëqoftëse popujt e Jugosllavisë, kur të ketë shpërthyer revolucioni ynë në tokat shqiptare, i përgjigjen prap ndërsimit të klikës titiste dhe borgjezisë shoviniste të atyre popujve për të na i ndaluar ne shqiptarëve të drejtat ligjitime për çlirimin social e nacional, atëherë ne do të shtrëngohemi t’ua kthejmë grykat e armëve tona edhe këtyre popujve.
Meqë interesat tona klasore e kombëtare përputhen me interesat klasore e kombëtare të popujve të Jugosllavisë, ne nuk dëshirojmë luftë me këta popuj, pos me klikën revizioniste të Beogradit. Prandaj në kohë ”paqeje”, FRONTI I KUQ POPULLOR ka për detyrë që me propagandë të shëndosh patriotike dhe marksiste-leniniste, t’i çjerrë maskën përgjithësisht klikës së egër të Beogradit dhe të thërras në luftë kundër saj edhe forcat përparimtare të popujve tjerë të Jugosllavisë. Mbi të gjitha, forca e propagandës i drejtohet popullit shqiptar, në mënyrë që ai të përgatitet në baza sa më të shëndosha e më të forta për revolucionin e ardhshëm.
Kjo është etapa e parë, e përgatitjes së revolucionit tonë popullor. Nëpërmejt Organit të FRONTI I KUQ POPULLOR, gazetës ”BASHKIMI”, si dhe nëpërmjet literaturës marksiste-leniniste dhe literaturës tjetër revolucionare, që botohet me bollëk në RPS të Shqipërisë e që ne do ta shpërndajmë në mënyrë ilegale dhe ta popullarizojmë në radhët e popullit tonë (dhe të tjerëve, po që se ata shfaqin interesim), ne do ta shpiem përpara idenë e çlirimit social e nacional nga Jugosllavia dhe kështu do ta shtrojmë terrenin për revolucion. Popullit tonë do t’i bëhet me dije se lufta jonë është luftë e drejtë dhe se një luftë e tillë, kur të jenë bashkuar të gjitha forcat, nuk ka si të mos ngadhnjejë, pa marrë parasysh se me çfarë armiku kemi të bëjmë.
Detyrë e jonë e parë, pra, është që në kushtet e tashme të luftës jo të drejtpërdrejtë, të mësojmë si të sheshojmë dhe t’i mbrojmë interesat e revolucionit të ardhshëm dhe ta mbledhim rreth vetes popullin tonë të shumëvuajtur, në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më të organizuar.
Kjo punë nuk është aspak e lehtë. Ne kemi të bëjmë me një armik të majmur me gjakun dhe djersën e punëtorëve dhe të nxitur e të ndihmuar nga forcat e errëta imperialiste, kapitaliste, kolonialiste, neokolonialiste e revizioniste. Prandaj, në luftën tonë lypset mjeshtri e holl dhe guxim shqiptar. E FRONTI I KUQ POPULLOR konsideron se mjeshtria nuk do të mungojë, nëse lufta jonë bazohet në të drejtën e patjetërsueshme të shqiptarëve për të mbrojtur tërësinë e vet territoriale dhe kombëtare dhe në ndjekjen e rrugës përparimtare të klasës punëtore dhe të fshatarësisë, të vizatuar dhe zbatuar me konsekuencë të pashoqe nga PP e Shqipërisë. FRONTI I KUQ POPULLOR e di se nëpër këtë rrugë të pagabueshme mund të na udhëheq vetëm ideologjia e shëndosh marksiste-leniniste, prandaj shembulli i Partisë së Punës dhe i rezultateve të mëdha të ndërtimit socialist në Shqipëri, do të jenë për ne busulla e vetme.
Ai që mohon nevojën e pjesëmarrjes së femrës shqiptare në revolucion, e kështu në radhët e dendura të FRONTIT TE KUQ POPULLOR ai nuk është me FRONTIN… Gatishmëria e femrës shqiptare që, bashk me forcat e përgjithshme revolucionare, të përforcojë radhët e luftës për liri, jo vetëm që konsiderohet e drejtë dhe detyrë e saj, por edhe do të çmohet lartë nga revolucioni. Kësaj detyre dhe këti obligimi, femra shqiptare ka ditur t’i dalë zot edhe në periudha të tjera shumë më të errëta historike, duke dhënë kontributin e vet të pazëvendsueshëm. Ajo paraqet gjysmën aktive të popullit tonë dhe revolucioni ynë nuk mund të merret me mend pa pjesëmarrjen e saj, për cilëndo etapë që të jetë fjala.
Etapa e dytë, përfundimtare, e revolucionit tonë do të jetë lufta drejtpërdrejtë me armë; barrën kryesore të saj do ta ketë prap FRONTI…, si Organizata më masive që grumbullon në radhët e veta të gjitha strukturat shoqërore të popullit tonë, të udhëhequra nga forcat komuniste (Partia Komuniste, po të qe e formuar.). Pas bashkimit të tokave shqiptare dhe të popullit shqiptar me Shqipërinë edhe Organizata jonë do të shkrihet me FRONTIN DEMOKRATIK që sot vepron në RPS të Shqipërisë. FRONTI I KUQ POPULLOR thërret të gjithë shqiptarët e robëruar në luftë për LIRI e PAVARESI, për shpartallimin e armikut shekullor, borgjezisë dhe pasardhësve e idhëtarëve të saj, revizionistëve jugosllavë, në krye me klikën titiste.
S T A T U T I
FRONTI I KUQ POPULLOR është organizatë masive revolucionare, që tubon të gjithë luftëtarët e lirisë dhe të pavarësisë së popullit shqiptar në luftë kundër robëruesit jugosllav dhe kundër çdo armiku tjetër që do të bëhet prag për realizimin e të drejtave të patjetërsueshme të shqiptarëve për të jetuar në LIRI e PAVARESI.
FRONTI I KUQ POPULLOR tubon në radhët e veta të gjitha strukturat e tashme shoqërore në viset shqiptare të robëruara nga Jugosllavia titiste: punëtorët, fshatarët, komunistët, intelektualët revolucionarë, me një fjalë të gjithë popullin liridashës, që është i gatshëm për luftë çlirimtare kundër robërsë shekullore. Në gji të kësaj Organizate ushtrojnë veprimtarinë e tyre revolucionare të gjitha forcat e ndërgjegjshme, që s’e kursejnë as jetën kur këtë e kërkon liria kombëtare dhe klasore.
Detyrat dhe të drejtat e çdo anëtari të FRONTI I KUQ POPULLOR përcaktohen në përputhmëri me aksionet që shkojnë në interes të Lirisë Kombëtare dhe Klasore të popullit shqiptar. Prandaj lidhur me ato detyra dhe të drejta, çdo anëtarë i FRONTI I KUQ POPULLOR duhet të ndihet krenar dhe t’i qojë ato në vend, edhe kur realizimi i tyre bëhet në kushte të vështira që kërkojnë të flijohet edhe jeta.
Busullë e vetme për të gjithë anëtarët e FRONTI I KUQ POPULLOR do të jetë lufta analoge e FRONTIT NÇ, i krijuar nga PKSH në prag të Luftës së Dytë Botërore (prill 1942.) dhe historia e zhvillimit të PPSH, si pararojë. (FRONTI NÇ i udhëhequr nga PKSH, sot PPSH, luftuan për çlirimin e tokave shqiptare dhe për ndërtimin e Socializmit të vërtetë në atë pjesë të tokave që përfshinë brenda kufijtë e Shtetit Shqiptar të sotëm, të cilit Fuqitë e Mëdha ia shkëputën arbitrarisht më se gjysmën e tokave shqiptare.)
Te revolucionari i FRONTI I KUQ POPULLOR nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi lidhur me ndihmën që do të na japin vëllezërit tanë në Shqipërinë e lirë, posa ne të kemi krijuar kushte të shëndosha për shpërthimin e revolucionit. Ata kanë detyrë dhe nder ta bëjnë këtë punë. Historia e popullit shqiptar nuk i ka parë kurrë të shkëputura interesat e popullit në pikëpamje regjionale. Kështu do të bëhet edhe në të ardhmen.
Militantët e FRONTIT TE KUQ POPULLOR janë militantë të ngritjes së vetëdijes shoqërore e kombëtare të popullit të robëruar shqiptar; militantë të aksionit dhe të luftës së armatosur për LIRI dhe PAVARESI, posa të piqen kushtet për shpërthimin e revolucionit të përgjithshëm popullor.
Strategjia e punës dhe e luftës së FRONTIT TE KUQ POPULLOR do të jetë strategjia e PPSH, e cila e ka demaskuar dhe demaskon me ngulm revizionizmin dhe politikën e egër jugosllave të gjenocidit mbi shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Lufta e shokut Enver Hoxha kundër revizionizmit, strategjia e hollë dhe trimëria e pashembullt e Tij në mbrojtjen e interesave jetike të popullit dhe të Shtetit Shqiptar, do të jenë mësimet bazë për të gjithë anëtarët e FRONTIT TE KUQ POPULLOR dhe do të studiohen me kujdes në mënyrë kreative, duke iu përshtatur kushteve konkrete.
Për FRONTIN E KUQ POPULLOR, do të thotë për gjithë popullin shqiptar të robëruar nga Jugosllavia, armiku kryesor është socialshovinizmi serb, malazez, maqedonas, i ndërsyer nga shovinizmi sllavomadh i Kremlinit. Poashtu edhe shovinizmi grek është armiku ynë, pasi ai ushtroj një politikë diskriminuese dhe të egër e barbare mbi vëllezërit tanë në Qamëri. Meqë ky shovinizëm duhet të jetë i huaj edhe për popujt sllavë, sidomos për ata të Ballkanit, që janë gjithashtu të shtypur nga krerët e Moskës dhe të Beogradit, ne i ftojmë edhe këta popuj t’i bashkohen luftës sonë kundër revizionizmit dhe shovinizmit të egër.
Lufta jonë është e vështirë por e drejtë. Këtë e kanë kuptua edhe armiqët tanë, revizionistët e Beogradit. Ata e dinë se fitorja do të jetë në anën tonë, prandaj përditë e më shumë po na shtrëngojnë me dhunë e me tortura. Për militantin e FRONTIT TE KUQ POPULLOR duhet të bëhet shembull qëndrimi i patundshëm dhe vetmohues i revolucionarëve shqiptarë, me të cilët janë mbushur përplot burgjet anemban Jugosllavisë. Ideali i këtyre revolucionarëve: Liria shoqërore dhe kombëtare, është njëherazi ideali i çdo anëtari të FRONTIT TE KUQ POPULLOR.
Pjesëmarrjen e vet aktive në FRONTIN E KUQ POPULLOR, militanti i kësaj Organizate duhet ta kuptoj si detyrë, të drejtë dhe nevojë për ngritjen e revolucionit. Revolucioni do t’i sjellë popullit LIRI dhe PAVARESI, do ta zhdukë shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, shfrytëzimin e një kombi nga një komb tjetër. Për këtë arsye, çdo anëtar i FRONTIT TE KUQ POPULLOR brenda mundësive të veta, duhet t’i begatoj njohurit e veta sa më shumë për revolucionet dhe për luftërat çlirimtare.
Sjellja e çdo militanti do të jetë pasqyrë e FRONTIT TE KUQ POPULLOR, i cili është vepër kolektive e të gjithë militantëve të tij. Suksesi i FRONTIT TE KUQ POPULLOR, varet nga vetëdija, guximi dhe disiplina e militantit, dhe anasjelltas, suksesi i përgjithshëm i Frontit të KP e bënë më të vetëdishëm, më të guximshëm dhe më të disiplinuar militantin e FRONTIT TE KUQ POPULLOR!
Meq FRONTI i KP është organizatë ilegale, që punon në kushte shumë të vështira dhe rrezikohet vazhdimisht nga zbulimi dhe kapja e anëtarëve të tij nga ana e policisë fashiste jugosllave, militantët e Organizatës sonë masive, duhet të kenë kujdes edhe si marrin frymë. (Natyrisht, me kohë duke u pjekur kushtet, FRONTI i KP do ta legalizoj dalngadal punën e propagandën e vet, në mënyrë që i tërë populli të mund të përgatitet sa më fuqishëm për luftën e ardhshme Nacional Çlirimtare të armatosur.
Militanti duhet të ketë cilësi të caktuara.
– Në cilin do mes shoqëror që të gjendet, ai duhet të bëhet shembull për të tjerët me sjelljen e vet; kështu ai do të bëjë për vete një numër sa më të madh të njerëzve.
– Në çdo aksion ai duhet të hyj me bindje të fortë dhe me disiplinë të hekurt.
– Urdhërat që merr nga baza, do t’i përfillë në tërësinë e tyre dhe pa vërejtje. Nuk do të bëjë asgjë në kokë të vetë dhe aksionin do ta kryej me përpikmërinë më të madhe.
– Lidhur me paknaqësinë e vetë sa i përket ideologjisë, politikës, aksionit apo urdhërit të caktuar, ai do ta sqaroj FRONTIN E KUQ POPULLOR pasi ta ketë çuar në vend urdhërin dhe pasi ta ketë kryer aksionin.
– Këshillat, sygjerimet, urdhërat, militanti i merr nga baza. Por, edhe baza është e obliguar t’i përfillë këshillat, vërejtjet, sygjerimet dhe rekomandimet që vinë nga anëtarët e Organizatës.
– Militanti duhet të jetë kritik dhe autokritik. Kritika dhe autokritika duhet të jenë të shëndosha, joformale, dhe të sqarohen në varshmëri me gabimet, me natyrën dhe pasojat e gabimit të bërë. E drejta për kritikë ndjek rrugët lartë – poshtë (nga baza drejt lidhjeve më të largëta të militantëve.) dhe poshtë – lartë (nga anëtari i fundëm drejtë bazës.), natyrisht pas kryerjes së detyrës.
Vendimet bazë dalin nga komunistët, pasi të jenë analizuar në mënyrë kritike dhe pasi të jetë konstatuar se sjellin kontribut të padyshimtë për revolucionin. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare (në viset e robëruara) FRONTI I KUQ POPULLOR do t’i organizojë masat rreth sajë, pasi PK do të jetë prezentuesje më e denjë e klasës punëtore.
Propaganda duhet të kryhet në çdo vendd dhe në çdo rast e kohë; ajo duhet të jetë propagandë e shëndosh, që demanton dhe demaskon plotësisht realitetin revizionist jugosllav dhe sidomos politikën antishqiptare të Jugosllavisë.
Çdo rivalizim ndërmjet anëtarëve, duhet të jetë i huaj për FRONTIN E KUQ POPULLOR. Rivalizimi e shtynë ”militantin” të punojë në kokë të vetë, gjë që ka për pasojë individualizmin dhe kështu humbjen e besimit te njëri – tjetri. Pasoja më e rënd e kësaj do të kish qenë krijimi i grupacioneve, që shpien në fraksion. Këto janë të dënuara nga FRONTI I KUQ POPULLOR.
Militanti duhet të dijë t’i dallojë armiqtë e ngjyrave të ndryshme dhe t’u jap atyre përgjegjen e duhur, atë përgjegje që do t’u jepte vetë populli, sikur të kishte një gojë dhe sikur ta lejonin të fliste.
Militanti duhet të jetë vigjilent; ta njoftoj organizatën për dyshimin më të vogël që ka hetuar në infiltrimin e armikut; të mësojë t’i dallojë sa më lehtë armiqët dhe agjentët e UDB-së.
Çdo akt spiunazhi çmohet si tradhti ndaj popullit. Tradhtia e shokut dhe e çështjes është tradhti ndaj popullit dhe tërheq me vete dënimin e merituar.
Sabotimi i punëve të FRONTIT TE KUQ POPULLOR tërheq dënim të rëndë.
Renegatët shqiptarë, që janë lidhur pas qerres së revizionizmit jugosllav, konsiderohen tradhtarë dhe luftohen njësoj si vetë titistët.
Borgjezia shqiptare; kuaziintelektualët dhe të gjithë ata që nuk përcaktohen për rrugën e revolucionit, qoftë edhe pa dashur i çojnë ujë në mulli armikut, konsiderohen armiq dhe do të marrin dënimin e merituar kur të bëhet gjyqi i popullit.
Puna propagandistike dhe materialet e ndryshme që hyjnë në këtë punë, implikojnë shpenzime materiale, që duhet të përballohen nga të gjithë anëtarët e FRONTIT TE KUQ POPULLOR. Për këtë qëllim, çdo anëtar duhet të jap kontribute të rregullta, sipas mundësive. Shpenzimet implikohen edhe për ndihmën që duhet t’u jepet familjeve të të dënuarve në aksionet e FRONTIT TE KUQ POPULLOR, të cilët hyjnë drejtpërdrejt nën kujdesin e Organizatës sonë.
Çdo keqpërdorim i kontributeve materiale të mbledhura nga anëtarët e FRONTIT TE KUQ POPULLOR dhe nga ndonjë tjetër aksion më i gjerë, dënohet rreptë.
– TË RROJË POPULLI SHQIPTAR, I LIRË DHE I BASHKUAR!
– TË RROJË SHOKU ENVER HOXHA, QË PO NA NDRIQON RRUGËN E VEPRIMIT!
(…)
– RROFTË FRONTI I KUQ POPULLOR!
Jo – atyre që janë trima
me ngreh gishtin e krimit
por – atyre që janë trima
me shtri dorën e pajtimit!
Adem Demaçi (romani: ”Gjarpit e gjakut”)
Luftë vëllavrasjes – Plagës së shëmtuar!
Qëndresa heroike dhe veprimtaria revolucionare e Shokut Adem Demaçi, duhet të jetë shembull veprimi i qëndrimi për të gjithë militantët shqiptarë!
FRONTI I KUQ POPULLOR
* * *
Nga fundi i dhjetorit 1922 në Junik u mbajt mbledhja e komandantëve më të njohur të çetave të Kosovës dhe të malësive, ku u vendos të pregatitej një sulm tjetër kundër forcave qeveritare në prefekturën e Kosovës (Kukësit) dhe, më vonë, të ngriheshin edhe krahinat tjera të Shqipërisë. Përpara nisjes për veprim, tek vendi i quajtur ”Verrat e Gjocës”, Hasan Prishtina u mbajti një fjalim të zjarrtë 1200 kryengritësve, ku ndër të tjera tha:
”- Vllazën! Kërkojnë prej nesh që atdheun ta trajtojmë si mall tregu. Jo kurrë! Si dje, sot, nesër e përherë atdheu ka qenë dhe ashtu gjaja më e shejtë për ne. Të gjithë ta dinë se na nuk jena tue luftue kundër Shqipnisë e shqiptarëve, por për një Shqipni të lirë e të bashkueme. Nuk kemi dalë maleve me shpëtua vetëm një shtëpi, katund apo fis, po të tanë Kosovën, e cila mbështjell në gjinin e vet krejt vllaznit, qytetet e katundet tona. Ideja dhe parulla jonë ka qenë dhe asht: çlirimi e bashkimi i tanë Kosovës me atdheun tonë të përbashkët Shqipninë. Dhe për ta realizue këtë duhet veprim e jo fjalë, bashkim e jo përçamje, trimni e jo frikë. Na kurrë s’kemi kujtue se lirinë ka me na e sjellë dikush së jashtmi. Jo, një mijë herë jo! Atë e kemi fitue dhe do ta fitojmë me gjakun tonë, sepse vetëm kështu ajo mund të jetë liri e vërtetë. Vetëm pushka jonë e jo dikush tjetër ka detyrua e do të detyroj armiqtë të lëshojnë nga duartë gërshanët, me të cilat duen të qethin copa të tjera nga trupi i atdheut tonë. E dijmë se anmiku është më i shumtë në numër, më i armatosur me armë dhe më i pasun me pare. Kështu ka qenë dje, kështu asht edhe sot. Por kjo as nuk na tremb, as nuk na përkul, përkundrazi kjo kërkon që na të jemi ma të fortë. Të peshojmë mundësit tona me guxim e mendje të kthjellët. Ne nuk e zvoglojmë rrezikun, në të kundërt ne u themi luftëtarëve se rreziku është i madh, prandaj bashkoni radhët, tregoni vendosmëni e guxim, flakni tutje burracakët, që mbjellin përçamje e frikë, përbuzni ata që çirren tue na këshillue të dorëzohemi sepse gjoja do të shuhemi.
Vllazën! Asht e vërtetë se një gabim taktik gjatë luftës mund të sjellë që kjo apo ajo çetë të thyhet përkohësisht, por kjo s’ka aq rëndësi për fundin e luftës. Politika e dorëzimit, e pritjes apo e kundërshtimit të aksionit kurrë nuk të çonë në fitore. Kush ka frikë ka me vete humbjen, kush qëndron i patundun ka me vete fitoren. Liri pa gjak nuk ka.”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura