BAJRUSH XHEMAILI:PROJEKTIMI, QËLLIMI DHE REALIZIMI I MASAKRËS NË BURGUN E DUBRAVËS

(Pashtriku.org, 19. 05. 2012) -Të burgosurit shqiptarë në kazamatet serbe janë shembull tipik i një trajtimi të egër përtejmesjetar në prag të mijëvjeçarit të tretë. Atyre u ndodhi edhe ajo më e keqja – përjetuan ploja dhe ekzekutime kolektive, pra, u ndodhi Gjakderdhja e Dubravës, e pashembullt në kthesën vendimtare të rendit të ri demokratik perëndimor.
Për të kuptuar makiavelizmin e pushtuesit serb rreth Masakrës së Dubravës të 19-24 majit të vitit 1999, ndaj të burgosurve shqiptarë, kërkohet t’u kthehemi rrethanave më shumë se një vit më parë, pikërisht nga koha e luftimeve ballore të UÇK-së me makinerinë luftarake të okupatorit serb. Koha kur të burgosurit shqiptarë bënin një jetë rutinore burgu realisht u përfundua me Ndeshjen e Likashanit, më 28 shkurt, dhe Epopenë e Prekazit, më 5-7 mars 1989. Tashti lajmet në TV dëgjoheshin me një frymë, dhe komentet për ato që thuheshin në vizitat që kishin të burgosurit me familjarët u bënë ushqim shpirtëror, veçanërisht për të burgosurit politikë.
Armata serbe sa vinte dhe arsenalin ushtarak po e tërhiqte nga Serbia dhe po e sistemonte në Kosovë, në gatishmëri për luftën përfundimtare kundër shqiptarësisë shekullore të saj. Në mënyrë që sa më pak t’i binte në sy faktorit ndërkombëtar të vendosjes, duheshin vende të përshtatshme për të vendosur teknikën dhe ushtarët. Për ato kërkesa, pa dyshim, vend më të përshtatshëm sesa Burgu i Dubravës nuk kishte.

AMBIENTET E BURGUT TË DUBRAVËS –  KU U KRYEN MASAKRAT…

_______________________________________________

Kështu, në Kopshtin e burgut tashti filluan të zbrisnin helikopterët ushtarakë dhe shihej qartë se burgu po kthehej në një bazë të fortë ushtarake, ku nuk mund të kishte më vend për të burgosur. Era e luftës tashti po frynte edhe në burg dhe pritej vetëm dita e transferimit të të burgosurve në ndonjë burg gjetkë. Ajo ndodhi më 29 dhe 30 prill 1989, kur do të transferohet grupi i parë nga Dubrava në burgjet e Serbisë. Të gjithë këta të transferuar ishin të burgosur politikë. Në vijimësi u transferuan edhe të burgosurit ordinerë.
Në pavijonet e Burgut të Dubravës fillimisht i sistemuan forcat e armatosura paramilitare serbe, për t’i fshehur nga opinioni ndërkombëtar, ndërsa jashtë mureve të burgut u llogoruan ushtarët serbë, me teknikën më moderne. Kështu, Dubrava tashti po bëhej baza më e fuqishme e makinerisë ushtarake serbe në Dukagjin.
Të burgosurit shqiptarë në burgje të Serbisë do të mbahen plot një vit, në kushte të ndera jetësore, nën regjimin e dhunës fizike e psikike të paparë. Ndonëse i kishin larguar me “me motivimin”: “Largohen për shkaqe të sigurisë nga rajoni i përfshirë në luftë…!”, tashti do t’i kthejnë në Burgun e Dubravës, shumicën e tyre, ditë më ditë pas një viti, më 29 dhe 30 prill 1999, në kohën e intensifikimit më të madh të bombardimeve ajrore të NATO-s mbi arsenalin ushtarak të Serbisë në Kosovë dhe të luftës vendimtare të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Koha dhe mynxyrat e vërtetuan faktin se kthimi i të burgosurve dhe i pengjeve të luftës ishte bërë sipas një skenari paraprak për ekzekutimin e tyre me pjesëmarrje të NATO-s si aleate e UÇK-së.
Deri në prag të filleve të Masakrës serbe numri i të burgosurve në Burgun e Dubravës, sipas një përllogaritjeje nga të burgosurit, arriti numrin rreth 950 veta, të vendosur në katër pavijone: C1, C2, B2 dhe në Pavijonin Pranues, në kushte jetësore të paimagjinueshme të rënda.
Vërtet, qëllimi i kthimit të të burgosurve nga burgjet serbe në Kosovë dhe nga burgjet e Serbisë në Burgun e Dubravës do të bëhet e kuptueshme shumë shpejt për akëcilin të burgosur. Por, përmasa e tragjedisë nuk mund të merrej me mend. Kjo e panjohur i mundonte të gjithë të burgosurit dhe pengjet shqiptare dhe sigurisht që askush nuk ka mundur të rrinte indiferent ndaj saj. Përkundrazi, të gjithë ishin të shqetësuar nga pesha e së panjohurës.
Pushteti serb i kishte bërë me përpikëri llogaritë, duke qenë i sigurt se ka ardhur koha që NATO-ja t’i bombardojë edhe objektet e burgut, meqë kishte informata paraprake se ai ishte kthyer në bazë ushtarake. Ndërkohë ishin tërhequr “paramilitarët” dhe në vend të tyre ishin kthyer të burgosurit shqiptarë. Logjistika e NATO-s, siç duket, nuk u besoi informatave nga logjistika e UÇK-së – për kthimin e të burgosurve shqiptarë në ambientet e Burgut të Dubravës. Dhe, krimi i llahtarshëm ndodhi.
Më 19 maj 1999, e mërkurë, diku nga gjysma e ditës, flota ajrore e NATO-s bombardoi objektet e burgut – dy pavijone brenda mureve dhe disa jashtë tyre, si dhe drejtorinë e burgut etj. Pavijoni C1, që ishte përplot me të burgosur, goditet me 4 projektilë. Pas pak çastesh qëllohet edhe pavijoni B3, por këtu nuk kishte të burgosur, ngase tashti ai përdorej si depo.
Gardianët kishin ikur sapo kishte filluar bombardimi, kurse të burgosurit në pavijonet C1 dhe B2 ishin të mbyllur. Vetëm të burgosurit në pavijonin C2 kishin një tretman më të veçantë, ishin kryesisht të burgosur ordinerë. Ky pavijon gati tërë ditën i kishte dyert e hapura. Të burgosurit që përjetuan krimin në pavijonin C1 do të përpiqen t’i thyejnë grilat, por pa sukses. Ballafaqimi me mundësinë e vdekjes solli një panik, i cili vështirë përballohej. Brenda në gërmadhë kishte të plagosur të ngujuar, të cilëve askush nuk mund t’u ndihmonte.

PAMJE TRISHTUESE NGA MASAKRA NË BURGUN E DUBRAVËS!

______________________________________________

Në këto momente të rënda, kur s’dihej se ç’po ndodhte, të burgosurit ordinerë nga C2-shi u organizuan t’i hapnin dyert e dhomave me forcë, me kazma e me mjete të tjera, duke nxjerrë, kështu, nga gërmadhat të plagosurit dhe të vdekurit, fillimisht në pavijonin C1 e pastaj në B2. Pasi të gjithë dolën në oborrin e burgut, u konstatua se në pavijonin C1 kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur dhe 19 ishin plagosur, prej të cilëve 4 shumë rëndë. Njëri prej tyre do të vdes në Spitalin e Pejës.
Vërtet, pas dy orësh nga bombardimet e NATO-s, nga dera e hyrjes së burgut hynë disa gardianë të armatosur. Me ta ishte edhe një i burgosur ordiner serb nga burgu i Nishit me rroba të burgut dhe me armë në duar. Gardianët fillimisht i ndanë dhe i veçuan të burgosurit serbë e malazez, për t’i përdorur më vonë si mashë në masakrën ndaj të burgosurve shqiptarë. Tani personeli i burgut urdhëroi pengjet shqiptare të bëheshin rresht dhe të hynin brenda në pavijone dhe ambiente të tjera. Nuk shtien me armë. Nga sjellja e tyre dhe zhvillimet e reja u pa se udhëheqja e burgut mezi kishte pritur aktin e bombardimeve të pritura, për të trumbetuar para opinionit ndërkombëtar, se: “…ja ç’ krime bën NATO-ja, duke bombarduar edhe burgjet dhe të burgosurit e mbrojtur me ligjet ndërkombëtare të Luftës…!?!”
Që pompoziteti i propagandës serbe milosheviçiane antinato, njëkohësisht dhe antiuçëkë, të jetë sa më i besueshëm, pa vonuar, bashkë me gjithë stafin e burgut, hynë edhe mantelbardhë (me gjasë oficerë ushtarakë) dhe gazetarë të mediave të shkruara dhe elektronike. Vërtet, Serbia nuk pati rast më të mirë të tërheqet si humane para botës!?! Askush nga blic “vizitorët” nuk u mor me fatin e të plagosurve. Bënë incizime dhe fotografime të pamjeve të kurdisura dhe shkuan. Logjistika e UÇK-së pa vonuar reagoi dhe ia tërhoqi vërejtjen komandës së fluturimeve të flotës ajrore të NATO-s, se makineria ushtarake serbe e kishte hedhur në kurth. Mirëpo, do të ndodhë diçka që duhej të përgjigjej dikush nga radhët logjistike të NATO-s.
Vërtet, të nesërmen, më 20 maj 1999, e enjte, mbizotëroi heshtja, shqetësimi dhe ankthi para të panjohurës. Personeli i burgut i kërkoi dokumentet e identifikimit dhe fletarrestimet nga pengjet e sjellë nga Gjakova dhe nga një pjesë e të burgosurve të tjerë, kinse për t’i evidentuar si “banorë” të burgut. Kjo kishte prapavijë – humbjen e gjurmëve të pengjeve pas masakrës që po përgatitej.
Të nesërmen, ditë e premte, më 21 maj, rreth orës 9.30, prapë, projektilë të fuqishëm fillimisht do të godasin ndërtesat jashtë mureve të burgut. Në vazhdim, për çudi, cak i sulmeve do të bëhen edhe objektet vitale brenda mureve të burgut. Së pari do të qëllohet mensa. Për fat në këtë mëngjes ishte shtyrë ngrënia e kafjallit për të burgosurit dhe në mensë ishin kryesisht kuzhinierët. Midis të parëve që ranë ishin tre kuzhinierë shqiptarë. Bombardimi vazhdoi mbi objektet e tjera, me ndërprerje të herëpashershme, deri në mbrëmje. Të burgosurit, pa shtegdalje tjetër, do të tubohen në një hapësirë të ngushtë katërkëndëshe, mes këtyre objekteve: mensës, ambulancës, pavijonit të pranimit, shkollës, sallës së sporteve, shtëpisë së kulturës, pavijonit B3 dhe B2. Gjatë kësaj kohe, një projektil bie afër shtëpisë së kulturës, nga e cila goditje prapë e gjejnë vdekjen dhe u plagosën shumë të burgosur.
Duke parë rrezikun brenda hapësirës së këtij katërkëndëshi, të burgosurit do të largohen nga ndërtesat. Vendi më i përshtatshëm dukej fusha e sportit nën qiell të hapur. Disa të burgosur do të futen në puseta, apo edhe diku tjetër, ku mendonin se do të ishin më të sigurt. Në këtë ditë tragjike të 21 majit 1999, ku goditet, pothuaj, çdo objekt i
burgut, vdiqën 19 të burgosur dhe u plagosën 32 të tjerë.
Pjesa më e madhe e të burgosurve, natën e 21/22 majit 1999, do ta kalojë nën qiell të hapur. Të nesërmen, më 22 maj 1999, e shtunë, diku rreth orës 5.45 të mëngjesit, një i uniformuar nga karakolli veriperëndimor nr. 5, afër fushës së sportit, urdhëron të burgosurit të rreshtoheshin për dy. Kriminelët e tjerë i kishin zënë pusitë në pjesë të tjera të murit. Ishte ky pikërisht krimineli varrakasë Svetlan Martinoviç, i cili thërret se pavijonet janë të dëmtuara, andaj të burgosurit duhet transferuar në Burgun e Nishit. Sipas urdhrit të tij, duhej bërë rresht 30 metra afër murit, në anën veriperëndimore. Kur u arrit rreshtimi për dy, ai urdhëroi të burgosurit të formonin rreshtin për katër. Ishte llogaritur se me rreshtimin për katër efekti i ekzekutimit do të jetë më i madh. Kjo edhe ndodhi.
Ende pa u rreshtuar mirë, Svetlan Martinoviq, i pari shtiu me “Zola” nga karakolli në mesin e kolonës. Kjo ishte shenjë për fillimin e plojës me breshëri gjuajtjesh me automatikë, snajperë, minahedhës, bomba dore dhe mitraloza. Ploja zgjati pak minuta të llahtarshëm që u përjetuan sa një shekull i jetës. Në këtë plojë ranë martirë mbi 60-80 veta dhe rreth 200 të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. Ata që mundën, ikën në anën e kundërt të sulmuesve, shkuan në drejtim të pavijonit B2. Por, kundër tyre nuk u ndërpre shtënia nga snajperët prej një karakolli në pjesën tjetër të burgut. Në këtë rast vriten disa të i burgosur dhe disa plagosen.
Meqë të burgosurit, pengje shqiptare për kusuritjen me NATO-n dhe me UÇK-në, nuk kishin kah t’ia mbanin, u grumbulluan brenda dhe jashtë ndërtesës së mensës dhe të ambulancës, ku mendonim se ishin më pak të ekspozuar. Në ambulancë e sollën edhe ndonjë të plagosur, por ky numër ishte i vogël, pasi pjesa dërrmuese e të plagosurve rëndë mbetën të shtrirë në fushën e sportit, midis të të vdekurve.
Pasi pushojnë të shtënat, një grup nga të burgosurit politikë planifikuan të kalonin në pavijonin C1, në mënyrë që prej aty, nëse do t’u jepej mundësia, të bartnin të plagosurit nga vendi i plojës. Ky pavijon ishte më afër për t’i bartur, por dukej edhe më i sigurt nga bombardimi i NATO-s, pasi tashmë ishte bombarduar e bërë shoshë më shumë se çdo pavijon tjetër. Bartja ishte tejet e rrezikshme, duhej lëvizur rrëshqanas, pasi që nga karakollët shtënin, herë pas here, me snajperë dhe armë të tjera.
Në këto rrethana të jashtëzakonshme dolën mjaft sakrifikues dhe i tërhoqën të gjithë ata të cilët nuk mund të largoheshin vetë. Të plagosurit u vendosën në katin përdhes të anës së djathtë të pavijonit C1, në dyshekë, përgjatë tërë korridorit. Pastaj u mbushën edhe të gjitha krevatet e atij krahu dhe salla e TV-së.
Atë ditë, më 22 maj 1999, para së të errësohej, nga dera e hyrjes së burgut depërtoi brenda në oborr të objekteve një grup mbi 10 veta të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur me automatikë, bomba dore dhe minahedhës. Ata shtinë gjithandej frontalisht me armët që kishin, kurse në puseta, ku kishte edhe të burgosur të fshehur, hedhën nga dy bomba dore dhe ekzekutuan disa të plagosur rëndë. Me predha minahedhësi shtinë në drejtim të pavijoneve e sidomos të mensës. Dhe, pasi vranë e plagosën edhe disa të burgosur, do të largohen prapë jashtë mureve të burgut.
Duke paraparë rrezikun se ata prapë mund të ktheheshin dhe të masakronin edhe të plagosurit, u vendos nga të burgosurit të organizohet vetëmbrojtje në pavijonin C1, që së paku t’u jepej guxim të plagosurve. U bë një plan dhe një organizim i fuqishëm në rrethana të krijuara. Për fat nata kaloi vetëm me telashet për të plagosurit dhe për ushqim. Me të zbardhur dita e 23 majit 1999, njerëzit me maska hynë prapë brenda mureve, madje kësaj radhe ishin edhe më të organizuar. Grupit që kishte hyrë një natë më parë iu kishte bashkëngjitur edhe një grup tjetër, pak më i vogël, që të futej nga dera në anën veriore. Sulmuesit ishin me maska dhe me uniforma të ndryshme: të ushtrisë, të policisë, të “paramilitarëve” dhe të të burgosurve. Duket se kishin njohuri për fortifikimin në pavijonin C1, ndaj aty nuk mësyn. Bilanci i këtij krimi ishte rreth 30 të ekzekutuar nga afërsia.
Pas pak minutash, ekzekutorët e maskuar urdhëruan të burgosurit t’i linin pavijonet dhe të hynin të gjithë në Sallën e sportit, me “arsyetimin” se do të transferohen në një burg tjetër. Askush më nuk u besonte. Në pritje të vdekjes dëgjonin gumëzhimin e aeroplanëve të NATO-s mbi Dubravë. Meqë NATO-ja nuk po godiste, të maskuarit pas një konsultimi të gjatë që bënë jashtë sallës, sollën “sihariqin”: ”…kemi menduar t’ju dërgojmë në burgje të tjera, por autobusët që duhej të vinin për t’ju marrë kanë hasur në një urë të prishur nga bombardimi i sotëm, ndaj deri të nesërmen do të jeni këtu…!”.
Nuk u besohej, por duhej pritur, pasi edhe ashtu s’kishte rrugë tjetër. Ata shkuan, kurse të burgosurit i tubuan të plagosurit e asaj dite, i bënë bashkë me të tjerët, në Sallën e sporteve dhe vazhduan kujdesin për ta.
Të nesërmen, më 24 maj 1999, ndodhi befasia: të gjithë të burgosurit do të transferohen ne Burgun e Lypjanit. Pas 17 ditësh, pikërisht në ditën që u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake në Kumanovë, midis Komandës së NATO-s dhe Komandës Supreme të Ushtrisë Jugosllave (Serbisë), ndodhi transferimi i të burgosurve shqiptarë – pengje të luftës në burgjet e Serbisë.
Një pjesë të kufomave, të të masakruarve, makineria ushtarake vrastare e Serbisë i varrosi, më 25 maj 1999, në një varrezë masive në Rakosh, kurse një pjesë i zhduku, me qëllim të zvogëlonte përmasën e krimit dhe të fshihte mënyrën e ekzekutimit, në rast të ekzaminimit kriminalistik për një gjyq ndërkombëtar.
Të përmbyllim: Sipas të dhënave të sistematizuara nga përjetuesit e masakrës, të cilët ushtruan ndihmën e parë për të plagosurit, gjatë gjashtë ditëve sa zgjati krimi alternativ NATO – Serbi ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, më 19-24 maj 1999, nga bombardimet e NATO-s humbën jetën 23 veta, kurse në plojat serbe janë vrarë 150-165 të burgosur, kurse janë plagosur mbi 200 vetë, prej të cilëve mbi 120 rëndë. Ky është numër aproksimativ sipas përllogaritjeve të të përjetuarve të masakrës. Numrin e saktë të të vrarëve dhe të të plagosurve në këtë krim, në një institucion të mbrojtur me ligje ndërkombëtare, ka mundësi ta vërtetojë një gjyq ndërkombëtar i domosdoshëm, i cili do ta zbardhte krimin monstruoz ende tabu e të mbrojtur ndërkombëtarisht me heshtje institucionale vendore dhe ndërkombëtare.
– Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor, ‘Masakra në Burgun e Dubravës 19 – 24 maj 1999’, e mbajtur më 23 maj 2004.

__________________________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura