BAYRAM POMAK: PSE NDODHEMI NË KËTË GJENDJE?!

Prizren, 12 Korrik 2019: Shteti i Kosovës qe 20 vite është i lirë dhe 11 të tjera, i pavarur. Shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit, e shumicën prej të cilave, as që kemi imagjinuar që mund të ndodhin. Këtu mund ta veçojmë sidomos fushën e ndërtimtarisë dhe atë të infrastrukturës rrugore. Por gjatë kësaj periudhe, ndryshime ka pësuar edhe rajoni, e sidomos bota. Janë ndryshuar edhe gjeneratat…
Dikur gjithsecili ka shpresuar se e ardhmja, në secilin aspekt, do të jetë më e mirë. Por së fundi kjo logjikë ka filluar të përmbyset, nga “gjithçka do të jetë më e mirë në të ardhmen” në: “çdo gjë po përkeqësohet edhe më shumë”. Ky tip i të menduarit, nuk i takon ekskluzivisht vetëm kosovarëve, por edhe qytetarëve të tjerë në tërë botën.
Por cili është shkaktari i tërë kësaj?
Ku ndodhet problemi?
Për të gjitha këto pyetje mund t’i gjejmë përgjigjet adekuate, por për ta kuptuar problemin nga këndvështrimi ynë, ne po përpiqemi t’i trajtojmë me më kujdes faktorët që ndërlidhen me çështjen. Në përgjithësi, për hir të kësaj gjendjeje, barra e akuzave u hidhet institucioneve shtetërore. Mbretëron një opinion i përgjithshëm, sipas së cilit, për shkak të paaftësisë së politikanëve, ne kemi përfunduar këtu ku jemi – në këtë situatë. Por në këtë rast, gjendja aktuale e institucioneve, qoftë edhe politike, a është një arsye apo një rezultat? Natyrisht, ‘institucioni politik’ luan një rol shumë të rëndësishëm në rregullimin e ‘institucioneve publike’, por këtë publikun a nuk e popullojnë individë që kanë dalë nga publiku? Prandaj, pikëpamja e përgjithshme për këtë çështje të cilën e ruan publiku karshi fenomenit me politikanin, na del si një argument i gjallë.

Por përpara se të dalim te politika, fillimisht duhet ta shikojmë situatën e institucioneve më të rëndësishme të shoqërisë kosovare, e të cilat janë: arsimi, shëndetësia dhe drejtësia.
Kur e shikojmë sistemin arsimor në Kosovë, si një nga fushat më të rëndësishme të shtet-ndërtimit, e vëmë re se ai i shëmbëllen një kopjeje. Madje që nga shkolla fillore deri në universitete dhe nga universiteti në punën e përgatitjes se tezave të pedagogëve, formula më e rëndësishme e ngritjes dhe mbijetesës në hierarkinë e sistemit është: kopja/vjedhja.
Çfarë mund të prodhoj një ideologji e cila konsideron punën si diçka pa rëndësi, dhe për më tepër nuk i njeh as parimet morale?
Çfarë mund të prodhojë kjo, ndërsa e vetmja gjë që mendohet është posedimi i një titulli sa më parë që të jetë e mundur?
Këto fenomene mund të jenë të pranishme në të gjithë botën, por rastet janë vetëm përjashtime. Kurse në Kosovë, puna e përkushtuar për tezën dhe notat e merituara janë përjashtime.
Çfarë lloj edukimi mund të bëhet në një mjedis të tillë ku shkelen të gjitha rregullat etike?
Nëse bëjmë një anketë me arsimtarët e shkollave të mesme dhe profesorët e universiteteve, ndërsa pyetja do të ishte:
– Cilin libër e keni lexuar për herë të fundit dhe a mund të na flisni, ose të shkruani diçka rreth tij? Jam i sigurt se rezultati i saj do të ishte i tmerrshëm. Si mund të shpresohet për brezat e ardhshëm, të cilët edukohen në një mjedis ku mësuesit nuk bëjnë pothuajse asnjë përpjekje për ta përmirësuar vetveten?
Ndërsa në sektorin e shëndetësisë, ku funksionojnë institucionet po kaq të rëndësishme për shoqërinë, ju mund ta vëreni se është pothuajse e pamundur të flitet për të ashtuquajturën ndërgjegje. Duket që qëllimi kryesor i stafit mjekësor që punon në sektorin publik është që, duke e shfrytëzuar këtë hapësirë, t’i tërheq pacientët/ klientët në sektorin privat. Madje këta përfitojnë edhe nga kompanitë farmaceutike për sa herë u përshkruajnë pacientëve ilaçe, pa çka që ata mund të mos kenë fare nevojë për to. Me fjalë të tjera, sektori që nuk i ka lënë vend ndërgjegjes, rregullohet sipas interesave dhe përfitimeve të këtyre akterëve. Ne po flasim për një sektor çnjerëzor i cili e ka vendosur paranë në qendër të vëmendjes edhe për ta arritur atë, nuk njeh kurrfarë etike. Sepse kur jeton pacienti, të ardhurat prej tij rrjedhin gjithmonë. Po flasim për një sektor të paskrupullt, filozofia themelore e të cilit është që: mos t’i vras e as t’i shërojë të sëmurët, por t’i lë të zvarriten. Kështu ilaçet do t’u përshkruhen pacientëve, e kur ato përshkruhen nëpër receta, bonuset do të rriten dhe kështu rrota e mullirit do të vazhdojë të rrotullohet. Dikush mund të mendojë se unë jam shumë mizor me këto kritika, por asnjë nga këto nuk i kam mësuar duke i dëgjuar, por duke i përjetuar vet, personalisht!
Një tjetër sektor i cili mund të konsiderohet si ndër më të rëndësishmit, është ai i drejtësisë. Drejtësia pra, ia siguron një shoqërie qëndrimin në këmbë. Por sot gjendja e institucioneve të drejtësisë në Kosovë është e mjerueshme. Shumica e parimeve të drejtësisë nuk funksionojnë kundër ”të fortëve” dhe mund të themi se ky institucion është kapur nga shfrytëzuesit e këtij vendi.
Duke i pasur të gjitha këto në konsideratë, mund t’i vlerësojmë më mirë e më drejt institucionet politike. Politik-bërësit e këtij vendi kanë dalë, janë edukuar e janë kalitur nga njerëzit e sektorëve të lartpërmendur, ku kultivohet ky lloj i të menduarit. Në thelb, arsyeja themelore për gjendjen aktuale të këtij populli është çështja e zhvlerësimit të vlerave. Thënë më ndryshe, ky mozaik është krijuar nga ata të cilët për ta arritur në një qellim të caktuar, kalojnë nëpër rrugët ku nuk funksionojnë rregullat, ku nuk hasen vlerat e as nuk nevojitet morali. Deri sa kjo gjendje do të mbretërojë, gjithçka do të vijë duke u përkeqësuar. S’mund të ndodhë diçka tjetër me fatin e një populli, përderisa njerëzit bashkëjetojnë me mendësinë: “O Zot jepna hallall e haram, sepse kulli yt do të ushqehet!”. Pikërisht për këtë shkak, njerëzit që vazhdimisht flasin për politikën dhe politikanët, nuk duhet të harrojnë se ata që i qeverisin, janë soj që kanë dalë nga mesi i tyre, pra janë reflektim i tyre.
***
Ekziston vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje. Secili duhet ta heqë qafe idenë se dikush nga jashtë duhet të vijë dhe të na e korrigjojë situatën, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe as që do të ndodhë në të ardhmen. Nëse nuk e ndryshojmë pikëpamjen tonë rreth vlerave të mirëfillta, asgjë nuk do të ndryshojë, e për më keq do të mbesim në vendnumëro. Ashtu siç do të jemi, ashtu edhe do të menaxhohemi!!!
Shënim: Dëshiroj t’ua kujtojë këtu dy vargje nga Kur’ani:
Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten.” (Rad, 11)
Çfarëdo e keqe që mund të ju godasë, është pasojë e veprave të juaja (të këqija)! (Surja Shura; Ajeti nr. 30)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura