ARIF EJUPI: DUKE MOHUAR VETVETEN NUK FITOJMË SIMPATINË TEK TË TJERËT

Zhenevë, 09. 10. 2015: Javën që shkoi gazeta “Express” e Prishtinës ka publikuar një videokasetë me pamje nga vrasja e Avni Dudit dhe Fahri Bicit . Këta dy pjesëtarë të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë vrarë aksidentalisht më 2 korrik 1999 në Prishtinë ,nga ushtarët britanikë derisa po festonin tërheqjen e pushtuesve serbë nga Kosova dhe nëntëvjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese e cila ishte themel institucional i shtetësisë së vendit tonë.
Kjo videokasetë e shoqëruar edhe me një shkrim të ngatërruar në data dhe kohë është bartur edhe në disa gazeta të tjera. Në gazetat me këndin e komenteve disa të ashtuquajtur” lexues” pa njohurin më të vogël mbi jetën dhe veprën e këtyre dy dëshmorëve kanë dhënë vlerësime pro e contra. Në mesin e tyre ka pasur shkarravitës të atillë që duke mos qenë në gjendje t’i tubojnë të gjitha shkronjat e alfabetit as vet nuk kanë ditur se çfarë kanë dashur të thonë.
Sikur mos të ishte në pyetje gjaku i këtyre dy të rinjve dhe fëmijët e tyre të mbetur jetim s’do të merresha me këtë kategori anadollakësh dhe intrigantësh. Prandaj për hir të së vërtetës duhet të njoftohet opinioni që Avni Limon Dudi i lindur më 15 qershor 1975 në Llaushë të Besianës (ish –Podujeva) së bashku me të atin Limonin ka marrë pjesë në të gjitha betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të zhvilluara në Zonën Operative të Llapit. Familja Dudi ka qenë vazhdimisht e ndjekur nga regjimi serb.
Më 28 gusht 1993 në orët e hershme të mëngjesit policia serbe ka bastisur këtë familje dhe ka ushtruar dhunë të paparë ndaj Limonit dhe djemve të tij Nexhmiut , Bedriut dhe Remziut. Kjo situatë e ka pezmatuar tepër Avniun dhe që në ditët e para të themelimit të UÇK-së është angazhuar në radhët e saj. Të gjithë Avniun e njohin si luftëtar të disiplinuar dhe trim. Avniu duke njohur shumë mirë fushën e artit luftarak shumë shpejt është avancuar edhe në pozitën e zëvendëskomandantit të njësisë kundërajrore të togut “ULPIANA 39“ që ishte në përbërjen e Batalionit të Parë të Brigadës 151 “ Zahir Pajaziti”.
Falë sakrificës dhe zgjuarsisë së Avniut dhe Fahriut miti i rrejshëm se ushtria serbe është e pathyeshme u shemb në Betejën e lavdishme të Llapashticës të njohur edhe si Beteja tek Tabet e Llapashticës së Llapit.

AVNI LIMON DUDI – simbol i sakrificës dhe i flijimit atdhetarë. Pjesëmarrës në të gjitha Betejat e UÇK-së (Zona Operative e Llapit)
Këta dy të rinj në flakët e luftës kishin hyrë plot vullnet e dëshirë me kusht që brezave t ‘ua sillnin lirinë. Ata luftuan trimërisht me bandat kriminale të Serbisë, të cilat i zmbrapsën duke u shkaktuar dëme të shumta materiale po ashtu edhe humbje në njerëz. Në këtë Betejë të lavdishme turpërohen keq edhe gjeneralë në zë të ish- armatës jugosllave. Ata të tmerruar nga qëndresa e pjesëtareve të UÇK-së fillojnë edhe të dezertojnë nga njësitet e tyre ushtarake dhe policore. Të dëshmuar si luftëtarë të pakundshoq me strukturimet e reja të UÇK-së Avniu dhe Fahriu meritueshëm ngritën në pozitat ndihmëskomandantë të Batalionit të Pestë në ekipet mobile të Gardës , që për kohën ky formacion njihej si pjesa elitë e UÇK-së.
I barabartë në kontribut me Avniun dhënë luftës çlirimtare të vendit ishte dhe Fahri Nazmi Bici i lindur më, 6 korrik 1979 në fshatin Kodërz ( ish- Godishnjak) i Besianës ( ish- Podujevës) Edhe Fahriu iu kishte bashkangjitur krismave të para të pushkëve çlirimtare duke marrë pjesë në të gjitha Betejat e zhvilluara në Llap. Me Avniun përveç idealit i bashkonte dhe të qenurit human dhe të përzemërt me njerëzit në vështirësi. Ata si të tillë edhe vdekjen e bënë së bashku.
Andaj përpjekjet për denigrimin e figurës së tyre janë të turpshme dhe vrasje e vetvetes. Të gjithë të pranishmit e rastit pohojnë se në këta dy pjesëtarë të Gardës së Kosovës , u shti pa grimë faji. Ndihma e aleatëve tanë në asnjë mënyrë nuk guxon të kontestohet por, edhe gabimet dhe lajthitjet e kujdoqofshin janë veprime që duhet dënuar. Në këtë rast përgjegjësia penale bie drejtpërdrejtë mbi ushtarët britanikë ,të cilët vepruan kundërligjshëm duke tejkaluar çdo kompetencë.
Disa smirëzi që japin vlerësime kuturimthi këtë e bëjnë nga mosnjohja e së vërtetës ose për luftën mësuan nëpërmjet rrëfimeve të atyre që prapanicat e veta i shpëtuan duke ikur të maskuar në veshje grash në kampet e Bllacës dhe në hotelet Rogner dhe Dajt të Tiranës.
Ndërkaq mediet tona në vend ç ‘të bëjnë presion tek institucionet përkatëse dhe rasti të zbardhet nëpërmjet rrugëve ligjore ato publikojnë videokasetë me pamje rrëqethëse të cilat patjetër do t’u bien në sy familjareve që ende jetojnë me plagën në zemër për humbjen e më të dashurve të tyre. Posaçërisht ato pamje më së tepërmi do ta traumatizojnë Ilir Dudin të birin e Avniut, i cili me babanë e tij u njoh vetëm nga rrëfimet e gjyshërve Limonit dhe Zylfijes. Në kohën kur ndodhi ky rast tragjik Iliri ishte pesë muajsh. Prandaj me fëmijët e mbetur jetim duhet të tregohemi më të mëshirshëm dhe më të kujdesshëm sepse ata lëndohen lehtë, veçmas kur dihet se në Kosovë nuk ekziston kurrfarë institucioni për mbrojtjen e tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura