BEDRI ISLAMI: PËRSE NUK E NJEH LPK KONSTITUIMIN E ‘PARLAMENTIT’ TË 16 KORRIKUT 1998

(Pashtriku.org, 15. 07. 2012) – Tashmë kushdo e pranon se Kosova është në luftë dhe se përballë njëri tjetrit janë vënë ushtarët pushtues serbë dhe forcat çlirimtare shqiptare. Raste të tilla të kundërvënies mes pushtuesve dhe çlirimtarve historia botërore ka njohur me mijëra, sepse kudo është bërë luftë çlirimtare. Dhe në të gjitha rastet krijimi i një «asambleje» apo i një qeverie nën pushtim është quajtur qeveri kolaboracioniste dhe dihet tashmë se cila ka qenë përgjigja e popujve kundër një qeverie të llojit të tillë. Sepse është e natyrshme të pyetet se çfarë do të bëjë sot, në kushtet e luftës, ky „parlament” i mbledhur nën «hijen» e çetnikëve serbë, cilat ligje të tij mund të futen në fuqi, kujt mund t‘i shërbejnë ligjet e tyre.
Si është bërë e ditur tashmë, edhe me një Deklaratë të veçantë, Lëvizja Popullore e Kosovës, Dega jashtë vendit, nuk e njeh të ashtuquajturin parlament të Kosovës, si institucion të ligjshëm dhe e ka denoncuar krijimin e tij si një veprim që bie ndesh me dëshirën për liri dhe të ardhmen e popullit tonë drejt bashkimit kombëtar; si një akt i shëmtuar i mashtrimit dhe i përçarjes së popullit shqiptar. Në Deklaratë janë dhënë edhe shkaqet e këtij denoncimi, megjithatë është e nevojshme, që për bashkatdhetarët, edhe më gjerësisht se kufijtë e një Deklarate, të jepen shkaqet, përse LPK – ja nuk e njeh këtë “konstituim”. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme për vetë peshën politike që ka marrë sidomos kohët e fundit LPK – ja, për mbështetjen e fuqishme, që ajo si forcë çlirimtare po i jep UÇK – së, dhe për besimin gjithnjë e në rritje të bashkatdhetarëve në devizën e saj, se mbi gjithçka është atdheu.

……………………………………………………

Pyetja e parë që mund t’i bëhet gjithsecilit prej veprimtarëve të LPK-së do të jetë, nganjëherë me mirëdashje për të ditur më shumë, e nganjëherë qëllimkeqe, se edhe Serbia nuk e ka njohur parlamentin, edhe ju nuk po e njihni, duke dashur ose të heqin dyshimin, (në rastet kur janë për mirëdashje), ose të vënë shenjën e barazimit mes LPK-së, forcave të tjera politike dhe agresorit (në rastet qëllimkëqija).
Duhet thënë se tashmë kjo është një pyetje naive, të cilës i ka dalur kallaji me kohë. Megjithatë do një përgjigje. Së pari nuk dihet nëse Serbia e toleron ose jo këtë parlament. Janë të gjitha mundësitë që më e interesuara tashmë për këtë «konstituim» të jetë Serbia. Asaj i intereson ky akt sepse i jep mundësinë edhe një herë të paraqitet tolerante, pikërisht në ato ditë kur në fushat e minuara të saj vriteshin dhjetra shqiptarë. Asaj i intereson të dëshmohet tolerante, sepse e di se ky «parlament» nuk ia shkurton jetën asaj, përkundrazi i shton ditët e saj në tokat shqiptare të pushtuara në Kosovë, sepse ajo i ka provuar legalistët dhe legalucët për afro një dekadë. Ajo e di më mirë se disa bashkatdhetarë, se rruga pacifiste për të është rruga e nënshtrimit dhe problemin e vërtetë ajo e ka me forcat çlirimtare.
Nga ana tjetër, edhe organizata apo parti të tjera politike nuk e kanë njohur këtë parlament, dhe në këto organizata janë edhe njerëz të dëshmuar për atdhedashuri. Nuk e ka njohur këtë «parlament» edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me përjashtim të ndonjë renegati, i cili në vazhdën e lojës së flliqur përçarëse, nganjëherë edhe mund të thirret në emër të UÇK-së dhe e gjen portën e hapur në TVSH – pikërisht sepse i shërben interesave të një klase pacifiste. Nuk mund të thuhet se mosnjohja e një «faktori» nuk është e drejtë e secilit që është për një rrugë tjetër – por tashmë çdo gjë është e qartë. Çdo gjë është në dritën e diellit. Binjakëzimi që duan të bëjnë mes luftëtarëve të lirisë dhe dështakëve pacifistë është i destinuar të dështojë, sepse aktualisht ata përfaqësojnë jo vetëm rrugë të ndryshme, por edhe synime të ndryshme kombëtare.
LPK-ja nuk e njeh këtë «konsituim» sepse në të janë ata që kanë qenë e janë për shuarjen e vrullit politik dhe të luftës çlirimtare
E përse nuk e njeh LPK-ja, Dega jashtë vendit, këtë «konstituim»?
Tashmë kushdo e pranon se Kosova është në luftë dhe se përballë njëri tjetrit janë vënë ushtarët pushtues serbë dhe forcat çlirimtare shqiptare. Raste të tilla të kundërvënies mes pushtuesve dhe çlirimtarve historia botërore ka njohur me mijëra, sepse kudo është bërë luftë çlirimtare. Dhe në të gjitha rastet krijimi i një «asambleje» apo i një qeverie nën pushtim është quajtur qeveri kolaboracioniste dhe dihet tashmë se cila ka qenë përgjigja e popujve kundër një qeverie të llojit të tillë. Sepse është e natyrshme të pyetet se çfarë do të bëjë sot, në kushtet e luftës, ky „parlament” i mbledhur nën «hijen» e çetnikëve serbë, cilat ligje të tij mund të futen në fuqi, kujt mund t‘i shërbejnë ligjet e tyre. Edhe në «konstituimin» e tyre, ata nuk gjetën kohë të përshëndetin luftën çlirimtare në Kosovë, të nderojnë gjakun e dëshmorëve, sepse ky nuk ishte qëllimi i tyre. Të paktën ky nuk është qëllimi i atyre që e kanë emëruar këtë „parlament”, sepse njeriu ndjen keqardhje kur mëson se në këtë lojë, ndoshta me qëllimin e mirë për të bërë diçka janë futur edhe figura të nderuara, mes tyre edhe profesor I. Ajeti. Dhe një „parlament”, i mbledhur nën tutelën e pushtuesit, që zakonisht quhet kolaboracionist nuk ka se si të njihet nga një organizatë e tillë e dëshmuar për atdhedashuri, si është Lëvizja Popullore e Kosovës.

Prishtinë, 25 shkurt 1998: Kuvendi i tretë i LDK-së, i cili me të drejt u cilësua si “Kuvendi i Turpit”, sepse Ibrahim Rugova largoj përfundimisht nga LDK, ish-të burgosurit politikë, në krye me Hydajet Hysenin.

……………………………………………..

LPK-ja nuk e njeh këtë «konsituim» sepse në të janë përfaqësuesit e emëruar të atyre forcave politike, të cilat deri tash, por ne mendojmë se edhe më tej, kanë qenë e janë për shuarjen e vrullit politik dhe të luftës çlirimtare. Tani, kur i gjithë populli shqiptar në Kosovë, nuk kërkon asgjë tjetër veçse bashkim rreth UÇK-së dhe mjete luftarake për të përballuar armikun, këta përfaqësues deri më tash janë prononcuar për kahje të tjera të rrugës çlirimtare. Pra është e pamundur që fryma liridashëse dhe e qëndresës të shkojë nëpërmes këtij „parlamenti”, i cili është thirrur, qoftë para 22 marsit, qoftë pas 22 marsit. Ata, në fund të fundit, janë përfaqësuesë të atyre forcave politike që kanë qenë edhe kundër shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut. Kjo është e dëshmuar nga njëri prej ish themeluesve të LDK-së, Mehmet Kraja, në librin e tij publicistik.
LPK-ja nuk e njeh këtë «konstituim» sepse aty nuk janë të përfaqësuara idetë që mbron dhe që mbart UÇK-ja dhe forcat e tjera çlirimtare. Aty janë tubuar përfaqësuesit e atyre forcave, që jo shumë kohë më parë, forcat çlirimtare i kanë quajtur terroriste, i kanë quajtur vegla të Arkanit, kanë thirrur Interpolin për zbulimin e tyre apo kanë shkuar edhe në denoncime të tjera politike. A është e mundur të besohet se ky lloj „parlamenti”, që qenka i përmalluar nga fjala e Rugovës të ketë harruar se jo shumë kohë më parë, pikërisht ky Rugovë deklaronte se në rast sulmi serb, shqiptarët nuk qëndrojnë as dy ditë, duke dashur të mbjellë panikun dhe disfatën. Kudo në botë, cilido që i thotë vetes prijës i një populli, aq më shumë i një populli të robëruar, duhet të largohet përfundimisht nga skena politike sepse ai nuk i beson njerëzve të vet, pikërisht atyre njerëzve që i kanë besuar. Duke mësuar këtë fakt të kujtohet një citim i Volterit, kur thotë se „nuk ka asgjë më tragjike se besimi i popullit tek ata njerëz, të cilët nuk besojnë tek populli». A mund të presë populli shqiptar në Kosovë, që ky „parlament” i ngritur mbi strategjinë e nënshtrimit dhe të disfatës të ndërtojë tashmë strategjinë e qëndresës. Është e pamundur. Sepse ata që janë munduar të shuajnë çdo grimasë të qëndresës, nuk mund të jenë tashmë zëdhënës të asaj që janë e kundërta e saj. A mund të besohet se ky „parlament” do të nxjerrë ligje të tilla atdhedashurie si është për shembull çbllokimi i fondeve nga „Qeveria” për luftën çlirimtare, çka në fund të fundit është edhe një detyrim i qëndresës? Përfaqësuesit e këtij klani politik, që janë grumbulluar në këtë «konstituim» deri disa kohë më parë endeshin kudo që ishte e mundur për të denigruar luftën çlirimtare, dhe, kur nuk ia dolën ballas, kërkojnë, që në emër të institucioneve fiktive të përçajnë dhe të mashtrojnë. Nuk do t’u ecë.

Prishtinë, 22 Mars 1998: Ibrahim Rugova voton për zgjedhjen e tij “president”

dhe Kuvendin e Ri të Kosovës!

…………………………………

LPK-ja nuk e njeh këtë „parlament” sepse ai një nga qëllimet e tij të para do të ketë bllokimin e mëtejshëm të luftës çlirimtare – Rugova deklaroi se kjo forcë çlirimtare, UÇK-ja, është një pakicë njerëzish, që nuk kanë besim e përkrahjen e popullit shqiptar në Kosovë. Megjithëse ishte një deklarim jashtë realitetit, i gënjeshtërt, për të mos thënë ndonjë epitet tjetër më të saktë dhe më të denjë, ai shprehte një mendim politik. Tani këtë mendim politik, pikërisht kthimin e UÇK-së në një forcë pa përkrahje, do të mundohet të bëjë Rugova dhe klani i tij. Sepse është e natyrshme pyetja: përse për gjashtë vite, në kohë paqeje dhe në kohën e krijimit të institucioneve «paralele», në kohën kur deklaronte se ishin shteti më i zhvilluar në Europën Juglindore, pra përse atëherë doktor Rugova nuk e bëri konstituimin e „Parlamentit”, megjithë kërkesat e shumta të bashkatdhetarëve, e mes tyre edhe të kërkesave të LPK-së? Ne e kërkonim atëherë këtë konstituim sepse duke e parë rrugën e rrezikshme të Rugovës dhe përbërjen më dinjitoze se tani të parlamentit, kishim besim se do të ndikonim në bllokimin e disa proceseve autonomiste dhe të përshtatjes me pushtimin. Rugova nuk e bëri atëherë, sepse asgjë nuk e rrezikonte Serbinë, por edhe se asgjë nuk e lëkundte pushtetin e tij. Tani është një situatë tjetër. Pushteti i Rugovës është i lëkundur deri në rënie. Besimi i popullit ndaj tij është lëkundur deri në këputje. Besimi i diplomacisë botërore është mëdyshas edhe ai. Takimet e para të përfaqësuesve të vërtetë të Drejtorisë Politike të UÇK-së me diplomatët amerikanë ishte sinjali i fundit për Rugovën. Ai provoi që me anë të njerzve të tij, të siguronte Amerikën se e kishte edhe UÇK-në nën kontroll, por nuk i eci. Në këto kushte, kur gjendja është e acaruar, kur bëhet thjeshtë luftë e jo konferenca shtypi, Rugova, për më pak se një orë «konstituon» parlamentin. Kushdo është i lirë të pyes: Përse tani? Kur paska qenë kaq e lehtë në kohë lufte, përse nuk u bë më herët? Çfarë e shqetësoi Rugovën?
Nuk është hera e parë që shqiptarët ndeshen me krijesa mjerane që thirren në emërin e parlamenteve apo të asambleve
E gjithë kjo ka një përgjigje: rritja e autoritetit, e forcës dhe e veprimit politik të UÇK-së e detyruan Rugovën të bënte farsën e konstituimit të „parlamentit”. Dhe këtë nuk e bëri për t‘i dhënë shtytje luftës çlirimtare, por për ta frenuar dhe për ta minuar luftën çlirimtare. Dhe duke qenë të qartë për një veprim të tillë, nuk kemi pse të njohim krijimin e këtyre fiktiviteteve, që shpien nga negativja.
Aktualisht dëshira e vërtetë e shqiptarëve është bashkimi. Këtë thirrje e bëjnë drejtuesit e luftës në front, e bëjnë njerëzit e thjeshtë e të zakonshmëm, e bëjnë telekronistët e luftës e në fund të fundit kjo është thirrje e dëshirë e kohës. «Parlamenti» u mblodh sipas urdhërit partiak dhe bindjeve partiake, kur është një kohë që më së paku Kosovës i duhen bindje të tilla, kur forcat e vërteta çlirimtare kanë lëshuar thirrjen e shqiptarizmit si flamur bashkimi. Kush është në këtë „parlament”? Janë përfaqësues të LDK-së, e krijuar në mënyrë tashmë jo të dyshimtë, por të ditur mirë se me nismën e organizmave të Lidhjes Komuniste të Kosovës, si vazhdim i saj, në kushtet e reja të krijuara. Edhe programi fillestar i saj është bërë në zyrat e kësaj krijese famëkeqe të diferencimit. Megjithatë e drejta e ndryshimit i njihet kujtdo, nëse bëhet ky ndryshim. Por nxënësi nuk ka ndryshuar nga mësuesit. Ata krijuan parcializmin, ose diferencimin e mëtejshëm të popullit. Duke patur në duar, si më parë mjetet e informacionit, ata krijuan rishtas bindjen, se kush nuk është me LDK-në, është kundër Kosovës. Sidomos këtë e krijuan kundër forcave çlirimtare ilegale, kundër ish të burgosurve politikë dhe një brezi të tërë politikanësh, që ishin mësuar të shohin përtej perdes së mjegullt që kishte vendosur LDK-ja: bëjnë pjesë në këtë parlament edhe përfaqësues të bijzave të LDK-së, si liberalët e «liberalit» Deda apo kristianodemokratët e Krasniqit. Asnjëherë këto partiza nuk kanë mundur as të «teshtijnë» kundër frymës partiake të LDK-së, e as të mos guxojnë t’i thonë «shëndet» prijësit lëdëkëist, edhe për gafat politike të tij. A mund të pritet burrëri dhe dinjitet nga këta partiakë të bindur, a mund të pritet që idetë e qëndresës të mbarten prej tyre? Atëherë përse duhet ky «parlament»? Për të mbajtur brekushet e konferencave të shtypit të Rugovës të cilat po përsëriten si notat kineze të protestave? Mos qoftë e thënë që dinjiteti shqiptar të zvarritet, qoftë edhe në formë institucionale.
LPK-ja nuk i ka njohur dhe ka qenë kundër zgjedhjeve të 22 marsit. Jo vetëm se ato bëheshin nën pushtim, por edhe pse në atë kohë Kosova ndodhej në momentin e kthesës së madhe historike, kur tashmë do të vendosej e ardhmja jo thjeshtë e shqiptarëve në Kosovë, por edhe probleme madhore të kombit tonë. Ato u bënë, jo vetëm kur nuk duhej të bëheshin, por edhe mbi bazën e manipulimit politik. Si të tilla ato ishin të pa pranueshme për forcat çlirimtare. Dhe ishin të tilla jo se u mënjanuan disa figura të ish të burgosurve politikë, të cilët vitet e fundit, nën mantelin e legalistëve e kishin humbur shumë militantizmin e tyre, por edhe sepse idetë e vërteta të çlirimit nuk përkonin me ato zgjedhje farsë. Nga njëra anë bëheshin zgjedhje, në ato zona që quheshin të lira, por që në fakt ishin dhe janë të pushtuara, kurse nga ana tjetër mënjanoheshin ato zona ku ideja e lirisë ishte më e fuqishme se kurrë edhe që në fakt sot janë zona të lira.

Rambuje, 12 Shkurt 1999: Bedri Islami së bashku me Lulzim Jasharin,

djalin e Komandantit të UҪK-së Adem Jashari.

……………………………………..

Ka edhe arsye të tjera që LPK-ja nuk i njeh këto inskenime parlamentare, por gjithkush duhet të jetë i bindur se asnjëri prej këtyre shkaqeve nuk është për arsye meskine, por për çështja madhore, me të cilat lidhet e sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë.
Shqiptarët nuk është hera e parë në historinë e tyre që ndeshen me krijesa mjerane që thirren në emërin e parlamenteve apo të asambleve. Gjithashtu historia është dëshmuese se cila ka qenë përgjigja e popullit ndaj këtyre krijesave famkeqe. Dhe jemi të bindur se tashmë njerëzit po ecin në një rrugë tjetër, që është rruga e nderit dhe e dinjitetit. Ne përkrahim pikërisht këtë rrugë dhe gjithçka që kemi, deri edhe jetën, e vemë pikërisht në shërbim të këtij ideali. Ndaj edhe nuk i njohim krijesat parlamentare që sjellin përçarjen.
*) Nga cikli i shkrimeve: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës” – në fund të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999.

======================================
(*) SHTOJCA E PASHTRIKU.OIRG

ZGJEDHJET E 22 MARSIT 1998 DHE KONSTITUIMI I KUVENDIT (MË 16 KORRIK 1998) – KISHIN PËR QËLLIM DEFAKTORIZIMIN E UÇK’së

(…)

Për ta mbajtur rrejshëm frymën institucionale, apo thënë më qartë, për të manipuluar me popullin Shqiptar, se gjoja kemi institucione shtetërore, Ibrahim Rugova, (në vitet 1996/97) tashmë me mandat të skaduar të postit të presidentit, pa u konsultuar me partitë tjera parlamentare i shtynë dy herë zgjedhjet dhe dy herë të tjera ua zgjatë mandatet (në maj e dhjetor 1997) kuvendarëve të pa kuvend të Republikës së Kosovës, dhe përfundimisht më 23 dhjetor 1997 i shpallë zgjedhjet e reja ”parlamentare dhe presidenciale” për datën 22 mars 1998. Ibrahim Rugova nuk kishte për qëllim ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të mirëfillta shtetërore, thjesht ai synonte legjitimimin e mandatit të tij si “president” i Republikës së Kosovës, përmes improvizimit të këtyre “institucioneve” në emër të “votës së lirë” të shqiptarëve me zgjedhje gjithashtu të improvizuara, sepse s´mund të kishte zgjedhje të lira e demokratike, nën pushtimin klasik të Kosovës nga Serbia!!! Dalja publikisht e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës më 28 Nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës (me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci) ka bërë kthesë historike në vetëdijsimin e popullit, në kuptimin, se UÇK-ja ekziston dhe si e tillë nuk ishte krijesë e “shërbimeve sekrete serbe”, siç e ka cilësuar shumë herë “presidenti historik” Ibrahim Rugova. Pra, ndodhi vetëdijsimi në popull, por jo edhe te “institucionet e Republikës së Kosovës” që drejtoheshin nga ky njeri i papërgjegjshëm.
* * *
Më 25 shkurt 1998, (vetëm tri ditë para se të ndodhte Masakra në Likoshan e Qirez të Drenicës nga forcat policore-ushtarake serbe) në restoranin e njohur “Dora” në Prishtinë, u mbajt Kuvendi i tretë i LDK-së, i cili me të drejt u cilësua si “Kuvendi i Turpit”. U quajt i tillë, për faktin sepse kryetari i partisë Ibrahim Rugova, duke aplikuar “dorën e fortë” i qëroi hesapet me të padëgjueshmit e tij, brenda strukturave të LDK-së, nga aktivet, nëndegët, degët… deri në krye të partisë. Duket që Ibrahim Rugova me këtë rast ka përdorë logjikën e krijuar prej kohësh, që kontrolli mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës ka domethënien e kontrollit edhe mbi popullin shqiptarë në Kosovë (!!!) Në këtë kuvend me veprimet e “super-personalitetit të fuqishëm” Ibrahim Rugova, nga LDK-ja u eliminuan ish – të burgosurit politikë, në krye me Hydajet Hysenin, i cili deri në ditën e kuvendit ishte në pozitën e nënkryetarit të LDK-së.

…………………………….

Prishtinë, 25 Shkurt 1998: Kuvendi i tretë i LDK-së…, ku Ibrahim Rugova i eliminon

kundërshtarët e tij, zgjidhet kryetar i LDK-së dhe kandidohet për President –

për zgjedhjet e 22 marsit 1998!

…………………………………………

* * *
Pas daljes publike të UÇK-së, në fillim të vitit 1998 Millosheviqi intensifikojë operacionet policore-ushtarake kundër UÇK-së. Më 22 janar 1998 ndodhi sulmi i parë i forcave serbe në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, ndërsa një muaj më vonë, pikërisht më 28 shkurt, forcat policore – ushtarake serbe sulmojnë fshatrat Qirez dhe Likoshan të Drenicës, me ç´rast u vranë e u masakruan barbarisht dhjetra shqiptarë ta pafajshëm, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, pleq dhe gra shtatzëna, siç ishte rasti me gruan Rukie Nebihu. Vetëm një javë më vonë nga kjo masakër mizore, saktësisht më 5, 6 e 7 mars 1998, forcat militare e paramilitare serbe me gjithë arsenalin ushtarak (tanke, topa, mitralozë të rëndë etj) rrethuan Prekazin dhe sulmuan për herë të dytë familjen e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, dhe gjatë këtyre tri ditëve (sa zgjatën luftimet), barbarët serbë, në format më mizore vranë e masakruan rreth 50 anëtarë të familjes Jashari.

…………………………………………..

Drenicë, 5 – 7 Mars 1998: Derisa Ibrahim Rugova bënte fushatë zgjedhore (pa u penguar nga forcat e shumta policore-ushtarake serbe) për zgjedhjet e 22 marsit, në Prekaz ndodhi masakra makabre në familjen e Madhe të Shaban Jasharit! Shikoni videomaterialin:



……………………………………..

Në kohën kur akoma kufomat e masakruara të familjes legjendare Jashari ishin pa u varrosur, në kohën kur mblidheshin para për të blerë arkivole për burrat, gratë, pleqtë dhe fëmijët e masakruar, më 5, 6 e 7 mars, nga forcat kriminale të Millosheviqit, në kohën kur fshatrat e Drenicës dhe të Dukagjinit mbaheshin të rrethuar nga njësitë kriminale serbe, LDK-ja me partitë satelite të saj, pa u penguar seriozisht nga regjimi pushtues serb, bënin fushatë parazgjedhore. Ndërkaq, Partia Parlamentare e Kosovës, së bashku me UNIKOMB-in, PSDK-në (krahu i Luljeta Pulës – Beqirit), Partia Liberale Shqiptare, Këshilli Koordinues i degëve të LDK-së në Prishtinë, Unioni i Pavarur i Studentëve të UP-së, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë etj., vendosën që t´i bojkotojnë këto zgjedhje.
Një javë para mbajtjes së zgjedhjeve edhe Shtabi Kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes komunikatës nr. 46, u shpreh kundër këtyre zgjedhjeve, duke i ftuar partitë politike që zgjedhjet e 22 marsit të anuloheshin, ndërsa ftoi popullin t´i bojkotonte ato.
Ibrahim Rugova, në apelin e 19 marsit, duke i ftuar qytetarët të dalin në votime, ua bën me dije, se këto zgjedhje kanë “rëndësi të veçantë historike, kombëtare e shtetërore”, sepse kështu “forcohet legjitimiteti i udhëheqjes dhe institucioneve të Kosovës”, se “me këto zgjedhje mbahet dhe forcohet rendi demokratik në Kosovë…” dhe se “këto zgjedhje kanë përkrahje ndërkombëtare…” (!!!)

………………………………………

Prishtinë, 22 Mars 1998: Ibrahim Rugova voton për Presidentin Ibrahim Rugova dhe për Kuvendin e Kosovës! Shikoni videomaterialin gjatë votimit të tij me gruan – Fanën:

………………………………

A ishte këshu siç ka thënë Rugova?
Zhvillimet politike (në vitin 1998) në Kosovë dhe rreth Kosovës, katërçipërisht kanë dëshmuar se këto zgjedhje nuk e luajtën rolin historik, kombëtar e shtetëror, as nuk e forcuan legjitimitetin e lidershipit politik e institucional, për shkak të sjelljeve diletante të Ibrahim Rugovës, përkundrazi thelluan përçarjen e faktorit shqiptarë dhe si të tilla prodhuan situata antihistorike, antikombëtare e antishtetërore. Për më tepër, s´kishte asnjë mundësi reale që të forcohet rendi i proklamuar demokratik nga Ibrahim Rugova, në Kosovën e përgjakur nga regjimi pushtues i Millosheviqit.
* * *
Pavarësisht nga rrethanat e luftës dhe lëvizjet gjithëpërfshirëse për unifikimin e faktorit politik e ushtarak, „presidenti“ Ibrahim Rugova kishte vendosur ta „konstituonte“ Kuvendin e Kosovës. Më 16 korrik 1998 (pikërisht në kohën kur forcat ushtarake-policore serbe kishin marrë një ofensivë të gjerë me karakter shfarosës, në zonën e Vërrinit, në drejtim të Rahovecit, të Malishevës etj.), në ambientet e selisë së LDK-së në Prishtinë, Ibrahim Rugova ka mbajtur mbledhjen themeluese të Kuvendit të Kosovës, ku morën pjesë me 75 deputetë, 59 deputetë të LDK-së dhe 16 të partive tjera (nga 130 sa duhet të ishin – Sh.B) të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998. Kjo mbledhje konstituive po mbahet pas 115 ditëve, përkatësisht pas tre muajve, tri javëve e tri ditëve, nga dita kur u mbajtën zgjedhjet e “lira dhe demokratike” të 22 marsit 1998. Edhe pse mbajtja e Kuvendit ishte bërë i ditur dy ditë më parë, ai i zhvilloi punimet normalisht pa u penguar nga sigurimi shtetëror serb, pothuajse deri në përfundim të mbledhjes. Me propozimin e Ibrahim Rugovës, Kryetar i Kuvendit u zgjodh akademik Idriz Ajeti dhe tre nënkryetarë: Iljaz Kurteshi nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, krahu i Kaqusha Jasharit; Gjergj Dedaj, nga Partia Liberale e Kosovës dhe Zef Morina nga Partia Shqitare Demokristiane e Kosovës, ndërsa Sekretar i Kuvendit u zgjodh Fatmir Sejdiu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Është shumë i çuditshëm fakti se, në momentin e përfundimit të mbledhjes „konstituive të Kuvendit“, në orën 13:05 para hyrjes së barakës së LDK-së ka arritur ambasadori amerikan në Beograd Nikollas Hill. Pas tij janë futur edhe një numër policësh serbë në rroba civile, ndërsa hyrja e barakës u mbush përplotë policë: dy pizgauerë, vetura civile dhe një fugon policie. Në ora 13:13 nga baraka dalin policët serbë „me dokumentacionin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës!“ Para orës 14:00 nga baraka ka dalë edhe Nikollas Hill, kurse pas tij edhe Ibrahim Rugova, i cili largohet nga baraka pa u ndaluar nga policia serbe! ( Lexo: Nikë Gjeloshi-Kosova 1999, fq.173-174)
Mënyra se si është paralajmëruar për opinion mbajtja e Kuvendit, pastaj ecuria e zhvillimit të punimeve në këtë “seancë“ konstituive dhe ardhja e amasadorit amerikan bashkë me policinë serbe në ambientet e barakës së LDK-së, pikërisht në momentet kur mbledhja po përfundonte, sipërfaqëson qartë faktin se, ky Kuvend u mbajt (sa për sy e faqe) me marrëveshje paraprake në mes të qarqeve diplomatike të huaja, Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Millosheviqit.
Konstituimi i Kuvendit nga LDK’ja bashkë me partitë e vogla që morën pjesë në zgjedhjet e 22 marsit, kishte për synim defaktorizimin e UÇK-së si faktor politik e ushtarak, dhe kjo ka ndikuar dukshëm në thellimin jazit të përçarjes brenda faktorit politik shqiptarë. Kundër mbledhjes së Kuvendit të Kosovës u deklaruan: Partia Parlamentare e Kosovës në krye me Adem Demaçin, Lëvizja Demokratike Shqiptare në krye me Rexhep Qosjen, Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të cilat këtë veprim e cilësuan si një komplot të Ibrahim Rugovës për të mashtruar popullin me këtë Kuvend.
* * *

Verë 1998: Jakup Krasniqi, Zëdhënësi i Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës.

……………………………………..

Një ditë pas mbajtjes së Kuvendit, ka reaguar edhe SHP i UÇK-së. Në deklaratën politike nr. 4 të datës 17 korrik 1998, SHP i UÇK-së, deklaron:
“UÇK e ka thënë me kohë se nuk pranon ato zgjedhje që i shërbejnë për dekor pushtuesit dhe do të ishin farsë mashtruese për shqiptarët e Kosovës. Kemi thënë se nuk pranojmë zgjedhjet të cilat legjitimojnë ndarjet e reja territoriale të vendit tonë, që filluan me “zgjedhjet e lira” të 22 marsit 1998 – kur një pjesë e tokave lahej në gjak e në anën tjetër ngriheshin dollitë e “fitores historike” të një grupi tarafësh. Gjithashtu kemi përsëritur shumë herë deri tash se jemi për jetësimin e institucioneve të pavarura, funksionale dhe operative, që do ta siguronin çlirimin e Kosovës. UÇK, edhe më herët ka paraqitur qëndrimet e veta në raport me tendencat e një kaste politike, e cila ka për qëllim jo krijimin e institucvioneve kombëtare për avancimin e çështjes shqiptare, por frenimin dhe minimin e luftës sonë çlirimtare – mu në kohën kur ajo është gjithëpërfshirëse. Sukseset e UÇK’së në fushëbetejat e shumta e detyruan pushtetin okupator të lejojë mbajtjen formale të një parlamenti të kontestuar nga të gjithë ndërgjegja politike kombëtare. Ky parlament mbajti mbledhjen „themeluese“ vetëm pas kërkesave dhe këshillave të vazhdueshme të cilat erdhën nga miqtë tradicionalë të okupatorit tonë, nga Moska dhe Athina.
UÇK’ja ia tërheq vërejtjen autorëve të këtyre makinacioneve se kanë shkuar larg me lojërat e ndyta në dëm të kombit dhe Atdheut. UÇK’ja këtu vëren tendencën më të hapët të përçarjeve të shkaktuara nga ky klan në lëvizjen politike shqiptare, të cilat barten edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare. Gjithashtu e këshillojmë miqësisht edhe faktorin ndërkombëtar, sidomos SHBA’të dhe vendet e demokracisë perëndimore, që të mos bien nën ndikimin e allëshverisheve ruso-greke. (…) UÇK është në krijimin e institucioneve të reja funksionale dhe kombëtare, për kushtet dhe rrethanat e luftës. Këtë duhet ta bëjmë me të gjitha ato forca politike të cilat synojnë ndershmërisht lirinë, me individë të rinj, të ngritur politikisht dhe profesionalisht, dhe, me intelektualë të dëshmuar kombëtarisht. (…) Lufta e jonë vazhdon deri në fitore. – përfundon deklarata politike nr. 4 e SHP të UÇK’së.

(…)


Nga Sheradin Berisha, Kryeredaktori i pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura